Skënder Mustafaj: Brigada e 7-të Sulmuese- Një formacion i Lavdishëm i LANÇ-it. Rrëfimi për “Telegraf” pak ditë para ndarjes nga jeta i legjendës së Brigadës, Orhan Frashëri

1545
Sigal

Rrëfimet e ish-kuadrit të Brigadës, veteranit Orhan Frashëri

Brigada e 7-të  Sulmuese – Një formacion i lavdishëm i LANÇ-it

Me rastin e 75-Vjetorit të formimit

Kisha zhvilluar një intervistë me ish-kuadrin e Brigadës së 7-të S, veteranin e nderuar shokun Orhan Frashëri, intervistë që do ta botoja me rastin e 75-Vjetorit të formimit të kësaj Brigade. Shoku Orhan para pak kohe u nda nga jeta, ndaj vendosa në shenje kujtimi e respekti për të, që këtë intervistë t’ia dërgoj Gazetës “Telegraf”

Në ç’rrethana u formua Brigada e 7-të sulmuese?

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë NaÇl, kishte planifikuar, që në dhjetor të vitit 1943, të formohej Brigada e 7-të Sulmuese. Por siç e dimë, pushtuesit gjermanë, organizuan Operacionin armik të Dimrit , Dhjetor 1943-janar 1944,me qëllim asgjësimin e plotë të Ushtrisë NaÇl. Mirëpo fakti doli ndryshe, gjermanët i kishin bërë llogaritë gabim. Më 17 Mars të vitit 1944 në Vlushë të Skraparit u formua Brigada e 7-të S

Cilët ishin formacionet që përbënin bazën e kësaj Brigade?

Gjatë kësaj periudhe ishin formuar 10-11 batalione partizane, të cilët kishin dhënë shembull të shkëlqyer luftimi me pushtuesit e huaj nazifashist. Tre grupet partizane të Qarkut të Beratit, kishin në përbërjen e tyre partizanë të sprovuar, të kalitur në zjarrin e luftës për liri. Partizanë të kësaj brigade ishin nga Shpiragu, Mali i Bardhë të Beratit. Partizanë nga Skrapari, si Batalioni Riza Cerova, Ramiz Arianitasi, Margarita Tutulani. Partizanë nga qarqet Korçë e Gjirokastër.

Detyrat e kësaj Brigade në planin strategjik dhe taktik që ajo ndoqi?

Urdhri i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NaÇl ishte goditja e vazhdueshme që duhej në Berat si ndaj pushtuesve ashtu dhe ndaj forcave koloboracioniste, shërbëtorëve të pushtuesve. Pra të goditeshin këto forca, duke shkatërruar planet e tyre. Duke çliruar Beratin, Myzeqenë, Sulovën,Fierin ,Elbasanin. Nga 17 Marsi deri më 13 Shtator 1944. Çlirimi i Beratit, goditja disa here e nazistëve si dhe e ballistëve. Forcat e Batalionit të parë e të dytë e të tretë nuk reshtën së godituri nazistët e forcat balliste të Kadri Cakrani, plani i të cilit ishte që Berati të shërbente si kryeqendër e Shqipërisë së jugut.

Berati u çlirua, plani i pushtuesve dhe i tradhtarëve të vendit dështoi, çfarë detyre mori Brigada tani?

Me fitoren e arritur në Berat, komandanti i Përgjithshëm Enver Hoxha, nëpërmjet një thirrjeje falënderonte partizanët e Brigadës, duke urdhëruar vazhdimin e luftimeve drejt veriut të Shqipërisë. Kështu beteja me gjermanët u zhvilluan në Lezhë, Mirditë, Shkodër. Luftimet qenë të përgjakshme dhe heroike. Forcat e Brigadës së 7-të S, Brigadës XXll dhe grupi partizan i Shkodrës, me luftën e tyre çliruan Shkodrën më 29 Nëntor 1944. Duke bërë një miting në Mjedë për këtë fitore të arritur rreth 23 të rinj ju bashkuan Brigadës së 7 s,e cila në këtë kohë morën urdhrin të ndiqnin këmba këmbës forcat naziste,drejt kufirit Malit të Zi e më tej. Shumë nga bashkëpunëtorët e pushtuesve,ballistë e zogistë, po përgatiteshin të iknin nga Shqipëria nëpërmjet Bunës,por u kapën,duke marrë atë që meritonin. Luftimet përtej kufirit vazhduan në Podgoricë, Plevë,Bosnje Boranë e deri në Vishegrad.

Themi se rruga e Brigadës së 7-të Sulmuese është e lavdishme, pse?

Nga Vlusha në Vishegrad një itinerar, mbi 3200 km rrugë jo turistike,por luftë heroike,kundër pushtuesve të huaj e tradhtarëve të vendit. Nga Vishegradi Brigada u kthye në Kosovë,duke luftuar kundër çetnikëve serbë. Pra ajo zhvilloi më se 120 beteja,duke i dhënë atdheut 302 dëshmorë,ku 100 prej tyre ranë ranë përtej kufirit me ish-Jugosllavinë , ku përmendim Gani Nivica, Thoma Shqina, Sami Kuçi,Thoma Arbëri, Abedin Qafoku, Koli Myzeqari, Skënder Libohova, Erifili Qyrana, Ferit Bregu, Zihni Toska, Thimi Tani etj., si dhe 150 të plagosur. Lavdinë kësaj Brigade ia japin heroizmi i mbarë partizanëve, numri i të cilëve erdhi duke u shtuar nga dita në ditë. Nga 450 partizanë që ishin në formimin e saj, arriti në 2220 partizanë. Lavdinë e kësaj Brigade e shtojnë dhe kuadrot e saj drejtuese, të cilët ditën të drejtojnë me trimëri, si Gjin Marku, Kadri Hoxha, Adil Carcani, Neshat Hysi, Ramiz Alia, Irfan Peshtani,  Izet Hysi, Nikollaq Sallabanda, Myqerem Fuga, Njazi Demi, Myzafer Trebeshina etj. Ata udhëhoqën me mençuri e përkushtim këtë luftë Antifashiste NaÇl

Më 17 Mars të këtij viti do të festojmë me krenari 75-Vjetorin e formimit të kësaj Brigade. Si e presin ish partizanët, pasardhësit e tyre këtë përvjetor të lavdishëm?

Organizatat e Veteranëve të LANÇ-it si në Berat dhe ne Skrapar, kanë programuar një sërë veprimtarish, duke çelur fotoekspozita fotografike, do të ndajë mesazhe mirënjohjeje tek familjet e ish-partizanëve të ndarë nga jeta, biseda pranë lapidarëve ku ka zhvilluar luftime kjo Brigadë, biseda nëpër shkolla,si dhe duke nderuar ata ish-Partizanë që jetojnë nga Qarku e Bashkitë. Sigurisht do të jetë Skrapari ai që, më 17 Mars 2019 do ta kurorëzojë me sukses kremtimin e këtij formacioni luftarak të lavdishëm.

Skënder Mustafaj, Kryetar i Familjeve të Dëshmorëve, anëtar i Kryesisë të Org. të Veteranëve të LANÇ-it Berat