Rexhep Alimemaj: Figura e Ismail Qemalit në sytë e pushtetarëve

1243
Sigal

Veprimtaria politike e Ismail Qemalit

Ismail Qemali lindi në vitin 1844 në Vlorë, ku mori dhe mësimet e para. Në vitin 1858 vazhdoi mësimet në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Në bankat e kësaj shkolle zotëronte gjuhët turke, frënge dhe greke. Në moshën 16 vjeçare ishte përkthyes i gjuhës frënge në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë. Në Stamboll ndoqi studimet e larta për jurisprudencë. Në vitin 1862 ishte ndihmës drejtor i punëve publike në vilajetin e Janinës. Më pas u emërua në Thesali shef i kabinetit Ismail Ramë Pashës dhe në vitin 1868 shërbeu si kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë. Dy vjet më vonë u emërua guvernator i Vranjës dhe i Danubit të Poshtëm dhe u aktivizua si redaktor në gazetën “Danube” 1866 dhe drejtori i gazetës “Burimi i mendimeve” 1867. Lidhi miqësi me reformatorin turk Mit’hat Pashën, i cili ndikoi shumë në formimin e tij politik dhe diplomatik, ndërsa vrasja e Mit’hat Pashës prej sulltanit e vuri në vështirësi të mëdha. Në Stamboll zhvilloi veprimtari të gjerë politike dhe u lidh me rilindësin e madh Hasan Tasimi dhe vëllezërit Frashëri. Porta e Lartë duke vërejtur veprimtarinë e tij atdhetare dhe miqësinë me Mit’hat Pashën e internoi në Bursë, në Anadollit dhe qëndroi 7 vjet. Në vitin 1900 pa se po rrezikohej të burgosej nga Porta e Lartë, prandaj u arratis nga Stambolli e shkoi në Athinë. Në vitin 1901-1903 zhvilloi një veprimtari të gjerë politike në favor të çështjes kombëtare. Ismail Qemali ishte këshilltar i shtetit të Perandorisë Osmane, politikan i njohur në Stamboll por edhe në Evropë. Në vitin 1911-1912 ishte ndër frymëzuesit dhe organizatorët e kryengritjeve antiosmane në veri dhe në jug të Shqipërisë së bashku me Luigj Gurakuqin hartuan memorandumin e Gërçes në qershor të vitit 1911 dhe më pas shkuan në Janinë, Korfuz e Trieste, ku grumbulluan armë për kryengritjen e Kosovës. Më 5 nëntor 1912 në hotelin “Kontinental” të Bukureshtit, shtypi rumun vuri re praninë e madhe të komunitetit shqiptar. Disa prej tyre personalitete të njohura të jetës aty, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi kishin mbërritur me tren dy ditë më parë me shpresën për të gjetur mbështetjen e komunitetit të Rumanisë për autonominë e Shqipërisë. Ata u befasuan nga entuziazmi i emigrantëve dhe nga bindja, se pavarësia e Shqipërisë ishte vendosur. Mbledhja ngarkoi Ismail Qemalin dhe delegacionin e tij të kontaktonte përfaqësuesit diplomatik të Fuqive të Mëdha dhe të merrte aprovimin për krijimin e shtetit shqiptar. Ismail Qemali nuk duhej të humbiste kohë. Javën e parë të nëntorit osmanët qenë thyer në të gjitha frontet. Ushtria serbe po zbriste drejt Shqipërisë së Mesme, malazezët kishin rrethuar Shkodrën dhe grekët Janinën.

Në fillim të Luftës Ballkanike, së bashku me Luigj Gurakuqin e atdhetarë të tjerë ndërmori aktin historik të shpalljes së pavarësisë kombëtare. Pas Bukureshtit shkoi në Vjenë dhe zhvilloi takime me personalitetet austro-hungareze dhe përfaqësuesit e diplomacisë së Fuqive të Mëdha. Më tej ndërmori udhëtimin historik Trieste-Durrës-Vlorë, ku kryesoi Kuvendin Kombëtar, i cili më 28 Nëntor 1912 shpalli pavarësinë e Shqipërisë, ku u zgjodh kryetar i qeverisë së përkohshme të Shqipërisë.

Vendimet e para të qeverisë së Vlorës

Ismail Qemal Vlora ishte në zyrën e tij mesditën e datës 29 nëntor, kur e njoftuan se delegatët e Kosovës po hynin në qytet. Ai doli bashkë me shumicën e atyre që u gjendën në shtëpinë e Xhemil Vlorës, pritën gjeneral Isa Buletini, Riza Bej Jakova dhe delegatë të tjerë të Kosovës. Mbërritja e delegatëve të Kosovës e ndryshoi dhe më shumë atmosferën në Vlorë. Mbi 400 besnik të Isa Boletinit u bënë forca e parë ushtarake, por edhe xhandarmëria e qeverisë së re. Po më 29 nëntor pasdite, Ismail Qemali u njoftua se qeveria perandorake në Stamboll njohu pavarësinë e Shqipërisë. Ndryshe nga sa pritej, qeveria nis të marrë masa të ngutshme për të administruar territorin e vogël që kontrollohej prej saj. Ajo ngriti ushtrinë kombëtare, xhandarmërinë, policinë, nxori gazetën “Përlindja e Shqipërisë” dhe filloi të urdhëronte përfaqësuesit në të gjithë vendin që të zbatonin rregullat e saj. Ismail Qemali do të mbetet njeri nga njerëzit më aktivë, më të angazhuar të historisë së Shqipërisë, i cili falë një inteligjence të jashtëzakonshme, të një përvoje prej shtetari të sprovuar të një perandorie ndër më të mëdhatë e kohës, u përball vetë me të, reagoi ndaj tyre dhe mbajti qëndrim. Siç dihet Ismail Qemal Vlora dha dorëheqjen në vitin 1914, 22 janar për t’i hapur rrugë një stadi të ri të zhvillimeve në vend, por edhe për shkak të një qëndrimi jo aq dashamirë të perëndimit për drejtimin e vendit nga qeveria e tij. Duke qenë një shtetar i lartë klasi, Ismail Qemali, nuk donte t’i faturonte vendit ndonjë izolim nga perëndimi.

Vizioni dhe mendimi ushtarak i qeverisë së Ismail Qemalit për krijimin e Forcave të Armatosura shqiptare. Qeveria mori menjëherë masa për mbrojtjen e vendit, me ato pak forca që kishte në dispozicion të saj. Ismail Qemali urdhëroi të krijohej një forcë e armatosur, që të mbronte bregdetin e Vlorës dhe të mbyllte drejtimin Himarë-Vlorë dhe të vendosej në qafën e Llogorasë. Qeveria e tij synonte mbrojtjen e vendit nga copëtimi.

Kërkesa të vijueshme për ngritjen e një shtatore për Ismail Qemal Vlorën

Veprimtaria patriotike e Ismail Qemalit si burri shteti ka mbetur në kujtesën kolektive të kombit si propagandisti kryesor që bëri të gjitha përpjekjet kryesore politike dhe diplomatike nëpër Evropë për të siguruar mbështetjen e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, që e proklamoi më 28 Nëntor 1912. Kjo datë përkonte me datën që Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë. Për babain e kombit tonë për të cilin nuk dimë se a do të ketë një përkujtimore plotësisht të merituar me rastin e 175-vjetorit të lindjes (1844-2019), si dhe të 100-vjetorit të vdekjes (1919-2019). Me të drejtë mburremi e krenohet i gjithë kombi shqiptar me këtë personalitet të shquar. Ismail Qemali në emër të Shqipërisë etnike dhe të idealeve të saj ngriti madhërishëm flamurin kuqezi me shkabën e zezë dykrerëshe në Vlorë më 1912. Me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, monumenti i Ismail Qemalit duhej të vendosej në sheshin kryesor të Shqipërisë që është sheshi “Skënderbej” dhe të bëhej një ceremoni madhështore, por ndodhi krejt e kundërta. Pushtetarët e kohës e treguan veten e tyre. Morën bustin e Ismail Qemalit, të bërë në monizëm dhe e nxorën nga Muzeu Kombëtare, të dëmtuar, pa një germë emri e vendosën në një pyll, midis ndërtesave të Kuvendit, të Presidiumit, përballë hotel Rognerit dhe të Kryeministrisë. Kështu Ismail Qemali u bën roje dite e nate i të parëve të këtyre ndërtesave dhe punonjësve të Rognerit. Kryesia e organizatës të Veteranëve të LANÇ-it dhe shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, “Nderi i Kombit” i paraqitën Ilir Metës, Sali Berishës e Edi Ramës një rezolutë për të vendosur monumentin e Ismail Qemalit në sheshin “Skënderbej” përballë monumentit të Skënderbeut. Të hiqej monumenti madhështor i Ahmet Zogut nga ai vend e ta çojnë në atë pyll përkrah ndërtesës së presidentit. Kjo kërkesë është bërë në 100-vjetorin e shpalljes së Shqipërisë më 2012 dhe kur erdhi Edi Rama në pushtet më 2013-n. Por ajo në vesh të shurdhër. Sot e kësaj dite, busti i Ismail Qemalit, qëndron roje të ndërtesave qeveritare. Heroi i Popullit Ismail Qemali, një udhëheqës largpamës dhe pas shpalljes së pavarësisë, me bashkëpunëtorët e tij, bënë përpjekje titanike për të shndërruar gjendjen politike e ekonomike në territoret e ushtruara për saj, si dhe lidhjet e pandërprera me botën e jashtme. Puna u përqendrua në Londër, ku zhvillonte punimet Konferenca e Ambasadorëve, në një periudhë tepër të shkurtër të jetës së saj qeveria e përkohshme e Vlorës kreu detyra të rëndësishme në shërbim të Atdheut. Janë për t’u përmendur parimet që u zbatuan për një jetesë të lirë, të qetë dhe demokratike të popullit:

  • Përpilimi dhe zbatimi i ligjeve që vendosën, siç ishin Kanuni i Përshtatshëm i Administratës Civile,
  • Ndarja e pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, sipas një skeme evropiane të administrimit, politika të drejta në fushën e arsimit, financimit, mbrojtjes etj.

Ismail Qemali në një letër të tij shkruhet:

Lipset me çdo mënyrë të fitojmë Kosovën, Manastirin dhe Janinën me gjithë Çamërinë…unë dua Shqipërinë nën regjimin demokratik federal për popullin shqiptar. Kam uzdaje te zoti i Madh, me ndihmën e gjithë patriotëve dhe mbështetjen e njerëzve, të shohë pa vdekur Shqipërinë e dashur të lirë, të kënaqur, duke pasur në gji të saj djemtë që ja kanë rrëmbyer egërsirat e jugut dhe të veriut”.