Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri”, Dega Tiranë promovon librin “Nën hijen e flamurit” të Adem Flamuraj

1021
Sigal

Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri” mblidhet në Tiranë

Dega e Shoqatës së Tiranës promovon librin “Nën hijen e Flamurit” e Adem Flamuraj

 Nga Kastriot Caka

Është bërë zakon që shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri” të mblidhet në evenimente të rëndësishme në Tiranë dhe në rrethe për gëzime, ditëlindje, promovime librash si dhe për festa tradicionale kushtuar figurave të historisë dhe Luftës. Është meritë e një organizimi dhe serioziteti nga njerëzit që drejtojnë këtë shoqatë, por veçanërisht nga kryetari i përgjithshëm i shoqatës “Tomorri” dhe drejtori i gazetës “Telegraf”zoti Engjëll Musai si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës dhe Kryetari i Degës së Tiranës Ramiz Hamzollari. Koha që jetojmë është mbushur me probleme, stres, dhe mërzi, por shoqata është ajo që shpesh u vjen pranë anëtarëve të saj duke krijuar atmosferë gëzimi dhe miqësie.. Ata që përbëjnë shoqatën janë jo njerëz fare të thjeshtë por njerëz nga të gjitha moshat dhe më tepër të rinj, janë mjek ,arsimtarë, dhe intelektualë të të gjitha fushave. Është poeti i madh dhe i shquar , njëkohësisht nderi i shoqatës Xhevahir Spahiu që është i pranishëm në çdo aktivitet të shoqatës, është mjeku i talentuar Hajli Alushani, shkrimtari Sefedin Çela, gazetari i mirënjohur Bashkim Koçi, Idriz Metani, arkeologu dhe studiuesi Nuri Çuni, Viktor Bakillari, Ramiz Hamzollari, Rystem Zyko, Petrit Bakiu, Shaban Lajthia dhe shumë e shumë të tjerë, por ideatori dhe frymëzuesi i jetës së gjallë të shoqatës që e ka ngritur shoqatën në nivele të larta, duke e bërë sa më aktive është Z. Engjëll Musai, i cili i ka afruar të gjithë intelektualët e shoqatës deri tek njerëzit e thjeshtë për të promovuar vlerat e Skraparit dhe më tej ato kombëtare duke i botuar përherë shkrime në faqet e shtypit të kohës si “Dielli i Tomorrit” dhe “Telegraf.” Kështu ndodhi në promovimin e librit “Nën Hijen e Flamurit” shkruar nga Adem Flamuri, kishin ardhur jo vetëm skraparas, por dhe miq të tjerë të shoqatës si Prof. Dok. Pandeli Çina, një mik i rrallë për shoqatën “Tomorri”, mjeshtri i madh i punës Naxhi Kasoruho dhe këngëtari brilant Hysni Zela, redaktori i librit dhe historiani Petrit Zeneli si dhe shkrimtari nga Lunxhëria Ilia Bllaci dhe shumë miq të tjerë të autorit. Aktiviteti u hap me Himnin Kombëtar, që ngjalli interes dhe emocion tek të pranishmit. Referatin kryesor e mbajti prof. Idriz Metani ku solli te pjesëmarrësit vlerat e mëdha që ka ky libër.

Libri “Nën Hijen e Flamurit” dhe autori Adem Flamuraj

Adem Flamuraj ka lindur në Gjerbës të Skraparit. Gjatë jetës së tij ka punuar si punonjës dhe drejtues i shtëpisë së kulturës Gjerbës të Tomorricës, por dhe në sektorë të tjerë. Ademi ka punuar me përkushtim kudo duke shpalosur vlera, duke kontribuar shumë në grupin folklorik të zonës së Tomorricës në përbërje të të cilit ishte bilbili i këngës skraparase Demir Zyko.- Ne ishim krenarë thotë Ademi që kishim në grupin tonë Xha Demirin dhe pritësin e veçantë të këngës Shahin Çinari, ai na dha emër dhe na lartësoi, jo vetëm ne, por dhe gjithë Skraparin, duke jehuar kënga e tij deri dhe jashtë Shqipërisë tek emigrantët që krenoheshin me këngën dhe kulturën shqiptare. Në çdo festival kombëtar apo lokal që mori pjesë grupi i tyre zuri gjithmonë vend nderi. Në librin e Ademit shpaloset fort dashuria për vendlindjen, për traditat e krahinës, për vlerat e çmuara të bashkëfshatarëve dhe të fisit të tij. Përveç pasionit ndaj artit ai shfaqi dhe atë të shkrimit të historisë farefisnore, për të cilën, si kudo edhe në fshatin dhe krahinën e ti kjo gjë shkëlqeu. Kështu që pas një pune disa vjeçare arriti të sjellë në duart tona dhe të lexuesit në përgjithësi këtë botim modest dhe cilësor me titullin shumë domethënës, “Nën Hijen e Flamurit”.Që në faqen e parë autori shkruan: “Amanet për ju breza që do vini më pas, që nuk besoj ta tresë dheu pa e çuar në vend: 

-Këto shënime për fisin shkruar nga unë kijeni të shenjtë! Kësaj godine që nisa me themele e mure të forta, mos i hidhni kurrë çati, por shtojani katet deri në pafundësi…! Fisi Flamuraj dhe fshati Gjerbës kanë nxjerrë ndër kohëra njerëz të shquar, luftëtarë, trima, punëtorë dhe të urtë por dhe të shkolluar. Autori vë theksin në libër se shumë kohë më para mund të ishte shkruar ky libër ndoshta nga njerëz shumë të shkolluar,, prandaj dhe unë duke ndjerë rrezikun e humbjes së këtyre vlerave të çmuara guxova dhe mora përsipër të plotësoj një vakum të tillë, aq sa mundem, duke realizuar kështu dhe një nga amanetet e të parëve tanë. Në libër vihet theksi se me kalimin e viteve brezat do të shtohen, por tek ky libër ata do të gjejnë lidhjet e gjakut edhe pse fati mund ti çojë në skaje të ndryshme të botës, dhe mbi të gjitha ai do ti bëjë krenarë për origjinën dhe të parët e tyre. Libri përshkruan bukur veçoritë natyrore të fshatit Gjerbës dhe pozitën gjeografike të tyre, për florën dhe faunën, për ujërat dhe burimet, për tokën, blegtorinë, bujqësinë, sepse ishte toka, mali dhe blegtoria që i ushqenin me bukë e gjellë Flamurajt dhe gjerbësllinjtë. Autori flet dhe për toponimet, janë këto vende të bukura që ai i përmend përmallshëm, është kjo tokë e shenjtë që ai përlotet kur e kujton, edhe pse është larguar. Ai vend ka bërë histori ka lindur dhe rritur bij e bija që u bënë krenaria e fshatit, zonës, Skraparit dhe Shqipërisë. Nuk harron autori të përmendë malin e madhërishëm që u rri mbi kokë, Tomorrin, Bektashizmin, për etimologjinë e këtij mali që rilindësit dhe populli i këndon. Pra, Tomorri vjen nga mitologjia si Olimpi Shqiptar, tërheqës për bukuritë dhe madhështinë e peizazhit natyror, gjë që autori e ka përshkruar me shumë realizëm dhe në mënyrë poetike. Më gjerë aty flitet për qëndresën e kësaj popullsie gjatë pushtimit romak, bizantin dhe sllav, për kurbetin në kohëra, për fenë, për zhvillimin ekonomik e shoqëror të zonës. Po ti referohemi librit, Tomorrica ka histori, dhe momente kulmore, si fakti që Ismail Bej Vlora është zgjedhur përfaqësuesi i Tomorricës dhe deputeti i parë i kësaj zone , i propozuar nga populli i Tomorricës në aktin e shpalljes së Pavarësisë. Në Zaloshnje u krijua “Komiteti për Shpëtimin Kombëtar, me drejtues Maliq Skrapari, si dhe Ali Koprëncka, Servet Zaloshnja, Riza Cerova, Hysen Zaloshnja. Nuk harron autori të përmendë dhe kryepleqtë më të dëgjuar dhe të mençur në Gjerbës si Nazif Taip Flamuraj, Shaban Elmaz Lajthia, Demo Carkanji, Xhelo Lajthia etj., që u jepnin zgjidhje punëve të ndryshme të jetës në ekonomi dhe në drejtësi. Në faqet e këtij libri gjen emrat e partizanëve dhe dëshmorëve të Gjerbësit që dhanë një kontribut të shquar në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare duke dhënë edhe jetën. Pra librin po ta lexosh mrekullohesh nga një punë e kujdesshme dhe e qëmtuar nga autori në shumë vite ku nxjerr në pah vlera dhe të vërteta që duhen mësuar.

Aktiviteti kaloi në një frymë miqësore dhe të gëzueshme

Adem Flamuri, në bisedë me të na thotë se u jam borxhli shoqatës, miqve që më mbështetën, më ndihmuan dhe më inkurajuan për të shkruar këtë libër, por mbi të gjitha i jam mirënjohës Kryetarit të shoqatës, të nderuarit Zotit Engjëll Musai që inicioi dhe organizoi këtë takim për promovimin e librit tim. Po kështu falënderoj dhe zotin Ramiz Hamzollari dhe Rustem Zyko që u angazhuan në këtë eveniment të rëndësishëm. Më në fund aktiviteti u përshëndet me disa këngë nga Ansambli i këngëve “Demir Zyko.”, ku kënduan këngëtarët Fatmir Greva, Xheladin Cërri, Sefedin Çela, Bashkim Çela, Dashuri Hysaj dhe Pëllumb Gjata dhe i ftuari special, Bruno Pollogati, antar i grupit “Revolt Klan”.