Specialisti Fadil Kepi/ Pensioni suplementar për ushtarakët, trajtimi i posaçëm për artistët, ankimimi dhe rillogaritja. Pensioni për invalidët, minatorët e nëntokës, mësuesit, ai social dhe i parakohshëm. Ja kriteret për të marrë pagesë papunësie

817
Sigal

Baza ligjore e pensionit social, kategoria e personave që mund ta marrin dhe përfitimi i pagesës së papunësisë. Pensioni për invalidët, minatorët e nëntokës, mësuesit, ai social dhe i parakohshëm

 

Kushtet e përftimit të pensionit suplementar për ushtarakët dhe atij të posaçëm për artistët

 

Procedura e marrjes së pensionit të posaçëm për artistët

Pyetje

 

Ditët e fundit në bisedë miqësore me artistin e mirënjohur të teatrit të “Andon Zako Çajupi” të Korçës dhe i kinematografisë shqiptare, z. Zhani Ziçishti ai tha: Jam mbi 80 vjeç, për arritjet dhe vlerësimet e punës sime shumë vjeçare si aktor i teatrit me 87 role dhe 65 role në filma, jam vlerësuar me titujt “Artist i Popullit“, “Ambasador i Paqes“, “Urdhri Naim Frashëri“ dhe “Qytetar Nderi“ i Korçës. Pyes, cilat janë kushtet dhe procedura që duhet të ndjek për të përfituar pension të posaçëm?

 

Përgjigje

Mbështetur në nenin 5 të ligjeve të Sigurimeve Shoqërore, nr.7703, datë 11.05.1993: “Kanë të drejtë të bëjnë kërkesë për pension të posaçëm personat, të cilët mbasi dalin në pension pleqërie, dhe kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e kulturës, arteve, ekonomisë etj., bazuar në vendimin e qeverisë 429 datë 12.09.2002, kërkesa për pension të posaçëm bëhet nga i interesuari në Këshillin e Qarkut, shoqëruar me fotokopjet e noterizuara të titujve të nderit që ju keni. Këshilli i Qarkut Korçë, pasi e miraton, ia dërgon Këshillit të Ministrave për ta vendosur. Pensioni i posaçëm është katërfishi i pensionit social, i barabartë me 30 mijë lekë në muaj që i shtohet pensionit të zakonshëm të pleqërisë. Sa herë indeksohen pensionet e tjera, me të njëjtën përqindje shtohen edhe pensionet e posaçme. Në vendin tonë, nga vendimi i parë i qeverisë nr.612 datë 29.12.1994, pension të posaçëm marrin rreth 470 persona që i përkasin rreth 40 profesioneve, nga të cilët pjesën më të madhe e marrin punonjësit e kulturës dhe të arteve. Pensioni i zakonshëm dhe ai i posaçëm të marra së bashku, pavarësisht nga shuma, nuk tatohen.

Kushtet e përfitimit të pensionit suplementar për ushtarakët

Pyetje

  1. Robert Zoto nga Tirana në letrën e tij sqaron: Jam i datëlindjes 4 mars 1954 dhe kam 46.5 vjet punë të siguruara, nga të cilat 23 vjet ushtarak efektiv. Vazhdoj të punoj në hipotekën e Tiranës, dhe më 31 maj të këtij viti do të ndërpres marrëdhëniet e punës për të dalë në pension pleqërie. Pyes, sa vite pune duhen për pension të plotë? A përfitoj pension suplementar si ushtarak dhe si llogaritet? Po shtesë pensioni për 2 muaj që kam punuar mbi moshë, a më takon?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit e keni plotësuar 65 vjeç më 04.03.2019, dhe për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara në vendin tonë, nga mosha 16 vjeç. Meqenëse keni rreth 10 vjet punë më shumë, do të përfitoni pension më të lartë, pasi pensioni i pleqërisë nuk ka tavan, por varet nga vitet e punës dhe paga mesatare bruto mujore për të gjitha periudhat e punuara i siguruar. Për dy muaj që keni punuar mbi moshën e pensionit, sipas nenit 19 të ligjit nr.104/2014, botuar në fletoren zyrtare 137, do të përfitoni 0.5% shtesë pensioni për çdo muaj baras me 1% për dy muaj. Për 23 vjet që keni punuar ushtarak efektiv, konform nenit 16 të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, “Për pensionet suplementare të ushtarakëve”, do të përfitoni pension suplementar, i cili llogaritet me 1% të pagës mesatare neto mujore për çdo vit pune të plotë, baras me 23% që i shtohet pensionit të pleqërisë. Shuma e pensionit suplementar nuk mund të jetë më shumë se 50% e pensionit të pleqërisë. Mbështetur në vendimin e qeverisë nr.8 datë 14.01.2015, ju do të plotësoni dokumentet për të përfituar edhe kompensim të energjisë elektrike, duke treguar kontratën përkatëse që keni me OSHEE dhe librezën që keni paguar detyrimet për energjinë elektrike të konsumuar. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në Agjencinë dhe Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë.

Përfitimi i pensionit të plotë invaliditeti

Pyetje

  1. Mehmet Hyseni nga Elbasani në letrën drejtuar gazetës “Telegraf” shkruan: Jam i datëlindjes 28 shtator 1954 dhe kam 36 vjet punë i siguruar përfshirë edhe 3 vjet ushtar dhe 1 vit asistencë. Prej 3 vjetësh marr pension të plotë invaliditeti. Pyes, kur i plotësoj kushtet për pension të plotë pleqërie dhe a do të vazhdoj të përfitoj shtesën prej 3.300 lekë në muaj që marr si invalid në bashki?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit të pleqërisë e plotësoni 65 vjeç më 28.09.2019, dhe për pension të plotë do t’ju kërkohen 36 vjet e 8 muaj të siguruara, përfshirë edhe periudhën që keni marrë pension invaliditeti, kohën që keni qenë ushtar dhe asistencën. Ditën që plotësoni moshën 65 vjeç, keni të drejtë të zgjidhni e të vazhdoni të merrni pensionin e pleqërisë ose atë të invaliditetit, cila shumë të dalë më e lartë, si dhe 3.300 lekë në muaj nga bashkia, e cila i shtohet njërit prej pensioneve. Nëse nuk bindeni me shumën e pensionit, sqaron specialisti Fadil Kepi, keni të drejtë të bëni ankesë me shkrim në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore, ku keni dorëzuar dokumentet e pensionit, Komisionit të Ankimit në DRSSH Elbasan. Kur indeksohen pensionet, shuma që merrni në bashki nuk ndryshon. Nga dita që përfitoni pension pleqërie, nuk do të dilni më në KMCAP Elbasan, si dhe do të përfitoni të gjitha barnat mjekësore të rimbursueshme, pavarësisht cilin pension do të zgjidhni.

Shpërblimet para daljes në pension

Pyetje

Znj. Lirie Shehi nga Tirana në mesazhin e saj thekson: më 30 korrik 2018 plotësova moshën 60 vjeçe. Aktualisht vazhdoj të punoj në një institucion buxhetor dhe kam 38 vjet punë të siguruara. Pyes, kur dal në pension?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit e plotësoni 60 vjeçe e 10 muaj, dhe për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj, të cilat ju i keni plotësuar. Para daljes në pension, ju takon leja e zakonshme për 5 muaj të këtij viti, si dhe deri 1 rrogë shpërblim, sipas vendimit të qeverisë nr.493, datë 06.07.2011. Sigurimet shoqërore, para caktimit të pensionit, të gjitha pagat bruto do t’i shumëzojnë me koeficientet përkatës të caktuar nga vendimi i qeverisë, nr.180, 04.04.2019.

Baza ligjore e pensionit social dhe kategoria e personave që mund ta përfitojnë

Pyetje

  1. Xheladin nga Rogozhina, në letrën e tij pyet: Cilat janë kushtet që duhen plotësuar për të përfituar pension social, procedura dhe dokumentet që kërkohen dhe sa është shuma mujore?

Përgjigje

Duke filluar nga data 1 janar të vitit 2015, për herë të parë, ligjit të sigurimeve nr.7703, datë 11.5.1993 që ishte në fuqi deri më 31 dhjetor 2014, iu shtua neni 5/1 për “Pensionin Social” ku thuhet: “Pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç, që është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri, të paktën për pesë vitet e fundit, dhe nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme nga sigurimet shoqërore e nuk ka të ardhura, ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër, janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social. Masa e pensionit social nga data 01.04.2019 është 7.465 lekë në muaj dhe shtohet me të njëjtën përqindje që indeksohen pensionet e tjera me vendim qeverie. Shuma e pensionit social për personat që kanë të ardhura nga burime të tjera do të jetë sa diferenca e pensionit social me të ardhurat e tjera që ka përfituesi”. Në zbatim të ligjit për pensionin social, Qeveria me vendimin nr.928, datë 29.12.2014, botuar në fletoren zyrtare 200 ka vendosur këtë procedurë:

  1. a) Shtetasi që plotëson kriteret e mësipërme paraqet kërkesën në agjencinë e sigurimeve shoqërore ku ka vendbanimin. Për të përfituar pension social kërkuesi duhet të paraqesë këto dokumente: fotokopje e kartës së identitetit, certifikatë familjare, deklaratë për gjendjen e tij social-ekonomike, vërtetim nga zyra e gjendjes civile që është banor në Shqipëri të paktën për 5 vite nga koha kur paraqet kërkesën për pension, vërtetimin nga drejtoria rajonale e sigurimeve shoqërore që nuk plotëson kushtin për asnjë lloj pensioni, vërtetimin nga organet tatimore, nëse ushtron ose jo veprimtari ekonomike, certifikatë pronësie nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, certifikatën e pronësisë mbi tokën, etj.
  2. b) Agjencia e sigurimeve shoqërore mbasi shqyrton dokumentacionin, dërgon dosjen në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore.
  3. c) Dokumentet e pensionit social kontrollohen çdo vit nga specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Pensioni social duhet të tërhiqet nga përfituesi çdo muaj dhe nuk ndërpritet në rastet kur ai ose ajo kurohet në spital ose kur është i sëmurë, e vërtetuar me raporte mjekësore. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në ASSH.