Semije Biçaku-Sejdini, vajza e shkollës “Nëna Mbretëreshë”

266

Madhështia e kësaj vajze qëndron tek vlerat e mëdha patriotike, kulturore dhe arsimdashëse, të Biçakçive të Elbasanit, kësaj familjeje me një rrugëtim jetik prej afro 6 shekuj

Vajza fisnike e shkollës “Nëna Mbretëreshë” Semije Biçaku (Sejdini)

Shkëputur nga libri: “Instituti Femnor ‘Nana Mbretëreshë’”, me autore Meri Lalajn

Sokrati ka thënë: “Ai që e ka mësuar njëherë se çfarë është virtyti, nuk e shkel më kurrë”. Ky mendim kaq i vlefshëm ka përshkruar gjithë jetën e Semijes edhe si nxënëse në Institutin Femnor “ Nana Mbretëreshë”. Ka lindur në Elbasan më 23 maj 1924, në njërën prej pesë familjeve më të mëdha të Shqipërisë, atë të biçakçive. Madhështia e kësaj familjeje qëndron padyshim në vlerat e mëdha patriotike, kulturore dhe arsimdashëse, gjatë gjithë udhëtimit jetik të saj, prej afro 6 shekujsh. Në të gjithë momentet më kulmore të historisë për ndërtimin e shtetit shqiptar, prindërit, gjyshërit, xhaxhallarët e Semijes kanë dhënë ndihmesën më të përkushtuar. Në edukimin e vajzës së re ndikim themelor ka qenë shembulli i njerëzve më të rritur të familjes. Semija, pasi mbaroi shkollën fillore, familja, me paratë e saj, e dërgoi së bashku me motrën e saj më të vogël, Didi Biçaku në Institutin Femnor “Nana Mbretëreshë” për studime të mëtejshme. Përshtatja me shkollën e re qe disi e vështirë për të dyja vajzat, sidomos për Semijen, kjo falë natyrës së saj disi më delikate. Pra, ishte një fillim i vështirë për të që të linte një shtëpi në të cilën jetohej në luks, ku nuk mungonte asgjë dhe tani e tutje i duhej që të jetonte në konvikt. Ajo, e kujtonte vite më vonë, me krenari jetën në konvikt, pasi atje iu kultivua një ndjenjë e heshtur për qenien e saj, e cila ishte: Barazia në veshje, në ushqim dhe në vlerësim, pa marrë parasysh nga cila familje vije.

Semije mendonte se kishte qenë një vajzë me vlera modeste dhe pikërisht falë këtij mendimi fisnik më vonë do të ishte në gjendje që të thyente plisat e fortë të fatit të saj

Është me vend të theksohet se, falë këtyre vlerave të saj tejet njerëzore dhe inteligjente arriti që në vitin 1947 të martohej me juristin e shquar dhe një nga intelektualët më të veçantë të botës poliedrike shqiptare, Fejzo Sejdini. Në një vështrim, si nxënëse e Institutit Femnor, ajo nuk u bë kurrë shenjtorja e ideve të mëdha të kohës, por në saje të një karakteri tejet fisnik dhe të heshtur miratonte çdo ide përparimtare nacionaliste, por jo utopike. Ishte një nxënëse e mirë në përgjithësi dhe shumë e mirë në letërsi dhe pikturë. Vlen të theksohet se hartimet e saj ishin të lavdërueshme dhe dy prej tyre u lexuan nëpër klasa, ato ishin me temat: “ Ndërgjegjja, gjykatësi më i rreptë i njeriut” dhe “Shoqëria nuk është gjë tjetër veç një kopsht plot gjemba dhe trëndafila”. Pikturat e saj ishin mjaft të mira dhe merrnin vlerësime nga piktori i njohur Zef Kolombi, i cili i jepte edhe mësim. Gjatë kohës që dy motrat kryenin studimet, evoluon situatat politike dhe ndodhën ndryshime të mëdha. Në vitin 1939, shkolla ra nën ndikimin fashist dhe në programet e saj u fut kultura fashiste. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste ishte dëshpërimi më i madh që Semija dhe familja e saj kishin provuar ndonjëherë. Qëndrimi i tyre u reflektua në shkollë duke mos pranuar uniformën fashiste. Ky fakt vërtetohet në disa fotografi të Semijes në ushtrimet para shkollës. Një ditë e zgjodhën, (vinin mësueset fashiste dhe i zgjidhnin nëpër klasa vetëm nga pamja e jashtme) për t’i dërguar në Itali. Semija nuk pranoi dhe u njoftua menjëherë familja. Të nesërmen erdhën familjarët në drejtorinë e shkollës dhe thanë se nuk e lejonin një gjë të tillë dhe po të qe nevoja i hiqnin vajzat edhe nga shkolla. Kështu që Semija nuk shkoi në Itali. Një aspekt që vlen për t’u respektuar në dinjitetin e saj është edhe marrëdhëniet me shoqet, jo vetëm të klasës së saj, por edhe të klasave të tjera. Tek secila shoqe ajo shikonte diçka të mirë ose shumë të mirë. Në kujtesën e saj kishin mbetur të skalitura dy shoqe, të cilat nuk jetonin më: Shejnaze Juka dhe Margarita Tutulani dhe ajo i kujtonte gjatë gjithë jetës. Hannah Arendt ka shkruar: “Të kuptosh ç’është mizoria, të mos e mohosh ekzistencën e saj, por ta përballosh realitetin pa paragjykime”. Kjo ishte Semije Biçaku