Sevo Tarifa: Nderim për pionierët e luftës, yjet e pashuar të kombit

811
Sigal

Radhët e luftëtarëve i mbushën edhe filizat e rinj siç ishin pionierët, ata mbetën ,”Yje të Pashuar”

 

Edhe fëmijët ranë dëshmorë me armë në dorë!…

Me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve

 

Nga Sevo Tarifa

 

Ishin “zogj shqiponjash” që për arsye të moshës së vogël nuk pranoheshin në radhët partizane, por ata nuk i ndaheshin komandantëve e komisarëve, donin të bëheshin patjetër luftëtarë të lirisë e të luftonin për çlirimin e “Manushaqes” së Naimit, Shqipërisë së dashur. Dhe kishin thurur dy vargje: “Mos na shihni vitet në trup, por armën në sup…”

  1. Qëndronin afër batalioneve partizane, nuk largoheshin.“0 partizanë, o neve nuk kthehemi në shtëpi!” Po ishte vështirë të bindeshin. Komisarët e dinë sa janë marrë me ta! Më në fund arrihej në “mirëkuptim”: Një grup pranonin të bënin punën e korrierit partizan, por të ishin efektivë pranë Këshillit Nacionalçlirimtar. “Më vonë duke parë e duke bërë!”Kështu aktivizoheshin si antifashistë të vegjël, por jo me armë. I shikoje këta korrierë, pionierët në veprimtari ilegale sikur të ishin të rritur dhe ruanin sekretet e detyrave! Ndër të tjera, të shpejtë e besnikë për të çuar një letër në komandën partizane ose ushqime për partizanë.

Abdyl Koka, nga fshati Sallmone i Durrësit, 14 vjeç. Gjeti një bombë dore italiane mbuluar me baltë. Kështu gjetën edhe 7 shokë të tjerë të tij. Dhe mbushën një trastë. Abdyli i pastroi dhe i ruante. Në shtëpinë e tij hynin e dilnin partizanë. Donte të dilte edhe ky partizan, por s’e pranonin se ishte i vogël. Një herë e dërguan në mal me një letër për komisarin. E çoi dhe e përgëzuan. Bëri një kërkesë të thjeshtë: të qëllonte një herë me pushkë! Sa shumë gëzoi! Iu shtua dëshira të jetë partizan. Ato ditë do shkonte në mal. Një mëngjes u nis për punë. Rrugës ia mori këngës partizane, por kënga iu ndërpre. E vranë armiqtë…

Hasan Axhemi, 14 vjeç. I vuajtur, te partizanët gjente ngrohtësi. Miqësohej me ta. Hasanit të vogël iu plotësua dëshira. Janar 1944. Partizanët po iknin nga Mallakastra. Hasanin e lanë në fshat si ndërlidhës. U dërgua me një shërbim sekret në Klos, që andej në Hekal. Përmes errësirës kreu detyrën. I lodhur, e zuri gjumi në anë të një ledhi. Pushkën e mbante midis gjunjëve. Por një hije e zezë si gjarpër i vinte rrotull. Një krisje si degë lisi u dëgjua. Ishte pushka e armikut që e vrau…

13 vjeç ishte Bahkim Kokona nga Gjirokastra. Nëna i vdiq dhe e la 3 muaj. Filloren nuk e mbaroi për shkak të varfërisë. Dallohej për zgjuarsi, shkathtësi, trimëri. Në lagjen Palorto, fëmijët e quanin, “kryetar” të tyre. I pari në demonstrata. Hyri fshehurazi në kuesturë dhe la një letër paralajmëruese antifashiste! Maskohej si shitës kikirikësh në Gërhot, tek italianët. Ishte “Mik” i vogël i tyre. Shkëmbente, kikirikë me bomba dore e fishekë. Dëshmori u dha partizanëve 20 bomba dore, 300 fishekë, një pushkë dhe dy revole!

  1. 2. Grupi tjetër përbëhej nga vajza e djem të moshës së pionierit, që niseshin drejt malit dhe mbeteshin partizanë. Nuk ka pak episode edhe për këta zogj shqiponjash:

Fato Berberi shkoi në çetën “Koto Hoxhi” të Gjirokastrës. Një partizan i moshuar, kur e pa të vogël e me flokë të prerë, nuk ia mbushi syrin për partizane dhe i tha komandantit:

-Po ne këtu s’kemi enë për ta mbushur me ujë e të na i sjellë kjo çupë, o shoku komandant! Këtu kemi pushkë dhe luftë.

-Po duro, o i duruar,- ia ktheu komandanti. Do të kesh kohë ta shohësh edhe duke luftuar. Partizani i moshuar iu drejtua Fatos:

-Je menduar mirë, moj vajzë e xhaxhait!

-Po unë nuk e nis sot luftën, shoku partizan,- ia ktheu Fatoja. Kam kohë që e kam filluar këtë rrugë të gjatë. Kam punuar në qytet e fshatrave, edhe kjo luftë është. Por tani erdha partizane, të luftoj me armë, si shokët e shoqet partizanë.

-Mirë, mirë, këtu jemi, do ta shohim,- e mbylli fjalën partizani. Dhe Fato Berberi luftoi dhe qëndroi heroikisht edhe kur nazisto-ballistët e varën në litar këtë Heroinë të Popullit.

Është i dëgjuar Met Hasa nga Ndroqi i Tiranës. 14 vjeç. Nëna e la 5 vjeç. Nga varfëria shkoi për punë në qytetin e Durrësit. Pushtimi fashist e gjeti 10 vjeç. Shpërndante trakte dhe ishte korrier. E panë armiqtë kur ngjiste fletushka dhe arrestohet. Presioneve të gjermanëve nuk u trembej. Asgjë nuk tregonte. E nisin në burgun e Tiranës. Rrugës ndodhi një alarm ajror. Meti e përdori këtë rast dhe u iku gjermanëve! Shkoi në Pezë, më vonë në Brigadën XXII. Luftëtar trim. Me gjoksin e tij mbuloi tytën e mitralozit gjerman. Nazistët u tmerruan dhe u çuditën me trimërinë e një vocërraku…

Heroina e Popullit, nga Luzati i Tepelnës, 14-vjeçare, Nimete Progonati, shkoi në Brigadën V Sulmuese. E vogël, por trime! Sintezën e trimërisë së saj e ka bërë komandanti i Brigadës V, gjeneral Shefqet Peçi. Kur e pa në sheshin e luftës të zërë pozicion të ri, i thirri komandantit Dane Mehmetit:

-Ktheje atë vajzë. Ajo është tepër e vogël për këtë luftë!.

-Nuk kam ç’t’i bëj, shoku Shefqet – ia ktheu Dania.-As ajo, as të tjerët nuk m’i zbatojnë urdhrat, kur është fjala për t’i hequr nga sulmi!

Dhe Nimetja e vendosur vazhdoi të luftonte dhe u vra bashkë me pesë shokë në luftën e Sinjës kundër forcave mercenare të Halil Alisë.

Rexhep Zebi, nga Ushtelenza e Dibrës, djalosh i zgjuar, punonte në bujqësi, ishte i interesuar të dëgjonte tregime partizane. I frymëzuar nga trimëria e tyre, shkoi në Brigadën IV Sulmuese. Mori pjesë në luftime në Shengjergj, në Qafë Kërrabë, në Arbanë, në çlirimin e Elbasanit. Trim, sulmonte i pari, shokët e këshillonin: “Kujdes se je i vogël!”. Brigada iu afrua Tiranës. Rexhepi ishte në pozicion duke hapur zjarr. Para tij ra një shok. Rexhepi shkon dhe e merr. Plumbat e armikut dendësohen. Rexhepi plagoset rëndë, u vra duke luftuar …

  1. 3. Rreshtat partizane shtoheshin gjithnjë edhe me pionierë e të rinj. Shtëpia e tyre u bë llogorja partizane. Vetëm në Brigadën VI Sulmuese kishte 50 pionierë. Po të shfletosh vëllimet e serisë “Yje të Pashuar”, nr.7, 8 e 9, në sythin “Shqiponja të vogla”, shikonme fotografi23 fëmijë dëshmorë. Në fytyrën e tyre disa duken të mërzitur, se Atdheu rënkon nën çizmen fashiste. Të tjerë shikojnë me inat, shprehin urrejtje ndaj kolaboracionstëve. Të vegjël, por të sakrificave. Lanë shkollën dhe morën pushkën. Lanë lojnat e fëmijëve dhe i dolën zot vendit. Lanë vatrat e ngrohta familjare dhe u bashkuan me shokët e Luftës. Me mendje të kthjellët, me gjak të ndezur, me syrin pishë, vinin në shënjestër armikun. Ëndërronin edhe fëmijët ta shihnin Shqipërinë të lirë. Me gjakun e tyre do të përzihej edhe djersa për rindërtimin, ndërtimin e lulëzimin e vendit. Disa mund të bëheshin skënderbegas e oficerë. Të tjerë kuadër drejtues apo specialistë në profesione të ndryshme. Do të rriteshin, do të dashuronin, do të krijonin familje. Ish fëmijët do të kishin fëmijët e vet. Do të ishin prindër. Sot do të ishin rreth 90 vjeç me Statusin e veteranit. Por ata janë midis nesh. Janë yje të pashuar. I kujtojmë e do t’i kujtojmë kurdoherë. Kur vjen 5 Maji jemi në familjet e tyre. Na duket sikur rrimë bashkë. Është dita e tyre. Lule të freskëta të pranverës, se pranverë ishin dhe ata.

LANÇ ndikoi edhe te fëmijët, i hodhi këta në luftë kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Armiqtë trembeshin, i quanin “Fëmijë të kuq”! Duke u organizuar në radhët e DEBATIK-ut, në organizatën e Pionierit, nën drejtimin e organizatës së rinisë, këta filiza mbushën radhët e luftëtarëve te lirisë dhe brezi i ri, siç do të thoshte Komandanti i Përgjithshëm i UNÇSH, Enver Hoxha: “Rinia ishte pjesa më e gjallë, më e madhe e më aktive e LANÇ.”