Speciale/ Nënkryetari Shoqatës “Labëria”, Agim Çiraku nderon figura të spikatura labe në Fier

863
Sigal

Më 7 shtator 2019, Dega e Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria” “Nderi i Kombit” në Fier organizoi një veprimtari për dhënie vlerësimesh për punën e bërë nga anëtarët e saj labë në mbi 25 vite të jetës dhe të veprimtarisë së saj.

Në këtë veprimtari morën pjesë nënkryetari i shoqatës së Labërisë Agim Çiraku, sekretari i Përgjithshëm i shoqatës Dr. Dorian Koçi, sekretari Organizativ i shoqatës Bashkim Qeli dhe kryetari i degës së Labërisë për Tiranën, Bernard Zotaj.

Mbledhjen e hapi kryetari i degës së shoqatës së Labërisë për Fierin z. Pasho Zhupa, i cili vlerësoi punën e bërë në vite dhe kontributin e kësaj dege për popullarizimin dhe mbajtjen gjallë të traditave dhe të zakoneve labe, edhe një një mjedis ndryshe nga ai i Labërisë.

U vlerësuar me Mirënjohjen e Labërisë: zj. Meme Lame LIMAJ, me motivacion: “Për kontributin e dhënë gjatë gjithë jetës në njohjen dhe transmetimin e vlerave atdhetare, patriotike dhe kulturore të Labërisë, për trajtimin, shtjellimin dhe evidentimin e traditave dhe virtyteve më të mira të gruas shqiptare dhe labe, për mendime e sugjerime në organizimin e punës, për korrektësi shembullore si veprimtare e palodhur e Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria” Dega Fier, si nënkryetare e saj” dhe z. Engjëll Xhafer SHAMETAJ, me motivacion: “Për kontribut të dhënë në vijimësi në edukimin e brezave me ndjenja patriotike, atdhetare dhe kulturore të traditave e zakoneve të Labërisë. Aktivist i spikatur në promovimin e vlerave labe, si sekretar i degës së ShKA “Labëria” për degën Fier, por dhe në evidentimin e aktiviteteve bashkëpunuese me organizata të tjera në realizimin e detyrave për mbajtjen gjallë të traditave luftarake të zonës së Labërisë”.

 

Ndërsa me titullin Veprimtar i Dalluar me motivacion “Veprimtar i dalluar e aktivist shoqëror, i përkushtuar ndaj traditave atdhetare, patriotike dhe kulturore të krahinës së Labërisë”, u vlerësuan: z. Baftjar Hasan ABAZAJ, z. Ali Veli YMERI, z. Novruz Muharrem DULE, z. Istref Haxhi NUHO.

Veprimtaria kaloi në një atmosferë të këndshme labe, me këngë, bejte dhe dolli për të pranishmit. Risi e re ishte se në veprimtari kishte dhe përfaqësues nga Çamëria, Mallakastra dhe Skrapari, të cilët janë miq të Labërisë. U bënë foto dhe u shkëmbyen mesazhe, ndërsa ne morëm me vetë dashurinë dhe vlerësimin e labëve të Fierit për të punuar dhe propaganduar më shumë për Labërinë dhe për njerëzit e saj.