Sevo Tarifa: Shefqet Peçi, luftoi si Hero, punoi si Hero, u nda si Hero

196

Dhe naganti nuk na ngeci, që në Kuç e Vishegrad, ngriti këngë Shefqet Peçi, komandanti ynë lab

Shefqet Peçi luftoi si hero, punoi si hero dhe u nda nga jeta si hero!

Nga Sevo Tarifa

Po bëhen njëzet vjet që “Tërmetin” e Luftës, Heroin e Popullit, Gjeneralin Legjendar, Shefqet Peçin nuk e kemi mes nesh fizikisht. Na i kërkon syri. Na rreh zemra për këtë figure të ndritur, për këtë shqiptar të besës, shqiponjë të Kurveleshit e të Labërisë, këtë trim të rrallë, kurdoherë në ballë që populli e quante “Dragua” dhe me zemër i këndonte: “Kush është dragoi i malit/ Dhe bilbil i Labërisë?/ Shefqet Peçi nga Picari/ Heroi i gjithë Shqipërisë!”. Jetë gati shekullore, që është vështirë të ezaurohet në një shkrim.Hero në burgjet e Zogut. Hero i LANÇ. Hero në punë për rindërtimin dhe ndërtimin e Shqipërisë së re. Ku e çuan Partia dhe Enver Hoxha e nuk shkoi Shefqet Peçi?! Dhe gjendja në ministritë dhe sektorët e ndryshëm ndryshonte shpejt. Hero dhe në burgun e Berishës.

Shefqet Peçi ka bërë një rrugë të gjatë e të lavdishme, të lyer me gjakun dhe djersën e të rënëve dhe të njerëzve të pararojës që ecin më parë se koha! Kurdoherë i panënshtruar, i patjetërsuar.Kulti i Shefqet Peçit ishte Atdheu, që ai e kishte skalitur thellë në zemër. Atdhedashuri, që niste nga Picari, të cilin nuk mund ta përfytyrosh pa trima, pa punë, pa këngë. Motoja e tij – “Atdheu mbi të gjitha”. Ideali të çlirohej vendi i shqiponjave, për ta parë të lirë, të pavarur, demokratik. Emblema-“Ja vdekje, ja liri”! Dhe vuri në dispozicion të Atdheut e të Kombit shtëpinë, pasurinë, familjen dhe rininë e tij.

Njeri vital e i patundur, zemërmadh, mendjendritur, luftëtar, orator e poet popullor. Me virtyte të larta moralo-politike. Me ndershmëri të lartë. Me kërkesa të forta, në radhë të parë ndaj vetes, pastaj ndaj të tjerëve. Njeri model, me disiplinë, rregull e korrektesë.

Trim, që vjen nga radhët e trimave. I stërvitur në shkollën e malit. I kalitur në vorbullat e jetës. I çelikosur në dallgët e betejave partizane, të cilat janë si një varg i gjatë fitimtar. I rritur në vatra të prushëzuara atdhetare, në shtëpi dyfeku. I mirënjohur dhe i nderuar për veprën e tij atdhetare e revolucionare. Që në vogëli me pushkë nën jastëk. E ka shkrepur atë që në moshën 12 vjeçare.E ku nuk i gjejmë gjurmët e Shefqet Peçit qysh në hapat e parë të jetës e deri në shuarjen heroike të jetës së tij?! Frymëmarrjen e fundit të shuarjes heroike të jetës së tij… Në fillesat e punëve të përshtatshme brenda e jashtë shtëpisë të fshatlindjes Picar që e zgjonin, e kulturonin, e edukonin dhe e bënin të forte si strralli i atyre maleve! Dhe duke hedhur shtat, forcohej e rritej gjithnjë. Djalosh kurveleshas e lab në vitet e rinisë: në gjimnazin e Gjirokastrës, të cilin nuk e mbaroi se e thërriste Atdheu, që ishte në rrezik nga shovinistët grekë, Lufta e Vlorës më 1920 kundër italianëve, valët e Revolucionit Demokratik të 1924; jeta, shkolla e kurse ushtarake, ku doli oficer, në shërbime, burgje, internime e survejime të regjimit zogollian, në Berat, Elbasan e Gjirokastër, të cilat u bënë “universitete” revolucionare të tij! Dhe pastaj krenar në “Universitetin” e madh të LANÇ, ku shkëlqeu si komisar e komandant, deri në krye të Korparmatës III, atëherë, kur siç vargëzon Dritëroi “Dhe nagandi nuk na ngeci/ Që në Kuç e Vishegrad/ Ngriti këngë Shefqet Peçi/ Komandanti ynë lab…”.Nuk ka krahinë në Jug, në Shqipëri të Mesme e të Veriut dhe deri në trojet shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, që të mos ketë dëgjuar emrin e Shefqet Peçit, kur formacione partizane që komandonte ai luftonin për të ndjekur këmba-këmbës në strofkën e tyre nazistët gjermanë; ku të mos ketë shkelur këmba e Shefqet Peçit, ku të mos jetë dëgjuar kënga e nagantit të tij; ku të mos ketë buçitur fuqishëm thirrja luftarake: “Para partizanë!”. Dhe kurdoherë në aksione të zjarrta luftarake.

Shefqet Peçi mbi të gjitha ishte Njeri. Gjithnjë mes njerëzish. I drejtë në gjykimin e zgjidhjen e problemeve të shtetit dhe të njerëzve. Sa letra me ankesa e kërkesa nga populli merrte pas çlirimit, të cilave u përgjigjej me kohë dhe me drejtësinë e ligjit.I dashur, i dhimbshëm, solidar me njerëzit dhe miq e të huaj. I rreptë, por i urtë, i arsyeshëm. Dashuri të veçantë tregonte për partizanët. Kujdesej për jetën e luftëtarëve të lirisë. Kur pa se partizania 14-vjeçare Nimete Progonati shpejtonte në fushën e luftës me armë në dorë, njoftoi Dane Mehmetin: “Ktheje atë vajzë, ajo është tepër e vogël për këtë luftë”! Pas çlirimit u shpall Heroinë e Popullit.Në lidhjet me njerëzit qëndronte forca morale e tij. Nuk rrinte pa takuar, pa biseduar e pa u frymëzuar nga njerëz të moshave të ndryshme, deri dhe fëmijë. Mori një letër nga pionierët e shkollës së Karbunarës të Lushnjës, që i shkruanin thjeshtë: “O xhaxhi Shefqet, a ke mundësi të na bëni një vizitë në shkollën tonë? Të duam shumë. Të presim me padurim”. Sa e lexoi këtë letër gjenerali më telefonoi e më tha: “More Sevo, si i rinisë që je, a mund të vish me mua në Lushnjë se kam marrë një letër nga pionierët?”. E kisha për nder ta shoqëroja dhe shkuam.Eh, si u prit Heroi! Jashtë shkollës oborri plot e përplot me fëmijë, prindër e mësues. Shikoje vetëm buzëqeshje, dëgjoje duartrokitje, zëra e brohoritje. Kush t’i afrohej më shumë gjeneralit. I mbushën duart me lule të freskëta. Pashë lot në sytë e tij të ndritur! Foli aq bukur, aq rrjedhshëm, me gjuhën e fëmijëve, me ndjenjat e tyre! Një ceremoni e shkëlqyer.Shefqet Peçi luftonte me dy armë: me pushkë dhe me penë. Në njërin sup mbante armën e zjarrit, në supin tjetër çantën e komandantit. “Në vitet e Luftës/ Si burrat e nderit/ Labçe i këndonte/ Gryka e maliherit”. Mbaronte me fitore një betejë dhe hapte çantën, nxirrte andej kartën e kalemin dhe shkruante e shkruante. “Macukull, Macukull kështjellë natyre/ Ç’kujtime të serta! Rrëmbehem prej tyre”. Ra Llambro Andoni dhe shkroi: “Në Macukull nuk mënoi/ Shkëmbit t’kuq iu ngjit përpjetë/ Partizani nga Vunoi/ Me shokë nja pesë vetë/ Luftën të rreptë e filloi/ Qielli e tokë gjëmoi”.Ra Zonja Çurre dhe thuri vargjet: “Të gjithë dëgjuam, të gjithë të pamë/ Kur ty të goditën, kur me plumb të vranë/ Fashistët e djallit, bijtë e mallkimit/ Që i suall brengë gjithë njerëzimit/ Zonjë! O vajzë fshati, dëshmore ti re/ Për Partinë tënde/ popull e Atdhe/ Ti s’ harrohesh kurrë sa të ketë jetë/ Zonjë! 0 heroinë flakë si rrufetë”. E kështu me qindra poezi të shkruara maleve duke luftuar.Shefqet Peçi ishte dhe mbeti Hero i Popullit dhe Gjeneral Legjendar që sfidoi Berishën dhe regjimin e tij gangster. Veteran i madh i LANÇ dhe për shumë vite Kryetar i Komitetit Kombëtar të kësaj organizate luftarake, që vdiq si burrat, si trimat! Si atdhetar bëri një vdekje heroike, si askush tjetër! Kaluan njëzet vjet dhe ai rron në zemrat tona, kujtohet e nderohet denjësisht. Do kalojnë dekada e shekuj dhe vepra e Shefqet Peçit do rrezatojë, do frymëzojë brez pas brezi lulen e rinisë shqiptare, se heronjtë nuk vdesin!