Sot 74-vjetori i Lindjes/ Faruk Kalleshi “Nderi i Kombit”, 21 herë kampion dhe 177 rekorde, sportisti shqiptar i shekullit të 20-të. Veçantia e tij nga të gjithë sportistët dhe rekordi Ginnes

1500
Sigal

Faruk Kalleshi, kampioni dhe rekordmeni, sportisti shqiptar i Shekullit të 20- të

Faruk Kalleshi, sot mbush 74 vjeç. Është cilësuar në anketat sportive si sportisti i shqiptar i Shekulli të 20-të. Veçantia e tij, nga të gjithë sportistët deri më sot, është se ka qenë kampion që në garën e parë dhe deri në garën e fundit, të një karriere 19 vjeçare, sa vështirë që këtë rekord Ginnes të arrihet nga ndonjë sportist tjetër. Gazeta “Telegraf” duke i uruar jetëgjatësi, sjell për lexuesit intervistën, duke rrëfyer Farruk Kalleshin; Njeri dhe Faruk Kalleshin, Kampionin e përjetshëm dhe Rekordmenin e pathyeshëm.

 

Jakup B. GJOÇA

 

-Zoti Kalleshi, jeni nga të paktët sportistë të çdo lloj sporti, (rast Ginnes), që jeni kampion, qysh ditën e parë e deri në ditën e fundit të konkurrimit tuaj. Çfarë ju bëri juve, që të ishit kampion në të gjithë ditët sportive që konkurruat?

-Unë, me thënë të drejtën, tani, kur shikoj cv time, e fillova konkurrimin kampion, në moshën e re, që mund ta fillosh si kampion, por e veçanta është se karrierën time sportive e mbylla si kampion në moshën 39 vjeçare. Dhe, unë për karrierën time të gjatë e të suksesshme si kampion, falënderoj bashkëshorten time, që më ka menaxhuar, në kuptimin, që të mos më krijojë lodhje në familje, kur kam shkuar në shtëpi, kam shkuar për të pushuar, nuk më ka ngarkuar me shqetësimet dhe hallet e shtëpisë, fëmijët më kanë mirëkuptuar, duke më krijuar qetësi e ngrohtësi, dashuri dhe mbështetje. Pra, familjarët e mi më krijuan të gjitha kushtet që unë të konkurroja e të fitoja si kampion.

– Kush e mori vendimin që ju të linit sportin?

– Dita e fundit e konkurrencës time u mor si vendim së bashku me familjen, në moshën 39 vjeç, sepse vendosëm që karrierën time ta mbyll me nder, e ky nder ishte të isha kampion. Isha në kampionatin evropian në Spanjë, mora 3 medalje ari, dhe të gjithë u çuditën, kur u thashë: Deri sot, nesër nuk jam më peshëngritës! Mund ta kisha shtyrë edhe 2 vjet të tjera, por gjëja më e bukur në atë moshë ishte ajo mbyllje spektakolare që bëra në kampionatin evropian të Spanjës. Është rast Gines, sepse 21 vite kam qenë kampion, por kam thyer edhe shumë rekorde botërore, evropiane. Një gazetar është shprehur për mua, se “Kalleshi është Himalaja e sportit shqiptar!”.

– Cila ishte ambicia juaj sportive, ku e gjenit atë forcë shpirtërore, që të ishit një jetë rekordmen dhe kampion absolut i pakonkurrueshëm?

– Në sport, krahas fuqive dhe mundësive fizike, ka të bëjë edhe intelekti mendor. Unë jam munduar që t’i marr vetvetes maksimumin e mundësive të trupit dhe organizmit tim, saqë edhe ndërkombëtarët më bënë vlerësimet maksimale. Unë kam qenë edhe më jetëgjati në anketat e sportistëve më të mirë të viteve. Anketën e parë “Sportisti më i mirë” e kam fituar në 1966, e të fundit në 1981, pra 16 vjet fitues. Lumturia më e madhe ka qenë në 1998 kur sporti shqiptar hapi anketën e shekullit “Sportistët më të mirë” dhe unë u futa në 10 sportistët shqiptarë më të mirë të shekullit XX.

– Kur ju thyenit rekordet, a mendonit, se ku ishte caku i mundësive tuaja?

– Nisur nga kushtet që kemi pasur në kohën tonë, me baze materiale të pakët, me salla jo të përshtatshme, unë kam arritur mirë. Unë nuk mendoja se kishte cak për mua. Doja të jepja maksimumin e mundësive të mia.

– Kur arrinit rekordin botëror, a mendonit, se kjo ishte maja e suksesit?

– Jo, por shqetësimi im ishte se çfarë do bëj pas 2-3 muajsh? Ku do arrij?

– Cila ishte ambicia juaj sportive?

– Të arrij një rekord më të madh. Nuk kënaqesha me çfarë arrija. Kjo më nxiste shpirtin e konkurrencës me vetveten. Më mbajtje gjallë në garë, më jepte motivin përse duhet të garoj. Garën sportive e kisha me vetveten, jo me kundërshtarin.

– Kë kishit ju asokohe idhullin tuaj?

– Këtu në Shqipëri ishin figura të mëdha që lakoheshin në ato kohë, për shembull, Loro Boriçi, flitej për të si një sportist i përkushtuar, saqë nuk krijoi dot një familje të tij.

– Kur thyenit rekord pas rekordi, a keni menduar ndonjëherë, cila ishte e pamundura për ju?

– Në 1964 kam vendosur 4 rekorde dhe në 8 korrik 1970 kam bërë garë zyrtare të thyej rekord botëror. Salla e sportit ishte mbushur, banda e Shkodrës më emocionoi dhe ishte një nga garat e rralla që unë dështova. Dola 5 kg poshtë rekordit botëror, i cili është një sukses shumë i madh, por për mua, jo. Unë, për 6 muaj kam qenë keq me vetveten, por më vonë e rimora veten dhe më nxiti të arrij rekorde më të mëdha. Në Kinë, theva rekordet aziatike, 5 kg, që në sallën e Pekinit ishin 20.000 spektatorë që më duartrokitën. “Albania, Albania!”, të gjithë u çuan në këmbë. Asokohe na shpërblenin me ndonjë bluzë, na jepnin ndonjë palë këpucë, si shpërblim material për rekordet botërore. Këpucët e shtangës që më dhuruan në Kinë i kam ruajtur deri sot.

– Ju jeni kampioni absolut i të gjitha viteve që konkurruat. Po a keni ndonjë dështim në krahasim me ambicien tuaj?

– Edhe kampioni, sado absolut ka dështim. Kam patur garë, kur në ato ditë kam pasur fëmijën sëmurë, gjendja ime shpirtërore nuk ishte kaq sportive, nuk isha mirë moralisht, e kështu më binte edhe fuqia fizike, të bie interesi për garën. Por kurrë nuk e lëshova vendin e parë. Kurrë! Dështimi im ishte që nuk thyeja rekordin e radhës.

– Cili është emocioni juaj më i pashlyeshëm në tërë vitet që ju konkurruat dhe ishit rekordmen i rezultateve, që edhe sikur t’u fshihet memoria, atë emocion do e përjetoni akoma?

– Gara e fundit që kam bërë pasi u ktheva nga Spanja, ishte Spartakiada e Pestë Kombëtare, ku unë kisha vendosur ta lija sportin, aty u emocionova, sepse i kalova kundërshtarët me 15 kilogram. Pra, akoma isha kampioni absolut, kisha sfiduar edhe moshën biologjike. Isha 39 vjeç, më dukej pak e rëndë çanta kur mbaroja stërvitjen.

– Cila ka qenë dhimbja e juaj si kampion?

– Kur në 1985 më thanë të shkoja në kampionatin evropian. U thashë, jo, por më kundërshtuan: Ti je kampioni, duhet të garosh. Jo, kundërshtova, dhe ajo ishte dhimbja ime më e madhe. Unë mendova, se më mirë ta lësh karrierën sportive me nder si kampion, sesa të jesh thjesht në radhën pas fituesve.

– Zoti Kalleshi, cili e ka ndihmuar më shumë njëri-tjetrin në këto vite të gjata në sport si kampion absolut: Faruku njeri apo Faruku sportist? Si kanë ndikuar tek njëri tjetri, anasjelltas?

– Unë kisha qëllimin që të jepja maksimumin e maksimumit tim, si njeri Farukut sportist, që ta bëja kampion. Dhe Faruku sportist i dha Farukut njeri kënaqësinë e të qenit kampion. Kur thyeja rekordin, vinte trajneri dhe më përqafonte duke qarë. E pyesja: Çfarë ke? Më thoshte: Qaj, sepse ke thyer rekord! Sa i lumtur ndihesha unë, si njeri për Farukun kampion!

– Cila është e veçanta juaj, që nuk e ka asnjë sportist tjetër, sado i suksesshëm që të jetë?

– Më e fuqishme, që vështirë ta arrijë ndokush tjetër, është ajo, që unë e fillova karrierën sportiste si kampion dhe e përfundova si kampion. Unë përveç 21 viteve si kampion në peshëngritje, kam edhe 1 vit kampion në mundje, në vitin 1965. Edhe 116 rekorde janë shifra që vështirë ndonjë sportist tjetër t’i arrijë. Sa edhe vetë, ndonjëherë çuditem me vetveten. Unë jam i vetmi në Shqipëri, që jam fitues i 4 Spartakiadave Kombëtare Sportive.

– Në jetë, ku jeni kampion?

– Në marrëdhëniet familjare. Në marrëdhëniet me gruan janë kaq fantastike, saqë gruaja ime nuk ka shkuar një natë të shkojë të flerë tek nëna e vet. Ne, burrë e grua kemi qenë edhe shokë. U rritëm bashkë dhe çdo gjë, sukses në jetë dhe në familje e kemi arritur bashkë. Gruaja ime është “Mjeshtre e Madhe” e cirkut shqiptar, “Nderi i Qarkut të Shkodrës”, dhe ka çmimin më të madh si Laureate Republike. Gruaja ime është kampione e barabartë si unë, në fushën e saj.

– Cila ka qenë ajo këshillë që ju jepte gruaja juaj, për të qenë gjithmonë kampioni absolut dhe ju e respektonit?

– Kujtoja ditët e dimrit kur rrinim bashkë dhe i thosha: Liljanë, çfarë bëja unë para garave? Mbaroja stërvitjen dhe vinte në divan 2 jastëkë dhe shikoja televizor dhe i thosha që, nëse më zë gjumi i parë, mos më lëviz. Dhe rrinte me mua, deri sa të dremisja. Kjo më ndihmonte, sepse më qetësonte dhe ditën tjetër shkoja në stërvitje edhe më i fuqishëm. Jeta familjare më ndihmoi shumë në sukseset e mia, sepse kurrë nuk kisha konflikte familjare, plus, që edhe fëmijët e mi u bënë të famshëm, me punën e tyre, në atë profesion që zgjodhën. Anila ime, është e suksesshme në punën e saj, sepse e arriti vetë. Kështu edhe djali.

– A ndikonte tek arritjet e tua në garë, kur aty e pranishme ishte edhe gruaja juaj?

– Po, një rast që është shumë interesant. Kisha një garë në Shkodër edhe i them familjes që do vinin të shikonin. Isha optimist për rezultat të mirë. Dhe në një moment, djali ka qenë 6 vjeç, Anila 4 vjet më e madhe, në një moment, kur komentatori thotë: Pranë shtangës Farruk Kalleshi, tentativë për të thyer rekordin kombëtar, djali në atë moment bërtet: Forca babi! Për momentin, kjo thirrje e djalit, më emocionoi. Bëra një xhiro të vogël, që të rimarr veten nga emocioni. Nga natyra kam qenë tip sanguini, tepër luftarak, sa edhe gjyqtarët më dallonin, para garës e thoshin: Farukun e dallon kur hyn në garë për të thyer rekord. E unë atë garë e theva rekordin për djalin! Pas çdo gare, kur kam thyer rekorde, mund të kem bërë shumë-shumë 2-3 ditë pushim, pastaj sërish përditë në stërvitje.

-Pse vendosët ta linit sportin?

– Unë e kam pasur shtëpinë në katin e katërt. Sa herë ngjitja shkallët, më dukej çanta më e rëndë se shtanga. Atëherë, i thashë gruas: “Do ta lë sportin”. Gruaja më tha: Ti e di forcën tënde…

– Si ndodhi, që ju u afruat tek peshëngritja?

– Nga cirku, ku punoja, ish-trajneri i peshëngritjes, Njazi Bushati, më shikon dhe më thotë: -I kujt je? -I Xhemal Kalleshit, – i them. Babai kishte qenë në 1951 nga shofer, kampion kombëtar i kampionatit të parë të peshëngritjes. Unë nuk e pëlqeja peshëngritjen, sepse më pëlqente cirku. Trajnieri takon babain dhe i thotë që djalin e ke të talentuar për peshëngritje, nuk dua ta heq nga cirku, por le të garojë njëherë në peshëngritje. Një ditë më thotë babai: -Të të them një fjalë, a do të më dëgjosh? -Po! – i them. -Të shkosh një herë në peshëngritje. Kur shkova, aty shokët më panë dhe thanë: -Po të shkojë në kampionat, ky ka për të thyer rekord. Dhe unë fillova kështu stërvitjen. Unë i kalova rekordet me nga 5 kg në stërvitje. Në 12 dhjetor 1964 shkova në aktivitetin e parë zyrtar. Ismet Bellova me atë zërin e tij të mrekullueshëm, më prezantoi për herë të parë, në garën e parë sportive. 2, 5 kg më shumë nga rekordi kombëtar, që në garën e parë. Atë ditë të parë timen, si sportist, theva 4 rekordet e para. Atë ditë fitova 6 mijë lekë, sepse për çdo rekord kombëtar, fitoja 1,5 mijë lekë.

– Si e përjetuat vitin e parë tuajin, jashtë garave, pa titullin kampion?

– Më dukej shumë e pabesueshme, që po largohem nga sporti, më dukej e pabesueshme, që do rrija pa aktivizuar. Po ishte vendimi im dhe e respektova si të tillë.