Sadije Agolli: Vazhdojmë rrugën, komandant!

853
Sigal

Botohet për herë të parë biografia e shkurtër e romanit “Komisari Memo”, marrë nga kujtimet e bashkëshortes së ikonës së letrave shqipe, Dritëro Agolli. Si u përpi nga lexuesit romani me rreth 100 mijë kopje, kërkesa e Dritëroit dhe mirënjohja për Sadijen në ditën e saj të lindjes, më 14 shtator

Një biografi e shkurtër e romanit “Komisari Memo”

 

Vazhdojmë rrugën, komandant!

Nga Sadije Agolli

 

18 Maj 2001

 

“Komisari Memo” është romani i parë i Dritëroit i shkruar në mesin e viteve ’60. Duke qenë i parë, ka pasur historinë dhe fatin e tij, lidhur ngushtë dhe me jetën e vetë autorit.

Duke jetuar dhe duke qenë pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke qenë gazetar dhe duke u futur në shumë histori të kësaj Lufte, duke mbledhur shumë shënime në fshatra dhe në qytete të Shqipërisë, por më shumë në fshatra, ai filloi të shkruante romanin “Komisari Memo”. Një fragment i tij u botua në gazetën “Drita”, me titull “Ngritja”. Madje Dritëroi mendonte ta quante romanin “Komisari Memo” thjesht “Ngritja”, duke u nisur nga busti i bronztë dhe t’i jepte një kuptim simbolik ngritjes së komisarit në historinë e pasluftës. Më vonë mendoi t’ia ndryshonte titullin në “I teti në bronz”, por as ky titull nuk i pëlqeu, se i dukej letraresk dhe përfundoi tek “Komisari Memo”. Ky fragment i botuar u prit mirë nga kolegët e tij krijues. Regjisori i ri i atëhershëm, Viktor Gjika, i cili vinte shpesh në shtëpinë tonë, siç vinin shumë e shumë krijues, (Dritëroi si gazetar dhe i ngarkuar gjithnjë me shërbime dhe artikuj nuk kishte kohë të lirë të shkonte në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve) e lexoi romanin e papërfunduar në dorëshkrim dhe i propozoi Dritëroit të punonin së bashku për një skenar filmi artistik. Dhe kështu, duke punuar së bashku, por më shumë Viktori, se Dritëroin e thërrisnin rrugët e shërbimeve jashtë Tiranës, u realizua, pa u publikuar ende romani filmi “I teti në bronz”, që ishte dhe mbetet një nga veprat më të mira të kinematografisë sonë me temë nga Lufta Nacionalçlirimtare, me idealizmin e përpjekjes së heronjve, me romantizmin e tyre, siç kishin moshën dhe idealet e tyre.

 

Por Dritëroi kishte kërkesat e veta për romanin

Ai punonte mbi figurën e komisarit Memo, pasi historitë që kishte dëgjuar dhe që i kishte shënuar në blloqe, nuk e linin ta nxirrte figurë-skemë që vritet në betejë duke thërritur “Para partizanë”. Atij i kishte lënë mbresë të pashlyeshme figura e komisarit Ramiz Arianitasi (1923-1943), i cili u vra pabesisht, duke pirë ujë në një burim në malin e Leshnjës të Skraparit. Pra, ai përpiqej të nxirrte një komisar me një jetë dramatike, një komisar me psikologji shqiptare, që vritet nga shoku i tij i Luftës vetëm e vetëm pse ky ishte më i zoti, më i gojës, më popullor.

Sigurisht, në ato vite, t’i trajtoje në këtë mënyrë figurat, nuk ishte e lehtë, pasi romanet nuk ishin të shumtë dhe lexoheshin radhë për radhë nga redaktorët e shtëpisë botuese “Naim Frashëri”. Por Dritëroi i skaliti figurat e këtij romani ashtu siç i ka ndjerë, siç i ka përjetuar, siç i ka ndeshur gjatë bisedave me ish-partizanë, pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të Luftës Antifashiste.

Recenzent dhe redaktor i këtij romani, i cili u botua në vitin 1970, ka qenë i ndjeri Jakov Xoxa, mik, njeri i mrekullueshëm dhe shkrimtar i vërtetë për Dritëroin.

Ai i tha Dritëroit: – Më pëlqen romani, por nuk ke pse ta thyesh ngjarjen me kapituj nëpërmjet kujtimeve të të tjerëve. Lëre ngjarjen të rrjedhë vetë, lëri personazhet të jetojnë vetë, lëre Memon të vritet si komisar në betejë…

Por Dritëroi ishte poet dhe, duke e gjykuar sot, që e rilexova pas 30-vjetësh dhe që po e ribotojmë në kolanën e romanit, mendoj se ai nuk mund ta shkruante ndryshe. Ai ka futur në romanin e tij dhe stilin e tij poetik, që do ta ruante më vonë edhe në romanet e tjerë. Ai që në romanin e parë ka dhënë personazhet e fortë shqiptarë si Sali Protopapën në kundërvënie me Rrapo Tabanin, komisarin Memo në kundërvënie me Zarikun, që e vret pas shpine, Bamkë Qylollarin, e me radhë.

Madje, edhe kaq sa ka dhënë me këto figura, në ato vite kur lufta hiperbolizohej dhe ballistët nxirreshin vetëm si frikacakë, kur komisarët apo partizanët nxirreshin duke u vrarë me plumb në ballë ose duke thërritur “Para partizanë!”, mendoj se ka vepruar mirë dhe drejt në shërbim të artit të tij të mëvonshëm. Por kjo do të jetë temë e studiuesve të mëvonshëm gjakftohtë dhe jopartiakë të krijimtarisë së Dritëroit.

Unë do të kthehem në kujtimet e asaj kohe kur u shkrua dhe u botua romani “Komisari Memo”.

Romani në botimin e parë doli me një tirazh prej 15 mijë kopje. Pastaj u ribotua për shkollat me tirazh 30.000 kopje, më pas në botimin e tretë me tirazh 20.000 kopje, ndërsa botimin e katërt në serinë e veprave të zgjedhura ishte me tirazhin 5000 kopje. Është botuar dy herë edhe në Prishtinë, por nuk e di se me çfarë tirazhi. Tani po e ribotojmë me siglën e shtëpisë sonë botuese, me dëshirën për të qenë të plota veprat e Dritëroit.

Gjithashtu këtë ribotim po e bëjmë edhe si shenjë nderimi për gjithë partizanët dëshmorë, për gjithë veteranët që morën pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe që do të jenë, padyshim, heronjtë e ardhshëm më idealistë, më të sakrificës, më të ndershëm, të veprave letraro-artistike.

Unë si redaktore nuk kam vënë dorë, as në figurat artistike, as në gjuhën, madje as në drejtshkrim të ndonjë fjale. Le të mbeten veprat ashtu siç janë shkruar, për të mos dëmtuar ecurinë krijuese të shkrimtarëve tanë në vite. Shkrimtari është ai që ka qenë, që është dhe që do të mbetet në historinë e letrave tona. Rruga e tij është shtruar që në librat e parë me stilin e tij të ndërgjegjshëm, por që vjen duke u përsosur sigurisht nga vepra në vepër.

Dhe rruga e Dritëroit si shkrimtar, si prozator është shtruar që nga ai romani i parë, që i ndërroi titullin tre herë për të mbetur ai që është sot, thjesht, “Komisari Memo” dhe për të vazhduar me romanet “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, “Njeriu me top”, “Trëndafili në gotë”, “Dështaku”, “Kalorësi lakuriq” dhe deri tek romani voluminoz (për mua hyn në veprat më të mira të letërsisë shqipe), “Arka e djallit”.

Ka qenë një rrugë e gjatë me mund e sakrifica, duke shkruar poezi, tregime, kritikë, publicistikë, drama, skenarë filmash dokumentarë e artistikë, një rrugë që i ka ngrënë shëndetin e vet, orët e gjumit, orët e lira që mund të merrej me shtëpinë apo fëmijët e tij, pushimet vjetore etj.

Duke i hedhur një vështrim jetës sonë të përbashkët për afro 40 vjet, shoh vetëm punë, punë, punë. Pa këtë punë nuk do të shkruheshin këto vepra, që janë më shumë pasuri, për brezat e sotëm dhe për ata që do të vijnë.

Më kujtohet e ndjera Hatixhe (nëna e Dritëroit) dhe çuditërisht, duke u plakur vetë, u kthehem më shumë prindërve tanë, kur e pyeti një kushërirë e jona:

– Xhexhe (shkurt emri i Hatixhe), çfarë do t’i bësh lekët e pensionit që i mbledh në Arkën e Kursimit?

Dhe ajo iu përgjigj:

– E ç’janë ato lekë, që mbledh unë në Arkën e Kursimit, para asaj pasurie që po lë dhe që ia kam dhënë Shqipërisë? Unë Dritin (shkurt emri Dritëro) nuk e kam gëzuar as fëmijë, se merresha me punët e shtëpisë dhe më shumë e gëzonte vjehrra, gjyshja e tij, as kur u rrit se shkoi nëpër shkolla sa në Bilisht, sa në Gjirokastër, sa në Rusi. Pastaj u martua dhe e gëzojnë të tjerët, se më shumë është jashtë shtëpisë, me shërbime, më shumë është me shokë e miq. Edhe kur vjen në shtëpi, hyn në dhomë e shkruan e shkruan e nuk hap gojën. Duhet edhe të mos flasim me zë të lartë, kur punon, duhet edhe të gënjejmë miqtë që na vijnë për ta takuar, se nuk është në shtëpi, për ta lënë të qetë të shkruajë… E ç’pasuri tjetër kam unë? Me ato lekë që po mbledh do t’ia bëj me mermer varrin plakut që u lodh aq shumë me tokën në Devoll për të marrë patate, fasule, qepë… për ta mbajtur Dritin në shkollën e Bilishtit dhe të Gjirokastrës. Ja, Dritin këtë pasuri po lë trashëgim.

Dhe i jap të drejtë të ndjerës Xhexhe, se Dritëroin pak e gëzuan dhe Elona me Artanin, ndërsa po e gëzon më së shumti mbesa jonë, Anna, të cilës nuk përton t’i përkthejë nga Enciklopedia Italiane edhe për Mikelanxhelon, kur ajo ia kërkon.

Ja ky është Dritëro Agolli, sigurisht vetëm një pjesë e tij, i cili i ka dhënë lexuesit tonë një komandant Rrapo, një komisar, një Salih Protopapë ashtu siç i ka ndjerë dhe përjetuar, i ka dhënë me sinqeritet, pa i politizuar, megjithëse ishte komunist, megjithëse për afro 20 vjet ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, të cilën çuditërisht e përgojojnë edhe disa që e dinin mirë si funksiononte kjo Lidhje pasi ishin anëtarë kryesie të saj dhe fjala e tyre, ndonjëherë, dëgjohej lart në udhëheqje më shumë se fjala e shkrimtarit nga fshati Menkulas i Devollit. Për sa vjet që Dritëroi ishte kryetar i Lidhjes nuk ka marrë asnjë letër ankese a lutjeje nga ndonjë krijues që donte të përjashtohej nga kjo Lidhje, përkundrazi ka marrë me qindra letra nga njerëz që donin të bëheshin anëtarë a kandidatë të saj dhe të përfitonin ato privilegje që gëzonin me orarin e reduktuar, me studiot, pianot a bojërat e piktorëve me çmime të ulëta, me lejet krijuese, me makinat e shkrimit, me strehime apo me punë më të zgjedhura. Në qoftë se kjo Lidhje ishte Ferr, përse donin të dilnin në profesionin e lirë me rrogë sa Kryetari i saj? Madje, shpeshherë, më kanë futur mua si mik tek Dritëroi për një leje krijuese, për një orar të reduktuar a për studio.

Me këtë dua të them, se Dritëroi përpiqej vetëm të ndihmonte dhe jo t’u bënte dëm krijuesve

Madje, kishte raste që kundër Dritëroit shkruanin letra paditëse, se thyente rregullat dhe nuk pyeste Komitetet e Partisë, duke i tërhequr në Tiranë ose në organet e Lidhjes krijues nga rrethet e ndryshme të vendit.

Nejse, i shpreha këto mendime, duke marrë shkas nga romani “Komisari Memo”, nga personazhet që ka skalitur Dritëroi në këtë vepër dhe them: “Komandant Dritëro, të vijnë plot njerëz tek dera dhe të falënderojnë për ndihmën që u ke dhënë për të vazhduar shkollën e lartë, që janë bërë gazetarë, të falënderojnë për recensionet e shumta apo vlerësimet për librat e parë të tyre, të falënderojnë për librat që ke shkruar, të recitojnë përmendësh dhe vargjet e tua! Hë, komandant, do të vazhdojmë të punojmë. Ke kaq shumë plane, i ke thurur në atë gurin e madh të Rrapos, se ky vendi ynë i bekuar ka kaq shumë histori të trishtuara e të gëzuara, komike dhe tragjike, ka shokë e miq që ndryshojnë fytyrë me ditë dhe ti shpesh më thua me habi: ‘Xhanëm, pse duhet të ndryshojë kaq shumë njeriu!’ Epo këto do të shkruhen edhe në librin tënd të kujtimeve. Më mirë është të dalin njerëzit ashtu siç janë, sesa të mbulohen me maskën e hipokrizisë, mirësjelljes apo servilizmit. Duhen ngacmuar pak, që të nxjerrin atë që kanë në shpirt, që të nxjerrin thonjtë e vërtetë.”

 

Kështu komandanti Dritëro!

(Kjo Ese botohet në ditën e lindjes së Sadije Agollit, më 14 shtator)