Specialisti Fadil Kepi: Pensioni i shtetit dhe ai për punonjësit e kooperative. Masa e pensionit për invalidët, kur ke më shumë vite pune dhe dalja në pension e emigrantëve

1112
Sigal

Procedura ligjore për rillogaritjen e pensionit. Kushtet e përfitimit të shpërblimit për invalidët dhe punonjësit e institucioneve buxhetore. Pensioni familjar për personat që u kanë ndërruar jetë bashkëshortët dhe pagesa e kontributeve si i vetëpunësuar në bujqësi

Dokumentacioni i nevojshëm, afatet e tërheqjes, kushtet dhe procedura e daljes në pension për emigrantët shqiptarë

Shpërblimi për punonjësit e institucioneve buxhetore

Pyetje

Jam një lexuese e gazetës “Telegraf” që kam dalë në pension më 15 dhjetor 2018. Kam punuar si mësuese nga viti 1977 deri më 15 janar 2017, pa shkëputje nga puna. Pyes, a më takon një rrogë shtesë nga dita që kam dalë në pension?

Përgjigje

Mbështetur në vendimin e Qeverisë nr.493 datë 6 korrik 2011, punonjësit e institucioneve buxhetore, kur ndërpresin marrëdhëniet e punës për shkak se dalin në pension pleqërie, përfitojnë shpërblim nga titullari i institucionit deri në një pagë mujore. Meqenëse ju nga puna e mësueses jeni larguar me dëshirë 11 muaj para plotësimit të moshës për pension, nuk ju takon shpërblimi sipas vendimit të mësipërm të qeverisë.

Pagesa e kontributeve kur vijon punën mbi moshën e pensionit

Pyetje

Një mjek stomatolog nga Tirana shkruan: Në mars të këtij viti plotësoj moshën 65 vjeç dhe kam 37 vjet punë të siguruara. Pyes, nëse vazhdoj të punoj mbi moshën e mësipërme, a duhet të paguaj kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore?

Përgjigje

Ditën që plotësoni moshën 65 vjeç ju keni të drejtë të përfitoni pension të plotë, pasi keni mbi 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara. Po të vazhdoni të punoni pa dalë në pension, për çdo muaj punë të siguruar, sipas nenit 19 të ligjit numër 104/2014, përfitoni 0.5 % shtesë mbi pensionin ose 6 % në vit. Nëse dilni në pension 65 vjeç do të përfitoni njëkohësisht pensionin dhe të ardhurat nga puna në profesionin tuaj, por jeni të detyruar të vazhdoni të paguani kontriubtet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, njëlloj sikur nuk deni dalë në pension. Kur ta rilini punën, aktualisht nuk përfitoni shtesën mbi pension për periudhat që keni punuar mbi moshë dhe keni paguar kontributet përkatëse.

Pensioni i shtetit dhe ai për punonjësit e kooperativave

Pyetje

Zonja Minushe Hoxha nga Tepelena me banim në Tiranë shkruan: Më 24 mars të këtij viti plotësoj moshën 60 vjeç dhe kam 34 vjet punë të siguruara, nga të cilat 12 vjet në ish-kooperativë bujqësore dhe 22 vjet në sektor shtetëror dhe vetësigurime në bujqësi. Pyes, kur dal në pension dhe si duhet të veproj për të marrë pension shteti?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension 61 vjeçe në 24 mars 2020, dhe për të marrë pension të plotë shteti duhen 37 vjet punë të siguruara, pavarësisht se keni 12 vjet punë në ish-kooperativë bujqësore. Specialisti Fadil Kepi rekomandon të bëni edhe 3 vjet sigurime vullnetare, ose si e vetëpunësuar në bujqësi, nëse keni tokë sipas ligjit në Tiranë. Sqarime më të hollësishme para daljes në pension mund të merrni në DRSSH Tiranë.

Procedura ligjore për rillogaritjen e pensionit

Pyetje

Zoti Sokrat Çullhaj nga Fieri shkruan: bashkëshortja, e cila ka punuar mësuese e ciklit të ulët në shkollë të mesme pedagogjike, ka dalë në pension të parakohshëm me 60% të pagës në vitin 1993. Në vitin 1995 ajo ka përfituar pension të plotë, megjithatë ajo nuk është e bindur me masën e pensionit. Pyes, cila është procedura ligjore që duhet të ndjekë për të kërkuar rillogaritjen e pensionit?

Përgjigje

Nga dita që ka dalë në pension të parakohshëm me 60% të pagës, deri në fund të vitit të kaluar, përfshirë dhe vitet që ka marrë pension të plotë, ajo ka përfituar shtesat e pensioneve që janë bërë me vendim qeverie. Sipas nenit 86 të ligjit të Sigurimeve Shoqërore, pavarësisht se ajo ka 26 vjet që merr pension, ka të drejtë të bëjë ankesë me shkrim për të kërkuar rillogaritjen e pensionit: së pari komisionit të ankimit në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Fier duke parashtruar pretendimet që ka. Mbas marrjes së përgjigjes zyrtare, nëse nuk bindet, mund t’i drejtojë ankesë me shkrim me post rekomande Komisionit Qendror të Ankimit në ISSH, dhe së fundmi Gjykatës Administrative.

Shuma e pagesës së sigurimeve vullnetare

Pyetje

Zonja Majlinda nga Tirana në letrën e saj trajton këtë këtë problem: Jam e datëlindjes 27 maj 1958 dhe kam punuar e siguruar me profesion inxhiniere 30 vjet pa përfshirë periudhën e studimeve të larta ditën. Pyes, kur i plotësoj kushtet për të marrë pension të plotë ?

Përgjigje Ju do të dilni në pension 60 vjeçe e 10 muaj, më 27 mars 2019 dhe për pension të plotë do t’ju kërkohen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara përfshirë dhe periudhën e studimeve të larta ditën e vërtetuar me kopjen e diplomës së noterizuar duke barazuar një vit shkollor me një vit punë për pension. Para moshës së pensionit keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare duke paguar 67.392 lekë për një vit, ose 5.616 lekë në muaj. Po të punoni në sektor shtetëror para daljes në pension sipas vendimit të Qeverisë nr.493, datë 6.7.2011 merrni deri një rrogë mujore shpërblim.

Për më tepër lexoni “Telegraf”