Skënder Luarasi, antifashisti i Luftës së Spanjës

1777
Sigal

Skënder Luarasi, lideri i antifashizmit shqiptar në Luftën e Spanjës.

Petro Luarasi

Për arsye politike e klanore, aspak nga padija, është nënvlerësuar e tjetërsuar veprimtaria madhore e antifashistit të shquar, Skënder Luarasi (1900-1982), i cili ka qene flamurtar i antifashizmit shqiptar, që në fillim të viteve 30′, me veprimtari aktive në gjimnaz e publicistikë si dhe i dalluar në Luftën e Spanjës si:

1.Vullnetari i parë që u nis nga Shqipëria, përgjegjës i vullnetarëve shqiptarë dhe anëtar i Shtabit Ballkanik me qendër në Albacete.

  1. Përgjegjës për botimin, kryeredaktor dhe gazetar (me ndihmës Petro Markon) për botimin e revistës ”Vullnetari i Lirisë” në shqip.
  2. Përgjegjës programi, përgatitës i materialeve dhe spiker i programeve radiofonike shqip të emetuara nga disa radio spanjolle ku informonte shqiptarët kudo në botë mbi rrezikun fashist dhe luftën kundër tij.
  3. Drejtues i bibliotekës në Albacete dhe shef i propagandës e censurë në gjuhën shqip.
  4. Publicist i shquar që me artikujt e tij në Shqipëri e Spanjë paralajmëroi rrezikun e pushtimit të Shqipërisë dhe programin e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar. Asgjë nga këto merita nuk është përmendur në kapitullin e Antifashizmit shqiptar dhe Luftën e Spanjës të librit ”Historia e popullit shqiptar”, viti 2002, botim i Institutit të Historisë dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ndërsa në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar v. 2008, përmendet vetëm se botoi revistën ”Vullnetari i Lirisë”. Në revistën “Vullnetari i Lirisë”, artikulli “25 vjet indipendencë”, nëntor 1937, ai shkroi: “Përsëri po shkojmë drejt humbjes së plotë të pavarësisë së kombit tonë. Mbi kurrizin e popullit shqiptar, Musolini po sheshon udhën e penetracionit romak në Ballkan. Shqipëria është në kthetrat e kuçedrës fashiste. Për të shpëtuar, duhet t’u japim grushtin e vdekjes feudalizmit e fashizmit.” Më poshtë trajtohet platforma çlirimtare-demokratike e pluraliste: “Është ideja që ta ngjallim Frontin Popullor edhe në Shqipëri, me të cilën do të përpiqemi të shembim regjimin diktatorial profashist dhe të sigurojmë bashkimin në themel të nevojave demokratike e të zhvillimit nacional. Ja që liria nuk u fituaka me fjalë e me frikë; ajo lyp zjarr në zemër e gjak të gjallë. Përmes kësaj udhe, duhet të kalojnë të gjitha fuqitë progresive të popullit, të gjithë patriotët dhe veteranët e kombit, e gjithë klasa e aristokracisë së rënë poshtë nga dynjallëku, të gjithë tregtarët e dorës së mesme dhe industrialët që janë në rrezik të bëhen borxhlinj të kapitalizmës italiane, borgjezia progresive antiimperialiste, doemos të gjithë: bujqër e punëtorë, të gjithë, qofshin katolikë, muhamedanë ose orthodhoksë, dhe, pa as më të voglën mungesë, e gjithë djalëria kombëtare përparimdashëse e Shqipërisë…”. Nga janari i vitit 1937, në Radiot Albaceta, Barcelona dhe Madridi, Skënder Luarasi komunikoi në gjuhën shqipe: “Djalëria dhe populli ziejnë në Shqipëri. Vetëm idiotët nuk e kuptojnë gjendjen e vërtetë. “Të urtët” mund të jenë mjaft frikacakë, sa të heshtin. Por trimat dhe Shqipëria, nuk kanë mbetur shterpë; le ta çojnë popullin në kushtrim që t’ia sjellin Atdheut fatkeq shqiptar një ditë të lumtur lirie”. Në bazë të këtij programi, del qartë që vullnetarët shqiptarë në Luftën e Spanjës, së pari kanë qenë patriotë antifashistë dhe nga programi i Frontit Popullor, shprehet bashkimi në luftë kundër fashizmit pa dallim feje, krahine, ideje dhe përkatësie ekonomike. Për rëndësinë e tyre, mjafton të kuptojmë që këto parime u sanksionuan në Konferencën e Pezës 5 vjet më vonë.