Prof. Dr. Bernard Zotaj: Të veçantat në luftën e Vlorës, më 1920-n

91

Lufta e Vlorës e vitit 1920 solli vërtet disa të veçanta në zbatimin e treguesve të artit ushtarak të kohës. Tërheqin vëmendjen taktikat e përdorura me sukses prej luftëtarëve për shpërthimin dhe kapjen e garnizoneve të fortifikuara, të ngritura prej armikut në vijat e mbrojtjes, si në Kotë, Gjorm, Drashovicë, Matohasanaj, Llogora, Himarë dhe Tepelenë. Kryengritësit, megjithëse me forca dhe sidomos me armatime dhe mjete luftarake shumë më të pakta dhe të vjetruara, ia dolën që ti kapnin ato dhe efektivat e tyre, duke e vënë nën kërcënim serioz qëndresën e pushtuesve brenda Vlorës dhe në rrethina. Taktika e përdorur kundër garnizoneve, me afrimin në mënyrë të fshehtë dhe natën, duke i rrethuar ato veç e veç dhe duke krijuar raporte forcash me epërsi minimale për sulmuesit, si 1.7:1 në Kotë, e cila pas një sulmi të fuqishëm ra në duart e luftëtarëve shqiptarë, ishte mjaft racionale dhe rezultative. Kështu u morën të gjitha garnizonet, përveç Tepelenës, që u mbajt i bllokuar për dy javë, derisa efektivi i tij u dorëzua pa kushte. Luftimi dhe taktika e përdorura për kapjen e tyre ishin një përvojë e re, e zbatuar me shumë sukses prej forcave kryengritëse, por dhe për fondin e artit ushtarak shqiptar, në tërësi.

Ushtarakët që ndihmuan me këshilla në veprimet luftarake

Organizimi ushtarak i forcave kryengritëse në Luftën e Vlorës bëri të mundur të zgjidhej drejt një nga problemet më të mprehta të strategjisë, problemi i drejtimit të luftës. Megjithëse Lufta e Vlorës u zhvillua në një kohë kur lëvizja patriotike shqiptare kishte krijuar një qendër të vetme koordinuese, në rrethanat kur Qeveria e Tiranës për arsye politike e diplomatike nuk duhej të angazhohej direkt në drejtimin e luftës, drejtimi i saj u realizua nga Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” të Vlorës, i cili veproi në pajtim me frymën e pikësynimet e Kongresit të Lushnjes e Qeverisë së Tiranës. Kjo ishte një veçori e strategjisë që dëshmon për aftësitë e popullit tonë që në kushte të veçanta të gjejë forma origjinale e të përshtatshme drejtimi.

Në ditët e zhvillimit të Luftës së Vlorës, përveç drejtuesve kryesorë ushtarakë, si major Ahmet Lepenica, ish-togeri i marinës luftarake, Qazim Koculi dhe oficeri Shero Emini, qeveria e Tiranës lejoi të merrnin pjesë dhe oficerë të karrierës. Shumë prej tyre ishin të njohur, por dhe u bënë shumë të njohur në historinë ushtarake shqiptare, me këshilla dhe drejtuar veprimet luftarake në terren. U shquan major Mustafa Maksuti, kapiten Aziz Çami, kapiten Tosun Selenica, toger Xhevdet Çelo e ndonjë tjetër.

Major Mustafa Maksuti ishte oficer i formuar dhe diplomuar në akademinë ushtarake të Stambollit. Ai ishte kthyer në Shqipëri me shpalljen e Pavarësisë dhe i ishte bashkuar qeverisë së Vlorës. U vendos në shërbim të saj së bashku me major Ali Shefqetin dhe oficerë të tjerë shqiptarë. Mustafa Maksuti me disa luftëtarë dhe ushtarë të batalionit që drejtonte në luftë, mbajti të rrethuar garnizonin e fuqishëm të Tepelenës, deri në dorëzimin e efektivit Italian. Më pas nga komandant detashmenti (batalioni) xhandarmërie në Berat, në Dhjetor të vitit 1921, për pak ditë u caktua Ministër Lufte. Ka qenë deputet në Parlamentin e parë të Shqipërisë.

Kapiten Tosun Selenica i përkiste shkollës dhe shërbimit ushtarak francez. Ai me një forcë xhandarmërie dhe luftëtarë të tjerë kapën Urën e Drashovicës. Kapiten Azis Çami i shkolluar dhe graduar toger në Shkollën e Trupave të Regjimentit të Parë të Këmbësorisë së Barit në Itali në specialitetin artileri. Në Luftën e Vlorës në krye të një nënreparti të vogël luftëtarësh drejtoi goditjet e një baterie topash artilerie të kapura italianëve, kundër tyre nga Bregu i Sherishtave. Ndërsa toger Xhevdet Çelo, me xhandarë tjerë, kontrollonin lundrat në lumin Vjosë. Të gjithë këta oficerë afruan shërbimet e tyre në Luftën e Vlorës, së bashku me nënrepartet apo repartet ushtarake ose xhandarë që drejtonin në luftë.

Raporti i major Mustafa Maksutit

Gjatë përgatitjes dhe zhvillimit të Luftës së Vlorës, strategjia ushtarake u mbështet plotësisht në parimin e prioritetit të njeriut ndaj armës. Gjithë lëvizja patriotike shqiptare në prag të Luftës së Vlorës kishte evidentuar me forcë idenë, se pavarësisht se populli shqiptar duhet të luftojë kundra një shteti të madh imperialist e me një ushtri pushtuese që ka epërsi në forca e mjete, ai duke u mbështetur në vendosmërinë, heroizmin, shpirtin e sakrificës, guximin e trimërinë që e karakterizon, është në gjendje të ndeshet në fushën e luftës me këtë armik superior e të fitojë.

Në librin e Ago Agaj “Lufta e Vlorës”, në raportin e mbajtur në një mbledhje të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, për situatën dhe vendimin lidhur me veprimet e forcave kryengritëse në fazën e dytë, të sulmit mbi Vlorë, kishte qëndrime kritike ndaj ushtarakëve. Kjo sepse ushtarakët u përmbaheshin mendime të tyre klasike, të mësuara në shkollat dhe akademitë ushtarake të vendeve ku kishin studiuar dhe ishin diplomuar. Natyrisht, shpesh herë në vlerësimin dhe në përllogaritje nuk kishte zbatim të njëjtë, si në luftën klasike të ushtrive të rregullta, me atë të ushtrive kryengritëse dhe vullnetare. Kështu që ju duhej të “thyheshin” dhe “shpërfilleshin” skemat e përdorura në luftimet e ushtrive të rregullta, klasike dhe moderne. Këto mendime nuk e zbehën rolin drejtues dhe komandues të oficerëve pjesëmarrës në Luftën e Vlorës. Këta ndihmuan drejtpërdrejt në zhvillimin e veprimeve luftarake, por edhe në fitoren e forcave kryengritëse.

Lufta e Vlorës ishte dhe një “shkollë” e cila në përfundim “diplomoi dhe gradoi” oficerët e parë të saj. Në një listë që përfshin 14 luftëtarë të shquar në luftime janë emrat e Mehmet Fegës nga Dushkaraku, Abdurrahman Çirakut nga Vërmiku, Sali Hoxhës, Arqile Kolesë nga Vlora, Rrapo Çelos nga Sevasteri, Sali Murat Vranishtit, Naso Benit nga Vunoi, Idriz Sadirit, Murat Elbasanit, Shaqo Myslym Derrit dhe Demir Mysehak Curajt, të dy nga Smokthina, Hamza Nurçe Elezit nga Ramica, Koçi Selfo Ferunajt, si dhe “kualifikoi” major Ahmet Lepenicën.

Kundërshtar i hapur i kryengritjes

Përjetuesi dhe bashkëkohësi i Luftës së Vlorës Eqrem Bej Vlora, ishte kundërshtar i hapur i kësaj kryengritje. Ai u shfaq kritik që në nisje të saj. Ai kishte bindje se kryengritja ishte një marrëzi. Kjo do të dështonte me siguri përballë epërsisë dërrmuese ushtarake të pushtuesve italianë. Me përfundimin e saj dhe me fitoren e bashkëpatrotëve të tij, ndershmërisht ka pranuar parashikimin e gabuar. Ai ka arritur në përfundim dhe ka vlerësuar aftësitë luftarake të vullnetarëve “rebelë”. Në kujtimet e tij shkruan se trupat italiane u larguan nga qyteti dhe hipën nëpër anije. Më 3 shtator 1920 “rebelët” fitimtarë dhe krenarë me të drejtë, hynë në Vlorë dhe e bashkuan krahinën e tyre me pjesën tjetër të Shqipërisë. Ata e kishin merituar këtë sukses. Kurse për veten e tij shkruante me keqardhje se do të dilja i gabuar.

Lufta dëshmoi se faktori moralo-politik që e kishte bazën në karakterin e drejtë të luftës së popullit tonë e që u shpreh në gatishmërinë e lartë të popullit kryengritës, në forcën shpirtërore për të duruar të gjitha privacionet e luftës, në vendosmërinë për të luftuar me një armik mjaft të madh në forca e mjete e në heroizmin masiv u bë faktori themelor i fitores. Gjoksi i luftëtarit shqiptar iu kundërvu me sukses topit e fortifikatës së armikut. Epërsia e faktorit moralo-politik ndikoi në thellimin e mëtejshëm të krizës morale të forcave pushtuese, kompensoi inferioritetin në forca e mjete të forcave kryengritëse dhe u siguroi atyre fitoren në fushën e luftës së armatosur.

Lufta e Vlorës ishte shprehja e tezës se në situata të caktuara, sikurse shkruante gazeta “Mbrojtja Kombëtare” në ditët e fitores, se luftën nuk e fitojnë ata që kanë shumë armë, topa dhe vegla të luftës por e fitojnë ata që kanë vendosur të vdesin për Atdhe.

Lufta e Vlorës i kishte arritur qëllimet e veta dhe krahina historike tashmë ishte përsëri pjesë e pandashme e Shqipërisë. Në aspektin luftarak dhe të artit ushtarak, ajo kishte përvijuar dhe afirmuar një përvojë të re, me të veçantat e veta dhe kishte hyrë në fondin e Historisë Ushtarake shqiptare.