Sot në 19.00 ,në Pallatin e Kongreseve ,nis koncerti i madh i 10 tenorëve

1213
Sigal

Intervista/ Flet Edmond Tullumani producent i spektaklit të muzikës klasike “Tre tenorët”

Sot në 19.00 ,në Pallatin e Kongreseve ,nis koncerti i madh i 10 tenorëve shqiptarë

-Mbyllja do jetë fantastike me këngën “ Po ku ka si ty o Shqipëria ime”, nga 10 tenorë të huaj

– Jemi në vigjilje të 20-vjetorit të koncertit “Tre tenorët” i vetmi në llojin e tij në botë

Albert Z. Zholi

Në datën 3 tetor në sallën gjigante të Pallatit të Kongreseve do shfaqet sërish për të 20-tin vit radhazi spektakli famoz “Tre tenorët”  aq shumë i mirëpritur nga spektatori shqiptar dhe jo vetëm…“Tre tenorët” spektakli më i madh i muzikës klasike shqiptare  rikthehet sërish, këtë herë në një mënyrë ndryshe, me një risi që do ju habisë, do ju befasojë dhe do ju tundojë.  “Tre Tenorët”  është në vigjilje të 20-vjetorit dhe këtë radhë sërish do të organizohet në  Pallatin e Kongreseve me tenor shumë të njohur nga publiku të ardhur nga jashtë ku do të interpretojnë përballë afro 2 mijë spektatorëve që vlerësojnë dhe duan artin klasik që po fiton terren në atdheun tonë. Projekti i 20-të,  i “Tre tenorëve”  me producent  Edmond Tullumanin tregon se është një spektakël i rrallë, i vetmi në rajon, i vetmi që ka jetëgjatësinë më të madhe, por dhe shikueshmërinë elitare pasi për çdo vit vijnë dhe paraqesin klasin e tre tenorët më të mirë nga të katër anët e globit. Gjatë  20-vjetëve “Tre Tenorët” e ka kaluar provën e publikut shqiptar, pasi prej vitesh ky koncert mirëpritet nga të gjithë artdashësit për më shumë nga trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, ku shumë prej tenorëve përkrahen nga ambasadorët e tyre në kryeqytetin shqiptar.

.

Po afron spektakli i mirënjohur “Tre tenorët”. Çfarë përbën ky vit dhe çfarë do ofrojë këtë radhë spektakli?

 

Jemi në vigjilje të 20-vjetorit të koncertit “Tre tenorët” me tenor tashmë i njohur nga publiku shqiptar dhe jashtë tij. Ky koncert ka filluar në vitin dhe jo vetëm që është dhënë në Shqipëri por është dhënë edhe në Kosovë, Greqi dhe jashtë kufijve dhe në këto vite kanë  debutuar dhe tenorët e mirënjohur shqiptar dhe një nga këta ka qenë kolosi i madh Gaqo Çako së bashku me  Josif Gjipalit dhe Kastriot Tushën. Në këtë performancë  Gaqo Çako i hodhi tej kufijtë e moshës dhe u përqas me moshën e dy tenorëve që sot janë të kërkuar kudo në botë.  Gaqo Çako performoi në vitin 2002-2003,dhe  më pas në skenë u ngiten tenorë të tjerë të mëdhenj si Agim Hushi, Adrian Xhema. Të gjithë tenorët shqiptarë kanë kaluar në këtë zinxhir të gjatë kulture që është dhënë nga “Tre tenorët”. Duke qenë se ky koncert është kthyer në institucion kaq vjet, këtu kanë ardhur përveç tenorëve shqiptarë edhe tenorë të huaj nga  shumë vende. Përpos tenorëve kanë ardhur dirigjentë të huaj dhe shqiptarë. Po ashtu kanë bërë regjisurën shumë regjisorë të njohur, kanë interpretuar instrumentistë siç është Ervis Gega një violiniste shumë e njohur në Gjermani. Përveç arieve kemi pasur në çdo koncert pjesë të bukura shqiptare që nga kompozitorë të mëdhenj si Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi,Tonin Arapi me këngët e bukura të përpunuara shkodrane. “Tre tenorët” është një paradë e jashtëzakonshme e muzikës klasike e muzikës shqiptare e njohur nga të huajt të cilët kanë kënduar kanë duartrokitur, kanë ngelur të mrekulluar në skenën shqiptare. Pas fillimit të spektaklit me tre tenorë shqiptarë ne ndër vite ftuam tre tenorë amerikanë, tre rusë, tre turq, tre italianë e me radhë.

-Pse u cilësua “Tre tenorët” dhe gjithmonë baza ka qenë tre tenorët?

Ky emërtim është stampa që unë e kam  pagëzuar  dhe e kam marketuar. E ka zanafillën nga shembulli i tre tenorët e mëdhenj që janë Pavaroti, Domingo dhe Karena. Tre gjigantët e tenorëve botërorë hodhën hapin më të madh të bashkimit të tyre për spektakle të përbashkëta. Nisma e tyre e madhërishme çuditërisht  zgjati  vetëm tre vjet. Por jehona vazhdon siç vazhdon dhe shtysa për të ecur në këto gjurmë në vende të tjera apo organizime të ngjashme. Aktualisht këtë ekskluzivitet e kanë vende të ndryshme, siç e kam unë vetëm për Shqipërinë. Por dua të theksoj se  kjo është bërë edhe në Kinë, Amerikë ku e kanë quajtur “Tre american tenors”.  Madje, madje, së fundi është bërë në Turqi, konkretisht  këtë vit dhe kjo është shumë interesante. Para një muaji është bërë në Ankara në një vend të jashtëzakonshëm me një pjesëmarrje të famshme  të tre tenorët turq, ata që ishin  dhe këtu në Shqipëri. Të tre tenorët turq e kanë deklaruar se ne jemi bashkuar me një shqiptar në Shqipëri, pra ajo treshe tenorësh një nga Ankaraja, një nga Izmiri dhe një nga Stambolli. Ishin këta  tre tenorë që u mblodhën nga tre qytete të  ndryshme të  Turqisë dhe erdhën këtu vjet dhe këtë vit e bënë një spektakël të përafërt në Turqi.

-Po këtë vit kush do jenë baza e spektaklit “Tre tenorët”?

Këtë vit duke qenë se se është në  vigjilje të 20-vjetorit,menaxherët kanë parë diçka interesante se në Shqipëri është numri më i madh i viteve që është bërë ky koncert, pra është më i rezistueshmi, më jetëgjati dhe më i diskutuari në treg. Në vendet e tjera një koncert i tillë ka zgjatur më pak se3-4vjet, ndërsa në Shqipëri ne kemi në vigjilje të 20-vjetorit. Pra koncerti do jetë më shumë se një festë se sa një koncert tradicional  dhe menaxherët e tenorëve në botë më bënë një propozim interesant ku të vinë tenorë nga vende të ndryshme dhe të përshëndesin këtë  koncert, që do të thotë se ata do vijnë për të  përshëndetur “Tre tenorët” shqiptarë në Shqipëri. Pra baza do të  jetë 10 tenorë botërorë që do të përshëndesin “Tre tenorët”  shqiptarë. E bukura është se ata vijnë nga të gjitha kontinentet, duke filluar me Amerikën, me Rusinë, Kinën, Afrikën, etj…Mbas  shumë vjetësh ne kemi një tenor kinez i cili do të  këndojë edhe këngë kineze. Por njëkohësisht vjen dhe një  tenor japonez i  jashtëzakonshëm, po ashtu tenor Italian, spanjoll i një niveli shumë të lartë artistik. Pra 10 tenorë të  botës përshëndesin  “Tre tenorë” shqiptarë, kjo do të jetë sigla. Si rast të veçantë  do të kemi dhe një afrikan nga Bregu i Fildishtë është me ngjyrë dhe është një tenor me emër që kërkohet në botë.  Po ashti do kemi tenorë nga  Uruguai, Koreja e Jugut. Thënë shkurt në Pallatin e Kongreseve do ngjiten  10 tenorë nga bota ku  përveç emrit që kam “Tre tenorët” kësaj radhe i kam vënë një stampë tjetër “Mblidhet në Shqipëri për të përshëndetur koncertin e “Tre tenorëve shqiptarë” , “G 10”  e muzikës klasike botërore”. G-10 është hera e parë që mblidhet në Shqipëri për këta dhe ata e kanë me shumë dëshirë pasi qysh tani secili prej tyre ka çuar nga një përshëndetje. Po të  futesh te kjo faqja jonë zyrtare “Tre tenorët shqiptarë”  do të dëgjosh në siglën hyrëse përshëndetjet e tyre  që do të  vijnë në Tiranë të cilat secili i ka  në gjuhën e vet ku përshëndetin Tiranën dhe organizatorët që po vijnë në Shqipëri.

-A është e vështirë të organizosh një spektakël të tillë?

E vështirë?! Të mbledhësh tre është e vështirë jo më të mbledhësh 10 që është akoma edhe më e vështirë. Dhe të mbledhësh 10 nga të katër anët e botës! Është akoma më interesante që unë e kam bërë në  shumë vite ku përveç tenorëve shqiptarë që këndojnë  Arie tenorët e huaj do këndojnë edhe këngët e tyre por edhe tonat siç kemi kënduar pjesët e bukura shkodrane,muzikën e bukur korçare,  të Elbasanit etj. Kushdo që na ka ndjekur ka parë se tre tenorët turq  kënduan këngën “ Vajta në Elbasan”, Amerikanët kënduan “ Eja, eja luleborë” “bishtaleca palë-palë”.  Këtë radhë tenorët do vijnë të këndojnë “Margjelo” .

-Po mbyllja?

Këtu do ndalem…..Mbyllja këtë radhë do jetë fantastike shumë më e bukur që do të ngelet historike. Kam kohë që tenorëve ju kam çuar partiturën që ata ta mësojnë pasi ata koncertin do e mbyllin me këngën “ Po ku ka si ty o Shqipëria ime”. Pra 10 tenorë nga bota do të  këndojnë këngën ‘Po ku ka si ty o Shqipëria ime”,pra këta 10 tenorë përshëndesin këtë koncert me një tekst të pa parë për atdheun tonë, ku të gjithë siç më akne informuar e kanë mësuar pothuajse përmendësh. Pra kjo është një ndihmë e madhe për Ministrinë e jashtme shqiptare pasi shumë  ambasadorë   nuk e bëjnë dot këtë punë.

-Si po ecet me parapërgatitjet?

Unë po e shikoj se kërkesat janë  të shumë mëdha pasi do vijnë dhe  ambasadorët  reciprokë që do kenë prezent aty tenorët e vendeve të tyre. Pra është një interesim shumë i madh nga ata për të dëgjuar tenorët e tyre që vijnë dhe këndojnë për Shqipërinë dhe që është e  veçanta  për ta që tenorët e tyre do këndojnë edhe këngë në gjuhën e vet,  siç është kinezi. Sa për informacion do këndohen këngët m të bukura klasike të të gjitha kohërave që nga Rusia, Italia, Gjermania, Franca, Spanja, etj… Pra kemi 10 perla  botërore që janë nga të gjithë autorët që nga Verdi, Puçini, Rosinni, dhe deri tek Çajkovski. Krijimet e tyre i japin një kulturë  të paparë muzikës  operistike ku ne do të dëgjojmë një show të vërtetë të perlave më të bukura të vendeve të tyre dhe  ne i  vendosim stampën me muzikën shqiptare. Gjithmonë në pallatin e  Kongreseve më tre  tetor ku ka kërkesa dhe do ketë  shumë pjesëmarrja i ftoj të gjithë që do të  shikojnë një perlë koncertale.