Prof. Dr. Xhevdet Zekaj: Auditorët bosh në universitete, dështim mbarëshoqëror

1173
Sigal

Auditorë bosh, krizë universitetesh rajonale apo dështim mbarë shoqëror?!

 

Prof. Dr. Xhevdet Zekaj

 

Zhvillimet e vrullshme globale, ekonomike, politike, akademike kanë shtruar përpara botës sfida të reja. Natyrisht edhe përballë nesh, pedagogëve dhe arsimit të lartë në përgjithësi. Kemi sfida të reja përballë përfytyrimeve, besimeve të njerëzve. Në mënyrë rrënjësore duhet të ndryshojmë jetën e një brezi të tërë, të ardhmen e tij. Kjo falë produktit, botimeve të mendimtarëve, didaktëve, filozofëve, shkencëtarëve dhe gjithë shoqërisë. Koha sot kërkon të përmbysin dhe rrëzojmë principe, ndoshta edhe themelorë të së shkuarës, në funksion të tempit të shpejtë të ndryshimeve. Këto të fundit na detyrojnë të kuptojmë dhe rikonceptojmë thelbin e shoqërisë, të ndërtimit e funksionimit të saj, duke stimuluar ndërgjegjësim dhe qëndrim aktiv e real për të mësuarin sipas tregut, kthimin e arsimimit në universitet në funksion të shoqërisë, që po ndryshon shpejt dhe kërkon cilësi, profesionalizëm, komunikim, bashkëpunim, përgjegjësi, inovacion nga të diplomuarit. Zhvillimi i shoqërisë si një shoqëri e dijes dhe si një shoqëri globale ka çuar në pikëpamje të ndryshme për rëndësinë e njohurive, ka rritur vëmendjen për rëndësinë e kompetencave dhe ka diktuar ndryshime në konceptimin e kurrikulave. Nëse duam që të rinjtë të jenë të gatshëm për të punuar në mënyrë të pavarur, të marrin përgjegjësi; nëse duam që kurrikula të ndihmojë zhvillimin e krijimtarisë dhe të të menduarit kritik, na nevojitet njohuri teorike të afta, frymëzuese për transformimin e shkollave si organizata. Kjo arrihet nëpërmjet ndryshimit radikal në role, marrëdhënie dhe struktura. Për këtë na duhen studentë me mesatare të lartë. Mësuesit janë vendimtarë në gjithë revolucionet, që sjellin zhvillim. Falë punës, investimit, mësimdhënies së mësuesve fitojnë individët e të gjitha profesionet. Pra, ata përgatisin doktorë, inxhinierë, farmacistë, oficerë, shkencëtarë, ekonomistë, fizikanë, kimistë, juristë, historianë etj, etj.

Starti i këtij viti akademik ka qenë aspak normal, pas më shumë se katër dekadash mësimdhënie, ky fillim viti ishte i zi, i trishtë, i lodhshëm, melankolik, i akullt fare. Numri i studentëve, në të gjitha universitetet shtetërore, rajonale (e kam fjalën për ato jashtë Tirane), ishte tkurrur në maksimum. Kjo është e tmerrshme dhe vjen për shkak të shumë faktorëve. Për mos të akuzuar stafet akademike (ku ne kemi pjesën e luanit) po përpiqem të evidentoj disa shkaqe, në mënyrë modeste; që kërkojnë një analizë dhe qëndrim kritik për të gjetur rrugët e përmirësimit.

Problematikat e arsimit janë të prekshme, të dukshme, pasojë sa e Ligjit të Arsimit të Lartë, por edhe e shumë faktorëve politikë, ekonomikë, demografikë dhe të tjerë. Starti i këtij viti akademik më përballi me godinën e universitetit, ku kishte më shumë pedagogë se sa studentë, me programe pa fund të mbyllura. Vetëm pesë deri pesëmbëdhjetë studentë për degë, çka tregon politikën qeveritare kundër universiteteve rajonale, qoftë në përcaktim kuotash, qoftë në regjistrime legale e ilegale nga universitetet private deri në dhjetor, por, sidomos në disa vendime dhe udhëzime të gjitha në kundërshtim me realitetin universitar, arsimin e lartë.

  • Përse kjo rrudhje në universitetet rajonale, në gjithë vendin, por sidomos në degët e mësuesisë?
  • Përse kjo braktisje?

Për këtë situatë ka shumë faktorë, të cilët po i shpjegojmë shkurt:

Faktori politik i gjithë këtij tranzicioni afatgjatë në dëm të një arsimi funksional, me autonomi, me kërkim shkencor të stimuluar etj., që është rezultat i gjithë klasës politike dhe qeverisë në veçanti, e cila me politikat e saj (i përmenda pak më lart) të krijon idenë se ka një plan ogurzi për zhdukjen e universiteteve rajonale, që t’i orientojë studentët drejt Tiranës dhe universiteteve jopublike. E, nëse vazhdojmë me politikat arsimore të zgjidhura dhe ofruara nga politika dhe strategjitë qeveritare si zgjidhje të çastit dhe aspak afatgjata. Ku dhe ligjet më shumë janë për “maliqët”, sesa për kombin, të ardhmen etj.

Kjo situatë politike e keqmanexhuar, plot krizë besimi dhe stresante, pa shpresë dhe, mos hapja e negociatave e shuajnë dritën në fund të tunelit, duke stimuluar emigrimin e shumë të rinjve si e vetmja shpresë për një jetë afër niveleve, si gjithë Evropa, shoqëruar me uljen në nivele shqetësuese të numrit të lindjeve, popullsia në pakësim, por edhe braktisja e arsimit si në numër edhe në dëshirë, profesion apo zgjidhje, që shikohet si papunësi, pagesa qesharake, korrupsion, pafundësi obligimesh dhe sa pak të drejta dhe ndershmëri etj.

Dhe përtej këtyre erdhi edhe kjo mandata e mesatares së lartë e pranimit në degët e mësuesisë… Dakord do të isha me këtë, por të ishin lajmëruar e sensibilizuar nxënësit, prindërit, mësuesit e arsimit 9-vjeçar e parauniversitar dhe jo kështu vrullshëm apo si shumë gjëra nxitimthi nga qeveria, pa asnjë konsultim real me grupet e interesit etj. Pra, këto vendime të qeverisë mos të kishin fuqi para apo prapavepruese. Pra, mesatarja në çdo vend demokratik duhej të fillonte në vitin akademik 2020-2021. Shumë kandidatë për regjistrim u gjendën të papërgatitur për këtë, shpesh janë diferencuar, diskriminuar, u mohohet e drejta për t’u arsimuar dhe zgjedhur degën që duan etj.

Mendoj (qofsha i gabuar) herë herë të krijohet përshtypja, se ka një prirje, që gjithë politikat shtetërore të favorizojnë universitetet private dhe veçanërisht atë të Tiranës. Për këtë mjafton të shikosh infrastrukturën e universiteteve rajonale dhe të Tiranës, mjafton të kujtosh kuotat, doktoraturat, matrikulli i (tejzgjatur) në disa universitete etj. i tej. Nuk besoj se ka nevojë për komente të tjera sepse edhe vet Ligji i Arsimit të Lartë ka ndikuar në disa drejtime problematika reale.

Ka një handikap real

Dakord, në degët e mësuesisë le të jetë mesatarja e pranimit më e lartë, por si profesion nuk ka asnjë benefit, sepse dihet çfarë rrogash të ulëta marrin mësimdhënësit në arsimin parauniversitar dhe nëntëvjeçar, provimet, stazhi etj. Po kështu, gjatë periudhës së studimeve, nuk stimulohen me tarifa më të ulëta shkollimi në universitet apo asnjë justifikim përse ky nivel mesatareje. Po kështu, është alarmante dhe e palogjikshme që mësuesit, për të përfituar licencën, obligohen të zhvillojnë një sërë provimesh formimi; më tej provimi i një gjuhe të huaj, të cilin e blejnë apo paguajnë, një provim për të qenë mësues i arsimit fillor në Theth, Lekbibaj, Kuç etj., etj., pastaj rankim portali, pastaj e pastaj…etj. Këto kanë kosto të lartë për një diplomë me imazh e kredenciale thuajse zero. Pra, kohëzgjatja e studentëve të degëve të mësuesisë shkon 7-8 vjet por dhe më shumë. Asnjëherë nuk e kam kuptuar këtë provimin e gjuhës së huaj të një mësuesi të arsimit fillor, asnjëherë, sidomos me blerjen e një dëshmie pa ditur asnjë fjalë në gjuhë të huaj, dhe ky fenomen ndodh rëndom.

Natyrisht, në universitetet rajonale e më tej nuk mund të lëmë pa evidentuar edhe gjynahet e një pakice pedagogësh, e theksoj se janë pakicë absolute. Kjo vjen nga paaftësia profesionale, rekrutimi skandaloz i pedagogëve dhe nepotizmi në universitetet publike. Falë konkurrencës së paligjshme, komunikimit problematik, mungon përditësimi i njohurive dhe kualifikimi, kontrolli i brendshëm etj., etj. E ritheksojmë, se një faktor real dhe me pasoja të mëdha është korrupsioni në universitete, i cili sjell dëme në formimin profesional të studentëve, e cenon rëndë personalitetin e tyre. Ata, studentët janë viktima, por edhe promotorë të kësaj të keqe të madhe në universitet, por edhe mësohen si ta përqafojnë korrupsionin gjithë jetën. Në fakt, kemi një shuarje të ngadaltë, por masive të identitetit të arsimit në Republikën e Shqipërisë. Ka një imazh negativ për të mësuarin dhe pakësim të motivacionit në këtë drejtim. Nën zë thuhet, se ata që blejnë provimet dhe notat, ata janë edhe të parët që emërohen në poste e detyra të lakmueshme. Kjo ka derivat shuarjen e mentalitetit të të mësuarit në shoqërinë shqiptare. Dokumentacioni voluminoz, që i kërkohet mësuesit në arsimin parauniversitar dhe 9-vjeçar, shpesh i ka kthyer ata në letërshkrues, në dëm të procesit mësimor efektiv.

Dhe në kësi faktorësh nuk mund të lëmë pa përmendur mungesën e sindikatave të arsimit. Kjo do të thotë shuarje e shpirtit të protestës te stafet akademike, dorëzim pa kushte ndaj presionit minimal, autoritar të qeverisë. Për këtë do të evidentoj dy probleme:

  1. Rritja e munguar e rrogave që prej vitit akademik 2003-2004 (zero lekë);
  2. Shpenzimet për kërkimin shkencor, fitimin e gradave shkencore nga qeveria janë zero.

Kështu, një pedagogu, për fitimin e gradës “Doktor” i duhet të shpenzojë jo më pak se 10000 deri në 15000 euro. Për titullin “Profesor i asociuar”, shpenzimi mund të shkojë deri në 20000 euro. Atëherë ku po shkojmë?! Qeveria dhe shoqëria shqiptare i shikon kualifikimet si benefite individuale dhe jo si investim në cilësinë e arsimit, realizim të objektivave kombëtare të arsimit që duam. Natyrisht, kemi shumë për të bërë, por në radhë të parë të mendojmë të kuptojmë, se revolucioni në arsimin e lartë fillon që në arsimin parashkollor, fillon që te vizioni, konceptimi, përgjegjshmëria e politikave arsimore, ekonomike, sociale; që klasat dhe auditorët mos të jenë bosh, shumë shpejt bosh fare. Bashkëautorë:Aurela Agalliu, Aranit Gjipali