SHBA, vlerëson patriotin shqiptar/ Nju Jorku dekoron nesër ish-drejtorin e VOA-s, Frank Shkreli për nder të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo ceremoni do të kryesohet nga Kryetari i Këshillit të Nju Jorkut, Corey Johnson dhe këshilltari shqiptaro-amerikan Mark Gjonaj

753
Sigal

Nju Jorku dekoron analistin dhe ish-drejtorin e VOA-s, Frank Shkreli në nderim të ditës së Pavarësisë së Shqipërisë

 

Engjëll Musai

Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Bashkia e Nju Jorkut nesër, më 21 Nëntor do të organizojë një ceremoni në Kryeqëndrën e Bashkisë së Nju Jorkut në nderim të ditës së Pavarësisë Kombëtare të Shqipërisë. Kjo ceremoni do të kryesohet nga Kryetari i Këshillit të Nju Jorkut, Corey Johnson në bashkëpunim me këshilltarin shqiptaro-amerikan Mark Gjonaj. E veçanta e këtij eventi do të jetë edhe dekorimi që do t’i bëhet njërit prej figurave më të shquara të lobit shqiptaro-amerikan, publicistit dhe ish-Drejtorit të VOA-s për Euro-Azinë Frank Shkreli. Ky nderim është njëkohësisht edhe një vlerësim që Nju Jorku i bën personaliteteve shqiptare, duke treguar se SHBA ka qenë dhe mbetet një nga partnerët më strategjikë të kombit shqiptar. Ishin SHBA ato që mbështetën Pavarësinë Kombëtare të Shqipërisë më 1912-n, ishin po SHBA që ndaluan copëtimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare, ishin SHBA që edhe në kohën e Luftës së Dytë Botërore kishin këshilltarët e tyre që orientuan bashkimin e vendit tonë në frontin e madh antifashist. Ishin përsëri SHBA-të që edhe në kohën e diktaturës komuniste në çdo 28 Nëntor nuk harronin të uronin popullin shqiptar për Ditën e Flamurit. Amerika më këtë rast, sikurse ka deklaruar në shënimet e tij analisti Frank Shkreli, nuk e lidhte urimin për shpalljen e Pavarësisë me regjimin e kohës, por e shikonte si një obligim për popullin shqiptar në veçanti dhe Kombin e ndarë në 5 shtete në tërësi. Shqiptarët jetonin të ndarë në Shqipëri, Kosovën martire, Çamëri, Maqedoni dhe Malin e Zi. Por SHBA do të mbahet mend në jetë të jetëve, se vendosi veton pas masakrave serbe në Kosovë, që ky popull do çliruar dhe kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviç duhet t’i vinte fundi. Me mbështetjen e SHBA-ve Kosova fitoi Lirinë dhe Pavarësinë e saj nga Serbia. Pikërisht, për këto çështje, për mbrojtjen dhe nderimin e klerikëve të persekutuar nga regjimi i Hoxhës, për bashkimin e shqiptarëve pa dallime fetare, ideje dhe bindjesh ka shkruar dhe analizuar Frank Shkreli në shkrimet e tij. Z. Shkreli ka treguar nëpërmjet analizave të ftohta edhe rrugën që duhet të ndjekë Shqipëria, e cila është zemra e Kombit të copëtuar. Pa një Shqipëri të fortë, të respektuar, pa krijimin e shtetit ligjor, lirisë së fjalës dhe shprehjes, pronës, të drejtave të njeriut, pa një demokraci të konsoliduar nuk do të ketë një komb të fortë. Ndikimi i zërit të tij dhe drejtimi i VOA-s në vitet 1990 do të mbahet mend si një nga faktorët që ngriti në këmbë jo vetëm shqiptarët për rrëzimin e murit të Lindjes, por mbarë vendet e Euro-Azisë, të cilat u ndanë njëherë e mirë me diktaturat dhe sistemet moniste. Bashkimi i Shqipërisë në Aleancën e madhe të Atlantikut të Veriut (NATO), ndikimi rus dhe kinez në Ballkan kanë qenë dhe mbeten pjesë e analizave të tij periodike. Situata e rëndë në Shqipëri dhe Kosovë, strategjitë e disa liderëve shqiptarë e kosovarë për të ndarë për t’iu bashkuar Serbisë mbeten pa dyshim një nga elementët e veçantë të shkrimeve të Frank Shkrelit. Tendencat diktatoriale, të liderëve shqiptarë në të gjitha trevat dhe, sidomos, në Tiranë, mosrespektimi i ish-të përndjekurve politikë, mos dënimi ende i krimeve të komunizmit, krimi, korrupsioni, ndërhyrjet e pavend të disa diplomatëve perëndimorë dhe sjellja e tyre si guvernatorë, kanë qenë padyshim në vëmendjen kryesore të tij, duke i bashkëngjitur edhe apelin, se vetëm të bashkuar shqiptarët do jenë faktor i rëndësishëm në Rajon. Promovimi 1 vit më parë në Tiranë i 3 vëllimeve të Frank Shkrelit, “Demokracia nuk pret”, edhe pse janë shkruar vite më parë duken më aktuale se kurrë. Gazeta “Telegraf” ka fatin dhe nderin e madh që të ketë një bashkëpunëtor dhe mik të veçantë sikurse është edhe z.Frank Shkreli. Ndaj në këtë ditë të veçantë sikurse do të jetë ajo e nesërmja ku zoti Frak Shkreli do të dekorohet në Nju Jork, në emër të botuesit Agim Çiraku, stafit të Gazetës “Telegraf” dhe timin personal, i urojmë nga zemra mikut tonë Frank Shkreli, familjes së tij, vajzave, djalit dhe në veçanti të madhërishmes, Bashkëshortes Viki, jetë të gjatë dhe qofsh përherë mendjendritur në të mirë të kombit amerikan dhe bashkëkombësve shqiptarë. Zoti Ju bekoftë!

 

Një përmbledhje e shkurtër

 

Frank Shkreli e kishte filluar karrierën e tij gazetareske qysh në moshë të re, në bankat e kolegjit “Lehman” për gazetën e këtij enti dhe si anëtar i këshillit redaktues të revistës, Jeta Katolike në New York. Mirëpo, karriera e tij merr hov me të shkuar në Washington DC, në qershor 1974 kur fillon punën si gazetar dhe redaktor në “Zërin e Amerikës”, seksioni shqip nga viti 1974 deri në vitin 1984. Më pas, po tek “Zëri i Amerikës”, Shkreli ka shërbyer si shef i seksionit shqip (1984-1985). Nga viti 1985 deri në vitin 1990 ka shërbyer këshilltar i lartë programacioni në Drejtorinë Evropiane të “Zërit të Amerikës” për programet në18 gjuhë të ndryshme drejtuar vendeve komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore. Nga viti 1990 deri në vitin 1994 ka qenë Zëvendës Drejtor në “Zërin e Amerikës” për ish-Bashkimin Sovjetik, vend ky ku përfshiheshin gjuhë të ndryshme të Bashkimit Sovjetik, i cili ndërkohë u shpërbë, përfshirë rusishten. Nga viti 1994 deri në vitin 2003, Shkreli ka qenë Drejtor i Drejtorisë Evropiane (më vonë euro-aziatike) të “Zërit të Amerikës”, drejtori nga e cila, përveç 18-gjuhëve të ndryshme evropiane, varej, veç të tjerash, edhe seksioni në gjuhën shqip i kësaj radioje. Ju kujtojmë që në këtë periudhë, duhej punuar në kushtet e Luftës së Ftohtë. Shkreli ia kushtoi gjithë jetën profesionale menaxhimit dhe administrimit të transmetimeve radiofonike dhe televizive ndërkombëtare, përfshirë edhe internetin, duke mbikëqyrur qindra gazetarë dhe korrespondentë kulturash dhe gjuhësh të ndryshme, të cilët transmetonin programet e tyre, drejtuar botës komuniste gjatë Luftës së Ftohtë dhe luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë. Në postin e tij si Këshilltar Programacioni dhe Shef i Drejtorisë Evropiane të VOA-s, Shkreli ka luajtur një rol kyç në zgjerimin e programeve gjatë viteve ’ 80 dhe ’ 90. Ai themeloi programe të reja që deri atëherë nuk ekzistonin në VOA – gjuhën boshnjake dhe maqedonase – ndërkohë që nën drejtimin e tij, VOA u bë transmetuesi i parë ndërkombëtar që filloi transmetimet në TV, duke transmetuar në TV programet në gjuhën serbe dhe boshnjake gjatë luftës në atë territor, përfshirë më vonë edhe programin shqip dhe gjuhë të tjera evropiane. Nën mbikëqyrjen e tij, VOA u bë gjithashtu transmetuesi i parë ndërkombëtar që krijoi një degë “multimedia”, brenda entit evropian të VOA-s. Gjatë dy dekadave kritike të viteve’80, ’90 – kulmi i Luftës së Ftohtë dhe i luftërave në ish-Jugosllavi – Frank Shkreli mori pjesë pothuaj në çdo vendim, përsa u përkiste transmetimeve ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara të asaj kohe, drejtuar vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore, si edhe ish-Bashkimit Sovjetik, në përpjekje për të informuar saktësisht popujt e atij Rajoni, me qëllim të përshpejtimit të shembjes së regjimeve komuniste dhe vendosjes së lirisë dhe demokracisë, pas mëshomë se një gjysmë shekulli komunizëm.

Frank Shkreli ka qenë anëtar i delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri, në Mars/Prill të vitit 1991, me ç’rast u hap për herë të parë ambasada amerikane pas pothuaj 50-vjetësh, duke hedhur hapat e parë të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që ai së bashku me delegacionin diplomatik amerikan, mori pjesë edhe si vëzhgues në zgjedhjet e para pluraliste të atij viti. Më pastaj, ai ka vizituar shpesh Shqipërinë dhe Kosovën si pjesë e delegacioneve të ndryshme diplomatike, politike, ekonomike dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara gjatë viteve ’90. Me daljen në pension nga detyra qeveritare, pas 30-vjet shërbimi, Frank Shkreli ka shërbyer si drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, një organizatë jo-qeveritare që punon për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për promovimin e paqes dhe zhvillimit ekonomik në trojet shqiptare në Ballkan, e vetmja organizatë shqiptare lobiste me prezencë në Washington DC. Ishte kjo një periudhë kritike për Kosovën dhe për njohjen e pavarësisë së saj nga ana e Shteteve të Bashkuara. Ishte kulmi i përpjekjeve për të bindur administratën e Presidentit George W Bush dhe ndonjë skeptik në Kongresin Amerikan, se më fund kishte ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të njihnin pavarësinë e Kosovës, përpjekje këto që më në fund u kurorëzuan me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, në 17 Shkurt të vitit 2008. Si pjesë e pandarë e komunitetit shqiptaro-amerikan për pothuaj 50-vjet, Frank Shkreli, ndonëse në pension, vazhdon të jetë gjithnjë aktiv me komunitetin, ndërkohë që merret me publicistikë, duke shkruar mbi çështje të interesit kombëtar shqiptar dhe për marrëdhëniet e forta amerikano-shqiptare, por edhe mbi subjekte të politikës amerikane, për çështjet rajonale të Ballkanit dhe mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe evropiane në përgjithësi, që drejt për drejt ose tërthorazi, mund të afektojnë interesat kombëtare ose që janë të një interesi të veçantë për botën shqiptare. Shkrimet e tij botohen në duzina gazetash dhe websajtesh anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në perëndim. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme klasike në seminarin e rendit urdhrit katolik të Salezianëve në Kroaci dhe Slloveni. Me të ardhur si refugjat politik në Shtetet e Bashkuara në vitin 1970, Shkreli vazhdon studimet universitare në kolegjin “Lehman” të New Yorkut dhe në universitetin Xhorxh Washington, në kryeqytetin amerikan. Gjatë karrierës së tij, ai ka marrë një numër shpërblimesh dhe njohjesh të ndryshme për punën e tij gjatë shërbimit në Qeverinë Federale – disa të rëndësishme dhe disa jo aq të rëndësishme – por mbi të gjitha dhe më e rëndësishmja për të mbetet titulli, “Qytetar Nderi” i akorduar në vitin 2011 nga Komuna Shkrel e Malësisë së Madhe me motivacionin: “Për përkushtimin dhe atdhetarizmin me të cilin punoi për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë, për lartësimin e traditave të Malësisë së Madhe dhe të kombit shqiptar, si dhe për frymën e përçuar nga Radio “Zëri i Amerikës”, duke frymëzuar bashkë-kombësit në përpjekjet e tyre për shembjen e komunizmit dhe ndërtimit të Demokracisë.” Motivacioni i titullit Qytetar nderi i Komunës Shkrel, vendi i të parëve të tij, në një mënyrë përmbledh të gjitha ato që me modesti dhe përvujtëri ai u përpoq të arrinte gjatë karrierës së tij për bashkëkombësit dhe për popujt e tjerë të shtypur anë e mbanë Evropës dhe botës. Si shqiptaro-amerikan, ai e konsideron veten të privilegjuar që iu dha rasti të punonte për vendin e tij të adaptuar, por njëkohësisht e ndjen veten edhe krenar për kontributin sado modest dhe të vogël që mund të ketë dhënë për mirëqenien, lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve kudo. Nder më të madh nuk ka!

Kujtimet e Shkrelit:

Ishte mars/prilli i vitit 1991. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kishin rivendosur marrëdhëniet diplomatike, më 15 mars të atij viti, kur u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit midis Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Z. Muhamet Kapllanit dhe Ndihmës/Sekretarit Amerikan të Shtetit, Z. Raymond Seitz. Ashtu si edhe në vitin 1945, kur Enver Hoxha dëboi delegacionin amerikan nga Shqipëria për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara kishin kushtëzuar rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, ndër të tjera, edhe me mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri. Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Uashingtonit dhe Tiranës, më 15 mars, Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi që të dërgonte sa më shpejt një delegacion diplomatik në Shqipëri për të hapur ambasadën e re dhe, njëkohësisht, për të shërbyer si monitorues në zgjedhjet e para pluraliste, që ishin në plan të mbaheshin në Shqipëri, më 31 mars 1991. Një delegacion i përbërë nga katër veta dhe i kryesuar nga ambasadori David Swartz, arriti në Tiranë, një javë pas nënshkrimit të Memorandumit dhe një javë para mbajtjes së zgjedhjeve, duke u bërë kështu misioni i parë diplomatik amerikan që vizitonte Shqipërinë, që prej vitit 1946. Zgjedhjet e 31 marsit 1991 u konsideruan si hapi i parë drejt liberalizimit politik dhe ekonomik të Shqipërisë, si dhe drejt hapjes së vendit ndaj botës, por edhe si mundësia për vendosjen e një procesi të demokratizimit të jetës në vend, pas izolimit komunist të vetë-imponuar, prej pothuaj 50-vjetësh të vendit. E kujtoj këtë histori, ndoshta në një përpjekje të pasuksesshme, për të vënë në dukje se problemet aktuale politike në përgjithësi dhe reforma e procesit të zgjedhjeve në veçanti, i kanë rrënjët pikërisht tek zgjedhjet e para pluraliste post-komuniste në Shqipëri dhe se nuk ndryshojnë shumë nga ajo kohë. Ashtu si edhe gjatë 28-viteve të fundit post-komunizëm, procesi i zgjedhjeve të para “pluraliste” në Shqipëri, në mars të vitit 1991, nuk ishte as i lirë dhe as i ndershëm. Në atë kohë, Partia e Punës gëzonte një monopol absolut mbi mjetet e komunikimit dhe median, ndërkohë që partitë e opozitës ankoheshin se nuk kishin pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për zgjedhjet, pasi nuk kishin as mjetet dhe as përvojën e nevojshme për t’u përballur me Partinë e Punës që i kishte rrënjët thellë në shoqërinë shqiptare.

 

Dr. Elez Biberaj

 Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë “Zëri i Amerikës”

Frank Shkreli është një gazetar me përvojë të gjatë, me një karrierë të shkëlqyer 30-vjeçare në “Zërin e Amerikës”. Ai është shquar si një mbrojtës i flaktë i lirisë së shtypit, një luftëtar i paepur në kërkim të së vërtetës dhe nxitës i përhershëm i demokracisë në Shqipëri, Kosovë dhe rajonet e tjera të banuara nga shqiptarë. Duke iu drejtuar shqiptarëve nga një këndvështrim amerikan, ai pasqyron në mënyrë origjinale debatet dhe shqetësimet e politikanëve, zyrtarëve dhe ekspertëve amerikanë mbi zhvillimet në Ballkan, si dhe të sfidave me të cilat shqiptarët dhe fqinjët e tyre ndeshen në rrugën e vështirë drejt integrimit Euro-Atlantik dhe konsolidimit të rendit demokratik. Një këndvështrim i tillë është edhe më i rëndësishëm sot, pas prirjeve autoritare në ngritje dhe përpjekjeve agresive të Rusisë për të zgjeruar ndikimin politik dhe mediatik në Ballkan, që synon të fusë një pykë midis Shteteve të Bashkuara dhe demokracive të brishta ballkanike. Shkrimet e Frankut karakterizohen nga një ndjeshmëri e veçantë. Ai është i shqetësuar për zhvillimet negative në trojet shqiptare- polarizimin politik në Tiranë, Prishtinë dhe Tetovë, korrupsionin e përhapur kudo dhe mungesën e mundësive të barabarta ekonomike.

Mirënjohje Për Frank Gj. Shkrelin

Prof. Sami Repishti

“Lajmet ma te besueshme janë dhanë nga “Zëri i Amerikës”, gjatë asaj kohe. Nuk ka dyshim se kontributi i dhanun nga USIA – e posaçërisht nga “Zëri i Amerikës” ka qenë esencial për rrëzimin e sistemit komunist në Bashkimin Sovjetik dhe në Evropën Lindore. Gjatë kësaj periudhe, Franku ka qenë i angazhuem thellësisht në çdo vendimmarrje të veprimtarive të “Zërit të Amerikës” për Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore, si drejtues i Drejtorisë për Euro-Azinë pranë VOA/USIA. Mbas nji karriere të admirueshme dhe shërbimi shëmbullor prej 30 vjetësh. Në vitin 2003, Franku doli në pension. Por ai mbeti aktiv, me konsultime dhe me shkrime, në organe të ndryshme. Ma vonë, me 2005-2007, ai u emnue Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, organizata ma efektive e lobimit në Washington, D.C. Si njohës i mirë i kryeqytetit amerikan, ai përdori të gjitha burimet e tij në shërbim të kauzës së shqiptarëve – kudo në Ballkan – me aftësi e pasion të veçantë. Gjatë shërbimit të tij, Frank Gj. Shkreli ka qenë edhe përkthyes, interpretues, pranë Departamentit të Shtetit, Departamentit të Mbrojtjes, Bankës Botënore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Departamentit të Drejtësisë, të Thesarit e të tjera institucione të qeverisë amerikane. Në mirënjohje për veprimtarinë e tij të dallueme, ai fitoi ndër të tjera, edhe dekoratën “Thomas Jefferson Fellowship Award” të dhanë nga USIA. Po nga pikëpamja emocionale, dekorata ma e prekshme për Frankun ka qenë titulli “Qytetar Nderi” i komunës së Shkrelit, Malësi e Madhe, Shkodër (Shqipëri)…”Dekorata ma e çmueshme”. Simbas tij, “nuk ka nderim ma të madh se ky dekorim” u shpreh ai.