Prof.Dr.Dritan Spahiu/ Triumfi i Ajshtajnit 100 vjet më parë

778
Sigal

 

 Prof. Dritan Spahiu.

Triumfi i Ajnshtajnit 100 vjet më parë

Revista e mirënjohur amerikane “Time” në ditën e fundit të shekullit 20, u kërkoi lexuesve të saj të zgjedhin personin më të rëndësishëm ndërmjet njerëzve më të shquar të botës. Në numrin e saj të botuar më 31 Dhjetor 1999, kjo revistë e deklaroi Ajnshtajnin “Personi i Shekullit”. Ish-Presidenti amerikan Franklin D. Roosvelt u rendit i dyti dhe luftëtari për paqen indiani Mahatma Gandi ishte i treti në këtë klasifikim. Ajnshtajni u konsiderua si simboli i shekullit të kaluar; sepse ai revolucionarizoi shkencën e Fizikës të kohës së tij. Ai i dha kësaj shkence një varg zbulimesh të reja, që ndryshuan bazat e Fizikës klasike, të themeluar nga Njutoni i madh dhe që u plotësuan edhe nga shkencëtarë të tjerë të famshëm. Në moshën 26-vjeçare Ajnshtajni shkëlqeu kur ndërtoi Teorinë Speciale të Relativitetit dhe kur dha një interpretim krejtësisht të ri për natyrën e dritës, duke treguar se çfarë është drita dhe si përhapet ajo në hapësirë. Në këtë teori Ajnshtajni sqaroi gjithashtu edhe lidhjen ndërmjet masës dhe energjisë dhe formula e famshme që shpreh këtë lidhje: E = mc2 u bë emblema e shekullit XX. Në nëntor të vitit 1919, pra 100 vjet në parë, tashmë në moshën 40 vjeçare, Ajnshtajni u bë i famshëm. Dy ekspedita shkencore të astrofizikanëve anglezë konfirmuan faktin se rrezet e dritës që vijnë nga yjet e largët gjatë rrugës së tyre përkulen nga forcat e tërheqjes së Diellit kur kalojnë afër tij siç ishte parashikuar nga Ajnshtajni në Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit. Kjo teori u konsiderua si teoria e re e gravitacionit që kundërshtonte teorinë e Njutonit të formuluar rreth 250 vjet më parë. Kështu, më 8 nëntor të vitit 1919 gazeta angleze “London Times” botoi artikullin: Revolucion në shkencë, Ajnshtajni kundër Njutonit”. Dy ditë më vonë, gazeta amerikane “The New York Times” kishte si kryeartikull të saj “Drita përkulet kur përhapet në hapësirë. Pothuajse të gjithë shkencëtarët kanë pranuar rezultatet e vrojtimeve të eklipsit. Teoria e Ajnshtajnit ka triumfuar”.

Në këto artikuj u dha lajmi për konfirmimi zyrtar të vërtetimit eksperimental të Teorisë së Përgjithshme të Relativitetit të krijuar nga Ajnshtajni. Por çfarë koncepte dhe ligje të reja paraqet kjo teori? Në bazën e Teorisë Speciale të Relativitetit, të formuluar nga Ajnshtajni në vitin 1905, është vënë pohimi se hapësira dhe koha nuk janë absolute, të pa ndikuara nga asgjë, siç mendonte Njutoni, por ato janë relative. Kështu tik-taket e orës, që paraqesin rrjedhshmërinë e kohës, varen nga gjendja e lëvizjes së mbajtësit të saj dhe sa më e madhe është shpejtësia e lëvizjes, aq më ngadalë rrjedh koha. Në qoftë se këtë pohim do ta shtrijmë për proceset biologjike, siç janë proceset jetësore që zhvillohen te njerëzit, atëherë duhet të themi se sa më e madhe do të jetë shpejtësia e lëvizjeve tona aq më ngadalë do të zhvillohen këto procese dhe rrjedhimisht aq më ngadalë do të plakemi. Por teoria e Ajnshtajnit thotë se ky efekt ndihet vetëm kur shpejtësitë e lëvizjeve të objekteve janë të afërta më shpejtësinë e dritës, që është shpejtësia më e madhe dhe faktikisht e pa arritshme për objektet. Po kështu në këtë teori vërtetohet se gjatësia e objekteve shkurtohet në drejtimin e lëvizjes aq më shumë sa më e madhe është shpejtësia e lëvizjeve të tyre.

Në vitin 1915 Ajnshtajni përfundoi formulimin e Teorisë së Përgjithshme të Relativitetit, që konsiderohet si zbulimi më i madh i tij. Në bazën e kësaj teorie është vendosur ideja, se forcat e bashkëveprimeve të trupave, që ndryshe quhen forca gravidacionale, kanë të njëjtin efekt, si dhe efekti i nxitimit të lëvizjes së objekteve. Kështu p.sh. nxitimi i lëvizjes së makinës ndjehet si një veprim gravitacioni që na ngjesh në sedilje aq më fort sa më i madh është nxitimi; po kështu kur ashensori përshpejtohet për nga lart ne ndjejmë ngjeshjen gravidacionale në dyshemenë e tij te këmbët tona. Me fjalë të tjera, forcat gravidacionale dhe nxitimi i lëvizjes së objekteve kanë efekte krejt të njëjta dhe këtë fakt Ajnshtani e ka vënë në bazën e teorisë së tij të relativitetit, duke e emëruar si parimin e njëvlershmërisë.

 

Përveç kësaj, sipas teorisë së Ajnshtajnit forca gravidacionale që ushtron çdo trup, siç është p.sh. Dielli, shkakton efektin e përkuljes së hapësirës dhe kohës rreth e rrotull tij aq më shumë sa më e madhe është masa gravidacionale e këtij trupi. Përkulja e hapësirë – kohës duket si diçka abstrakte dhe e paqartë dhe për ta qartësuar sado pak po ju kujtoi se dikur Toka mendohej se ishte e sheshtë, por në fakt ajo ka formë sferike. Përkulja e hapësirë – kohës ka efektet e veta, njëra prej të cilave është ngadalësimi i ritmit të rrjedhjes së kohës. Kështu tik-taket e orës ngadalësohen aq më shumë sa më afër masës gravidacionale do të ndodhet mbajtësi i tyre.

Një pohim tjetër shumë i rëndësishëm i Teorisë së Përgjithshme të Relativitetit është fakti se rrezet e dritës kur kalojnë pranë trupave me masë të madhe, siç është p.sh. te Dielli, ato nuk përhapen në vijë të drejtë por rruga e tyre bëhet e përkulur dhe kjo përkulje është aq më e madhe sa më e madhe është masa e trupit pranë të cilës kalojnë rrezet e dritës. Në Fizikë pranohet pa kushte fakti, se një teori e formuluar qoftë edhe nga një shkencëtar i madh, siç ishte Ajnshtajni, do të pranohet si e vërtetë shkencore vetëm kur ajo do të provohet eksperimentalisht. Kështu, në qoftë se gjendet qoftë edhe një fakt i vetëm që nuk vërtetohet nga teoria, ajo duhet të korrigjohet dhe kur kjo gjë është e pamundur të bëhet, atëherë teoria, sado e bukur që të jetë, konsiderohet e papranueshme.

Teoria e Ajnshtajnit, në thelbin e saj, parashtronte me një logjikë të hekurt bazat e reja të gravitacionit (tërheqjes së përgjithshme), duke argumentuar, se teoria e Njutonit për këtë problem ishte vetëm pjesërisht e saktë. Shkencëtarët e kohës i mahniste guximi me të cilin teoria e Ajnshtajnit kërkonte ndryshimin e ligjeve të Gjithësisë, të formuluara nga Njutoni i madh. Në fakt, teoria e Njutonit u kishte shërbyer aq mirë astronomëve në zbulimet e tij sa që ishte shumë e vështirë që ata të ndryshonin mendjen e të pranonin idetë e Ajnshtajnit. Këtë mëdyshje do ta zgjidhnin vetëm vrojtimet eksperimentale. Duke ndjekur me kujdes parimet e teorisë së tij të relativitetit Ajnshtajni arriti të shpjegojë me sukses të plotë “anomalinë” e trajektores së planetit Merkur, planeti më i afërt me Diellin, që nuk ishte shpjeguar dot duke përdorur teorinë e Njutonit. Ky ishte suksesi i parë i teorisë së Ajnshtajnit, por i pamjaftueshëm.

Nismën e parë për të vërtetuar shmangien e rrezeve të dritës kur kalojnë afër trupave me masë të madhe, që parashikonte teoria e relativitetit, e ndërmorën shkencëtarët anglezë. Institucioni më i madh shkencor i Anglisë, Shoqata Mbretërore, së bashku me Shoqatën Mbretërore të Astronomëve të Anglisë emëruan një komision që do të kryej eksperimentin për verifikimin e teorisë së Ajnshtajnit dhe në krye të këtij Komisioni u vu Sir Artur Edingtoni, fizikani dhe astronomi i shquar që ishte dalluar si një nga njohësit më të mirë dhe më të saktë të Teorisë së Përgjithshme të Relativitetit. Kjo teori është shumë e vështirë për t’u kuptuar edhe nga shkencëtarët më të aftë; lidhur me këtë thuhet se Edingtonit i është bërë një lëvdatë kur i thanë se ai ishte njeri prej tre shkencëtarëve që e njihnin plotësisht Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit. Kur e pyetën Edingtonin që të jepte mendimin re tij për këtë gjë ai shfaqi një farë hutimi dhe deklaroi se nuk po e gjente dot se kush ishte ky i treti.

Sir Artur Edington

Komisioni i Edingtonit vendosi që eksperimenti për të vrojtuar përkuljen e mundshme të rrezeve të dritës që vijnë nga yjet e largët do të bëhej kur ato do të kalojnë afër Diellit. Kushtet më të përshtatshme për të vrojtuar këtë përkulje sigurohen kur ndodh eklipsi i plotë i Diellit, i cili ishte parashikuar se do të ndodhte më 20 mars 1919. U vendos që matjet të bëheshin nga dy ekspedita që do të vrojtonin eklipsin e Diellit në kushtet më të mira, njëra në veri të Brazilit dhe tjetra në Gjirin e Guinesë në Afrikën Perëndimore. Vrojtimet e regjistruara nga dy ekspeditat u përpunuan me shumë kujdes dhe, më 6 nëntor të vitit 1919 rezultatet e vrojtimeve u paraqitën në mbledhjen e përbashkët të Shoqatës Mbretërore dhe të Shoqatës Mbretërore të Astronomisë të Anglisë. Në përfundim të mbledhjes shkencëtarët më të shquar të këtyre institucioneve më të mira shkencore të Anglisë, deklaruan se rrezet e dritës ishin përkulur si rezultat i veprimit të fushës gravidacionale të Diellit me saktësinë e plotë siç ishte parashikuar nga Ajnshtajni në teorinë e tij. Kryetari i Shoqatës Mbretërore, shkencëtari me famë botërore J. J. Thomson, që kishte zbuluar elektronet, e konsideroi teorinë e Ajnshtajnit si një nga sukseset më të mëdha në historinë e mendimit njerëzor. Ai tha: “Ky nuk është zbulimi i një ishulli të çforëdoshëm, por i një kontinenti të mbushur me ide të reja shkencore. Ky është zbulimi më i madh për forcën gravidacionale, që nga koha kur Njutoni formuloi parimet e tij”. Njoftimin për konfirmimin eksperimental të teorisë së tij nga ekspeditat e astronomëve anglezë Ajnshtajni e mori që në shtator të vitit 1919 dhe gëzimin e vet ai e ndau me nënën e tij. Në letrën që i dërgoi asaj shkruante: “Sot kemi lajme të mira… ekspedita angleze vërtetoi devijimin e rrezeve të dritës kur kalojnë afër Diellit.” Me suksesin e madh për vlerësimin e zbulimeve të tij, Ajshtajni 40 vjeçar u konsiderua si një shkencëtar gjenial, si një hero në shkencë dhe kështu filloi të ngrihej legjenda ajnshtajniane, filloi të rritej miti i figurës së tij. Qëndrimi i qarqeve shkencore të Londrës lidhur me zbulimet shkencore të Ajnshtajnit ishte shumë domethënës. Në mënyrë shumë të bukur këtë fakt e ka shprehur fizikani i njohur Filip Frank, mik i Ajnshtajnit kur deklaroi se: “Vepra e dijetarit që i përkiste atdheut të mundur e të poshtëruar ishte njohur nga më fodulli i kombeve fitimtare”.

 

 

 

Ajnshtajni dhe Edingtoni

 

Maks Planku, shkencëtari i madh gjerman, ishte i pari që njohu gjenialitetin e Ajnshtajnit. Me propozimin e Plankut dhe të Nernstit, si dhe me miratimin e Akademinë së Shkencave të Gjermanisë, Ajnshtajni u ftua që të jetë akademik në këtë institucion të shkëlqyer shkencor. U kthye në Gjermani në prill të vitit 1914 mbas 20 vjetësh që kur ishte larguar prej saj. Kushtet që i ofroi Akademia gjermane Ajnshtanit ishin shumë të mira dhe ai mund të kryente studime shkencore krejtësisht i lirë pa asnjë shqetësim. Rimori nënshtetësinë gjermane dhe qëndroi aty për 18 vjet. Këto ishin vitet e zbulimeve më të mëdha të Ajnshtajnit, të Teorisë së Relativitetit dhe të Fizikës moderne, por njëherazi edhe të shqetësimeve të mëdha shoqërore. Kthimi i tij në Gjermani ndodhi në kohën kur shumë gjëra kishin ndryshuar dhe sapo kishte filluar Lufta E Parë Botërore. Ajnshtajni ishte një pacifist dhe evropian i pastër, i paprekur nga politika dhe e konsideronte luftën si një tërbim që shkatërron gjithçka, që sjell vrasje të pamëshirshme, vuajtje çnjerëzore, shkatërrim të civilizimit, marrje peng të kulturës dhe të ardhmes evropiane. Por për çfarë? Ai e konsideronte luftën si një epidemi çmendurie dhe lakmie që po e shpartallonte botën. Në nëntor të vitit 1915 Liga e Gëtes në Berlin i kërkoi Ajnshtajnit të thotë mendimin e tij për luftën dhe ai shkroi një mesazh që përfundonte me fjalët: “Pse duhet të themi shumë fjalë kur gjithçka shprehet me një fjali: Nderoni Jezu Krishtin, udhëheqësin tuaj, jo me fjalë dhe me himne, por vetëm me veprimet tuaja”. Lufta e Parë Botërore, përveç shkatërrimeve të jashtëzakonshme, krijoi te njerëzit zhgënjim të madh; ata mallkonin vrasjet, intrigat dhe urrejtjen e përhapur gjithë andej dhe aspironin paqen e përgjithshme për të harruar luftën dhe pasojat e saj. Fizikanët apelonin hapur, të hiqej dorë nga urrejtja midis kombeve dhe të pranohej bashkëpunimi dhe respekti reciprok midis tyre. Bashkëpunimi i shkencëtarëve që u përkisnin dy kampeve më të mëdha të luftës së egër midis tyre, të Anglisë dhe Gjermanisë, u bashkuan dhe punuan së bashku për teorinë e Relativitetit. Kjo dha shpresën e shumëdëshiruar të fillimit të mirëkuptimit paqësor. Bota ishte lodhur nga lufta dhe po kërkonte të shikonte ringjalljen e shenjave të fisnikërisë njerëzore dhe ja papritur u gjet gjeniu shkencor modest, që ishte i interesuar vetëm për kërkimet e pastra shkencore. Ky hero i ri u shfaq si me dëshirën e Perëndisë, tamam në momentin kur heronjtë e vjetër u dogjën nën gërmadhat e luftës. Ajnshtajni po bëhej një figurë publike e njohur në të gjithë botën. Në takimet e shumta dhe gjatë udhëtimeve të tij nëpër botë që ndërmori më vonë, ai shprehu qartazi pikëpamjet e tij racionale, progresive dhe liberale në favor të bashkëpunimit dhe besimit ndërkombëtar, duke dënuar njëkohësisht të këqijat e militarizmit, të nacionalizmit të shfrenuar, të tiranisë. Ai e urrente militarizmin po aq verbërisht sa e donin mbrojtësit e tij. Ai nuk ishte politikan, por ishte mendimtar, filozof dhe moralist që luftoi për të ruajtur dhe për të pasuruar trashëgiminë sociale të njerëzimit. Ai ishte indiferent ndaj lëvdatave që i bëheshin dhe thoshte se “kulti i individit është krejtësisht i pajustifikuar”. Atë e gjejmë krahas personaliteteve më të mira të botës, duke luftuar për të drejtat e njerëzve, për lirinë e individit, për sigurinë dhe paqen botërore, për mirëkuptimin midis kombeve. Ai e tha fuqishëm fjalën e tij në shumë komisione të Lidhjes së Kombeve dhe të organizmave të tjera ndërkombëtare. Kështu ai mori titullin e qytetarit të botës. Bertrand Russell, matematikan, filozof dhe sociolog i shquar e ka karakterizuar Ajnshtajnin në këtë mënyrë: “Ajnshtajni ishte jo vetëm një shkencëtar i madh, por edhe një burrë i madh. Ai qe simboli i paqes në botën që shkoi drejt luftës. Qëndroi me pikëpamje të mençura në një botë të sëmurë dhe mbeti liberal në një botë plot me fanatikë”.