Studiuesi Petro Luarasi: Nuk mund të zëvendësohet Shqiponja Dykrenare apo grushti partizan, simbol i forcës kundër fashizmit, me simbloin serb të “tre gishtave” tek Ushtari i Panjohur

1176
Sigal

Nuk mund të zëvëndësohet Shqiponja Dykrenare apo grushti partizan, simbol i forcës së përbashkuar kundër armikut, me simbolin serb

Petro Luarasi

 

Prej kohësh  kam parë e ditur  se  çfarë përfaqëson për besimtarin e krishterë  shenja  me tre gishta (Ati, Biri dhe Shpirti i shenjtë), por  përcaktimi: ‘’simbol nacionalist ekskluzivisht serb’’, më është ngulitur  mirëfilli nga mediat, opinioni publik   dhe klithmat e  politikës mbarëshqiptare. Kjo shenjë-simbol u ngjiz në shpirtin dhe gjakun  e kombit  serb, të përkundur në legjenda e mite,  duke u njësuar  me Kryqin  dhe martirizimin e Krishtit: ‘’Nema krsta bez tri prsta’’ (“Nuk ka kryq pa tre gishta”). Në  rajonin e Ballkanit,  demonstrimi i këtij simboli serbë  është konsideruar si provokim dhe  ka   ngjallur gjithmonë debate  e akuza të ndërsjellta.Kujtojmë  debatet publike kur ky akt u krye nga  futbollisti Zoran Tosic ‘’si gjest sportiv’’ në ndeshjen Shqipëri-Serbi, Elbasan Arena, 2015. Edhe  vetë  e përtypa   disfatën sportive  me ngazëllimin e mediave që mburreshin  me tolerancën dhe pjekurinë e sportdashësve shqiptarë të cilët  e përqeshën  me sportivitet  sfidën  ‘’3 gishta’’ duke ia kthyer  me  ‘’treshen allashqiptarçe’’ me gishtin e mesit të përkulur. Nga ana tjetër opinioni  mediatik  përmendi   tifozët   turq të  Beshiktashit, ku  luante lojtari serb, që u  revoltuan aq shumë për fyerjen që ai i bëri ‘’vëllait të tyre të vogël’’ sa ‘’ kërkuan edhe pezullimin e tij.’’ Dihet mirëfilli edhe përdorimi  si ‘’gjest luftarak’’ i  serbëve,  gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë,  në luftë kundër sllovenëve, kroatëve e boshnjakëve, por edhe me  kuptime raciste, diskrimini fetar,  gjatë gjenocidit ndaj myslimanëve  boshnjakë e  shqiptarë. Meqë simboli  përdorej gjerësisht nga çetnikët gjatë  masakrave të tyre në  Kroaci, thuhet se shumë serbëve, për hakmarrje,  gjatë luftës iu janë  prerë tre gishta. Ky simbol përdoret  gjerësisht  edhe si shenjë sfiduese nga të gjitha partitë  politike serbe, në tubime , gjatë fushatave zgjedhore dhe  në festa e fitoret e tyre.  Sido që të interpretohet  ai u përket  ‘’i gjithi’’ serbëve. Sa mirë do të qe  që edhe serbët, tok me fqinjë të tjerë tanët,  të tregoheshin po aq tolerantë, mos të revoltoheshin ndaj simbolit tonë, Shqiponjës dykrenore, që na e njeh dhe  e pëlqen gjithë bota.

‘’Tre gishtat’’, me të mesmin të përkulur. Por në një kuadër tjetër, në këndvështrimin historik e politik,  kombëtar,  konkretisht të  lëvizjes antifashiste, idealit, gjakut të derdhur dhe kurorëzimit të fitores mbi armikun, përdorimi i simbolit  ‘’ tre gishtave drejt’’,  në vend të  shqiponjës, për shqiptaret atdhetarë do të ishte fyerje, madje kob! Dhe ky akt  fyes (sikurse ‘’ tre gishtat  me të mesit të përkulur’’),  nuk mund të tolerohet, por luftohet! Nuk mund kurrsesi të pranohet as në vepra arti, piktura e skulptura që  të zëvendësohet shqiponja jonë dykrenore apo grushti partizan , simbol i forcës së  përbashkuar   kundër armikut, me  këtë simbol nacionalist serb .

0000355914-003

Janë ngjyer  me mijra faqe, janë ngjirrur me mijra zëra, njerëzish, politikanë, intelektualë, atdhetarë e tradhëtarë,  për të treguar, justifikuar a provuar  nëse është tradhëtuar ideali dhe populli, komanda ushtarake dhe  udhëheqja politike,  gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, etj, për interesa individësh e klanesh. Nëse po, kush mban përgjegjësi? Dhe tani, në mënyrë të papritur  e paradoksale po  përballemi  me një krim ‘’monumental’’, bash në qendër të Tiranës. Në  një basoreliev, në pjesën jugore të bazamentit të ‘’Partizanit çlirimtar’’,  kapoja i disa ‘’luftëtarëve  të panjohur’’(kurrsesi nuk mund t’i quaj ‘’partizanë çlirimtarë’’) na shfaqet ‘’heroikisht’’ me tre gishtat të ngritur lart! Të shtangur nga kjo gjëmë e pabesueshme, pyesim: Si është e mundur, kush ka guxuar, kur mund  të ketë ndodhur ky krim, kur u inagurua monumenti më 1949 apo kur u modifikua mazamenti më 2008? Kush duhet ta ketë penguar për kaq vite, deri më tani,  ‘’kurimin’’ e këtij basorelievi  të nëmur nga çdo shqiptar atdhetar apo qytetar me mend në kokë?   

Ne shqiptarët e sistemit demokratik   kemi provuar   se jemi  tepër  tolerantë, edhe ndaj provokimeve, edhe ndaj shkatërrimeve, edhe ndaj nëpërkëmbjes së ligjit  dhe dinjitetit tonë personal e kombëtar, ndryshe nga shumë popuj evropianë, të civilizuar, që  për çështje të tilla madhore ‘’e masakrojnë‘’ keqbërësin me  gjithçka. Si  mund të lejohet  të përçudnohen e poshtërohen heronjtë, simbolet dh e vlerat tona më të shenjta,  të mbrojtura me ligj,  monumente ngjarjesh  madhore historike si Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare.? Dikush mund dhe  do të donte  çmimin ‘’Nobël’’ për paqe e mirëkuptim, qoftë  edhe me shkatërrimin dhe tjetërsimin e identitetit tonë kombëtar, por që shqiptarët  nuk i  bën të ndihen aspak të nderuar   e  krenarë! Nuk ka bukë më të hidhur se ajo e mbruajtur  me turp! Martiri i Rilindjes Kombëtare, Petro N. Luarasi, shkroi me gjak: ‘’Kush ka frikë nga e vërteta bëhet tradhëtar i mëmëdheut dhe i vetes së tij”, prandaj dhe  unë  pasardhësi i tij, sikurse çdo atdhetar,  nuk hesht!