Specialisti Fadil Kepi/Ligji ri dhe kushtet e daljes në pension për sportistët, trajnerët dhe gazetarët sportivë. Përfitimi i pensionit të pjesshëm dhe të plotë për invalidët, mësuesit dhe sigurimet e emigrantëve

1261
Sigal

Procedura dhe shuma e sigurimeve vullnetare të emigrantëve. Kushtet e përfitimit të pensionit të invaliditetit dhe vazhdimi i punës për mësuesit. Pensioni i posaçëm dhe i pjesshëm

Baza ligjore e daljes në pension për sportistët, trajnerët, gazetarët e komentatorët sportiv

– Femrat sportiste, trajnere, mësuese, nëpunëse, gazetare e komentatore sportive, këtë vit dalin në pension në moshën 60 vjeçe e 10 muaj, kur kanë punuar të siguruara në vendin tonë 15 deri 36 vjet e 8 muaj nga mosha 16 vjeçe, pavarësisht se aktualisht banojnë në vendin tonë ose jashtë shtetit. Në periudha pune për pension përfshihet edhe koha e studimeve të larta ditën, me ose pa bursë, brenda e jashtë vendit, e vërtetuar me kopjen e diplomës së noterizuar, duke barazuar një vit shkollor që ka zgjatur rreth 10 muaj më një vit të plotë pune për pension.

-Burrat, dalin në pension 65 vjeç kur kanë 15 deri 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara, përfshirë dhe periudhën që kanë kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Për të dy gjinitë njihen periudha pune edhe koha e pagesës së papunësisë, raporteve mjekësore të pagueshme, lejeve të zakonshme, periudha e sigurimeve vullnetare, vetësigurimeve në bujqësi etj. Pra, periudha minimale e siguruar në vendin tonë për të përfituar pension të dy gjinitë është 15 vjet.

-Masa e pensionit nuk ka tavan, por varet nga shuma e viteve të punës të siguruara dhe paga mesatare bruto për të gjithë periudhat e siguruara.

-Personat që plotësojnë moshat e mësipërme, por kanë më pak se 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara marrin pension të pjesshëm, për shembull me 18 vjet e 4 muaj merr 50% të pensionit të plotë.

-Të tjerë që kanë 36 vjet e 8 muaj punë të siguruar e më shumë, por nuk plotësojnë moshën e pensionit, me dëshirë mund të kërkojnë pension të reduktuar deri 3 vjet para, kur janë pa punë të pa vetëpunësuar, nuk janë punëdhënës e s’kanë tokë, pra femrat që këtë vit plotësojnë moshën 57 vjeçe e 10 muaj dhe burrat 62 vjeç. Pensioni i reduktuar ulet me 0,6% të pensionit të plotë për çdo muaj, baras më 21,6% më pak (36 muaj x 0,6%). Pensionet e reduktuara kanë avantazh se merren deri 3 vjet para pensionit të plotë, por mbeten gjithë kohën e marrjes së pensionit të reduktuara, pasi nuk kthehen më në pensione të plota.

-Personat të cilët plotësojnë moshat e pensionit, por nuk kanë minimumin e domosdoshëm të viteve të punës të siguruara në vendin tonë prej 15 vjetësh, nuk përfitojnë pensione pleqërie, por në moshën 70 vjeç përfitojnë pension social, kur në 5 vitet e fundit janë me banim të përhershëm në vendin tonë, nëse nuk merr asnjë lloj pensioni, dhe nuk ka të ardhura të tjera. Masa aktuale e pensionit social është rreth 7.300 lekë në muaj dhe rritet sa herë shtohen pensionet me vendime qeverie.

-Specialisti Fadil Kepi sugjeron që para plotësimit të moshës së pensionit të interesuarat me dokumentet që kanë, të konsultohen me punonjësit e sigurimeve shoqërore për tu siguruar vullnetarisht për të plotësuar minimumin e domosdoshëm të viteve të punës të siguruara që është 15 vjet ose për shtuar periudhat e punës të siguruara edhe mbi 36 vjet e 8 muaj që duhen për pension të plotë, për të përfituar pension më të lartë, pasi masa e pensionit nuk ka tavan, por varet nga shuma e viteve të punës dhe paga mesatare bruto mujore, për të gjitha periudhat e siguruara.

-Dalja në pension për punonjësit e institucioneve buxhetore sipas vendimit të Qeverisë nr.478, datë 16.6.2010 është e detyrueshme, pavarësisht se mund të mos ketë vitet e punës të siguruara për pension të plotë, me qëllim që të hapen vënde të reja pune, ndërsa qëndrat private të puës e kanë vetë në kompetencë për nxjerrjen e punonjësve në pension kur plotësojnë kushtet.

-Para daljes në pension, punonjësit duhet të dorëzojnë zytarisht detyrën, vlerat materiale që kanë në ngarkim, marrin lejen e zakonshme të pagueshme të pamarrë deri në 3 vjet sipas Kodit të Punës dhe punonjësve të institucioneve buxhetore u jepet deri një rrogë mujore shpërblim, sipas vendimit të Qeverisë nr.493, datë 6.7.2011.

-Pedagogët me titull shkencorë “Profesor i asociuar” shërbejnë në detyre deri 65 vjeç dhe ato me titull “Profesor” deri 68 vjeç pavarësisht nga gjinia me përjashtim të rasteve kur largohen vetë nga detyra. Akademikët, meshkuj dhe femra, dalin në pension 75 vjeç. “Profesorët e asociuar” dhe “Profesorët” meqenëse gjatë kohës që kanë punuar kanë paguar edhe kontribute suplementare të sigurimeve shoqërore përfitojnë edhe pension suplementar përkatësisht 1,1% të pagës mesatare referuese neto për çdo vit pune ndërsa “Profesorët” 1,3% të pagës së mësipërme.

-Sportistët të cilët kanë punuar në dikastere, inspektor, kryetar dege, drejtor, zëvendësministra si Kreshnik Tartari, Rauf Dimraj, Dashnor Bajaziti, Vesel Rizvanolli, Kostandin Shkurti apo janë zgjedhur deputetë, si Marjeta Pronjari, Medin Zhega, kryetar Bashkie si Filip Guraziu në Shkodër apo Hysen Domi në Elbasan, apo kanë qenë ambasadorë e sekretarë ambasadash si Agim Fagu etj., përfitojnë edhe pensione suplementare bazuar në funksionin që ka kryer dhe periudhën kohore.

-Shuma e pensionit të zakonshëm, suplementar dhe të posaçëm së bashku nuk tatohen.

-Sigurimet shoqërore i pajisin pensionistët me librezë pensioni, shoqëruar me pasqyrat e llogaritjes. Pensioni paguhet çdo muaj në lekë dhe vetëm në vendin tonë. Në rastet kur pensionisti nuk bindet me shumën e pensionit, vitet e punës të siguruara, datën e fillimit të pagesës, etj., bazuar në nenin 86 të ligjit të sigurimeve shoqërore kanë të drejtë ti bëjnë ankesë me shkrim së pari komisionit të ankimit në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore duke parashtruar pretendimet e tyre. Nëse nuk binden me përgjigjen zyrtare, ka të drejtë ti bëjnë ankesë tjetër me postë rekomande komisionit qendror të ankimit ne Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe së fundit Gjykatës Administrative.

-Personat që dalin në pension, kanë të drejtë të ripunësohen në sektorin privat dhe të përfitojnë njëkoësisht edhe rrogën atje ku punojnë me kontratë, por janë të detyruar të vazhdojnë të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore njëlloj sikur nuk kanë dalë në pension.

-Personat që punojnë në sektor privat mbasi plotësojnë moshën e vitet e punës për pension të plotë, vazhdojnë të punojnë (pa dalë në pension), sipas nenit 19 të ligjit nr.104/2014, përfitojnë 0,5% shtesë mbi pension për çdo muaj që vazhdon punën e paguan kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, baras me 6% në vit.

-Pensionistët të cilët vetëpunësohen në tokën e tyre që e kanë të ligjshme nuk paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

-Sportistët e trajnerët femra e meshkuj të cilat kanë arritur rezultate të dallueshme në lloje të ndryshme të sportit si futbollistë, basketbollistë, volejbollistë, atletikë, gjimnastë, cirk, çiklizëm, boks, ngritje peshash, qitje, alpinizëm, trajnerë të sporteve të ndryshme, të klubeve dhe ekipeve kombëtare e gazetarë e komentatorë sportivë, me vendime të Qeverisë kanë marrë edhe pensione të posaçme. Në vendin tonë kanë përfituar pensione të posaçme rreth 470 vetë që u përkasin 40 profesioneve. Vendin e parë e zënë artistët me 50% të numrit të tyre, vendin e dytë me 70 vetë e zënë sportistet, trajnerët femra dhe meshkujt.

-Periudhat e punuara qoftë dhe të siguruara jashtë vendit si në Greqi, Itali etj., nuk njihen vjetërsi pune për pension në vendin tonë, por ata do të përfitojnë pension sipas legjislacionit të shtetit përkatës dhe konkretisht në Greqi kur kanë plotësuar 4.500 ensima dhe në Itali kur kanë plotësuar minimumin e viteve të punës prej 20 vjetësh. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në INAS ALBANIA në Itali ku në 700 zyra në qytete të ndryshme shërbehet falas ose në Shqipëri në rrugën “Andon Zako Çajupi” në Tiranë.

-Në rastet kur emigrantët kanë nënshtetësi shqiptare apo dy nënshtetësi, pavarësisht se mund të kenë qenë pjesëtare të ekipeve të futbollit, volejbollit, trajnerë, gazetarë etj, për të shtuar vitet e punës të siguruara në vendin tonë, para plotësimit të moshës së pensionit, kanë të drejtë të bëjnë sigurime vullnetare për periudhat 1 janar 1994 deri para plotësimit të moshës së pensionit me qëllim që të përfitojnë edhe pension në vendin tonë. Në rastet kur të interesuarit paguajnë kontributet e sigurimeve vullnetare për periudhat e ardhshme për shembull këtë vit për vitin 2020, dhe në vitin 2020 për vitin 2021, shuma vjetore e kontributeve të sigurimeve vullnetare ulet 6% ose 4.040 lekë më pak, kur paguhen 6 muaj paradhënie ulja është 3% dhe 3 mujore 1,5%.

-Sqarime më të hollësishme mund të merrni në Agjencitë dhe Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Shqipëri.

Sigurimet vullnetare të emigrantëve

Pyetje

Zonja Pranvera nga Durrësi me banim në Kanada shkruan: Më 25 korrik 2018 plotësova moshën 60 vjeçe dhe në Shqipëri kam punuar e siguruar 36 vjet. Meqenëse kam ardhur në Durrës me leje, pyes, kur e plotësoj moshën e pensionit, sa vite pune duhen dhe a mund të bëj sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës ?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension 60 vjeçe e 10 muaj më 25 maj 2019 dhe për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj punë e siguruar në vendin tonë nga mosha 16 vjeçe. Me vitet e punës të siguruara që keni do të merrni pension të pjesshëm rreth 98% të pensionit të plotë që llogaritet duke pjesëtuar vitet e punës që keni më ato që duhen për pension të plotë. Me dëshirën tuaj para plotësimit të moshën së pensionit mund të bëni edhe 8 muaj sigurime vullnetare duke paguar 5.616 lekë në muaj. Sqarime më të hollësishme bashkë me librezën e punës që keni mund të merrni në agjencinë ose Drejtorinë e Sigurimeve Shoqërore në Durrës.

Kushtet e daljes në pension dhe vazhdimi i punës për mësuesit

Pyetje

Në mesazhin që na erdhi nga Burreli lexojmë: Jam e datëlindjes 15 qershor 1958 dhe gjithsej kam të siguruara 36 vjet punë. Fakultetin Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës e kam vazhduar 3 vjet ditën dhe vitin e fundit për arsye ekonomike fillova punë dhe e përfundova me korrespondencë. Pyes, kur e plotësoj moshën për pension, sa vite pune duhen për pension të plotë, a njihet në këtë rast periudhë pune koha e studimeve të larta në Universitet dhe nëse nuk i plotësoj vitet e punës për pension të plotë, a mund të vazhdoj punë si mësuese mbi moshën e pensionit ?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit e plotësoni 60 vjeçe e 10 muaj më 15 prill të vitit 2019, dhe për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara në vendin tonë nga mosha 16 vjeçe. Njihet vjetërsi pune edhe periudha e studimeve të larta me shkëputje (ditën) nga puna për femrat që dalin në pension deri më 31 dhjetor 2032, të dokumentuara me fotokopjen e diplomës së noterizuar. Meqenëse ju vitin e fundit të fakultetit e keni vazhduar me korrespondence mbasi filluat punë ju njihet vjetërsi pune periudha nga dita që keni filluar punë e në vazhdim, deri ditën që do të plotësoni moshën për pension. Meqenëse punoni mësuese në shkolla shtetërore, sipas vendimit të Qeverisë nr.478, datë 16.6.2010 do të dilni në pension ditën që plotësoni moshën pavarësisht nga vitet e punës që keni. Sipas Fadil Kepit, nëse punoni në një shkollë që zyra arsimore e ka të vështirë për t’ju zëvendësuar më 15 prill të këtij viti bëni kërkesë Zyrës Arsimore në Burrel që të vazhdoni punën deri në përfundim të vitit shkollor në qershor. Para daljes në pension ju takon leja e zakonshme nga 1.1.2019 deri ditën që do të dilni në pension dhe një rrogë mujore shpërblim. Sqarime më të hollësishme për dokumentet që duhen plotësuar dhe afatet e dorëzimit mund ti merrni në agjencinë e sigurimeve shoqërore Burrel.

Kushtet e përfitimit të pensionit të invaliditetit

Pyetje

Lexuesi i rregullt i gazetës “Telegraf” z. Skënder nga Tirana, në mesazhin e tij që na ka dërguar sqaron: jam 62 vjeç, dhe aktualisht jam invalid i plotë. Përveç pensionit përfitoj edhe 3.300 lekë në bashki, por para disa vitesh jam paguar me raporte mjekësore dhe pension të pjesshëm invaliditeti ose të grupit të katërt. Pyes, a njihen këto, vjetërsi pune për pension pleqërie, kur e plotësoj moshën për pension të plotë dhe a mund të vazhdoj të marr pension invaliditeti ?

Përgjigje

Duke ju uruar shërim të shpejtë dhe shëndet të përmirësuar sqaroj: moshën e pensionit të pleqërisë ju e plotësoni 65 vjeç, në vitin 2022 dhe për pension të plotë do t’ju kërkohen 37 vjet e 8 muaj punë të siguruara në vendin tonë nga mosha 16 vjeç përfshirë edhe periudhën që keni qenë ushtar të vërtëtuar nga dega ushtarake, periudhat e punuara e të siguruara në sektor shtetëror, privat, ditët me leje të zakonshme, raporte mjekësore, asistencë, periudha që keni marrë pension të pjesshëm ose të grupit të invaliditetit, bazuar në nenin 7, shkronja “b” të ligjit nr.8392, datë 9 shkurt 1998, botuar në “Përmbledhjen e legjislacionit të sigurimeve shoqërore”, në shtator 2010, faqe 29, si dhe periudha e paguar me pension të plotë invaliditeti quhet vjetërsi pune për pension pleqërie edhe para ligjit të mësipërm. Në moshën 65 vjeç, nëse do të jeni me pension të plotë invaliditeti, keni të drejtë të zgjidhni pensionin e invaliditetit ose të pleqërisë cila shumë të dalë më e lartë, dhe shtesën prej 3.300 lekësh në bashki pavarësisht se cilin pension zgjidhni, do të vazhdoni ta merrni. Njëkohësisht do të përfitoni me rimbursim të plotë barnat mjekësore të rimbursueshme dhe nuk do të dilni më në KMCAP. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në DRSSH Tiranë.