Prof. Spiro Mëhilli: Beteja mes Gjermanëve dhe Rusëve në Kursk, më 1943 dhe përplasja historike e 9 mijë tankeve

1945
Sigal

Beteja e Kurskut e 5 korrikut 1943 ishte përplasja më e madhe e tankeve në histori, kjo betejë vendosi gati 3000 tanke gjermane kundër tankeve ruse

 

Beteja e tankeve

(Kursk, 5 korrik-22 gusht 1943)

 

Prof. As. dr. Spiro Vasil Mëhilli

 

Pas përfundimit të betejës së Stalingradit, më 1 shkurt 1943, trupat e Frontit të Brjanskut, të Frontit Qendror dhe të Frontit të Voronjezhit u vunë përballë trupave gjermane në Frontin Ponjër, Dimitrovsk-Orllov, Sevesk, Rëjlsk, Ugrod, Bielgorod duke formuar rrethin e Kurskut. Më 15 prill Hitleri vendosi të realizonte operacionin “Çitadella”. Pra, sulmin mbi Kursk dhe fitorja do t’i hapte rrugën drejt Moskës për të dytën herë. Anglezët, më 15 prill 1943 arritën të zbërthenin mesazhet e “Enigmës” dhe një ditë më pas, më 16 prill informuan Çërçillin mbi një operacion që gjermanët planifikonin të bënin në zonën midis Smolenskut dhe Orelit dhe ai menjëherë vuri në dijeni Moskën. Më 13 maj Hitleri shkoi në Rostenburg për të përgatitur operacionin në lartësinë e Kurskut. Ministri i armatimit Albert Speer e informoi shefin e tij se nga bombardimet e aleatëve në perëndim ishte pakësuar shumë prodhimi i armëve dhe i municioneve Kështu sulmi mbi Kursk u shty për më vonë. Në qershor edhe rusët kishin në dorë “Enigmën” dhuruar nga anglezët. Në këtë mënyrë ata patën kohë të realizonin një mbrojtje të jashtëzakonshme duke hapur transhe, hendeklidhje, duke ngritur pengesa antitanke dhe duke vendosur mina në vende të caktuara si dhe përqendruan njësi të korracuara dhe një numër shumë të madh ushtarësh në zonat ku parashikohej të zhvilloheshin betejat.

Gjermanët nga Orli deri në Harkov për betejën e Kurskut, në një front 300 km, përqendruan Armatat 9, 2 dhe 4 të tankeve dhe grupin “Kampf”, të cilat kishin gjithsej 50 divizione: 17 divizione tankiste, 3 divizione të motorizuara, 11 divizione dhe batalione të artilerisë sulmuese dhe 18 divizione këmbësore, mbi 3000 tanke të rëndë , “Tigër” 60 tonësh me topa 88 mm, tanke “Panter” 70 tonësh, 7000 topa ku bënin pjesë edhe ato vetëlëvizës “Ferdinant” me korracë 200 mm trashësi, mbi 3000 minahedhës, mbi 2000 avionë, midis të cilëve gjuajtësit e rinj “Foke-Vulf” (rreth 69% e gjithë aviacionit luftarak që ishte në lindje) dhe mbi 900.000 ushtarë e oficerë. Rusët nga ana e tyre përdorën 6000 tanke T-34 , 4000 avionë dhe mbi një milion ushtarë.

Beteja mbi Kursk ishte vendosur të fillonte në orën 330 të datës 5 korrik dhe sipas parashikimit të gjermanëve do të përfundonte brenda 5 ditësh. Në pjesën veriore të Kurskut përballë trupave gjermane u vendosën trupat e Frontit Qendror të komanduar nga gjeneral Rokosovski; të Frontit Jugor trupat e Voronjezhit me në krye gjeneralin Vatutin; në thellësi të mbrojtjes trupat e Frontit të Stepës të komanduara nga gjenerali Koniev; ndërsa trupa të shumtë rezervë dhe armatime u vunë në dispozicion të gjeneral V. D. Sokolovskit, për Frontin e Brjanskut dhe gjeneralëve M. M. Popov dhe R. Malinovski për Frontin Jugperëndimor. Detyra që ata morën nga Shtabi i Përgjithshëm ishte:

  • Fronti Qendror të mbronte pjesën veriore të Kurskut dhe më pas me Frontin e Brjanskut dhe Frontin Perëndimor të shpartallonin gjermanët në rajonin e Orjollit.
  • Fronti i Voronjezhit të mbronte pjesën jugore të Kurskut.
  • Fronti i Stepës i dislokuar në Frontin Qendror ta priste armikun në vijën Izmallkovo-Livni-lumi Kshenj-Bjellij-Kollodjezh dhe
  • Fronti i Brjanskut të ndihmonte Frontin Qendror.

Në ora 1 e 10 minuta të datës 5 korrik, 2 orë e 20 minuta para orës së fiksuar nga gjermanët, rusët filluan bombardimin mbi trupat dhe artilerinë gjermane duke përdorur në mënyrë masive Katjushat M-31. Në ora 330 filloi ofensiva gjermane. Në një front prej 40 km përpara Kurskut dhe 80 km në jug përpara Bielgorodit u hodhën mbi 20 divizione tankiste. Kjo do të quhej beteja më e madhe e tankeve e zhvilluar ndonjëherë. Nga të dyja palët u përfshinë më shumë se 2 milionë ushtarë dhe 6000 tanke. Nga pala gjermane ishin marshallët fon Model, fon Mainstein dhe fon Kluge që sulmuan kodrat e Kurskut. Në frontin Orlov-Kursk në ora 930, 2 korpuse të Armatës 9 tankiste me 7 divizione, 4 këmbësore dhe 3 tankiste u drejtuan për në Olhavatk dhe Ponëjer. Gjeneral Rakosovski nga pala sovjetike organizoi kundërgoditjen. Më 8 korrik gjermanët depërtuan 9 km duke lënë 42.000 ushtarë e oficerë të vrarë dhe mbi 800 tanke të shkatërruar. Më 9 korrik trupat gjermane me gjithë humbjet e mëdha arritën të futeshin 15-35 km në kufirin Sejcervo, Koçetovsk, Bogorodick në drejtim të Koroçit për t’u ndaluar në jug të Kurskut. Grupimi i 4-të i armatës tankiste gjermane i përbërë nga 3 korpuse tankesh goditi Obojanin. Grupi “Kampf” goditi nga Bielgorodi në drejtim të Koroçit. Më 11 korrik trupat gjermane mbetën ku ishin duke harxhuar të gjithë municionin.

Tani filloi etapa e dytë nga Belhova në Harkov. Trupat e Frontit Perëndimor dhe krahu i djathtë i Frontit të Brjanskut më 12 korrik kundërsulmuan në Bolhov, kurse trupat e Frontit të Brjanskut nga Mçenska dhe Novosilja goditën mbi Orlov. Po atë ditë në lartësinë e Kurskut, komanda e Frontit të Voronezhit në fshatin Prohorovsk hodhi 900 tanke kundër 900 tankeve gjermane të përbërë nga 100 tanke “Tigër” që ishin më superior ëse tanket T-34 të rusëve, ku 300 tanke gjermane u shkatërruan, midis të cilëve 70 tanke “Tigër”. Rusët humbën rreth 400 tanke por arritën të largonin rrezikun. Më 14 korrik gjermanët humbën 3000 ushtarë dhe 300 tanke. Në këtë betejë mori pjesë Marshalli Vasiljevski. Më 15 korrik trupat e Frontit Qendror kaluan në mësymje nga Orlovi dhe Kromsku në drejtimin Bielgorod-Kursk me 22 armata gjitharmëshe, 5 armata tankesh, 6 armata ajrore. Më 16 korrik gjermanët filluan tërheqjen nga Kursku. Brenda 11 ditësh, nga 5-16 korriku, në Kursk gjermanët humbën 70.000 veta, 3000 tanke, 1000 topa, 5000 mjete të motorizuara dhe 1400 avionë.

Në drejtim të Bielgorodit, më 18 korrik në luftime morën pjesë edhe trupat e Frontit të Stepës. Më 23 korrik trupat e Frontit të Voronezhit dhe Frontit të Stepës morën territoret e tyre dhe më 24 korrik deri më 3 gusht sulmuan rajonin Bielgorod-Harkov duke çliruar më 5 gusht Biellgorodin dhe më 7 gusht Bogoduhovin. Në betejën e Kurskut nga 5 korriku – 6 gusht 1943 gjermanët humbën 120.000 ushtarë e oficerë, mbi 4600 tanke, 1600 topa, 11.000 makina, dhe 2490 avionë. Për të përballuar situatën e krijuar, gjermanët u detyruan të tërhiqnin 14 divizione dhe një pjesë të mirë të rezervave nga Franca dhe Italia për t’i sjellë në frontin rus, duke dobësuar frontin perëndimor. Më 17 gusht trupat gjermane kaluan në mbrojtje. Trupat e Stepës vazhduan sulmin mbi Harkov dhe, më 22 gusht, morën qytetin.

Beteja e Kurskut zgjati 50 ditë (5 korrik – 22 gusht 1943). U shpartalluan 30 divizione gjermane, prej të cilave 7 divizione tankiste. Ata humbën 500.000 trupa, 4600 tanke, ku një numër i madh ishte i tipit “Tigër” dhe “Panter”, 3000 topa dhe mbi 3700 avionë.         Rusët humbën rreth 5000 makina, 1392 avionë dhe 844 topa. Nuk jepet numri i tankeve të shkatërruar dhe i trupave të vrarë. Në Kursk morën pjesë edhe pilotë francezë të skuadriljes “Normandia Neman” prej të cilëve shumë u vranë, kurse komandanti i tyre, majori Jean Louis Tulasne, shkatërroi 33 avionë gjermanë.