Prof. Dr. Bernard Zotaj: Shqipëria me syrin e Justin Godard

1354
Sigal

Justin Godard, juristi i famshëm francez që mbrojti të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919. Sot emrin e tij e mban një rrugë në zemër të qytetit të Vlorës

Librin e shkruar prej tij: “Shqipëria në vitin 1921”, e ruajti dhe e solli të përkthyer mbas shumë vitesh patrioti dibran, Mirdash Munir Shehu

 

Shqipëria me syrin e Justin Godard

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

 

Një rrugë me emrin “Justin Godart”

Kohë më parë kam lexuar librin e Justin Godart “Shqipëria në vitin 1921”, të përkthyer me mjeshtëri nga Munir F. Shehu prej Dibre. Ky më zgjoi interesin për të bërë lidhjen dhe shkruar për rrugën dhe librin me të njëjtin emër. Një dibran i ndershëm që përkthen librin e tij dhe një Vlorë e Flamurit që vendos emrin e një rruge nga më historiket e saj. Në zemër të qytetit të Vlorës, ku ende ruhet identiteti, gjurmët e ndërtimeve në fund të shek. XIX dhe fillimet e shek. XX, gjendet Rruga “Justin Godart”. Kjo ishte rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes dhe të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Në këtë rrugë hyri dhe Isa Boletini me trimat e tij për të marrë pjesë në Festën e Flamurit të vitit 1912. Në këtë rrugë Isa tha dhe thënien lapidar se “Burri ulet në gjunjë vetëm një herë, kur puth flamurin kombëtar”. Në fund të rrugës nga perëndimi gjendet Sheshi i Flamurit, ndërsa në lindje shtrihet Lagjja “Partizani”. Nga lagjja shkohet për në Babicë, prej këtej hynë fitimtarë në Vlorë luftëtarët e 1920-s. Rruga kishte dhe ndërtesa shoqërore në shek. XIX, si sahat tip kullë dhe postën e qytetit. Rrugës i është vendosur  emri i juristit të njohur francez Justin Godard. Në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919, Justin Godart ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë.

 

Porosia e Munir F. Shehu: Ruani bibliotekën!

Munir F. Shehu ka qenë një intelektual nga Dibra. Ai ishte një mësues patriot, i cili gjithçka ua mësoi nxënësve të tij. Gjithashtu ai ka qenë dhe kompozitor, si dhe mbledhës i folklorit në Dibër. Edhe i biri i tij, Mirdash M. Shehu ka mësuar prej mësuesit baba. Libri doli në dritë, në sajë të frëngjishtes që babai i mësoi të birit. Libri ka qenë për shumë vite pjesë e bibliotekës së Munir F. Shehu. Shqipëria gjithmonë ka pasur intelektualë, të cilët kanë luftuar dhe mbrojtur me dashuri dhe pasion dijen. Një prej tyre ishte Munir Shehu, që u dallua që herët dhe iu përkushtua mësimit të historisë së vendit të tij. Në bibliotekën e tij gjenden rreth 80 libra të rrallë ku mësohet, se sa gjëra të mbrapshta bëheshin nga fqinjët dhe Fuqitë e Mëdha të kohës për fatet dhe copëtimin e Shqipërisë së vuajtur. Por historia për librat e intelektualit Munir do të ishte një rrugëtim i gjatë. Munir Shehu kishte kulturë të gjerë, por dhe bindje demokratike. Me çlirimin e vendit dhe vendosjen e demokracisë popullore, në vitin 1945, Muniri arrestohet dhe shpallet “armik i popullit”, burgoset, lirohet, burgoset e lirohet përsëri. Gjatë gjithë kësaj periudhe kishte vetëm merakun e shkatërrimit të bibliotekës. Bibliotekën e kishte ngritur me shumë sakrifica, me shumë mund dhe brenda saj gjendeshin shumë vlera. Gjithmonë tepër i shqetësuar pyeste dhe porosiste të afërmit t’i ruanin dhe t’i fshinin librat në vende të sigurta. Biblioteka e tij u end gjatë në të gjithë Dibrën e ngarkuar në kuaj e në mushka, natën, librat udhëtonin nga një shtëpi në tjetrën për t’u ruajtur nga e keqja që i kishte zënë. Shumë libra u grisën dhe mbetën rrugës faqe-faqe, një pjesë humbën rrugëve të Dibrës, të tjera notuan në ujë në bodrume, ndërsa shumë shkrime të tij, ndezën zjarrin në odat dibrane për të ngrohur fëmijët. Pas këtyre vuajtje e rraskapitje të bibliotekës së madhe të Munir Shehu ngelën pa u prishur siç shkruan i biri në parathënien e librit, një Larus i 1936, një metode solfezhi, ndonjë gjë tjetër dhe… libri i Godartit. Vetëm ky shpëtoi si dëshmitar i tërë këtyre vuajtjeve dhe i përpjekje për të treguar histori. I biri, Mirdashi si një “borxh” që i kishte babait, e mundësoi që libri të flasë shqip.

Kontribues për librin e Justin Godart

Në mars 1997 në qytetin e Peshkopisë kishte plasur çmenduria njerëzore. Rrugëve njerëz të armatosur, qëllonin pa pushim, ndërsa Mirdashi luftonte dhe kërkonte paqen. Dhe paqen e gjeti në librin e J. Godart, duke e cilësuar si libër i paqes. Sistemi socialist i hoqi të drejtën e arsimimit të lartë, po jo dashurinë për librin. Krismat e armëve të llojeve të ndryshme dëgjoheshin pa pushim natën në qytet, Mirdashi lexonte Godartin. Nisi kështu përkthimin fjalë pas fjale, rresht pas rresht dhe germë pas germe. Në fëmijëri Mirdashi e kishte prekur me mijëra herë këtë libër, pasi ishte me kapak të trashë, kurioziteti e shtyu të lexojë pa ndonjë qëllim, rreshtin e parë të parathënies së librit. Këtë e kishte shkruar nobelisti i paqes, sekretari i komisionit të caktimit të kufijve të Shqipërisë me Malin e Zi, D’estournelles de Constant, ku theksohej se “Unë i kam shumë borxh Shqipërisë; unë do ta paguaj këtë borxh të rinisë”. “Lexoja për herë të parë një diplomat të huaj, në gjuhën e tij, frënge, që shfaqte pendesë për qëndrimet ndaj Shqipërisë, të shkruar në vitin 1921”. E lexonte pa u ndaluar dhe kishte mbërritur në fund. Kështu vendosi dhe e përktheu me durim dhe dashuri, që t’u sillte lexuesve një libër. Ky libër kishte për autor Justin Godart, politikan i shquar francez dhe njohës shumë i mirë i shqiptarëve, të cilin, e drejta e bëri mik të tyre. Ky libër është “Historia e Shqipërisë”, historia e padrejtësive të diplomacisë së Fuqive të Mëdha për të fshirë nga harta një nga kombet më të vjetër në Evropë, historia e përpjekjeve të paepura të presidentit Uillson në mbrojtje të shqiptarëve, historia e vuajtjeve dhe përpjekjeve të tyre për të mbijetuar, duke luftuar kundër të gjithëve, të braktisur, krejt vetëm”. Justin Godart ishte ndër të paktët njerëz që vepruan me guxim, mbrojtën të vërtetën dhe nuk i braktisën kurrë shqiptarët. Përvoja e Godart na vjen nëpërmjet librit si një vlerë e madhe për të njohur veten dhe të tjerët. Në libër janë pasqyruar me vërtetësi dhe paanshmëri të gjitha intrigat që u bëheshin shqiptarëve nga fqinjët dhe nga Fuqitë e Mëdha. Libri ju jep përgjigje shumë pyetjeve për ngjarjet që po ndodhin edhe sot. Ndaj faleminderit Mirdash M. Shehu për këtë libër me vlera të sjellë për shqiptarët!

Autori i librit “L’Albanien 1921” (Shqipëria në 1921), politikan dhe personalitet i shquar francez Justin Godart, ishte një nga njerëzit me kontribute të veçanta në plan kombëtar e ndërkombëtar. Ai është cilësuar si “I drejti i kombeve”, pasi tërë jetën ju kushtua drejtësisë dhe lirisë.

 

Mik i shquar i popullit shqiptar

Ai në jetën e tij përkrahu luftën e re, që ishte lufta e masave popullore për demokraci dhe kundër reaksionit çifligar. Në këtë luftë me dy fronte për popullin shqiptar, popullin fisnik dhe me histori të lashtë, ngjalli simpatinë e Godart për Shqipërinë. Godarti nisi kështu t’u kundërvihej hapur diplomacisë franceze, e cila nga konjuktura politike ndërkombëtare, mbante qëndrim të padrejtë ndaj problemit shqiptar. Ai krijoi besimin, se populli shqiptar do ishte fitues ndaj atyre që e pengonin në rrugën e tij për prosperitet e përparim. Në hyrje të librit shkruan se “…ne do të përshkruajmë, Shqipërinë e sotme drejt përparimit që ka nisur dhe që do vazhdojë, në sajë të lirisë, për të cilën ajo do të luftojë në të ardhmen, ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën dhe vendosmërisht, po të jetë nevoja”. Nga kjo kohë e gjatë gjithë jetës së tij J. Godart mbeti mik i Shqipërisë. Si mik i vjetër i Shqipërisë, në fund të vitit 1950, në moshën 80 vjeç, mori pjesë në Festat e Nëntorit. Në mitingun e Tiranës do të shkruante se “Jam këtu, si një nga miqtë më të vjetër të Shqipërisë dhe mund të them, nga më besnikët e saj”. Ai ishte i zgjedhur nga miqtë francezë të Shqipërisë, President nderi i shoqatës Francë-Shqipëri. Presidiumi i Kuvendit Popullor e ka vlerësuar J. Godartin duke e dekoruar me “Urdhrin e Lirisë të Klasit të Parë”.

Justin Godart ka mbetur në kujtesë si një mik i vjetër e besnik, të cilin  populli shqiptar e kujton dhe nderon gjithmonë.