Reformat kapitaliste në bujqësi dhe zgjidhja e problemeve më jetike të saj, janë emergjencë kombëtare

944
Sigal

Shuaip Roshi, specialist bujqësie

Situata në bujqësi është tepër e rënduar, reformat kapitaliste dhe zhvillimi kapitalist i saj është frenuar, problemet më jetike kanë mbetur pa zgjidhje, në vend sundon një bujqësi thjesht natyrale me 380 mijë fermerë, me sipërfaqe shumë të kufizuar në rreth 1 ha dhe kjo e ndarë në dy – tre parcela. Kjo situatë nuk shtyhet më, duhet një realitet krejt tjetër, duhen vizione dhe strategje zhvillimi të mirëmenduara për nxjerrjen e bujqësisë nga kjo baltovinë ku ka rënë dhe futjen e saj në rrugën e zhvillimit kapitalist.

  1. Reformat kapitaliste në bujqësi

Kalimi i bujqësisë nga një ekonomi thjesht natyrale në ngritjen dhe fuksionimin e fermave kapitaliste në bashkësi prodhuese dhe bashkësi tregtare, është një nga reformat më të rëndësishme.

Rrugët e zgjidhjes:

  1. Rruga kryesore dhe e vetme është rruga e binjdes vullnetare, për të bashkuar tokën, punën, teknologjinë, investimet, prodhimet, tregun e brendshëm dhe atë të eksporteve.
  2. Për kushtet e vendit tonë me pak tokë dhe me konfiguracion të thyer, është domosdoshmëri jetike që fermerët të bashkohen në bashkësi, në zonat fushore mbi 10 ha dhe zonat kodrinore mbi 5 ha si dhe në bashkësitë tregtare.

Aktivitetit i këtyre fermave do të rregullohet mbi bazën e ligjit për ngritjen dhe funksionimin e fermave kapitaliste, në funksion të zbatimit të tij, do të rregullohen mardhëniet në formën e një aktmarëveshje apo statuti për të drejtat dhe detyrimet e çdo fermeri, mardhëniet në fushën e tarifave që do të përdoren për mekanikën bujqësore dhe fuqisë punëtore, si dhe mardhëniet ekonomiko – financiare në fushën e shpërndarjes së të ardhurave.

  1. Të gjitha politikat ekonomiko-financiare që do të financojë shteti për zhvillimin e bujqësisë, të drejtohen në radhë të parë tek ata fermerë që do të përqafojnë zhvillimin kapitalist të bujqësisë.
  2. Të studiohet legjislacioni i vendeve fqinj, vecanërisht ai i shtetit grek, për ngritjen, funksionimin dhe fuqizimin e gjithëanshëm të fermave kapitaliste.
  3. Duhet të ngrihen struktura shtetërore posaçerisht që do të merren me ngritjen dhe funksionimi e fermave kapitaliste, si në rang ministrie edhe në pushtetin vendor, pra drejtoritë e fermave kapitaliste.

  1. Të hapet me ligj tregu i shitjes së tokës bujqësore.

Hapja e tregut të lirë do t’i japë oksigjen mardhënieve kapitaliste në bujqësi dhe konkurencës kapitaliste. Të gjithë fermerët nuk do ta përballojnë dot konkurencën kapitaliste, por në këtë rrugë do lindin përvecc fermave kapitaliste edhe fermerët e mesëm kapitalist dhe ata të mëdhenj.

  1. Tatimi Kapitalist mbi tokën.

Deri tani kemi një tatim minimal dhe të rrumbullakosur. Në vendosjen e këtij tatimi të diferencuar sipas kushteve dhe zonaave që në gjuhën e ekonomisë kapitaliste quhet rentë. Ky tatim do të jetw i diferencuar për zonat fushore, zonat bregdetar, kodrinore dhe malore.

  1. Të përfundojë sa më shpekt çertifikimi i tokës në shkallë Republike, një histori 25-vjeçare që nuk po merr fund

Ligji 7501 u miratua në kushtet e tensioneve sociale, në kohën e ndërrimit të sisitemeve dhe ky ligj u gjykua nga të gjitha palët si më i miri për kohën. Një pjesë e pyjeve dhe kullotave u janë kthyer pronarëve ndërsa tokat bujqësore jo.

  1. Zgjidhja e problemeve më jetike të bujqësisë shqiptare

 

  1. Mbrojtja e tokës detyra më kapitale dhe më jetike për bujqësinë.
  2. Të vendosen norma të rrepta ligjore për gjithë kompleksitetin e faktorëve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e tokës.

1a. Të gjitha zonat rurale në qytet dhe në fshatra duhet të kthehen sa më shpejt në zona urbane.

1b. Të vendosen vijat e kuqe ku do të shtrihen banesat familjare, bizneset dhe qendrat ekonomike të bujqësisë, ku çdo banesë të ketë jo më shumë se 500 m2 tokë, themelet e të cilave të projektohen për 3-4 kate, në mënyrë që të përballohen nevojat për 2-3 breza.

1c. Të mirëpërcaktohen zonat industriale të qyteteve, si dhe zonat e komplekseve të blegtorisë, agro bizneset dhe qendrat ekonomike të bujqesisë.

  1. Të investohet që t’ju vihet fre lumenjve që derdhen në detin Adriatik të cilët po bëjnë kërdinë mbi tokën bujqësore.

2a. Të ngrihet sa më parë grupi i punës me ekspertë seriozë, me inxhinjerë ndërtimi, hidroteknikë, topografë dhe gjeodezë, agronomë dhe inxhinjerë pyjesh për të studiuar me hollësi të gjithë shtretërit e lumenjve nga vendburimet dhe deri në derdhje në detin Adriatik.

3.Të investohet që t’i vihet fre edhe detit Adriatik.

Nuk duhet ta lëmë këtë det që të futet në tokë çdo vit në thellësi 40-50 m duke i marrë Shqipërisë 400-600 ha tokë çdo vit. Për këtë le të shikojmë në Seman që bunkierët janë futur mbi 1 km në det.

  1. Të ndalohet me ligj shfrytëzimi i lëndëve inerte brenda shtratit të lumit si zall, zhavorr dhe rërë.

Le të shikojmë botën rreth e qark që nuk i shfrytëzon shtretërit e lumenjve. Le të shikojmë me çfarë materialesh të tjera i plotësojnë nevojat për ndërtim.

  1. Një tjetër poblem madhor dhe jetik për bujësinë është zgjidhja e problematikave për kullimin dhe vaditjen e tokave bujqësore.

Para viteve ‘90 ujitej 76% e tokës bujqësore ndërsa tani kjo shifër ka rënë në 23% ose 120 mijë hektarë, pra janë 280 mijë që nuk ujiten dhe shumica e kësaj sipërfaqe është zonë fushore. Edhe problemet e kullimit janë shumë serioze dhe të përhapura gjithë andej.

  1. Strategjia kombëtare e zhvillimit të blertë të bujqësisë shqiptare një tjetër problem madhor që kërkon zgjidhje.

Rajonizimi i kulturave ujqësore dhe i blegtorisë, sipas kushteve klimateriko-tokësore ose ekologjike. Në zonat fushore dhe bregdetare, përparësi do të marrë kultivimi i misrit, i jonxhës, i perimeve të fushës dhe bostanoret por edhe kultivimi në blloqe me sera. Në këto zona do mbarështrohet lopa, viçat për remont dhe për mish, komplekse derrash dhe shpendësh, pula deti dhe shpendë uji. Këtu mund të mbarështrohet edhe delja dhe dhitë e racës. Pjesa tjetër e sipërfaqes që do ngelet mund të kultivohet grurë apo ndonjë kulturë tjetër. Në zonat kodrinoro-malore përparësi duhet të marrë fruti kultura, e gjithë zona kodrinoro-bregdetare duhet të kultivohet me ullinj dhe me vreshta, nga Vlora e deri në Sarandë edhe me agrume. Në këto zona përparësi duhet të marrë blegtoria e imët, por mund të zhvillohet lopa dhe komplekse derrash. Në zonat kodrinoro-malore përprësi duhet të marrë zhvillimi e frutikulturës. Atje ku ka klimë të përshtatshme dhe traditë, të shtohen blloqe me mollë, qershi, gështenja, arra, bajame dhe lajthi. Vëmendje këtu mund ti kushtohet edhe kultivimit të bimëve medicinale. Në tokat nën ujë mund të kultviohen fare mirë misri, jonxha dhe perimet ndërsa ato mbi ujë gruri, luledielli dhe duhani.

  1. Strukturat shtetërore nga ministria e Bujqësisë, në bashki dhe deri tek Njësitë Administrative, të gjitha institutet kërkimore shkencore dhe agjensitë kombëtare duhet të udhëheqin dhe të përgjigjen për zhvillimin kapitalist të bujqësisë.

Deri tani këto struktura nuk kanë qenë efikase, as vizionare dhe pa strategji të qartë zhvillimi kapitalist, ato nuk kanë mbajtur përgjegjësi për fatet e prodhimit. Zhvillimi kapitalist i bujqësisë kërkon një reformim të thellë të tyre si në përmbajtje edhe në strukturim, ato do të plotësohen me specialistë të mirëfilltë, të mbështeten me kompetenca të mirëmenduara ligjore dhe shtetërore, por edhe me mbajtje përgjegjësie për fatet e prodhimit.

FERMERE DUKE MBJELLE SPECA – /r/n/r/nFARMERS PLANT PEPPERS –
  1. Ministria e Bujqësisë

përveç strukturave mbështetëse në ndihmë të bujqësisë duhet të ngrihen dhe të funksionojnë edhe 3 drejtori siç janë: drejtoria e bujqësisë, drejtoria e fermave kapitaliste dhe drejtoria e blegtorisë ku të përfshihet edhe sektori i veterinarisë. Këto drejtori duhet të ngrihen edhe në shkallë bashkie ose në shkallë ish rrethi. Dikur drejtoritë e bujqësisë ishin në shkallë qarku dhe nuk funksionuan, kjo do të thotë se ato do ti largohen më shumë prodhimit po të funksionojnë në shkallën e tre qarqeve siç janë sot.

  1. Njësitë Administrative Territoriale

Është njësia bazë fronti dhe themeli i çdo gjëje, aty realizohet prodhimi, aty janë njerëzit me interest hallet dhe nevojat e tyre. Në këto njësi duhet të ketë struktura shtetëtore në rang zyre apo drejtori, për bujqësinë, për fermat kapitaliste, për blegtorinë, për problemet ekonomike dhe tatim taksat, për financat, për tokën dhe menaxhimin e territorit, për kullimin dhe vaditjen etj.etj….Në këto njësi duhet të ngrihen edhe struktura shtetërore në rang sektori me njerëz, bazë materiale dhe fonde për shërbimet që kërkojnë qytetarët, si psh: ujësjellësa kanalizime, për pastrim gjelbërimin dhe mirëmbajtje varrezash, për arsimin parashkollor, për mirëmbajtjen e infrstrukturës së brendshme rrugore nëpër fshatra dhe blloqe parcelash, etj…

Reforma territoriale, në radhë të parë duhet të synojë të sjellë shërbimet pranë qytetarëve si dhe të hapë prespektiva për zhvillimin ekonomik të territorit.

Drejtoritë e fermave kapitaliste do të jenë motori i vogël që do ideojë dhe do verë në lëvizje motorin e madh të shoqërisë për zhvillimin kapitalist të bujqësisë.

  1. Mbulimi i gjithë territorit me specialistë të bujqësisë dhe blegtorisë është themeli i zhvillimit dhe modernizimit të saj.

Ka pak specialistë direkt në prodhim, ai vuan nga drejtimi profesional në çdo hallkë dhe fazë të zhvillimit, është kjo arsyeja që ne shohim në prodhim lloj-lloj bastardimesh gjenetike, në farëra dhe fidanë dhe lloj-lloj sëmundjesh në bimët e arave dhe fruti-kulturë.

3a. Mesatarisht në çdo 3 fshatra (nga 2-4 fshatra) duhen një agronom dhe një veterinar zyrtarë. Në shkallë vendi kërkohen rreth një mijë agronomë dhe një mijë veterinarë që të ndjekin çdo ditë nga ana profesionale fatet e prodhimit. Në çdo fshat dhe çdo shtëpi ka toka të mbjella me kultura bujqësore, mbarështrohen blegtori dhe shpendë, të cilët kanë nevojë për kujdesje dhe shërbime të përditshme bujqësore dhe zooveterinare. Mbas 2-3 vitesh këta agronomë dhe veterinarë me ndihmën edhe të shtetit deri në 50% financime gratis do të ngrenë stacionet bujqësore dhe zooveterinare.

  1. Ka ardhur koha të ngrihet instituti i projektimit të veprave bujqësore dhe i zhvillimit teknologjik të saj, ka ardhur koha gjithashtu të ngrihen edhe bankat bujqësore. Nga kjo bankë të kalojnë gjithashtu edhe të gjitha politikat financiare favorizuese, fiskale dhe doganore si dhe subvencionet.
  2. Politikat ekonomiko-financiare për financimin e projekteve të ndryshme, ato fiskale dhe doganore si dhe subvencionet janë të pamjaftueshme, nuk menaxhohen mirë dhe firojnë gjatë rrugës.

Fondet për bujqësinë duhen menaxhuar ndryshe në institut dhe bankën agrare, jo tendera kudo në ministri, në agjenci, në drejtori dhe ato kalojnë dorë më dorë. Edhe skemat e subvencioneve në bujqësi dhe blegtori nuk favorizojnë femerët dhe fermat kapitaliste por tentojnë të kënaqin të gjithë nga pak. Subvencionet financiare janë akoma të ulta, menaxhohen keq dhe nuk shkojnë tek prodhuesit.

  • STRATEGJIA E ZHVILLIMIT KAPITALIST TË BUJQËSISË DHE ZGJIDHJA E NEVOJAVE MË JETIKE TË SAJ.

Puna do të organizohet në dy faza kohore:

  • Faza e parë 10 vjeçare 2021-2030. Në këtë fazë e gjithë puna dhe investimet do të përqëndrohen në zonat fushore dhe bregdetare të Shqipërisë.

b- Faza e dytë edhe kjo 10 vjeçare 2031-2040, në këtë fazë puna dhe investimet do të përqëndrohen në zonat kodrinore dhe malore të Shqipërisë.

1-Zhvillimi kapitalist i bujqësisë të shpallet emergjencë kombëtare, prioritet mbi të gjitha prioritetet e tjera kombëtare. Për këtë është e nevojshme të merren masat e mëposhtme:

2-Të ngrihen sa më shpejt grupet e punës me personalitete dhe ekspertë të bujqësisë.

  1. Grup pune për të studiuar ngritjen, funskionimin dhe mbështetjen e gjithënashme të fermave kapitaliste.
  2. grup pune për të studiuar strategjinë kombëtare të zhvillimit të blertë të bujqësisë shqiptare.
  3. Grup pune për të studiuar hapjen e tregut të lirë të shitblerjes së tokës, ky grup duhet të studiojë edhe tatimin kapitalist mbi tokën.
  4. Grup pune për të studiuar strukturat shtetërore të bujqësisë nga ministria deri në njësitë administrative territoriale, ky grup të studiojë edhe ngritjen, funksionimin dhe fuqizimin e institutive kërkimore shkencore në funksion të bujqësisë.
  5. Grup pune për të studiuar problematikat që lidhen me mbrojtjen e tokës.
  6. Grup pune për të studiuar problemet e kullimit dhe të ujitjes së tokave bujqësore.

Grupet e punës, materialet përkatëse, projektet, studimet si dhe draft projektligjet ti paraqesin në bordin kombëtar të bujqësisë deri në shtator 2020.

3-Si do të organizohet puna?

E gjithë zona fushore dhe bregdetare e Shqipërisë mirë është të ndahet në disa zona:

  • Zona e parë është zona fushore dhe bregdetare Fier, Lushnje dhe Berat, lumenjtë Vjosë, Osum dhe Shkumbin si dhe zona bregdetare e kësaj hapësire.
  • Zona e dytë është zona fushore dhe bregdetare nga Rrogozhina deri në Fushë Krujë si dhe të gjithë lumenjtë dhe hapësira bregdetare e kësaj zone.
  • Zona e tretë nga Laçi deri në Shkodër, të gjithë lumenjtë dhe zonat bregdetare të kësaj hapësire.
  • Zona e katërt, Vlorë, Sarandë, Delvinë dhe Gjirokastër.
  • Zona e pestë, zona fushore Peqin , Elbasan, Pogradec dhe Korçë.

Puna dhe investimet do të përqëndrohen në një ose dy zona paralelisht. Do të mbyllen të gjitha investimet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e tokës për gjatë shtratit të lumenjve si dhe në zonat më problematike bregdetare. Puna mund të fillojë përgjatë shtratit të një lumi ose paralalisht me të gjithë lumenjtë e hapësirës. Paralelisht në këtë zonë do të fillojë puna për normalizimin e të gjithë problematikës që kanë të bëjnë me kullimin dhe vaditjen e tokave bujqësore. Në të gjithë hapësirën e zonës ku do të punohet dhe investohet, do të kontrollohen të gjithë rezervuarët për mbushjen e tyre me dhera apo lëndë të tjera, për gjëndjen e digave, të portave të grumbullimit dhe të shkarkimit të ujit si dhe të gjithë sistemin vaditës. Do organizohet mekanika bujqësore rajonale dhe territoriale mbi bazën e njësive administrative, do evidentohen sa kanë gjendje fermerët sot dhe sa duhet të importohen. Paralelisht me investimet duhet të fillojë puna për plugimet dhe mbjelljet, për ndërtimin e serave dhe mbjelljen e tyre, për ndërtimin e qendrave të agro-biznesit, të zonave ekonomiko-bujqësore si dhe komplekset e blegtorisë.

4-Burimet njerëzore

Në zonat fushore dhe bregdetare janë më të garantuara me specialistë prodhimi me eksperiencë, me teknikë të mesëm, mekanizator, punonjës të kualifikuar dhe të tjerë që kërkojnë punë. Çdo vit bujqësia Shqiptare mund të subvencionohet nga shteti në masën e 50 milion euro. Për 10 vjet për këtë ndërrmarje të madhe kombëtare do të duhen 1, 3 miliardë euro dhe 500 milionë euro subvencionime, pra çdo vit 180 milion euro.

5-Ku do të gjënden fondet?

  • Fondet për bujqësinë duhet të rriten, ato duhet të shkojne çdo vit në 2-3% të PBB-së.
  • Të gjitha projektet në bujqësi duhet të miratohen në Institutin e Projektimit të veprave bujqësore dhe zhvillimit teknologjik të saj, nga ky institut projektet duhet të dërgohen në bankën agrare për zbatim.
  • AZHBR-ja e sotme është një institucion anemik, pa vizione të qarta dhe pa strategji zhvillimi të kapitalizmit në bujqësi, pa prioritete dhe pa radhë pune, bën projekte pa peshë, bën ca tendera dhe hedh ca andra.
  • Të kërkohet ndihma e BE-së për 1 miliardë euro kredi për 20-30 vjet me interesa shumë të ulta. Sot bujqësia shqiptare është një ekonomi natyrale që lufton për mbijetesë.

 

  1. BLEGTORIA

Në këto zona do të mbarështrohen lopët dhe viça për remont dhe mish, 400 mijë krerë lopë me rendiment mbi 4 mijë litra qumësht për lopë, 150 mijë krerë viça për remont dhe 200 mijë krerë të tjerë për mish. Në këto zona do të mbarështrohen edhe derra për mish si dhe dele, dhi race dhe shpendë. Çdo vit do të qarkullojnë në damarët e ekonomisë dhe xhepat e shqiptarëve disa miliarda euro, do të çlirohen fondet nga kufizimet e importeve dhe shtimin e eksporteve të produkteve bujqësore e blegtorale. Bujqësia shqiptare do të akumulojë shumë fonde për ti hedhur ato në investime për zhvillimin dhe modernizimin kapitalist të bujqësisë në zonat kodrinore dhe malore. Faza e dytë 10-vjeçare 2031-2040 do të shtrihet në zonat kodrinore dhe malore të vendit.

Edhe në këtë fazë, do të zbatohet ai organizim dhe mbështetje si në fazën e parë. E gjithë zona kodrinore malore e vendit do të ndahet ne 5-6 zona të veçanta.

-Fondet për këto zona do të sigurohen nga zhvillimi i bujqësisë në zonat fushore dhe bregdetare.

-Nga 10 milion ullinj që janë sot do të shkojnë në 20 milion rrënjë ullinj.

-Vreshta  do të shkojnë në 20 mijë ha, të gjitha zonat kodrinore bregdetare të Shqiperisë do të mbushen me ullinj, por edhe me vreshta, ndërsa në zonat kodrinore Vlorë, Sarandë e Delvine do të shtohen edhe blloqe me agrume.

-Sipas kushteve klimaterike tokësore dhe traditës do të ngrihen blloqe të mëdha me gështënja, mollë, kumbulla, qershi, arra, bajame e lajthi. Në këto zona do të ketë përkujdesje të veçantë për bimët mjeksore natyrale si dhe në zona të caktuara do të kultivohen bimë medicinale.

-Atje ku ka ujë do të kultivohen dhe misri, jonxha dhe perimet, ndërsa në tokat mbi ujë gruri, lule-dielli, duhani etj. Përparësi në këto zona do të marrë zhvillimi i blegtorisë së imtë. Synimi është të shkojmë në 5-6 milion krerë. Gjithashtu mund të mbarështrohet lopa në rreth 100 mijë krerë , derra dhe shpendë.

Të nderuar politikanë të djeshëm, të sotshëm dhe ata që do të vijnë nesër, keni 30 vjet që keni marrë në dorë fatet e këtij vendi dhe të këtij populli. Zhvillimi ekonomik i vendit e veçanërisht bujqësia kanë ngelur shume mbrapa. Sot prodhohet më pak se 30 % e sasisë që është prodhuar në vitet 80, në drithra, perime në eksporte, në krom, në naftë dhe në minerale të tjera. Kjo situatë është tejet shqetësuese.  Në botë ka shumë shëmbuj si Andrea Papandreu, ky burrë i madh i shtetit Grek, që e mori Greqinë nga kthetrat e kolonelëve dhe e çoi në BE dhe krijoi një realitet tjetër për demokracinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Shuaip Roshi, specialist bujqësie