Rushit Kuçi: 75 vjet nga krijimi i Br.16 S, rrugë sakrificash e heroizmi

920
Sigal

Në ditët e para Brigada e 16-të Sulmuese kishte 530 partizanë të ardhur nga Skrapari, Vlora etj., më pas në fushat e Myzeqesë, radhët e saj u shtuan në 1300 partizanë; ajo i dha lirisë së atdheut 55 dëshmorë

75 vjet nga krijimi i Brigadës 16-të Sulmuese, rrugë sakrificash, heroizmi dhe fitoreje

(Sipas kujtimeve të ish-kuadrit drejtues në brigadë, Sofokli Papavasili)

 Rushit KUÇI, kolonel në pension

Pak histori

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar, pasi përballoi me sukses mësymjen e dytë të përgjithshme të armikut, në Qershor 1944, kishte marrë nismën operativo-strategjike në dorë dhe në zbatim të vendimeve të Kongresit historik të Përmetit. Ishte hedhur në mësymje për çlirimin e plotë të vendit dhe po realizonte me sukses veprimet në Shqipërinë e Veriut, kurse një pjesë e njësive të tjera ishin hedhur në mësymje për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë së Jugut dhe tërësisht të kësaj pjese të atdheut. Në qarkun e Beratit e në Myzeqe, si rezultat i veprimeve luftarake të guximshme, që zhvillonin forcat partizane, pushtuesit gjermanë ishin të detyruar të mbylleshin në qytetet Berat, Kuçovw, Lushnje e Fier dhe në disa garnizone të vogla, që siguronin rrugët e komunikacionit, që lidhnin këto qytete. Në zbatim të planeve të Komandës së Përgjithshme për forcimin e shtimin e njësive të mëdha të UNCSH dhe çlirimin e plotë të vendit, u dha urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm që më 20 Gusht të krijohej Br16S në Therepel të Skraparit dhe të vepronte kryesisht në trekëndëshin Lushnjë-Fier-Berat.

Pse u zgjodh Therepeli për formimin e Brigadës së 16-të Sulmuese?

-Therepeli i përfshirë në vargun kodrinor Qafa e Shkozës-Bregu Cicit-Tenda e Qypit, është një vend gjeostrategjik dhe ka shërbyer për kryerjen e shumë veprimeve luftarake.

-Në këtë zonë kishte ende shumë luftëtarë të sprovuar që nuk ishin inkuadruar në njësi e formacione luftarake.

-Në këto treva, armiku kishte pësuar dy humbje të mëdha në Tendën e Qypit e Qafën e Shkozës gjatë operacionit të dimrit dhe qershorit të vitit 1944.

-Vite më parë në këtë zonë, armiku ka pushkatuar padrejtësisht rreth 15 burra e gra.

Dita e inaugurimit të Br16S, ishte 20 gushti, ku i deleguar i Shtabit të Përgjithshme ishte Spiro Moisiu. Atë ditë, partizanët bënë betimin luftarak, se do të mbanin lart dhe plot lavdi flamurin e njësive së tyre të dashur. Therepeli dhe gjithë treva e Vendreshës me 8 fshatra do t’i frymëzonte ata në çdo aksion luftarak, deri sa ta bënin realitet fjalën e dhënë. Në ditët e para Br16S kishte afërsisht 530 partizanë të sprovuar në luftime të ardhur nga Skrapari, Berati, Vlora e Myzeqeja dhe më vonë, me kalimin e veprimeve luftarake në fushat e Myzeqesë, radhët e saj u shtuan në 1300 partizanë. Në shtabin e Brigadës, të batalioneve e kompanive fillimisht u emëruan kuadrot si më poshtë:

-Komandant i Brigadës Rrahman Ruçi

-Komisar i Brigadës Abdyl Këllezi

-Zv. Komandant: Gjon Gjoni

-Zv. Komisar: Myzafer Trebeshina

-Intendent: Kozma Vasili.

Në shtabet e batalioneve: Në batalionin e parë, Komandant Petref Therepeli, ish- komandant në batalionin e Grupit të Skraparit. Komisar: Beqir Radhima, ish- kuadër në Grupin e Kurveleshit. Kuadro të tjerë në batalione e kompani: Hajder Strora, Neki Guri, Mete Strora etj. Në batalionin e dytë: Komandant Kadri Aliu, Komisar Nuredin Dobrusha. Kuadrot e tjerë në batalione e kompani, Myrteza Vlusha, Karafil Abazi e Besim Prishta, për të cilin, gazetari i njohur Bashkim Koçi ka shkruar se: “Besimi i frymëzuar nga mësuesit, patriot të zonës Nure Dobrusha e Tajar Grepcka, qysh në moshë të vogël u lidh me lëvizjen dhe më vonë u bë kuadër drejtues në këto lëvizje”. Në batalionin e tretë, Komandant Luto Pashaj, Komisar Sofokli Papavasili. Kuadro të tjerë: Sadush Myftari, Mazllem Sevrani, Sabri Shkëmbi e tjerë.

Disa nga aksionet luftarake të Br.16 S

Brigadës i ishte caktuar si zonë veprimi: Pashiku, Aranitasi, Lokfendi dhe kryesisht Myzeqeja në një sektor shumë delikat e të rëndësishëm. Detyra kryesore nga Shtabi i Përgjithshëm, ishte që Brigada të godiste autokolonat armike gjatë rrugëve: Vlorë-Fier; Fier-Lushnje, Berat-Ura e Kuçit- Lushnje, në Qafën e Koshovicës e të hidhte në erë urat, depot e kazermat që përdoreshin prej armikut; të godiste e shpartallonte forcat e nazistëve, të Ballit e Legalitetit, të zhdukte shtabet kryesore të tyre e tej. Rruga luftarake e saj qe e shkurtër, gjithsej 2 muaj, por ajo qe një rrugë e lavdishme heroizmash dhe plot sakrifica. Ajo luftoi 48 ditë dhe gjatë këtyre ditëve zhvilloi mbi 45 aksione, pothuajse çdo ditë një aksion, të cilët i shkaktuan armikut dëme të mëdha. Karakteristika e Brigadës ka qenë se gjithnjë ajo ndoqi një taktikë të sulmit dhe në të gjithë rastet iniciativa ka qenë në duart e partizanëve, armiku nuk qe asnjëherë, në gjendje që ta godiste brigadën në befasi. Dita e fillimit të aksioneve luftarake ishte 2-shtatori 1944. Batalioni i tretë, posa kaloi lumin e Osumit, vendoset në kodrat e Mbrostarit dhe në 2 shtator, së bashku me batalionin e dytë sulmojnë forcat gjermane në Ardenicë, që pas një sulmi të shkurtër i shpartallon dhe i djeg 5 depo me municione. Armiku vuri në përdorim artilerinë për të thyer forcat partizane, por kur pa se këto jo vetëm nuk po lëviznin nga vendi, por sulmuan, pa u gdhirë mirë nisi një autokolonë e prirë nga një tank. Rruga ishte minuar nga partizanët, shkatërrohet tanku dhe një autoblindë, vriten dhe plagosen shumë ushtarë nazistë. Nga forcat e batalionit të tretë u plagos partizani Hysni Qerimi. Në datat 9 dhe 10 shtator u krye një aksion tjetër nga batalioni i katërt që u krijua në datën 9 shtator në fshatin Luar. Ky batalion sulmoi dhe shpartalloi forcat gjermane te Ura e Kuçit. Aksionet e vogla me kalimin e kohës kaluan në stil më të gjerë. Shtabi i Brigadës vendosi të organizojë një aksion më solid, duke sulmuar qytetin e Fierit. Ky aksion u krye më datën 13 shtator 1944, nga forcat e Brigadës në bashkëpunim me GrIII të Mallakastrës. Organizimi i këtij aksioni ishte i një shkalle relativisht të lartë. Brigada dhe Grupi i Mallakastrës krijuan një shtab operativ të përbashkët dhe më 12 shtator lëshuan një “Urdhër operacioni”, i cili përcaktonte: -Armiku është i fortifikuar dhe i armatosur. -Në Pojan ka llogore e artileri kundërajrore, në Qenas, armiku është i maskuar e fortifikuar. Detyra e shtabit operativ është: të rrethojë e asgjësojë armikun në këto zona, duke hapur zjarr të dendur, duke përdorur tre batalione e vijë të parë e tre në vijë të dytë, të mbahet një forcë rezervë, pranë shtabit operativ në Shën-Koll. Zjarri do të hapet në orën 24:00 datë 13 shtator dhe do të përfundojë në orën 04:00 të datës 14.9.1944. Qëllimi i këtij aksioni, siç del edhe nga përmbajtja e urdhrit operativ ishte që: -Me zjarr e me sulm, të goditeshin forcat e armikut, që mbroheshin në qytet, të asgjësoheshin ato dhe t’u bëhej një presion gjithë forcave të okupatorit e të reaksionit, duke ngritur lart moralin në masat e popullit dhe besimin e tij në çlirimin e afërt të vendit. Situata e përgjithshme akoma nuk e lejonte, që të mbahej i çliruar qyteti i Fierit në mesin e Shqipërisë, midis rrugëve të tërheqjes së forcave gjermane, prandaj në urdhrin e operacionit parashikohej konkretisht edhe koha e tërheqjes. Një rëndësi e veçantë iu kushtua organizimit të zbulimit, i cili u krye në kohë e me sukses në bashkëpunim të ngushtë me terrenin. U morën masa konkrete për sigurimin material rezervë e sigurimin shëndetësor. U krijua raporti i përgjithshëm rreth 3:1 në favor të forcave partizane. Afrimi dhe zënia e vijës së sulmit, u krye me shumë kujdes e fshehtësi në orët e vona të natës 12 shtator. Në përputhje me planin, sulmi filloi në orën 24 njëkohësisht kundër të gjitha objekteve të armikut. Por, megjithëse i kapur në befasi, armiku bëri, qysh në fillim, rezistencë të ashpër, sepse kishte një mbrojtje të organizuar. Pavarësisht nga rezistenca e gjermanëve, partizanët sulmuan me furi, pa marrë parasysh rrezikun. Suksesin e parë e arriti batalioni i tretë që sulmoi garnizonin gjerman në fshatin Qenas dhe pas një ore luftimi, mundi të thyejë rezistencën e armikut, ku mbetën 6 gjermanë të vrarë. Partizanët u futën në qendër të qytetit dhe rrethuan Komandaturën gjermane. Nga luftimet u vranë 15 gjermanë, si dhe u kapën 13 xhandarë shqiptarë. Në këto luftime u plagos Komandanti i Batalionit Tretë Luto Pashai. Lufta vazhdonte, Brigada sulmoi kundër formacioneve të fortifikuara në Breg-Shkozë dhe Drizë-Myrtezak. Në afërsi të mëngjesit, forcave gjermane u erdhën ndihma nga Kuçova e Vlora. Kolona e ardhur nga Kuçova u prit në Qafën e Sqepurit, nga batalioni i katërt, ku u zhvilluan luftime të ashpra, sa kolona armike u detyrua të tërhiqet duke lënë të vrarë 10 ushtarë e tri makina të djegura. Në Qafën e Koshovicës, pas një ore luftimesh , armiku pësoi 12 të vrarë. Veprimet luftarake në Fier ja arritën qëllimit. Armikut i u shkaktuan dëme të konsiderueshme në njerëz dhe mjete. Ai pati mbi 20 të vrarë, dhjetëra të plagosur, 13 robër e makina të djegura. Nga ana e forcave tona u vranë 4 veta e tre u plagosën. Aksionet luftarake të Brigadës pasonin njëri-tjetrin. Në luftën e Cukasit, më 6-tetor, armiku pësoi humbje të mëdha, mbi 35 të vrarë, u dogjën 14 makina, një autoblindë e materiale të tjera luftarake. Por, humbje të konsiderueshme pati dhe nga brigada, ku u vranë 14 dëshmorë si Liri Gero, Heroinë e Popullit Rapo Luçi, Nako Bozo, Andon Basha etj.

Sipas kujtimeve të S.Papavasilit,Liri Gero u lidh me lëvizjen antifashiste nacional çlirimtare qysh në mshën 14 vjeçare.Ajo punonte në bodrumin e shtëpisë,shkruante parulla, trakte e informacione ku shprehej kushtrimi i luftës për liri.Në luftimet e Br.16S.,disa gjermanë,duke shfrytëzuar krahët e partizanëve mundën të depërtonin në thellësi deri te kasollja ku ishte vendosur Liri Gero e plagosur.Edhe pse në gjendje të rëndë ajo qëlloi me automatik e bomba dore kundër tyre dhe la dy të vrarë.Duke parë qëndresën e kësaj trimëreshe shqiptare, nazistët i vunë zjarrin kasolles; si pasojë ajo nuk mundi t’i shpëtonte dot flakëve. Presidiumi i Kuvendit Popullor , pas Çlirimit të atdheut, duke vlerësuar realisht aktin e kësaj vajze luftëtare, partizane e paepur i dha titullin e lartë “Heroinë e Popullit”. Të tilla raste aq të shumta janë ngjarje të vërteta të historisë së lavdishme të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare që nuk zhbëhen kurrë më. Askush nuk mund të deformojë apo ca më pak t’i mohojë.Këto ngjarje hedhin poshtë me neveri veprimet me shkrime e fjalë të paturpshme, antihistorike të pinjollit kryeballist A.Alimadhi apo paloshkrimtarit A.Tufa e pseudohistorianëve të tipit U.Butka, që dëshmorëve iu venë emra si rebela, kriminleë lufte etj.Askush e askund nuk do të mundë të baltosë emrat e dëshmorëve tanë legjendarë.

Në datat 17-18 tetor, u zhvilluan luftimet më të ashpra për çlirimin e qytetit të Lushnjës. Në këto luftime morën pjesë dhe disa forca të Br 8 S, ku i shkaktuan armikut humbje të mëdha, u vranë mbi 20 ushtarë, 30 u dorëzuan robër. Gjatë gjithë veprimtarisë luftarake prej afro 2 muaj, Brigada e 16-të Sulmuese, arriti një bilanc të pasur, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme armikut. Ajo nxori jashtë luftimit rreth 500 ushtarë e oficerë të armikut, dhjetëra ballistë e xhandarë, u çarmatosën, u shkatërruan 9 tanke, pesë autoblinda, 180 automjete, si dhe u kapen 400 pushkë e mitraloza e 15 topa. Nga efektivi i Br 16-të S, ranë në fushën e betejës 56 dëshmorë si dhe u plagosën shumë të tjerë.

Rreth faktorëve që kushtëzuan fitoret e Br.16 S

Studiuesi, Jovan Jano rrëfen nga kujtimet e të atit, Llaqi Jano, kuadër drejtues në luftimet e Myzeqesë, disa nga faktorët që ndihmuan në fitoret e Br 16-të S ishin lidhjet e ngushta që mbanin partizanët me terrenin. Konkretisht, ditët e para të organizimit të saj,Brigada u bazua për ushqim në krahinën e Skraparit. Partizanët e rretheve te tjera,mbetën të habitur me traditat dhe bujarinë e skraparlinjve. Megjithëse, ata të djegur e plaçkitur, në një varfëri të tejskajshme, hapën dyert për bijtë e bijat e Brigadës, i strehuan dhe i ushqyen duke ndarë me ta edhe kafshatën e gojës. Për gati 10 ditë, sa qëndruam në Therepel e Vëndreshë, nuk u prek fare fondi i Brigadës. Një gjë të tillë partizanët gjetën dhe tek banorët e Myzeqesë të cilët hapën dyert dhe mbanin e kuronin të plagosurit, ndihmonin me ushqime vesh-mbathje e mjete luftarake.

Një rol të rëndësishëm gjatë luftimeve ka luajtur dhe organizimi i ndërlidhjes në Brigadë nga lart-poshtë dhe anasjelltas. Partizani Brigadës, Hysni Musaj nga Vendresha e Malit, tregonte nga kujtimet e tij se: “Ditën e dytë të formimit të Brigadës na grumbulluan rreth 20-30 veta më të rinj dhe na shpërndanë nëpër fshatrat Valë, Therepelë, Lavdar, Vëndreshë, Spatharë e Buzuq për të grumbulluar mjete të ndërlidhjes, të cilat për çudinë tonë ishin: Brirë kau, lope, cjapi, e dashi; gryka shisheje të thyera; shoje opingash e këpucësh gome, turjela e smilare. Kuptohet që turjelat dhe smilarët përdoreshin për të hapur vrimat në shtylla, kurse brirët, shishet dhe llastikat për izolatorë.” Në këtë 70-vjetor të lavdishëm ne kujtojmë e respektojmë të gjithë ata që iu bashkuan LANÇ-it, nderojmë të rënët në këtë luftë si dhe përulemi para atyre veteranëve të luftës që jetojnë e do të festojnë këtë 70-vjetor.

Lavdi të përjetshme 55 dëshmorëve të Br.16S!

Dita e inaugurimit të Br16S, ishte 20 gushti, ku i deleguar i Shtabit të Përgjithshme ishte Spiro Moisiu. Atë ditë, partizanët bënë betimin luftarak, se do të mbanin lart dhe plot lavdi flamurin e njësive së tyre të dashur. Në ditët e para Br16S kishte afërsisht 530 partizanë të sprovuar në luftime të ardhur nga Skrapari, Berati, Vlora e Myzeqeja dhe më vonë, me kalimin e veprimeve luftarake në fushat e Myzeqesë, radhët e saj u shtuan në 1300 partizanë