Suplementi Pena Shqiptare/ Albert Habazaj: Përjetsimi i LANÇ në folklor

903
Sigal

Artisti popull përjetëson në art Luftërat e qarkut të Vlorës për liri e pavarësi

Përjetësimi i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare në folklor

Nga Albert HABAZAJ

(Pasardhës veterani dhe anëtar i Komitetit të Veteranëve Vlorë, studiues i Etnologjisë dhe Folklorit)

Secili nga ne, kur lexojmë një libër, shikojmë një film apo zhvillojnë një bisedë për Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare (7 Prill 1939-29 Nëntor 1944), natyrshëm dhe krenarisht na vijnë ndër mend vargjet lapidare dhe të papërsëritshme:

Ç’ju kish rritur nëna

 për një botë të re,

lule more trima

që ratë për Atdhe”.

Kujtojmë se Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare është kurora e artë e historisë së lavdishme të popullit shqiptar në shekuj, faqja e saj më e ndritur në rrjedhat e kohës, përbën një postulat logjik dhe jetësor, që s’ka nevojë për komente e vërtetim, sepse është vërtetuar me gjakun e kulluar të 28 mijë dëshmorëve, që ndrijnë si yje të pashuar në qiellin e lirë të Shqipërisë në këtë 75 vjetor të Çlirimit të vendit. Trimave që dhanë jetën për liri u këndohet këngë dhe ata e kanë shkruar përjetësisht emrin e tyre në histori. Vetëm ata do të rrojnë në zemrat tona “sa mosha e kësaj toke”. Një armatë e tërë me 70 mijë luftëtarë, nga bijat e bijtë më të mirë e të devotshëm të Atdheut, shumica në lule të rinisë ngjeshën radhët në 28 brigada partizane, që shkruan kronikën e viteve të stuhishmen të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, e cila në këtë jubile e meriton të quhet legjion nderi i kombit. Përveç shumë e shumë botimesh me vlerë në fushën e folkloristikës, veçojmë dy botime të nivelit akademik: “Këngë Popullore për Luftën Antifashiste Nacional – Çlirimtare dhe Ndërtimin Socialist”: vëllimi V, botim i Akademisë së Shkencave, ku përfshihen 501 këngë për dëshmorët dhe heronjtë e popullit, si dhe po me këtë titull, vëllimi VI, ku përfshihen 387 këngë për yjet e lirisë, të dyja vëllimet botuar në vitin 1982.  Edhe sipas studiuesve më në zë të fushës, këngët kushtuar dëshmorëve dhe heronjve të LANÇ mund t’i ndajmë në dy grupe: Grupi i parë përfshin  këngët që janë krijuar gjatë luftës. Ka dhe këngë dëshmori për dëshmorin! Grupi i dytë përfshin këngë që janë krijuar e vazhdojnë të krijohen në këto 75 vite të Pasçlirimit e në vijim. Një këngë të tillë po e citojmë edhe në këtë takim jubilar, krijuar nga autori i këtij materiali (Albert Habazaj) dhe kënduar nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve të Vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit” për nder të 75 vjetorit të Çlirimit. ja teksti:

 

Vjeshta ka ngjyrë lirie*

 

Teksti: Albert HABAZAJ

 

Nderim për besën e trimit,/ Për dëshmorët e Çlirimit./ Për dritën e Idealit

Dhe loti çel lule malli./ Porsi yje të bekuar/ Shkëlqejn’ e s’kan’ për t’u shuar.

Qemal Stafa do të vijë/ Me njëzet e tetë mijë./ Liria i ka në rrënjë,/ Shpirt i popullit në këngë.

Shqipëri, harta me yje,/ Dëshmorët, lavdi mbi krye.

 

Ndër zemra atdhetarie

Vjeshta ka ngjyrë lirie.

Shqipëri, e bardha Nënë,

Kush s’të do, u shkultë me rrënjë!

 

 

*) Kënduar nga grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit” për 75-vjetorin e Çlirimit të Atdheut [në skenën e Pallatit të Kulturës “Labëria”, Vlorë]

 

Marrëse: Antoneta Goxho Mehmetaj

Kthyese: Shpresa Kapo Çelaj

Hedhëse: Vito Shiroku Veraj

 

Sikurse mbarë populli shqiptar, edhe populli i qarkut të Vlorës ka luftuar si ai për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut, hipotekën e të cilit e kemi trashëgim nga të parët, se është vulosur me gjakun dhe eshtrat e tyre, që për ne janë të shenjta. Edhe luftërat e qarkut të Vlorës janë përjetësuar në vargjet e kulluara të gurrës popullore: “Kemi derdhur gjak me okë” shkroi vjershëtori i talentuar i Pilurit, Himarës, Labërisë, Vlorës dhe Shqipërisë mbarë, Mjeshtri i Madh Lefter Çipa.

“Shqipëria, shkëmb e gur/ kështu ka qenë qëkur:/ vrite, prite për Flamur,

bota hiq e tinë vur’,/ Evropa lësho e zur’/ ca bejler’ e ca barunë” (të pasur, shën. im A.H)

– këndonte xha Selimi i Madh i Bratit, që e pa me sy zjarrin e Luftës, u hodh në flakët e Lirisë dhe u kthye me shqiponjat partizane, me lirinë shkruar në ballë, i bukur si liria, i qeshur si ajo; saqë dhe Hiton, djalin e tij e bëri sakrificë sublime, se duhej për idealin e lirisë.

***

Këngët e qarkut të Vlorës, i cili sot ka një sipërfaqe 2 706 km² dhe një popullsi të regjistruar 175 640 banorë (sipas botimit “Censusi i popullsisë dhe banesave”; 2011, f.133) me rrethet Vlorë, Sarandë e Delvinë janë një yjësi e ndritshme në kozmosin yjor, ku magjia brilante e folklorit shpërthen denjësisht e krenarisht për ngjarje e data, për dëshmorë e heronj, për heroina me lavdimbuluar emrin e tyre. Në një kumtesë apo dhe shkrim, botuar te “Kushtrim brezash” apo tek gazeta qendrore që vlerësojnë dhe nderojnë LANÇ, vetëm sa mund të ravijëzojmë disa elemente historike të këngës për këtë ngjarje madhore, më e lavdishmja në historinë e kombit tonë mijëravjeçar, siç është Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANÇ) e popullit shqiptar, dhe, si pjesë e së tërës, dhe e popullit liridashës e atdhetar të Vlorës. Epika historike e LANÇ është zhvilluar sipas tre cikleve kryesore: cikli i këngëve për 7 prillin; cikli i këngëve për formacionet dhe aksionet partizane, i cili dallohet për numrin e madh të krijimeve poetike gojore, për motivet e ndryshme dhe shtrirjen  e gjerë tematike si për Brigadën e Pestë Sulmuese Heroinë e Popullit, Luftën e Gjormit, të Qafës së Pëllumbit, epopenë e Drashovicës e plot beteja të shkruara me gjak e mbushur me lapidarë.

“Kur ndodhej vendi në flakë/ Trima lule, partizanë/ Ngjeshët  radhët në Brigatë

bijat tona- djemtë tanë./ U bë shamikuqe/ Bramyshnja lëndinë/ 700 copa shkëmbi

 Maleve kur zbritnë”

 “Shqipe rreth e qark/ Besnik Komisarit/ Liria u ndriste/ Mbi yllin e ballit”

se

“Gjurmë të kuqe borës latë

 Lule yje- zemra jonë

Nga Bramyshnja në Sanxhak

Lule yje- jeta jonë”

këndon pena madhështore e dragoit të këngës labe, viganit Kujtim Mici, Mjeshtër i Madh. Gjurmë të kuqe lanë mbi borë nga Bramyshnja në Kosovë, për liri, për Shqipëri. Cikli  i tretë është cikli i këngëve për dëshmorët, mbushur me heroikën e stuhishme të luftës,  shprehur me emocion të thellë e krenari të ligjshme për ata që falën më të shtrenjtën gjë në botë – jetën e tyre, që të jetojë Vlora dhe Shqipëria. Heroika dhe elementi tragjik në këto këngë shkrihen në një ndjenjë të vetme, në të madhërishmen, si për të gjithë bijtë e nënave.

“28 mijë yje

 Në gjoks i mban kjo tokë”

e “Nga kjo balt’ e kësaj toke

 Merr një grusht e shtrydhe fort:

Pika gjaku do kullojë

Luftën e madhe tregon”.

E për këtë madhështi dëshmorët afrohen, edhe pse vitet largohen, ndërkohë që në vatrat tona ATA si dikur po ngrohen…Dhe ne, duke ndier në folklorin e popullit tonë epikën e këngëve të Kurveleshit të Sipërm dhe lirizmin e hollë të këngëve himariote, epiko – lirikën e luginës së Mesaplikut, të krahinës së Dukat -Tragjas e Radhimë, të Kudhës – Grehotit,  të Topalltisë e Myzeqesë së Vogël të Vlorës, të Delvinës së Lejla Malos dhe krejt këngëve të qarkut tonë, nëpërmjet vargjeve të lidhura në këngët e ngritura nga Mato e Selim Hasani, Xhebro Gjika e Perlat Hasani, Xhemil Duka e Sinan Mullahu, Rebi Alikaj e Nënë Duzja, Dule Havari e Hamdi Pulo, Kujtim Mici e Lefter Çipa, Llambro Hysi e Pelivan Bajrami, Nertesi Asllani e Meleq Kapllani, Muhamet Tartari e Feti Brahimi, Kristo Çipa e Felek Bleta, si dhe gjithë krijuesve të tjerë popullorë e këngëtorëve tanë me emër fisnik, përulemi para gjakut të heronjve të Vlorës me nderim, dhembje, krenari e reflektim. Përulemi para kujtimit të dëshmorëve të Vlorës dhe t’i vëmë gishtin kokës, të orientohemi në bashkësi dhe në bashkëkohësi, që ATË, të cilën ata e përmbushën me jetë e nder, ne ta mbajmë e ta çojmë më përpara me punë, aftësi e vizion të kthjellët qytetar.Vetëm kështu nderojmë 4 Heronjtë e Topanasë: Hajredin Bylyshin, Mumin Selamin, Bajram Tushin dhe Hiqmet Buzin e vogël,  nderojmë Perlat Rexhepin, Zonja Çurren, Zaho Kokën, Hysen Çinon, Vasil Laçin, Bulen e Persefonin, Memo Meton, Lefin e Mitatin, Tazen e Anifenë, Shyqyri Alimerkon e Shaban Seferin, Loni Monen e Hasan Mëhillin, Laze Nuron e Haki Bylyshin, Kastriot Muçon e Resul Veliun, Sofo Meksin e  Fejzi Hysen Micolin,  Mico Eminin e Riza Salatin, Cano Gjik’ e Asllan Gjikën, Bako Tafilin e Mitro Xhanin, Qeriba Derrin e Shaqo Derrin, respektojmë Ervehe Gorishtin, legjendën e gjallë, që, për sa luftoi, derdhi gjak e rrojti, e meritoi emrin e nderuar, me të cilën e thirrën në zjarrin e luftës shokët partizanë: Lilo Labja.  Në kujtim dhe respekt ndaj LANÇ, gjatë të cilës qarku i Vlorës mbajti mbi supet e tij një peshë të madhe, duke u bërë një nga vatrat më të zjarrta të Luftës së Madhe – vetëm kështu nderojmë tërë ato bija e bij nënash, që u bënë e u përjetësuan lule të lirisë; vetëm kështu na ka hije e nur të këndojmë: Yje të pashuar/ s’ju kemi për të harruar!

 

Albert HABAZAJ,

Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “NerminVlora Falaschi”,

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë