Prof. Pëllumb Xhufi: Libri “përpara gjyqit të historisë” i Xhelal Staraveckës, testament politik për LANÇ

1450
Sigal

Libri “Përpara gjyqit të historisë”, testamenti politik i Xhelal Staraveckës nga Shtëpia Botuese “Naimi”

 

Xhelal Staravecka himnizon si rrallëkush Luftën Antifashiste

Prof. dr. Pëllumb Xhufi

 

Pas botimit të kujtimeve të patriotit nga Dibra, Ismail Strazimirit, shtëpia botuese “Naimi” na befason teksa i jep lexuesit shqiptar kujtimet e një personazhi kontrovers, siç ishte Xhelal Staravecka lindur në fshatin Staraveckë të Skraparit. Të dy këta personazhe, njëri i qetë, i urtë e me një jetë të balancuar e drejtvizore, kurse tjetri me temperament të zjarrtë, të papërmbajtur e me përthyerje të mëdha biografike, kanë dashur të lënë kujtimet e jetës së tyre, siç shtyhet të bëjë çdo njeri në fundin e rrugëtimit të vet. Por, gjykoj fare spontanisht, si njeri e tjetri, kanë përfunduar duke bërë, secili nga këndvështrimi e nga mjedisi i vet, jo aq një histori bëmash, heroizmash e virtytesh, se sa një histori e ilustruar dhe e personalizuar e tradhtisë në Shqipëri, duke kuptuar me këtë tradhtinë e madhe, atë ndaj atdheut. Duket gati heretike, që pikërisht në 100 vjetorin e pavarësisë e të themelimit të shtetit, shqiptarët, të paktën ata që lexojnë, të ballafaqohen me të keqen e tyre, me atë që “jugori” Staravecka, ashtu si “veriori” Strazimiri, e stigmatizojnë si ves kombëtar. Sigurisht, përkundër atmosferës festive, himnizuese, pozitive që shoqërojnë jubile të tillë, ashtu siç ka ndodhur gjithnjë, nëpërmjet kujtimeve të Xhelal Staraveckës mund edhe të mësosh se si shqiptarët, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, si individë a si grup, e kanë tradhtuar pafundësisht atdheun dhe shtetin e tyre në këta 100 vjet të ekzistencës së tij. Por, më duket, se pikërisht sot, në kushtet e konfuzionit të madh që i është krijuar edhe vetëdijes sonë historike, dhe kur, siç druante Xhelal Staravecka, mund të ndodhë që vesi të shitet për virtyt e tradhtia për meritë, shqiptarët e, në radhë të parë, elitat drejtuese të tyre, kanë nevojë ta shohin në sy edhe këtë anë të errët të historisë, që ka gërryer e vazhdon të gërryejë themelet e shtetit shqiptar. Libri apo, në fakt, testamenti politik i Xhelal Staraveckës është para së gjithash një shpërthim, një nxjerrje dufi, pas një jete të mbushur plot me zhgënjime, dështime e sigurisht shumë tradhti. Nëse ndonjë lexues do i qaset librit të Staraveckës me mendimin se do të gjejë tek ai një referencë të caktuar politike, do të gabohet paq. Asnjëri prej personazheve të shumtë të përshkruar nga ai në kujtimet e veta nuk gjykohet mbi bazën e bindjeve politike, të përkatësisë shoqërore, jetës private: ky nuk ishte një kriter orientues i jetës së Xhelal Staraveckës, i cili, në rrethin e miqve dhe aq më shumë të të njohurve të vet kishte sa krerët më të lartë të komunizmit shqiptar, aq edhe ministra, prefektë, kuestorë, regjentë, të Zogut, të fashos, të Ballit apo të Legalitetit. Me një përkulshmëri të jashtëzakonshme, që kujton atë të anarkistit të madh rus, Mikail Bakuninit, Xhelal Staravecka na shfaqet si njeriu që frekuentonte sa shoqërinë e lartë e mjediset mondane të hotel “Dajtit”, “Kafe Kursalit” apo lokalet më luksoze të Romës e Parisit, aq edhe si njeriu i rrogozit, i popullit e, mbi të gjitha, si njeriu i aksioneve të mëdha, i guximshëm deri në vetëmohim. Një personazh, pra, që vërtet paraqet vështirësi në klasifikimin e vetes edhe të të tjerëve, të paktën sipas standardeve klasike. Ai vetë është i qartë për paqartësinë që mund të krijojë tek lexuesi personaliteti i tij apo edhe vlerësimet e gjykimet që ai jep për ngjarjet e për njerëzit e përshkruar në kujtimet e tij. Ndaj e orienton lexuesin, i ofron atij çelësin e leximit të këtyre kujtimeve. Nderi dhe dinjiteti, të kuptuar si shërbim ndaj atdheut, janë për Xh. Staraveckën njësia e vetme matëse, me të cilën duhet matur çdonjëri prej nesh dhe, në radhë të parë, çdo politikan që merr përsipër të drejtojë të tjerët. Në këtë vështrim, Ahmet Zogu, mbreti i shqiptarëve, bie poshtë për sa kohë erdhi në pushtet me bajonetat serbe e iku nga pushteti si frikacak, pa hedhur një pushkë e pasi kishte shitur e plaçkitur pasuritë e shqiptarëve dhe pasi me korrupsion e para kishte degjeneruar edhe vetë moralin e tyre. Staravecka i nxin pa mëshirë bajraktarë e bejlerë, që kapardiseshin duke ekspozuar secili armët më të bukura e të lyera me ar, por që nuk i përdorën asnjëherë për vendin e për popullin e tyre, por vetëm e vetëm për të vrarë shqiptarë, edhe me pagesë. Bashkëpunimin e krerëve me armiqtë e kombit shqiptar, si në rastin e kryengritjes së Mirditës, apo të lëvizjes epirote në jug, përbëjnë për të akte tradhtie kombëtare. Në të kundërt, Staravecka i ngre një himn të vërtetë Luftës së Vlorës, pasi ajo qe vepër e shqiptarëve patriotë, që luftuan kundër pushtuesit të huaj dhe shpëtuan kështu pavarësinë e integritetin territorial të Shqipërisë. Akoma më shumë, si aktor e protagonist i vijës së parë, Xhelal Staravecka himnizon si rrallëkush Luftën Antifashiste të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Përplasja, që në një moment të caktuar ai pati me drejtuesit komunistë të asaj lufte, gjë që çoi edhe në braktisjen e radhëve partizane dhe hedhjen në krahun tjetër, nuk arrijnë të errësojnë ndërgjegjen dhe gjykimin e autorit. “Po të mos kishte qenë Nacional-Çlirimtarja”, thotë Xhelali, “sot Shqipëria nuk do të ekzistonte si shtet më vete, do ta kishin copëtuar fqinjët, sepse shqiptarët do të gjendeshin në krahun e atyre që humbën luftën”. Vërtet, siç thamë, në një moment të caktuar Staravecka u hodh pikërisht në krahun e kundërt, por kjo pjesë e jetës së tij, të paktën a posteriori, pra, në vitet kur Staravecka hodhi në letër kujtimet e tij, trajtohet gati-gati si një “incident” që nuk i ndryshon gjë përmbajtjes së jetës së tij prej protagonisti të Luftës Antifashiste. Staravecka e braktisi Frontin sepse, si nacionalist, nuk mund të duronte gjithëpushtetin dhe prepotencën e të dërguarve jugosllavë në ushtrinë partizane shqiptare, gjë që plagoste ndjenjën e krenarisë e të dinjitetit kombëtar, që ishte aq e fortë tek ai. Të ishte vetëm kjo arsyeja? Unë vetë dyshoj. Megjithatë, aq shumë duket se e ka identifikuar veten me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, saqë edhe kur tashmë luftonte kundër partizanëve, në Skrapar, në nëntor 1943, Staravecka gati-gati duket se e përshkruan me gëzim shpartallimin e forcave balliste të tij dhe të Abaz Ermenjit, a thua se ishte udhëheqësi i dikurshëm partizan… Për këdo që njeh akuzat e formuluara nga historiografia komuniste ndaj Xhelal Staraveckës mund të duket befasuese që nga ana e tij ky nuk shpreh ndonjë rezervë a pakënaqësi tjetër ndaj udhëheqësve të Frontit Nacional-Çlirimtar, përveç asaj të varësisë nga jugosllavët; nuk është ideologjia komuniste, ashpërsia shpesh herë e pajustifikuar me kundërshtarin, që përfundonte edhe në akte terroriste, si në rastin e pushkatimeve pa gjyq në Kremenar, nuk kishte ndonjë mendim të ndryshëm lidhur me marrëdhëniet me Ballin Kombëtar a me Legalitetin: ato, gjithashtu, për Xhelal Staraveckën ishin organizata tradhtare që bashkëpunonin dhe nuk luftonin me pushtuesin. E, në këtë drejtim, ai nuk bën fajtor Frontin edhe për prishjen e marrëveshjes së Mukjes. Kaq e vërtetë është kjo, saqë kur udhëheqja komuniste e Tiranës u prish me jugosllavët, në 1948, Xhelal Staravecka duket se nuk gjen ndaj saj asnjë arsye për ta kritikuar. Në fakt nuk është kështu. Xhelal Staravecka ka boll kritika për regjimin e Tiranës, por çdo kriticizëm tejkalohet nga konstatimi i tij se, megjithatë, komunistët shqiptarë, më në fund, i treguan vendin Titos e agjentëve të tij si Koci Xoxe; se ai regjim mbrojti, gjithsesi, integritetin, sovranitetin e dinjitetin e Shqipërisë. Kaq mjaftonte që ai të legjitimohej në sy të shqiptarëve, të botës e, sigurisht, të Xhelal Staraveckës, i cili këto i konsideronte, dhe me të drejtë, vlera mbi vlerat. Si i tillë, zëri i Staraveckës është një zë krejt i veçantë në gjirin e mërgatës politike shqiptare të pasluftës. I ikur nga Shqipëria si tradhtar, i persekutuar dhe i dënuar në Itali si komunist, Staravecka nuk e humbi ekuilibrin, duke u mbajtur fort në raportin e vet të pandryshuar me atdheun. Kundërshtoi me forcë e me zë veprimtarinë diversioniste të organizuar kundër qeverisë së Tiranës nga ata që ai i quan “nacionalistë të metelikut e të harapashit”; akuzoi botërisht veprimtarinë e “Komitetit Shqipëria e Lirë” e, sidomos, bashkëpunimin e tij me jugosllavët e me grekët për të ndërhyrë e rrëzuar regjimin e Tiranës. Madje, Xhelal Staravecka ndërhyri deri në Departamentin e Shtetit për të kërkuar fundin e mbështetjes amerikane për veprimtarinë e Komitetit që do të sillte në një skllavërim sllav të Shqipërisë dhe në një zhgënjim të ndjenjave filoamerikane të popullit shqiptar. Për një njeri me moral e patriotizëm të papërlyer, nuk vlente aksioma “armiku i armikut tim, është miku im”, të cilën e përqafuan në atë rast mjaft nga krerët e emigracionit politik shqiptar, që pranuan të bëhen vegla të shërbimeve jugosllave e greke, duke pranuar deri edhe një invazion të atdheut të tyre, për hir të një rokade pushteti, që ata s’kishin qenë në gjendja ta merrnin me kredenciale lufte.

Duke u ndodhur përsëri, edhe në emigracion, midis një mjedisi mjeran e të dëshpëruar, që përsëri, ashtu si gjatë Luftës, e shihte shpëtimin në bashkëpunimin me të huajin, Staravecka dëshpërohet dhe pyet plot trishtim: Si është e mundur, që asnjë popull tjetër rrotull nesh nuk ka prodhuar aq tradhtarë sa kemi prodhuar ne! Si është e mundur, që nuk është gjendur një grek i vetëm, një serb i vetëm, që të ketë sakrifikuar edhe gjënë më të vogël për vendin tonë, në një kohë kur kemi aq e aq shqiptarë që janë gati të marrin urën në dorë për të djegur dhe për të vrarë, për të pjekur e shkretuar vendin dhe vëllezërit e tyre për të mirë të Greqisë apo të Serbisë? Pyetje asgjësuese e dëshpëruese, para së gjithash për autorin e librit. Kujtimet e Xh. Staraveckës janë para së gjithash një tërësi gjykimesh të ashpra e të pamëshirshme për ngjarjet e protagonistët shqiptarë të Luftës së Dytë Botërore, të bëra nga një karakter me temperament të zjarrtë. Kush e lexon librin “Përpara gjyqit të historisë” e kupton mirë se temperamenti i Xhelal Staraveckës, pra, vetë autorit, ka ndikuar jo pak në kurbën e jetës së tij, ashtu si edhe në idetë që shfaq në kujtimet që sot kemi në dorë. Xhelal Staravecka ishte padyshim një trim i çartur. “Më mirë një luftëtar rebel e i tërbuar, se sa një mesatar, që s’pëson gjë vetë e nuk i bën dëm as armikut”. Rrëfehet më tej ai: “Sa herë që kam dashur t’i zgjidh problemet me urtësi dhe me filozofi, asnjëherë nuk më ka ecur, kurse sa herë kam përdorur dhunën, qoftë për çështje politike apo personale, asnjëherë nuk kam dështuar”. Xhelal Staravecka ishte padyshim edhe ky, njeriu i zgjedhjeve dhe i rrugëve të forta. Gjë që ndonjëherë e ka çuar edhe atë të humbasë ekuilibrin dhe të luhatet midis ekstremeve…