Rajna Kovaçi: Misioni ynë :”Për 8 Mars, mundëso një punë!”

860
Sigal

Menduam, që ky 8 Mars të jetë ndryshe jo si të tjerët. Por si lindi kjo ide?

Jonida Tahirit, pas një proteste kundër dhunës në familje, i lindi një ide e mrekullueshme. Pyeste veten se çfarë mund të bënte ditën e 8 Marsit. E bindur se protestat janë një e drejtë e domosdoshme për të fituar plotësimin e kërkesave tona, por i dukej se vetëm kjo nuk mjafton. E ndër mend i erdhi fjala PUNË, një ndër domosdoshmëritë që e bën jetën më dinjitoze dhe të pavarur. Jonida e ndau me ne këtë ide, e secila nga ne t’i siguronte një punë një vajze apo një gruaje. Jonida na dha shkreptimën e parë, na ndezi mendjen dhe ne iu përgjigjëm, hapëm krahët, e përkrahëm këtë nismë kaq të mrekullueshme, NE GRATË PËR GRATË. Është një 8 Mars ndryshe nga 8 Marse-t e tjerë. Do të bëjmë diçka shumë të rëndësishme për gratë. Jonida thotë: “Kurrë nuk do të lodhem duke e vënë energjinë time në dispozicion të mirësisë…” dhe është e vërtetë, duhet të na besoni, sa kënaqësi e madhe është dhe sa dinjitet na jep çdo njërës prej nesh, dhe sa të mbushura ndjehemi kur bëjmë një akt mirësie. Varfëria është ende ekstreme në Shqipëri dhe prek më së shumti gratë dhe fëmijët, sidomos në zonat periferike dhe rurale. Një ndër shkaqet kryesore është familja patriarkale shqiptare dhe mohimi i të drejtës së grave për të vendosur mbi mënyrën si shpenzohen të ardhurat e familjes. Kjo është e drejta e saj familjare dhe legjitime që shpesh herë iu mohohet, sepse puna që gratë bëjnë brenda mureve të shtëpisë, si rritja e fëmijëve, kujdesi për mbarëvajtjen e jetës së përditshme, mbetet një punë e papaguar dhe konsiderohet prej burrave si detyrim familjar dhe martesor. Kryefamiljarët që zakonisht janë meshkuj dhe që janë në marrëdhënie pune, kanë tagrin të vendosin për çdo veprimtari të gruas. Sipas raportit të PNUDI-t mbi Barazinë Gjinore në Shqipëri, shpesh burrat vendosin, nëse gruaja mund të shkojë tek mjeku apo të vizitojë familjen e të afërmit. Sipas INSTAT Gratë shqiptare vazhdojnë të jetojnë nën një diskriminim të përgjithshëm nga shoqëria, me gjithë disa përmirësimeve që kanë ndodhur vitet e fundit. INSTAT ka publikuar statistikat gjinore të dhëna, sipas të cilave, gruaja shqiptare jeton më së shumti e dhunuar në familje, punësim, shkollim dhe në shoqëri. Mbi 40% e grave kryejnë punë të papaguara, dhe se dita e punës së tyre është 2 orë më e gjatë se e burrave. Më pas ato qëndrojnë dhe punojnë në shtëpi dy herë më shumë se burrat, përdorin më pak teknologjinë e informacionit dhe bëjnë jetë sociale dy herë më pak se burrat. Vajzat ndjekin më shumë shkollat profesionale, ndërsa djemtë ndjekin më shumë gjimnazet. Mungesa e pavarësisë ekonomike e gruas ushqen frymën patriarkale në familjen shqiptare. Më shumë se 50% e grave në moshë të afta për punë janë të papuna e po aq gra raportojnë që janë në një raport të dhunshëm. Ne mund ta ndalim këtë rreth vicioz abuzimi duke folur fort për këtë plagë të rëndë shoqërore e duke ndërgjegjësuar çdo grua që nuk është e vetme. Pra ky është një hap i domosdoshëm, por i pa mjaftueshëm për ta thyer këtë rreth abuzimi, prandaj ne kemi menduar të ndërmarrim hapin tjetër të krijojmë një platformë vullnetare që mundëson punë dinjitoze për gratë. Me këtë nismë ne duam t’i tregojmë shoqërisë shqiptare se gratë dhe vajzat që kanë pasur mbështetje gjatë jetës së tyre e kanë akumuluar privilegje sociale dhe ekonomike që shumica e grave shqiptare nuk i kanë ende edhe sot, janë të gatshme të ndajnë privilegjet e tyre dhe ti dedikojnë kohën dhe burimet e veta për të përmirësuar sado pak jetën e grave të margjinalizuara.

Jemi të bindura se ne si shoqëri civile jemi të afta të ndryshojmë realitetin shqiptar. Asnjë nga ne nuk përfaqësojmë asnjë OJQ, apo ndonjë organizatë të asnjë lloji. Më e rëndësishme tek ne është dashuria që kemi për njëra tjetrën, optimizmi dhe dëshira që asnjë grua të mos përjetojë vështirësi ekstreme ekonomike, sociale dhe emocionale që vjen nga të qenit e papunë. Të gjithë e dimë sa dekurajuese janë përpjekjet e pasuksesshme në gjetjen e punës. Shpesh kjo shkakton ngurrim në ekspozimin e vetes, përsëri, frikë dhe dyshim se mund të humbësh respektin dhe mbështetjen e njerëzve të afërt si dhe kompromenton vetëvlerësimin dhe dhe dyshimin ndaj vetëbesimit a mund të mbështetësh familjen. Gratë dhe vajzat e papunësuara pa punë janë më të predispozuara ndaj riskut të depresionit, vetë izolimit dhe sëmundjeve të ndryshme kronike. Për mirëqenien e grave dhe vajzave që pikërisht ditën e 8 marsit kemi menduar që në vend të luleve duam të mundësojmë një punë. Këtë nismë po e realizojmë bashkë me shumë gra dhe vajza të shoqërisë civile dhe të botës së artit dhe të medias. Po punojmë çdo ditë për të përfshirë në këtë nismë kompani të ndryshme që kanë vende të lira pune si dhe duke shpërndarë informacion për këto mundësi punësimi si me anë të rrjeteve sociale si dhe direkt në terren ne anë të fletushkave. Kjo nismë është e hapur për këdo që ka dëshirë të bëhet pjesë e saj.

Ju bëjmë thirrje të dashura gra dhe vajza që të vini në sheshin “Skënderbej”,në 8 Mars 2019, në orën 09:00, dhe të ftoni sa më shumë gra dhe vajza që të vijnë e të plotësojnë formularin që do të na ndihmojë të kuptojmë llojin e punës që jeni duke kërkuar. Kjo nismë nuk fillon e nuk përfundon atë ditë. Ne vullnetaret do të vazhdojmë të kontribuojmë në këtë platformë duke qenë se pjesëmarrja si e punëkërkuesve dhe punëdhënësve për këtë nismë ka qenë e lartë. Ne jemi bërë tashmë si një familje e madhe që komunikojmë pambarimisht për të mirën e punës me njëra tjetrën, duke ardhur me ide të reja që të jemi sa më gjithëpërfshirëse. Së fundmi kemi përpiluar formularët dhe i kemi shpërndarë në të gjitha shkollat e Tiranës si edhe në disa shkolla në periferi të Tiranës, si edhe nëpër disa fshatra në afërsi të Tiranës. Ju kemi shpërndarë fëmijëve nga një ftesë dhe e kemi titulluar:” E dashur mami je e ftuar në 8 mars në sheshin “Skënderbej”, ora 09:00. Bashkë do të plotësojmë një kërkesë që ti të gjesh një punë të mirë”. Mësueset, mësuesit, drejtorë apo drejtoreshat e shkollave me dëshirë i kanë pranuar dhe së bashku ua kemi ndarë nxënësve për t’i ftuar mamatë e tyre.

Falënderojmë pafundësisht edhe të gjithë ata që na mbështetën duke përkrahur nismën tonë. I ftojmë përsëri të gjitha mamatë, gratë dhe vajzat të dalin nga rutina e përditshme e shtëpisë nga bataku apo rrethi vicioz që nuk ka fund. Të bashkuara e të organizuara jemi të bindura se do i arrijmë qëllimit.

Ju ftojmë të na bashkoheni, më 8 Mars!