Rexhep Alimemaj: Pushtimi fashist dhe masakra e Rexhinit

979
Sigal

Rexhep G. Alimemaj

 

Pushtimi fashist

Shqipëria ishte vendi i parë në Ballkan që u pushtua ushtarakisht nga Italia fashiste më 7 prill 1939, pesë muaj përpara se të niste zyrtarisht Lufta e Dytë Botërore, me agresionin nazist kundër Polonisë. Rreshtimi i popullit shqiptar në anën e Koalicionit të Madh Antifashist kishte një kuptim të thellë. Për herë të parë në historinë e tij mijëravjeçare, populli ynë zhvilloi një qëndresë masive dhe u bë pjesë e Luftës Antifashiste botërore, një fakt ky shumë domethënës për kohën, për brezat e sotëm, për integrimin e Shqipërisë, por edhe për brezat që do të vijnë. Nuk është e vështirë të kuptohet përse pinjollët e atyre baballarëve të kombit që tradhtuan dhe shitën Shqipërinë, kanë më shumë se çerek shekulli që shpifin kundër LANÇ-it, që hedhin baltë çdo ditë mbi atë epope të lavdishme të partizanëve, që shpifin se ajo ishte luftë civile, që nuk lë gjë pa thënë kundër drejtuesve të Luftës Antifashiste, që heronjtë e dëshmorët i bëjnë kriminelë dhe kriminelët e luftës na i bëjnë heronj dhe duke u shprehur hapur, “më mirë fashizmi se sa komunizmi”.

Musolini pasi grumbulloi trupat ushtarake në skelat e Italisë jugore përballë Shqipërisë, më 25 mars 1939, i paraqiti qeverisë së Tiranës një projekt-traktat me kërkesa të rënda… Zogu dhe qeveria e tij e mbajtën të fshehtë projekt-traktatin, si dhe ultimatumin e Musolinit. Por opinion publik ra shpejt në dijeni të përgatitjeve të Romës. Ushtritë e shumta të grumbulluara në skelat e Italisë jugore vunë në shqetësim tërë vendin. Në mbrëmjen e 2 prillit 1939 shpërtheu në Tiranë një demonstratë patriotike e rinisë së kryeqytetit, të cilët shfaqën gatishmërinë e tyre për të mbrojtur Atdheun nga agresioni fashist italian. Demonstrata të tilla shpërthyen në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë. Të tilla demonstrate shpërthyen edhe në qytete të tjera të vendit, në Korçë, Shkodër, Elbasan, Durrës, Gjirokastër, Vlorë. Zogu u përpoq të qetësonte opinionin publik duke lëshuar një komunikatë qeveritare me të cilën përgënjeshtronte lajmet e përhapura rreth kërcënimit të marrëdhënieve italo-shqiptare.

I mbetur pa rrugëdalje, më 6 prill Zogu vendosi të braktiste vendin pa bërë asnjë rezistencë dhe pa i drejtuar popullit asnjë mesazh. Të nesërmen, në orët e para të mëngjesit të 7 prillit 1939, dita e së premtes së zezë, trupat prej gati 40.000 vetash të ngarkuara në një mori luftanijesh dhe të shoqëruara nga disa qindra aeroplanë lufte, nën komandën e përgjithshme të gjeneral Guzzoni, iu afruan skelave kryesore të Shqipërisë, Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin. Në mëngjesin e 7 prillit, trupat italiane filluan zbarkimin në brigjet e Shqipërisë. Me gjithë punën sabotuese të agjenturës fashiste zbarkimi nuk ndodhi pa rezistencë… Tri herë ushtritë italiane provuan të merrnin Durrësin. Simbol i kësaj rezistence u bë marinari Mujo Ulqinaku, i cili ra heroikisht në mbrojtje të Durrësit më 7 prill 1939. Ushtritë italiane ndeshën rezistencë edhe në Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin, por përballë epërsisë së tyre, rezistenca shqiptare brenda ditës u thye. Në Tiranë ushtritë fashiste hyn më 8 prill. Të nesërmen më 9 prill, pothuajse të gjitha qytetet u pushtuan nga Italia fashiste, pa pasur asnjë protestë nga fuqitë perëndimore dhe nga shtetet ballkanike.

Më 12 prill 1939, një e vetëquajtur “Asamble kushtetuese” e formuar nga mjaft deputet të parlamentit zogist dhe nga disa personalitete të cilët kishin hyrë që para okupacionit në lidhje të fshehta me legatën italiane të Tiranës shpalli “Bashkimin” e Shqipërisë me Italinë nën “kurorën” e mbretit perandor Viktor Emanuelit të Tretë. Po atë ditë u formua dhe qeveria regjente shqiptare nën kryesinë e çifligarit të madh Shefqet bej Vërlaci. Menjëherë u nis për në Romë një delegacion i asamblesë i kryesuara nga Shefqet Vërlaci, i emëruar kryeministër i qeverisë shqiptare, i cili i afroi mbretit perandor i Italisë kurorën e Shqipërisë. Kështu mori fund jo vetëm mbretëria Zogiste, por edhe pavarësia kombëtare e Shqipërisë. Për disa ditë qeveria italiane formalisht përpiqej të tregonte sikur Shqipëria nuk ishte aneksuar, por vazhdonte të ekzistonte si një shtet më vete dhe se ishte kryer vetëm bashkimi i saj me Italinë nën një mbret të përbashkët, Viktor Emanuelin, i cili tani e tutje do të quhej mbreti i Italisë dhe i Shqipërisë, perandor i Etiopisë. Më 3 qershor u bënë hapa të mëtejshëm drejt robërimit të vendit. Statuti i “Mbretërisë shqiptare” që u shpall atë ditë, ia la si pushtetin ekzekutiv ashtu dhe atë legjislativ në dorë “mbretit të Italisë dhe Shqipërisë, perandor i Etiopisë” i cili nga ana e vet emëroi “mëkëmbësin” (Luogotenente) të tij në Shqipëri, Francesko Jakomonin. Shqipëria nuk do të kishte më parlament, as Italia në Shqipëri dhe as Shqipëria në Itali nuk do të kishte përfaqësi diplomatike si pasojë Shqipëria nuk do të kishte më përfaqësi diplomatike në vendet e tjera të huaja dhe reciprokisht as fuqitë e huaja nuk do të kishin më përfaqësi diplomatike të akredituara në Tiranë.

Masakra në Rexhin

Okupatori fashist italian në vitin 1943 ndërmori operacionin e Dimrit në jug të vendit për neutralizimin e LANÇ-it. Këtë operacion e përjetoi ndjeshëm dhe krahina e Kurveleshit. Më 7 prill të vitit 1943 ushtria italiane pushtoi Rexhinin. Italianët fillimisht bënë sigurimin e rrugës si në hyrje ashtu dhe në dalje. Fshati ishte në rrethim të plotë. Kontrolluan shtëpi më shtëpi dhe ndërmorën e arrestuan të gjithë meshkujt mbi moshën 18 vjeç. Çdo i arrestuar merrej dhe shoqërohej në vendin e grumbullimit, vend ky i caktuar nga italianët ishte Gështenjat e Lene në Rexhin. Në këtë operacion fashistët italian pushkatuan 14 djem dhe burra nga Rexhini të cilët qëndruan heroik para vdekjes duke rënë për lirinë e Atdheut si: Hekuran Alimemaj, Baxhul Zeneli, Duro Sejdiaj, Zaçe Hasanaj, Mehmet Mehmetaj, Laze Kadënaj, Bush Demiraj, Meçan Begaj, Godo Balilaj, Ago Skëndaj, Mejdi Ruçaj, Aliko Hodaj, Rasho Tabaj, Velo Xhebraj. Të arrestuarit të lidhur dorë më dorë qëndronin përballë një toge ushtarësh të armatosur italianë. Në perëndim të diellit, u dëgjua një breshëri e gjatë mitralozi, nga drejtimi i Gështenjave. I gjithë Rexhini ngriu e më pas filluan të qanin për djemtë e burrat e tyre të vrarë. Ishte masakër e paparë, vendi i mbuluar me gjak e kufoma mbi njeri-tjetrin, të lidhur ndër duar.

Fshatarët filluan të zgjidhnin duart e të merrnin të afërmit e tyre në krahë e ngarkuar në shpinë. Rexhini u ngrys në këtë mbrëmje i masakruar, pothuajse në çdo shtëpi vajtohej, i gjithë fshati ishte në zi. Në vargjet e vajit të një nëne të moshuar dëgjoje:

Rexhini në ulërimë

Me djem e burra të vrarë

Ata si trima qëndruan

lidhur duar për duar

Para pushkatimit vanë

Prapa kthimin se pranuan

Plumbat në gjoks i morën

O derëzeza o djem.

Qan Metushja për vëllanë:

Hekuran më përvëlove

Motrës zemrën ia copëtove.

Nënë Lina:

U vrave djalë u vrave

Shpirtin e zemrën ma thave…

Në Isufaj ulërimë,

U vra djali më i mirë,

Del Vezikua në sofa,

Djalin të shtrirë e pa,

Muhedin t’u bëftë nëna,

Më le halle të rënda,

Ulërin nëna mbi djalë,

I sheh plagën që ka marrë,

Plumbi goditur në ballë,

Pse, s’ved unë po rri gjallë

Qan kunata për kunatnë,

Si qan mort a për vëllanë,

Të vranë Muhedin të vranë,

Neve na përvëlove xhanë,

Kunatat leshura prerë,

Mbenë shamizeza mbenë…

14 arkivole të vendosur në radhë burrat mbi supe i mbajnë. Kortezhi ecën e askush nuk flet, të gjithë kokë ulur mbërrijnë në varrezat e fshatit. Heshtje mortore. Trupat sipas radhës varrosen, të gjithë qajnë me kokat ulur. Masakrën e Rexhinit arti i popullit e ka përjetësuar në këto vargje:

7 prill më të hyrë

Dhe Këbusi përkarshi,

Gjëmon e rënkon si deti,

Në Rexhin katastrofi,

14 të vrarë,

Gjithë fshati ra në zi.

Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk e harroi masakrën e Rexhinit. Me dekret të veçantë 14 djemve të Rexhinit iu dha titulli “Dëshmorë të atdheut”. Eshtrat e tyre tashmë prehen të qeta në Varrezat e Dëshmorëve të krahinës së Kurveleshit në fshatin Progonat.