Rruga “Stavri Floku”, kronika e një emri që flet edhe përtej kufijve

931
Sigal

25 prill 1944-25 prill 2019 – Në 75-vjetorin e Brigadës VIII Sulmuese

Nga Spiro Xhavara

 

Për lirinë – edhe jetën

Populli shqiptar, pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare, e veçanërisht rinia e tij, u poq para kohe, kur ajo mori mbi supet e veta barrën e rëndë të çlirimit të vendit nga okupatorët nazifashistë. Ajo la universitetet e Evropës, la mënjanë ëndrrat, punët dhe problemet personale e familjare dhe rroku armët e iu ngjit malit për liri. Në mes të luftës e furtunës, ajo u kalit, u edukua dhe u përgatit edhe për betejën tjetër, jo më pak të vogël, atë të rindërtimit të vendit të djegur e shkatërruar nga lufta. Në kushtet kur nuk vepronte vetëm entuziazmi patriotik nacionalçlirimtar, por edhe e kundërta e tij, bijtë dhe bijat e Lunxhërisë, ditën të orientohen drejt, qartë e me vendosmëri, në krahun e forcave progresiste, për një qëllim të madh, që s’ishte thjesht një qëllim, por së pari një ideal i madh.

Stavri Floku nga Qestorati i Lunxhërisë së Gjirokastrës, ishte njeri nga ata që morën pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare, ishte njeri nga ata të rinj antifashistë, plot forcë e energji, që në radhët e ushtrisë partizane shqiptare tregoi se nuk i këndonte vetëm goja e zemra, por edhe dora e pushka. Shkollimin e bëri në fshatin e tij të lindjes, Qestorat, e me pas edhe në Korfuz. Në kushtet kur Atdheu u pushtua nga fashistet, ai u kthye në vendlindje dhe menjëherë u inkuadrua në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Stavri ishte nga të parët bij të Lunxhërisë, që qysh në moshë të re, dolën partizanë dhe morën pjesë në formacionet e ushtrisë nacionalçlirimtare shqiptare në fillim në çetën “Koto Hoxhi”, me bij e bija nga krahina e tij, me pas në batalionin “Misto Mame”, ku u inkuadrua kjo çetë dhe, më 25 prill 1944 në Brigadën VIII Sulmuese partizane, duke marrë pjesë në luftimet për çlirimin e Gjirokastrës, Kuçovës, Lushnjës, Beratit, Tiranës etj., deri në çlirimin edhe të tokave të Jugosllavisë.

Luftëtari trim dhe oficeri shembullor

Stavri Floku, në radhët e Brigadës VIII Sulmuese, u shqua si një partizan me guxim e trimëri, për udhëheqje me shembullin e tij, gjithnjë në ballë të luftimeve. Ai nuk e kurseu asnjëherë veten për të ndihmuar bashkëluftëtarët, si në luftime të drejtpërdrejta, ashtu edhe në marshime, për përballimin e kushteve të dimrit të egër të 1944, apo të mungesës së ushqimit, veshmbathjes etj. Mjaft shokë të tij, sot veteranë të nderuar të Luftës e punës, flasin për Stavrin me dashuri dhe respekt të veçantë, për një njeri që la gjurmë në atë Luftë me vendosmërinë, trimërinë, por edhe me nxitjen, përkrahjen dhe ndihmesën ndaj të tjerëve, për të realizuar bashkërisht idenë e madhe të lirisë. Edhe pse u plagos në Luftën Nacionalçlirimtare, Stavri nuk iu nda asaj deri në fund, duke dhënë kështu një shembull të shkëlqyer të një njeriu të sakrificës, që përpara dashurisë për Atdheun dhe çlirimin e tij, nuk vinte as veten e vet. Nisur nga këto veti të larta morale të tij, nga karakteri i tij i papërkulur, si dhe nga aftësia luftarake dhe ajo për të drejtuar, Stavri u ngarkua dhe kreu me nder detyrën e Zv/komandantit të Kompanisë I të Batalionit II të Brigadës VIII Sulmuese. Pas çlirimit të vendit, Stavri shërbeu si oficer në radhët e ushtrisë popullore, ku kreu detyra me përgjegjësi në korpusin e Gjirokastrës, të Korçës, në Lushnjë e së fundi në Berat, ku doli në lirim me gradën N/kolonel dhe ku punoi e jetoi deri në fund të jetës së tij. Kudo ku shërbeu, ai mishëroi figurën e një oficeri të përgatitur dhe tepër korrekt. Arritjet dhe vlerësimet në këtë periudhë të jetës së tij, ashtu si dhe në atë të luftës, janë të shumta. Ai do të dallohej kudo në punë si një kuadër i aftë, i sakrificës e i palodhur, që dinte të mbante me eprore e vartës marrëdhënie mirëkuptimi, shoqërore dhe miqësore.

Veterani i nderuar dhe rruga “Stavri Floku”

Si njeri i thjeshtë dhe i punës, ai edhe pas daljes në pension, vazhdoi t’i shërbente shoqërisë, duke punuar në terren, me detyra të ndryshme, por që kërkonin një njeri të përkushtuar, të ndershëm e të ndërgjegjshëm në të gjitha drejtimet. Vlerësimet e punës së tij, edhe në këtë periudhe, janë gjithashtu të shumta, pa mundur dot që t’i përmendim.

Stavri Floku mbeti një veprimtar i shquar shoqëror, i njohur jo vetëm si një figurë e nderuar e luftës dhe e punës, por edhe shumë i dhënë për të ndihmuar njerëzit për zgjidhjen e mjaft nevojave të kohës. Banorët e lagjes “10 Korriku”, ku ai banonte në Berat, e zgjodhën atë kryetar të Këshillit Popullor për dy legjislatura radhë, detyrë që ai e kreu me devocion për të zgjidhur hallet e popullit.

Stavri Floku, është nderuar me dekorata dhe urdhrave të ndryshme. Së fundi, ai mori titullin “Nderi i Organizatës së Veteraneve të Luftës”, “Nderi i Lunxhërisë”, “Nderi i Qarkut Gjirokastër”. Vlerësimet nga Kuvendi Popullor apo organizmat e tjerë shtetërorë e shoqërorë, dëshmojnë që Stavri Floku, me figurën e tij, punën dhe luftën, karakterin dhe personalitetin që manifestoi gjatë gjithë jetës, i ka merituar plotësisht ato. Ai do të mbetet për brezat një shembull i pavdekshëm vitaliteti e virtyti, jo vetëm në Lunxhëri e Berat, ku ushtroi aktivitetin e tij me kryesor, por në gjithë vendin.

Për të gjitha arsyet e sipërpërmendura, Këshilli Bashkiak, Gjirokastër, vendosi që një rrugë në këtë qytet të marrë emrin e tij. Kjo vendimmarrje nga të gjitha institucionet që e mbështetën atë, meriton të vlerësohet, sepse një akt i tillë si në rastin në fjalë, shërben jo vetëm si një kujtesë e domosdoshme për të gjithë ne, por njëherësh përcjell dhe një kronikë të shkruar me nder e lavdi dhe të vulosur me sakrificat më sublime edhe përtej kufijve tanë. Është kjo një arsye më shumë që Shqipëria dhe shqiptarët në historinë e tyre të luftës për liri dhe demokraci, të zënë vendin që ju takon, në piedestalin e popujve, të cilët dinë ta çmojnë lirinë, duke kontribuar për të edhe në dobi të popujve të tjerë. Dhe një ndër luftëtarët internacionalistë ishte edhe Stavri Floku.