Sakip Cami: Dibra krenohet me 8 dëshmorët që ranë në prill 1941

1989
Sigal

8 dëshmorët  dibranë që ranë  në  prill  të  vitit 1941

 

                 Dibra krenohet me bijtë e saj

 Sakip Cami

Në ditët e para të prillit,  italianët shtrinë forcat e Divizionit “Firence” në vijën Maqellarë–Shupenzë-Miresh-Klenjë e deri në Librazhd. Në brezin e dytë që fillonte nga Smolliku në Strikçan-Zerqan-Fushë-Bulqizë-Mali i Bllacës-Katër Grykët qe vendosur  Divizioni Alpin “Brenero”. Atdhetarët dibranë  bënë planin për t’u nisur në dy drejtime: Haxhi Lleshi,  Ahmet  Cami dhe Ymer Lleshi me 200 veta u nisën në krahun Sebetovë, Tërbaç, Çerenec, Viçisht. Aqif Lleshi  me Hamdi Lleshin me 100 pushkatarë në drejtimin  Bllatë, Reshan e Maqellarë.

Më 6 prill filluan veprimet luftarake dhe në befasi të plotë u morën postat kufitare të Ostrenit, Mireshit e Viçishtit dhe erdhën deri në kodrat e Gjoricës.

Ranë dëshmorët e parë  Abdurahim Lleshi e Vebi Jashari në Zonën e Maqellarës. Në kodrat e Çerenecit u vra mësuesi patriot Fasli Cami duke kryer detyrën e korrierit. Më vonë italianët vranë Musa Camin, Ejup Camin e Mexhit Lezin. Mbetën të plagosur Sefer Prapaniku nga Prapaniku dhe Xhelo e Hysen Jashari nga Kovashica. (LANÇ  në Dibër Faqe 388)

Fasli  Fetah Cami, (1912 – 1941) mësuesi  i  parë dëshmor 

 

Fasli Cami lindi në nëntor të vitit 1912 në fshatin Viçish të Dibrës. Fasliu së bashku me Ahmetin dhe Kurtin janë tre djemtë e Feta Camit. Fetai ka marrë pjesë në luftërat kundër turqve, serbëve e bullgarëve, ku  u vra nga bullgarët në vitin 1916 dy vjet para vrasjes së të atit Shabanit, gjatë një përleshjeje me pushtuesit bullgarë në fshatin Golovisht.

Fasliu shkollën fillore 6 vjeçare e kreu në Internatin e Kastriotit të Dibrës nga viti 1920 deri në vitin 1926. Më 1927 u pranua në shkollën mbretërore  në vitin 1931. Po në këtë vit u transferua në gjimnazin e shtetit në Tiranë dhe vazhdoi  studimet në këtë gjimnaz deri në fundin e vitit 1932, kohë kur e përjashtuan se kërkon të drejtën si dhe  shfaqte shenja rebelizmi ndaj padrejtësive. Në  këtë  kohë  Fasliu ishte në  një shkollë  me Mehmet Shehun, i cili më vonë në kujtimet e tij do të shkruante se s’kishte takuar në jetën e tij djalë  më trim se një  dibran me emrin Fasli Cami.

Me shumë përpjekje u ripranua  për të vazhduar studimet në shkollën normale të Elbasanit. Në janar u emërua mësues, në vitin 1939 u transferua  në Gjoricë, ku shërbeu  me nder, përgjegjësi dhe ndërgjegje deri më 6 prill 194, deri në momentin kur fashistët italianë  e vranë në kodrat e Gjoricës

Sefer Ramiz Cami (1914-1941)

Sefer  Cami u lind në Sepetovë në vitin 1914. Babai i Seferit, Ramiz  Zunçe (Zenun) Cami, ishte vrarë nga  bullgarët në Luftën e parë Botërore në vitin 1916.  Seferi që në moshën 2 vjeçare  mbeti  jetim dhe u rrit nën kujdesin e dajës. Në prill të vitit 1941 ai iu bashkua lëvizjes antifashiste dhe aksionit të çetës së komanduar nga Ahmet Cami. Për  këtë u shpall në kërkim  nga fashistët italianë  për ta arrestuar dhe dënuar.  Sefer  Cami u vra nga fashistët  italianë,  në  korrik 1941, në  moshën 27 vjeç.

Musa  Rrahman Cami (1900 – 1941)       

                                                                                

Musa  Cami ishte ndër  më të moshuarit në rreshtin e pushkatimit. Ai ishte babai i pesë fëmijëve, Xhelalit, Fiqiriut, Mehdiut, Myslymit dhe Nadires. Priste fëmijën e gjashtë. U lind në vitin 1900 në fshatin Viçisht dhe ishte moshatar me Ahmetin, kushëririn e tij komandant çete dhe ish ushtarak. Na prij, Ahmet, kundër fashistëve, i  tha ai kushëririt. Ne do të të ndjekim pas. Me 6 prill 1941 fashistët vrasin mësuesin dhe kushëririn e tij Fasli  Cami. Dy ditë më vonë në prill të vitit 1941 Musai është në përbërje të rezistencës së çetave antifashiste ndaj një batalioni të Divizionit “Firence”, ku mbetën të vrarë 50 ushtarë dhe oficerë italianë. Batalioni u shpartallua dhe armatimin e morën luftëtarët dhe fshatarët e zonës. Musain e arrestojnë së bashku me disa kushërinj të tij dhe e gjykojnë. Gjyqi ushtarak i Divizionit “Firence” vendosi ta pushkatojë. Arriti të largohet nga pushkatimi, por nga plaga e marrë vdiq pranë fshatit Pasinkë.

Ejup  Shahin Cami (1922 – 1941)

Ejupi ishte liceist nga Tirana. Familja e tij ishte shpërngulur nga Dibra e Madhe në Tiranë qysh nga viti 1913, pasi i ati i tij Shahini kishte ra në sy të autoriteteve serbe për veprimtarinë e tij atdhetare.

Ishte djalë i pashëm, me një trup të shkathët e të hedhur, me ballë të gjerë, flokë të verdhë e të dallgëzuar, tregon e motra, Afërdita. (Yje të pashuar, Vëll. III, faqe 23)  Kishte temperament të rrëmbyer, por ishte i drejtë. Si nxënës i  liceut ai fitoi dashurinë e të gjithë shokëve. Pas pushtimit fashist ai ra në sy në shkollë dhe në lagje për veprimtarinë e  tij antifashiste, prandaj qëndrimi i tij në Tiranë u bë i pamundur. Tek shkonte nga një fshat në tjetrin me 9 mars të vitit 1941 përplaset me një patrullë italiane të përbërë prej tre vetësh të armatosur. Vret njëri prej tyre dhe dy të tjerët largohen. Kjo qe përplasja e parë me fashistët. Me 6 prill 1941 fashistët vrasin mësuesin dhe kushëririn e tij Fasli  Cami. Ejupi çarmatosi komandantin e batalionit dhe i mori pistoletën, të cilin e vendosi në brez. Divizioni italian organizoi reprezalje dhe arrestime. Një nga të arrestuarit ishte edhe Ejupi i cili mbante akoma pistoletën e majorit italian në brez. Gjyqi ushtarak i Divizionit italian e dënoi me vdekje me pushkatim.

Nga pushkatimi mbetën të vdekur Ejupi, kushëriri i tij Musai dhe Mexhit Lezi.

Abdyrrahim  Haziz  Lleshi  (1910 – 1941)

Abdyrrahim  Haziz Lleshi lindi dhe u rrit në një familje të varfër në fshatin Reshan të Dibrës, shpërngulur nga Zogjaj. Për të mbajtur familjen dhe për të siguruar jetesën u mor me bujqësi në fshat. Pushtimi fashist i Shqipërisë në prill të vitit 1939 e dëshpëroi pa masë Abdyrrahimin. Në prill të vitit 1941 së bashku me kushërinjtë e tij Aqifin dhe Haxhiun si dhe me djemtë e fisit Jashari , Abdyrrahimi mori pjesë në luftën ndaj italianëve të Divizionit Firence që po hynin në Dibër të Madhe.  Luftimet  përfshinin  zonën Miresh, Viçisht, Gjoricë dhe Maqellarë. Në Viçisht ishin organizuar luftëtarët e Ahmet Camit dhe të Hamdi Lleshit, ndërsa në Maqellarë ishin forcat e çetës së Aqif  Lleshit dhe të Jasharajve. Në fshatin Bllatë, në pozicionin e tij të luftimit ra heroikisht Abdyrrahimi. Ishte 31 vjeç

Vehbi   Ago  Jashari (1907  – 1941)

Vehbi  Jashari  lindi në Kovashicë të Maqellarës në vitin 1907 . Së bashku me fisin e tij u shqua për antifashizëm dhe rezistencë. Më 6 prill filluan veprimet luftarake dhe në befasi të plotë u morën postat kufitare të Ostrenit, Mireshit e Viçishtit dhe erdhën deri në kodrat e Gjoricës.  Forcat e komanduara nga Aqif Lleshi morën postën e Bllatës. Gjatë luftës u bashkuan shumë fshatarë me luftëtarët kundër pushtuesve. Abdurahim Lleshi e Vebi Jashari  mbetën të vrarë në Zonën e Maqellarës.

Mexhit  Ramadan  Lezi, (1925 – 1941)

 

Mexhit  Ramadan Lezi u lind në Mazhicë të Dibrës në një familje të varfër fshatare. Në Mazhicë ishte e pamundur jetesa, pasi kishin pak tokë dhe pak bagëti. Kështu  Mexhiti u detyrua që në moshën 15 vjeç të kërkonte të punonte si hyzmeqar në fise të tjera  e në fshatra të tjera.

Në Golevisht, lagje e Viçishit, tek  Fisi  Cami  atë e trajtonin jo si hyzmeqar, por si njeri të shtëpisë. Kulloste në mal bagëtitë e shtëpive të Fisit Cami.

Pas dy ditësh Mexhiti merr pjesë në aksionin kundër forcave të një batalioni Italian që ishte dislokuar në Vanastrane të Mireshit. Nga kjo përpjekje mbetën të vratë 50 ushtarë dhe oficerë  gjermanë.

Italianët arrestojnë të gjithë burrat  e fshatit dhe bashkë me të edhe Mexhitin, bariun e fshatit, për t’i pushkatuar.

Në pushkatim mbetën  të vdekur Mexhit Lezi, Musa Cami dhe Ejup  Cami. Emri i tij është gdhendur në lapidarin e fshatit Miresh bashkë me emrat e Ejupit dhe të Musait.

Dilaver   Veli   Cami (1920 – 1942) 

Dilaver  Cami  ka lindur në Viçisht të Dibrës. Që në moshë të re së bashku me vëllain e tij Tafën dhe me kushërinjtë e tij Rremin, Shahinin, Destanin, Ahmetin etj., njëzetë burra ngritën krye kundër fashizmit dhe për këtë u burgosën në fillim në burgun e Tiranës dhe më pas i transferuan në Burgun e  Burrelit. Fashistët në prill të vitit 1941 pushkatuan Ejup Camin, Mexhit Lezin, Musa Camin dhe Sefer Camin. Në burg Dilaverin e torturojnë rëndë dhe në burg vdes nga torturat.