Specialisti Fadil Kepi: Ja kushtet e ripunësimit dhe përfitimit të pensionit për minatorët e nëntokës, femerët, veterinerët, infermierët dhe nënat me shumë fëmijë. Pensioni i pjesshëm dhe i reduktuar

881
Sigal

Baza ligjore dhe procedura e pagesës së sigurimeve vullnetare, të detyrueshme dhe raporteve mjekësore. Pensioni për fermerët, infermierët, veterinerët, nënat me shumë fëmijë, ai i pjesshëm dhe i reduktuar

 

Ja kushtet e ripunësimit dhe marrjes njëkohësisht të pensionit për minatorët e nëntokës

Pensioni i pjesshëm dhe afatet për sigurimet vullnetare

Pyetje

Lexuesi i gazetës “Telegraf”, z. Ismet nga Iballa e Pukës, në një bisedë telefonike tha: më 2 prill 2019, plotësova moshën 65 vjeç dhe kam 29 vjet punë të siguruara gjithsej. Pyes, kur e plotësoj moshën e pensionit? Sa vite pune duhen për pension të plotë, a mund të bëj sigurime vullnetare, ose si i vetëpunësuar në bujqësi për të shtuar periudhat e punës?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit e keni plotësuar ditën që mbushët 65 vjeç, dhe për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara në vendin tonë nga mosha 16 vjeç, përfshirë dhe periudhën që mund të keni qenë ushtar, asistencë, me raporte mjekësore të pagueshme etj. Me 29 vjet punë që keni do të merrni pension të pjesshëm, në masën rreth 80% të pensionit të plotë që llogaritet duke pjesëtuar vitet e punës që keni, me ato që duhen për pension të plotë. Nga dita që keni plotësuar moshën e pensionit, nuk keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare, apo si i vetëpunësuar në bujqësi për të shtuar periudhat e punuara. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në ASSH Pukë ose DRSSH Shkodër.

Pagesa e raporteve mjekësore

Pyetje

Një lexues i gazetës “Telegraf” në letrën e tij pyet: A paguhen raportet mjekësore mbas mbarimit të kontratës së punës?

Përgjigje,

Para largimit nga puna, sipas Kodit të Punës, personit i jepet me pagesë leja e zakonshme e pa marrë brenda 3 vjetëve të fundit. Mbasi mbaron leja e zakonshme, në librezën e punës shënohet data e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare dhe arsyeja e largimit. Bazuar në nenin 21, pika 2 të ligjit të sigurimeve shoqërore nr.7703, datë 11.5.1993: ”Personi i siguruar ka të drejtën e përfitimit të të ardhurave nga sëmundje edhe brenda 30 ditëve kalendarike pas mbarimit të sigurimit të tij të detyrueshëm. Kjo nuk zbatohet nëse i punësuari është pushuar nga puna për akt kriminal, sipas vendimit të gjykatës”. Bazuar në nenin 11 të ligjit nr.104/2014, datë 31.7.2014, botuar në fletoren zyrtare 137: “raportet mjekësore paguhen me 70% të pagës mesatare ditore neto të 6 muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës, kur i siguruari ka deri 10 vjet sigurim, dhe 80% të pagës së mësipërme kur ka mbi 10 vjet sigurim. Raportet mjekësore jepen nga qendra shëndetësore ku i interesuari ka kartelën e tij shëndetësore. Raportet mjekësore u paguhen edhe personave që kanë plotësuar moshën e pensionit, por vazhdojnë punën dhe paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, ndërsa personave që kanë dalë në pension, nuk u paguhen raportet mjekësore, por marrin barnat mjekësore të rimbursueshme.

Figurines of old age pensioner sitting on bench,beside young wom

Baza ligjore e pensionit të reduktuar

Pyetje

Zonja Majlinda nga Tirana shkruan: Jam e datëlindjes 2 prill 1964 dhe punoj infermiere në një qendër shëndetësore shtetërore dhe aktualisht kam 35 vjet punë të siguruara. Pyes, kur e plotësoj moshën për pension të plotë dhe të reduktuar?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit e plotësoni 62 vjeçe më 2.4.2026, dhe për pension të plotë duhen 39 vjet punë të siguruara nga mosha 16 vjeçe, përfshirë periudhën e studimeve të larta ditën, e vërtetuar me kopjen e diplomës së noterizuar, periudhën me leje të zakonshme, leje lindjeje, asistencë, sigurime vullnetare, etj. Ju, po të vazhdoni të punoni, i plotësoni dhe tejkaloni dhe kjo është në favorin tuaj sepse sipas ligjit të sigurimeve shoqërore sa më shumë vite pune të siguruara të keni, aq më i lartë del pensioni. Me dëshirën tuaj në pension të reduktuar mund të dilni edhe 3 vjet përpara, në moshën 59 vjeçe, po të jeni pa punë e pa vetëpunësuar ose punëdhënëse dhe të mos keni tokë sipas ligjit. Pensioni i reduktuar ulet me 0,6% të pensionit të plotë për çdo muaj që del para pensionit të pleqërisë. Për 3 vjet ulet 21,6%, kur e merr 2 vjet para ulet me 14,4% dhe për një vit 7,2% më pak në krahasim me pensionin e plotë. Ky pension shtohet sa herë indeksohen pensionet me vendime Qeverie, por kur të plotësoni moshën 62 vjeçe pensioni i reduktuar nuk kthehet në pension të plotë, por mbetet për gjithë vitet e pensionit, i reduktuar.

Baza ligjore dhe procedura e pagesës së sigurimeve vullnetare dhe të detyrueshme

Pyetje

Disa lexues të gazetës “Telegraf”, brenda e jashtë vendit, pyesin çfarë janë sigurimet e

detyrueshme dhe vullnetare, kushtet që duhet të plotësojnë për t’u siguruar, procedurat që duhet të ndjekin, sa lekë duhet të paguajnë dhe çfarë përfitimesh kanë?

Përgjigje

Mbështetur në ligjin e sigurimeve shoqërore nr.7703, datë 11.5.1993, duke filluar nga data 1.10.1993, personat që kanë plotësuar moshën 16 vjeç dhe kanë tokë sipas ligjit, kanë blerë apo marrë në përdorim tokë me dokumente të rregullta, kur banojnë në të njëjtin qark ku e kanë tokën, dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në bujqësi, blegtori, pemëtari etj., kanë të drejtë të bëjnë sigurime si të vetëpunësuar në bujqësi për të përfituar pension pleqërie, invaliditeti, familjar dhe lejen e lindjes. Aktualisht të vetë punësuarit në bujqësi në 14 rrethe të vendit dhe konkretisht në Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, paguajnë 29.400 lekë në vit, me pagesë vjetore ose me këste në 4 tremujorë. Personat që banojnë në rrethet e tjera që plotësojnë kushtet e mësipërme duhet ta paguajnë 38.400 lekë në vit dhe kanë të njëjtat përfitime. Në çdo rast, lekët paguhen vetëm në banka, e cila ju pajis me një kopje të mandat pagesës, të cilën duhet ta ruani dhe t’ia bashkëngjitni dokumenteve të tjera si libreza e punës, vërtetimi që keni qenë ushtar, fotokopja e diplomës së shkollës së lartë e noterizuar, periudha e paguar me asistencë etj.

-Personat të cilat punojnë në qendra pune shtetërore e private nga mosha 16 vjeç, duhet të pajisen nga qendrat e tyre të punës, me libreza pune e të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, dhe nga paga e tyre bruto mujore, për vitin 2019, nga 26 mijë lekë në muaj deri në 114.670 lekë, çdo muaj i mbahen 11,2% e pagës mujore për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe, çdo qendër pune me fondet e veta paguan 16,7% për secilin të punësuar në kufijtë e mësipërm të pagave për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, pra gjithsej 27,9% (11,2 + 16,7). Kontributet e mësipërme janë të vlefshme për të përfituar pensione pleqërie, invaliditeti, familjar dhe leje lindje, kur secili të plotësojë kushtet e caktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore.

-Personat të cilët nuk përfshihen në grupin e parë dhe të dytë, sepse nuk kanë tokë dhe janë të pa punë pavarësisht se banojnë në Shqipëri apo janë në emigracion nga mosha 18 vjeç kanë të drejtë të bëjnë sigurime vullnetare duke paguar aktualisht 67.392 lekë në vit, baras me 5.616 lekë në muaj që është kufiri minimal i sigurimeve shoqërore vullnetare deri 114.670 lekë në vit që është kufiri maksimal për t’u siguruar për pension maksimal. Në rastet kur pagesat bëhen paradhënie për periudhat e ardhshme, për shembull këtë vit për vitin 2020, e kështu me radhë deri në plotësimin e moshës së pensionit të pleqërisë, shumës së mësipërme i bëhet ulje 6% në vit. Kur bëhen pagesat paradhënie për 6 muaj ulja është 3% dhe për 3 muaj 1,5%. Për të bërë sigurime vullnetare fillimisht të interesuarit duhet të paraqiten në agjencinë e sigurimeve shoqërore të vendbanimit të tyre të marrin një urdhër veprimi për periudhën që duhet të sigurohen dhe paraqitin në një bankë të nivelit të dytë, ku mbas kryerjes së pagesës, banka e pajis me një kopje të mandat pagesës të cilën duhet ta ruajnë e t’ia bashkëngjisin librezës së punës. Periudhat e siguruara si më sipër janë të vlefshme për të përfituar pensione pleqërie, invaliditeti, kur në 5 vitet e fundit para sëmundjes të ketë punuar i siguruar të paktën 12 muaj me ose pa ndërprerje, dhe pensione familjare, por jo leje lindje.

-Kujdes, minimumi i domosdoshëm për të përfituar pension pleqërie në vendin tonë është 15 vjet punë të siguruara para plotësimit të moshës së pensionit, ndërsa për këtë vit gratë dalin në pension 60 vjeçe e 10 muaj dhe burrat 65 vjeç, sqaron eksperti Fadil Kepi. Për pension të plotë, për të dy gjinitë, duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në agjencitë e drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore të vendbanimit tuaj.

Për më tepër lexoni “Telegraf”