Sakip Cami: Sofraçani i Dibrës u dogj dy herë nga nazifashistët

150

Historia e LANÇ

Sofraçani i Dibrës, fshati që u dogj dy herë, nga fashistët dhe nga nazistët

Në këtë fshat dhe në këtë zonë janë kryer dy luftime të ashpra të shoqëruara me djegie të fshatit dhe masakra

Nga Sakip Cami

Prita e Sofraçanit (23 Gusht 1943)

Diktohet një kolonë e madhe me makina, kafshë dhe ushtarë italianë që niset nga Dibra e Madhe në drejtimin Sofraçan-Bulqizë-Burrel-Krujë-Durrës. Për Divizionin “Firence” ka shumë rëndësi hapja e rrugës për në Tiranë nëpërmjet Bulqizës dhe Burrelit dhe jo nëpërmjet Peshkopisë. Italianët kanë për qëllim të rivendosin situatën në favor të tyre në Burrel dhe më pas të jenë sa ma afër Durrësit. Forcat partizane mblidhen për të organizuar në Sofraçan, tek Guri i Hoxhajve një pritë. Duke njohur mjaft mirë terrenin, ky është vendi më i përshtatshëm, që me forca të pakta të sulmohen forcat e shumta armike. Vend për grumbullimin e forcave partizane caktohet Zall Sopoti. Përveç tre çetave partizane që tashmë ishin të organizuara u bë thirrje edhe forcave vullnetare të zonës. Paraqitën gatishmëri për të ardhur në ndihmë edhe forcat e baba Faja Martaneshit, që na mbështetën në frontin e prapmë të prapavijës. Aqif Lleshi, që ishte ndodhur në Homesh me 30-40 vullnetarë sapo kishte dëgjuar pushkët, ishte nisur dhe i kishte sulmuar italianët në afërsi të Qafës së Sofraçanit, por pa arritur në lartësinë dominuese, të cilën e morën italianët, në saj të epërsisë në forca dhe në armë, por duke lënë edhe shumë të vrarë e të plagosur. Në veri të rrugës automobilistike vendoset çeta e grykës së Madhe dhe çeta e Grykës së Vogël, çeta e Gollobordës tek shtëpitë e Hoxhe, në krahun jugor të rrugës. Mori pjesë edhe Hysni Dema me disa forca të tij. (H.Lleshi, kujtime, faqe 149) Hysniu kur pa Ymer Lleshin me shokë që kishin zënë pozicione më pak se 100 metra larg xhadesë u kishte thënë: “Ushtarakisht ky pozicion është i papërshtatshëm.” Vetë shfaqi dëshirën të zinte vend në Qafë të Sofraçanit.

-Ne parashikonim se atje mund të na godiste kolona anësore italiane, tregon Haxhi Lleshi, prandaj i dhamë edhe një skuadër partizane me vete dhe thotë se Hysni Dema u largua nga luftimi para se ai të mbaronte dhe ishte larguar në drejtim të Staneve të Krajkës. (H. Lleshi, Faqe 150) Italianët morën masa për mbulimin me zjarrin e artilerisë së tyre të mbulonin krahët e rrugës automobilistike dhe të Qafës së Sofraçanit. Ata goditën me mortaja nga kodrat e Mullkastrës, Shkëmbin e Sofraçanit. Askush nuk pipëtinte, për të mos u diktuar derisa italianët të futeshin në pritë. Të parët që hynë në fushëpamjen e pritës qenë tanket. Sapo erdhi këmbësoria u dha shenja e sulmit me një breshëri automatiku. Zjarri qe aq i dendur dhe i papritur sa italianët u çoroditën keq. Ngado që shmangeshin, nuk u shpëtonin plumbave dhe zjarrit të dendur partizan. Italianëve u erdhi në ndihmë artileria e tyre, e cila korrigjoi shënjestrën dhe goditi direkt pozicionet e partizanëve. Tanket italiane qëllonin me predha dum dum, që përhapnin një flakë të madhe dhe një erë mbytëse. Zhvillohet një betejë e ashpër, 7 – 8 orë luftim. Nga forcat partizane mbetën të vrarë Kamber Xhafa dhe Mexhit Tola. Forcave armike, të cilat patën shumë të vrarë dhe të plagosur u erdhën ndihma të tjera nga Dibra e Madhe, bile edhe autoblinda, dhe u krijuan mundësinë për të vazhduar marshimin drejt Bulqizës. Tek Shtëpitë e Gjokajve u shfaqën forca të tjera italiane për t’i vënë në mes të dy zjarreve forcat partizane. Në këto kushte komandanti i këtij aksioni luftarak, Haxhi Lleshi, dha urdhër për tërheqje dhe ajo u krye me rregull të plotë.

Masakra e Sofraçanit nga gjermanët, më 14 korrik 1944

(Djegia e fshatit dhe pushkatimi i banorëve)

Në gazetën “Ushtima e maleve, datë 14 korrik 1984, 40 vjet pas masakrës, ish-partizani dhe kuadri Rakip Caka nga Sopoti shkruan: Me 14 korrik 1944 këshilli i fshatit Sofraçan nisi veprimtarë për në Kaptinë të Martaneshit për të shoqëruar disa misionarë ushtarakë anglezë që kishin qenë pranë Abaz Kupit dhe për të dërguar opinga partizanëve që ndodheshin në “Vorret e vrame“, Tërnovë. Mbas dite, si gjarpri me tre kokë, një autokolonë gjermane dhe e xhandarmërisë nga Dibra e Madhe, fshehtas merr rrugën për në Kodrën e Çerenecit. Nga andej kjo kolonë ndahet në tre drejtime: Një drejtim me komandantin e rrethit të Zerqanit, Iljas Dema merr bregun e zallit për në Shupenzë e Homesh për të shpëtuar kullat e fisit Dema në Homesh, pas djegies së kullave të Mahmud Pervizit në Zerqan, për të prerë rrugë kalimin e Divizionit I për në thellësi të Dibrës. Në krye të një kolone xhandarësh Mahmud Pervizi, nënkomandant i rrethit të Zerqanit, mori anës së Zall Sopotit, për të sulmuar Zerqanin e për të marrë hak për djegien e kullave të tij nga partizanët. Kur dy kolonat morën rrugën e ngarkuar, kolona gjermane arriti në breg të lumit të Sopotit dhe po rrinin të maskuar me atë veshjen e tyre të çuditshme, pantallona të shkurtra, këmishë me mangë të shkurtra, automatikë e mitraloz në gjoks, me artileri të vendosur në Kodrën e Çerenecit. Prisnin të binte muzgu i mbrëmjes dhe mandej të futnin në rrethim patkoi fshatin për të bërë kasaphanë. Kur ata po rrinin në shelgjishte, poshtë në livadh buzë zallit po zbriste Mehmet Deda, për të marrë kalin dhe për t’u nisur për në Bllacë për t’u dërguar materiale luftarake partizanëve. Kali turfulloi, sepse kishte dëgjuar zhurmat dhe diktuar gjermanët, ndërsa Mehmeti u gjend nën tytat e armëve të gjermanëve. Mehmeti kishte kryer detyrën në ushtrinë austriake gjatë Luftës I Botërore dhe kuptonte ndonjë fjalë të tyre. Meraku i tij ishte se si t’i shpëtonte shokët, sepse gjermanët filluan lëvizjen për në fshat duke mbajtur të rrethuar Mehmetin. Zinxhiri i ushtarëve si patkua po e rrethonte fshatin. Kur u ngjitën mbi rrugën automobilistike dhe para tyre u shfaqën shtëpitë e fshatit, armiqtë u bënë gati për mësymje. Mbasi shtëpia e Ramadan Canit ishte në hyrje të fshatit, gjermanët arrestuan Ramadanin që po qëndronte para shtëpisë së tij dhe e vendosën përkrah Mehmetit. Kur të dy i vunë para, artileria gjermane, nga kodra e Çerenecit, tej zallit, filloi zjarrin e saj. Sulmit iu përgjigjën me zjarr partizanët, që ishin në krye të fshatit, në qafë të Sofraçanit. Luftimet u ndezën të ashpra me sulme e kundërsulme. Skuadra që mbante të rrethuar Mehmetin dhe Ramadanin iu shmangën drejtimit të luftimeve dhe po i shtynin ata në një anë. Gjatë kësaj lëvizjeje ata arrestuan edhe dy fshatarë të tjerë duke i bërë 4 veta. Të katërt i rreshtuan në livadhin e fisit Roçi për t’i pushkatuar. Mehmeti e kuptoi. Komandanti i skuadrës gjermane i afrohet Ramadanit, nxjerr bajonetën dhe ja ngul në sup duke e çuar poshtë dhe duke i çarë gjoksin. Ramadani mbeti mbi supet e Mehmetit. Një nga pjesëmarrësit në pushkatim, Shaqir Lila, nuk përmbahet. I fuqishëm siç ishte ai e shtyn gjermanin që goditi Ramadanin dhe e hedh para shokëve të tij, para skuadrës së ekzekutimit, që ishte bërë gati për zjarr. Shaqiri me shokun e tij përfitojnë nga rrëmuja dhe nga tereni dhe zhduken. Gjermanët vrasin Mehmetin. Mehmeti dhe Ramadani ishin dy të parët që u ekzekutuan. Luftimet vazhduan gjatë gjithë natës. Të nesërmen me 15 korrik gjermanëve u erdhën përforcime. Banorët e Sofraçanit arritën të largohen gjatë natës, por gjermanët ua dogjën të gjitha shtëpitë. Gjatë tërheqjes nga luftimet gjermanët kapën shumë fshatarë. Kapën Ismail Lilën e Ibrahim Seferin. Kur kaluan qafën e Sofraçanit, në vendin e quajtur „Lugu i gjatë“ mbi fshatin Vlashe pushkatojnë në fillim të rinjtë, Hysni Gjaçin, Ibrahim Seferin, kurse Ali Gjaçin e pushkatojnë 20 metra larg tyre. Një kasaphanë e tillë ishte planifikuar edhe në oborret e Krahinarisë së Homeshit, por çlirimi i Homeshit nga Brigadës. IV i shpëtoi dhjetëra fshatarë të pafajshëm që kishin përkrahur LANÇ.

Personat e pushkatuar, masakruar dhe djegur nga gjermanët, më 15 korrik 1944

  1. Hysni Gjaçi nga Sofraçani, masakruar nga gjermanët. më 15 korrik 1944
  2. Ismail Lila, nga Sofraçani, masakruar nga gjermanët. më 15 korrik 1944
  3. Ibrahim Seferi, nga Sofraçani, masakruar nga gjermanët. më 15 korrik 1944
  4. Mehmet Deda, nga Sofraçani, pushkatuar nga gjermanët. më 15 korrik 1944
  5. Ali Gjaçi, nga Sofraçani, masakruar nga gjermanët. më 15 korrik 1944
  6. Ramadan Cani, nga Sofraçani, therur me bajonetë nga gjermanët, më 15 korrik 1944
  7. Selvije Roçi, nga Sofraçani, djegur gjallë nga gjermanët, më 15 korrik 1944