Ushtarakët, letër Ministres Xhaçka dhe gjeneral Kollçakut/ Ish-drejtuesit e lartë të Radiolokacionit dhe komandës së radarëve e raketave: Na zgjidh hallin që na ka zënë znj. Olta Xhaçka, përpara se të shkojmë në botën tjetër! Kemi punuar me rrezatim radioaktiv, por ju na keni anashkaluar, shpërfillur dhe fyer

648
Sigal

Ne që po të shkruajmë zonja Ministre e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, (por pa anashkaluar Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade z. Bardhyl Kollçaku), jemi një grup ushtarakësh që patëm fatin e keq të shërbenim në disa reparte speciale të sistemit që lamë pas, në pozicione që tani po e marrim vesh, se paskemi luajtur me jetën tonë, por edhe me të ardhmen e familjes e të fëmijëve tanë.

Por le të futemi drejt e në temë, duke bërë sqarimet përkatëse për çka po u drejtohemi dhe çfarë po kërkojmë nga Ju dhe dikasteri që drejtoni, nga të gjitha instancat që kanë për detyrë të trajtojnë seriozisht e me përgjegjshmëri ligjore e qytetare çështje të tilla kaq delikate.

Ne, zonja ministre e Mbrojtjes, jemi rreth 250 ushtarakë që kemi qenë pjesë e reparteve të Radiolokacionit shqiptar, të Stacioneve të Drejtimit të Raketave dhe sektorëve ndihmës, që ende nuk kemi dalë në pension, dhe rreth 200 të tjerë që kanë shërbyer në këto reparte, por që e gëzojnë pensionin e pleqërisë. Problemi është se për trajtimin tonë, qoftë për personat që punuan për disa vjet, e qoftë për të tjerët që kanë dalë në pension, është mbajtur e mbahet një qëndrim mospërfillës, denigrues e antinjerëzor dhe, më kryesorja, jo ligjor.

Pse themi “jo ligjor”. Sepse puna dhe shërbimi jonë në këta lloj repartesh, për shkak të rrezatimit radioaktiv, shëndeti i personit që gjendet apo qëndron në mjedise të tilla, është nën efektin e një rreziku të pashmangshëm për jetën. Sa për kujtesë duam t’u vëmë në dijeni se në të gjitha sistemet dhe në të gjitha shtetet e botës punonjësit që kanë punuar apo punojnë në këto shërbime trajtohen në mënyrë të veçantë, në mënyrë speciale, qoftë në paga, qoftë në trajtimin ushqimor e shëndetësor. Përpara viteve 1990 kishte vendime të veçanta nga qeveritë e kohës për kujdesin që tregohej ndaj personelit të shërbimit në stacionet e Radiolokacionit dhe ata të drejtimit të Raketave. Ndoshta nuk është e nevojshme të sjellim fakte dhe shifra për të argumentuar këtë çka po themi, por ajo që na shqetëson dhe që na është bërë problem shumë i madh, qëndron tek moskokëçarja e qeverisë, e ministrive përkatëse dhe e hallkave të tjera ligj-zbatuese, për të na trajtuar si qytetarë me të drejtat që na takojnë, absolutisht as më shumë e as më pak sa na jep ligji. Ne jemi njohur me një aktmarrëveshje të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Financave, të nënshkruar më 26 nëntor të vitit të kaluar, e cila është hartuar e nënshkruar edhe nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore e Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Aktmarrëveshja është një dokument që meriton të lavdërohet, por jo nga ne, jo nga ish-ushtarakët dhe personeli që ka shërbyer në repartet e sipër përmendura. Pse? Sepse ju na kini anashkaluar, na kini harruar e shpërfillur në mënyrën më të keqe, më fyese. Si është e mundur që për të gjitha kategoritë e ushtarake, gati pa përjashtim, janë bërë rekomandimet dhe ndërhyrjet e nevojshme, ndërsa për kategorinë tonë, për ne që sot jemi bërë gjysmë njerëz, të dëmtuar e të shkatërruar nga rrezatimi radioaktiv, nuk na kini llogaritur fare, pra nuk na kini afruar asgjë?! Është harresë, apo diçka tjetër? Sipas mendimit tonë ky është qëndrim i pafalshëm, një “pakujdesi” që na bën të paragjykojmë vlerësimin që ka Ministria dhe Shtabi i Përgjithshëm për këtë pjesë të forcave të armatosura që patëm fatin të shërbenim në sektorë të rrezikshëm për shëndetin, konkretisht për ne ish ushtarakët dhe personeli inxhinier-teknik që morëm iniciativën për të bashkëbiseduar me Ju nëpërmjet shtypit.

Problemi më flagrant dhe që na ka bërë të ndjehemi të dëshpëruar është pritja e përcjellja që na është bërë teksa ne kemi prezantuar ankesat tonë nëpër dyert e zyrtarëve që mbulojnë çështje të tilla. E di pse zonja Ministre, e di pse zoti Shef i Shtabit të Përgjithshëm? Sepse na tregojnë e drejtojnë te gjykatat! Ju e dini më mirë se ne sesi funksionon drejtësia në Shqipëri, që duhet të paguash qimet e kokës pa të marrësh të drejtën që të takon. Ne nuk e kemi bërë këtë dhe nuk na shkon ndërmend kurrë për ta gjetur të drejtën në rrugë të padrejtë. Disa nga shokët tanë, të cilët kanë përdorur lekun dhe mikun, ia kanë arritur qëllimit. Sigurisht janë fare pak, disa persona. Atëherë për të fituar edhe ne të tjerët këtë të drejtë, mos na duhet të shkojmë një nga një nëpër gjykata, të paguajmë nën dorë e mbi dorë, për të fituar të drejtën që na takon? Jo, ne nuk mund ta bëjmë këtësepse kur ka ligje, kur ka instance shtetërore që qëndrojnë “roje” për mos shkeljen e të drejtave qëna takojnë. Na duhet të bëjmë me dije diçka që për ne është kërkesa më kryesore. Ka një ligj, zonja Xhaçka, që vitet e shërbimit tonë në repartet e raketave e radiolokacionit, kur mbushim moshën për të dalë në pension, apo për aq vite sa kemi shërbyer, shumëzohen me shifrën 1.5 që do të thotë që një vit punë konvertohet në një vit e gjysmë. Kjo nuk është zbatuar. Pyesim veten përse ndodh kjo e përse në ndonjë rast përdoren dy standarde? Nuk i japim dot përgjigje ndaj edhe po u drejtohemi Ju si drejtuesja kryesore e dikasterit. Disa nga kolegët tanë u kanë drejtuar letra e kërkesa edhe ju zonja Xhaçka, por nuk u është dhënë përgjigje, nuk është realizuar asnjë kontakt me ta për t’i dëgjuar, e më tej ajo ça ne kërkojmë të futet në rrugën e zgjidhjes. Përse? Nuk e dimë, por mendojmë se kjo është neglizhencë e pafalshme. Na duket se kemi të drejtë morale të bëjmë këtë pyetje, zonja ministre: Kur do ta fitojmë këtë të drejtë ligjore, kur do të trajtohemi ashtu siç na takon dhe që për këtë kemi bindje të plotë se e drejta qëndron në anën tonë? Numri i shokëve tanë, të cilët janë ndarë nga jeta në moshë relativisht të re, nga 35 deri në 60 vjeç, është tepër alarmante. Disa oficerë që shërbyen në Flotën Luftarake Detare për shkak të rrezatimit radioaktiv janë ndarë nga jeta në moshë relativisht të re. Meqë është rasti po ju vëmë në dijeni se dhjetëra ushtarakë si Kujtim Veisllari, Myftar Arapi, Valter Mema e Tosun Sinani janë ndarë nga jeta në moshën 53 vjeçare. Dhe ky trajtim, të cilin ne po e kërkojmë më forcë, për ata nuk u zbatua kurrë. Deri tani kanë ndërruar jetë 176 persona dhe çdo vit, për fat të keq, ikin 6 deri 7 ish ushtarakë të tjerë. Atëherë kur dhe cili është ai institucion shtetëror që mund dhe duhet të na japë përgjigjen e duhur, atë ligjoren, zonja ministre? Apo kur të shkojmë tek ata që nuk i kemi më midis nesh, në botën tjetër. Ata nuk e fituan, nuk iu dha shpërblimi që meritonin dhe ndoshta ka qenë pengu më i madh i jetës së tyre. Atëherë, kjo do të ndodhë edhe me ne që kemi mbetur gjallë? Ju nuk e kini të vështirë të thërrisni specialistët përkatës për t’u bindur për atë çka ne kërkojmë e që ngulim këmbë për t’i shkuar deri në fund kësaj të drejte që na takon. Mund të konsultoheni edhe me njekë të këtij profili dhe jemi të bindur se do të çuditeni se në ç’kushte të frikshme kemi punuar për vite e vite të tjerë. Shumë kemi rrezikuar zonja Xhaçka, shumë. Ne, gati të gjithë, jemi të prekur nga sëmundje të rrezikshme, shumica të pashërueshme, për shkak të bombardimit me rreze radioaktive. Nuk po i sjellim faktet të tjerë për atë që po ndodh me shokët tanë me problemet e shëndetit, sepse ndoshta nuk është vendi, por gjejmë rastin t’u lutemi për të treguar kujdes me ne ish ushtarakët që kemi shërbyer në këta sektorë kaq delikat dhe të na jepet ajo që meritojmë. Realisht sot për sot po ndjehemi si të persekutuar.

Shkurt, me pak fjalë, ne kërkojmë që të kthehet për një çast vëmendja juaj ndaj nesh. Nga ju dhe nga të tjerët që mbajnë përgjegjësi për zvarritjet e pajustifikuara. Ua kërkojmë këtë gjë, zonja Ministre, sepse kemi përshtypjen që nuk kini informacionin e duhur ndaj shqetësimit tonë, ndaj këtij kontingjenti ushtarakësh që meritojmë të trajtohemi ashtu si të gjithë të tjerët, vetëm sipas ligjit. Jemi shumë të shqetësuar për problemin që ju shkruam e që po e bëjmë publik. Por shpresa, siç thuhet, vdes e fundit. Ne jemi duke pritur që kjo shpresë të bëhet realitet.

Me konsideratë për Ju,

Aleksandër Baka-Ish shef i zbulimit në Radiolokacion

Zhevahir Dardha-Ish shef e radiolokacionit në FLD

 Dhimitër Gegeni, Ish-K/inxhinier,

Engjëll Qirjaqi, Inxhinier në raketa-radiolokacion

 Frederik Rrapaj, Komandant reparti në radiolokacion

Bajram Tema, Komandant reparti

Harallamb Zerva, Ish-shef i stacionit të drejtimit, akademist

Andon Çali, Ish-shef i stacionit të drejtimit

Agim Zani, Ish- komandant radari

Paqsor Aliko, Ish- komandant radari

Ymer Sula, Ish- komandant reparti

Aleksandër Dimo, K/operativ