Si e vlerësonte Karl Marksi, Skënderbeun?

816
Sigal

Gëzim Llojdia

1. Me rrëzimin e sistemit socialist, emri dhe figura e një prej ideologëve të komunizmit, madje më kryesori i atij sistemi mbeti në një harresë të plotë. Sikundër portreti i tij, kështu humbi dhe krejt trashëgimia e tij përveç faktit se emri dhe vepra e tij u ruajt vetë ndër ithtarët e paktë të PK. Mirëpo nuk është ky fakti, që na nxiti të realizojmë këtë shkrim. “Babai i proletariatit”, ashtu siç është thirrur rëndom paska pasur dashuri të veçantë për Shqipërinë! Në vitin 1968-n kur në Shqipëri kishin nisur festimet për 500-vjetorin e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, është Prof A. Kostallari na sjell një dëshmi të rrallë. E çuditshme ngase këtë në këtë vend shqiponjash etapa e parë dhe e fundit e sistemit të tij ishte prezentë prej 50 vitesh. Karl Marksi dora vetë, paska mbushur me dorën e tij, një album me këngë popullore shqiptare. Si ka ngjarë, që babai i proletariatit botëror, është marrë edhe me folklorin e këtij vendi të vogël?

2. Prof Androkli Kostallari në kumtesën me rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut shkruan për figurën e liderit botëror, Marksi që ka vlerësuar heroin tonë kombëtar. Karl Marksi i dha Skën­derbeut vlerësimin më të lartë, thotë Kostallari. Karl Marksi i ka dashur shumë popujt e shtypur dhe ka ndihmuar luftën e tyre çlirimtare.

Ai e ka da­shur shumë edhe popullin tonë dhe është interesuar në mënyrë të veçantë për krijimet e tij poetike. Që më 1839 ai mbushi me dorën e tij një album me këngë popullore shqiptare e të popujve të tjerë. Shënimet, që ai bëri më vonë në «Historinë botërore» të Shtosserit, në lidhje me luftën e popullit shqiptar e me rolin e Skënderbeut tregojnë se ai u dha këtyre një vlerësim të lartë, jo nga pozita sentimentale, por nga pozitat klasore të ideologjisë proletare.

Në luftën e shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu ai nuk shikonte vetëm një luftë për të mbrojtur lirinë e një vendi e të një populli, por edhe një goditje kundër «të vetmit shtet me të vërtetë ushtarak të Mesjetës» që i kundërvihej zhvillimit his­torik të kapitalizmit që po lindte dhe përparimit botëror. Ai e vlerësonte kështu mbi të gjitha Skënderbeun si një figurë ‘që shpejtoi zhvillimin përparimtar të njerëzimit. Kjo na jep çelësin për të kumtuar thelbin e rolit ndërkombëtar të figurës së Skënderbeut dhe jetën e saj të gjatë në letërsinë botërore Prandaj kur sot ngrihen akoma zëra që flasin për “eklipsin» e kësaj figure e që e lidhin «vdekjen» letrare imagjinare të Skënderbeut me vdekjen e perandorisë otomane, siç bën, p.sh. studiuesi amerikan B..S. Ashcom, ne nuk mund të mos i hedhim poshtë edhe teorikisht ato, ashtu siç i hedh vetë jeta.

Figura e Skënderbeut, njeriut që e vuri shpatën e tij e të po­pullit të tij në shërbim të atdheut e të përparimit të njerëzimit, rron e do të vazhdojë të rrojë dhe si figurë letrare për derisa në botë të ketë të shtypur e shtypës.