Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: Kapedani i Labërisë, Dudë Sinani

828
Sigal

-Dudë Sinani me taborë, i zoti kalasë në Vlorë, në Palermo e Janinë, në krah me pasha Alinë, e tregoi trimërinë

Kapedani i Labërisë, Dudë Sinani

Ndër të parët e Dudë Sinanit në shek. XV njihet luftëtari i shquar popullor Dedë Ndreu

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe

 

 

Dudë Sinani me taborë,

I zoti kalasë në Vlorë,

Në Palermo e Janinë,

Në krah me pasha Alinë,

E tregoi trimërinë,

Në Meçovë e në Merqinjë,

Luftoi për Shqipërinë…

( Nga një këngë popullore)

 

Dudajt në mugëtirën e shekujve. Të parët e familjes Dudaj

 

Në mugëtirën e shekujve, familjet dhe fiset e Labërisë shpërfaqen nëpër arkiva e dokumente të vendeve të huaja që nga koha e Bizantit e më pas gjatë pushtimit të gjatë otomane deri në kohët tona moderne. Në shekujt e mëhershëm, jeta shqiptare ngjizet në dëshmitë arkeologjike, historike dhe etnografike, si vazhdues të botës ilirike e arbërore me zhvillimet e veta në fshatin e Gumenicës dhe viset e tjera të Labërisë.

Gumenica, ky fshat epik e blegtoral, krahas traditave të mrekullueshme zakonore, njihet edhe për gjurmët arkeologjike me kulturën dhe jetesën e ilirëve amantinë. Një varg studiuesish, si Damian Komata, Burhan Dautaj, Hasan Ceka, Llambi Durolli, Petrika Thëngjilli, Rami Memushaj, Artan Xhaferi, Farudin Krutaj etj., midis vendbanimeve të hershme të Lumit të Vlorës shënojnë edhe Përtejlumen, Çështen dhe Gumenicën. Pikërisht në këto vendbanime të lashta janë zbuluar edhe objekte arkeologjike, si vegla të punuara nga guri i strallit, heshta, qypa balte, kapitele, fragmente muresh, varre monumentale dhe objekte të tjera të mesjetës së vonë. Një varg gjurmësh të kishave bizantine ende ruajnë toponimet e tyre në këtë zonë, si: Kisha e Murre, Bregu i Kishës, Qafa e Kishës, Kisha e Shëngjergjit nëÇeshtë, Kodra e Shënkollit në Gumenicë etj.

Pasi u shpërngulën nga Përtejlumja dhe Çeshta, në mesjetë, banorët u vendosën në fshatin Gumenicë. Jeta e tyre ishte e lidhur ngushtë me blegtorinë, vreshtarinë dhe pemëtarinë. Gumenica përbëhet nga 250 shtëpi, ndërsa në vitet ’70-’80 të shek. XX një pjesë e banorëve ndërtuan Fshatin e Ri, buzë lumit të Shushicës. Në këtë mjedis u lind edhe kapedani i Labërisë i shek. XIX Dudë Sinani, jehonat e trimërisë së të cilit vijnë deri në kohët tona si një oshtimë e qëndresës kundër pushtuesit otoman dhe e shpirtit të tij të thellë për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

 

Dedë Ndreu (Mazaraku)

Rrëfimet popullore na thonë se, ndër të parët e Dudë Sinanit në shek. XV njihet luftëtari i shquar popullor Dedë Ndreu (Mazaraku), i cili ishte edhe në parësinë e Kuvendit të Shushicës, që organizoi princeshë Rugjinë Balsha me krerët e Labërisë në qershor 1417 për të përballuar pushtimin e egër otoman. Në këtë kuvend, Gumenica përfaqësohej nga Pirro Duka, fisi Dhukaj, si dhe Dedë Ndreu, fisi i Dudë Sinanit, të cilët u vunë në krye të luftëtarëve të Lumit të Vlorës dhe morën pjesë edhe në betejat që zhvilloi Rugjina Balsha me osmanët në malet e Lungarës, pllajën e Shashicës, kalanë e Gjon Boçarit në Tragjas dhe Ravenë të Dukatit.

Një kronikë të qartë të këtij kuvendi na e sjell edhe folkloristi Fatos M. Rrapaj në veprën e vet “Këngë popullore të Labërisë”, në të cilën shënon: “Në bregun e djathtë të Lumit të Vlorës, atje ku vendi mban emrin “Përtejlume”, një copë e vogël fushe që i takon fshatit Gumenicë, gjendet Rrapi i Rrugjinës, i thënë edhe i Zonjës, Zonjës së Kaninës. Perimetri i trungut të këtij rrapi është 12 m, sipas gojëdhënës, thuhet se Rugjina Balsha nën hijen e këtij rrapi thirri në Kuvend krerët e Labërisë për t’u dalë në ballë osmanëve agresorë…”[1]

Dedë Ndreu dhe Pirro Duka, si dhe luftëtarët e tjerë të Gumenicës, Mesaplikut, Kaninës, Dukatit e Tragjasit qëndruan në krahë të princeshës Rugjina Balsha në betejën e Tragjasit dhe të Ravenës në Dukat, ku u ndeshëm me ushtrinë otomane të komanduar nga Hamza Evrenozi, në ditët e fundit të qershorit të vitit 1417. Pas betejave të ashpra me taborët osmane, luftëtarët popullorë, Gjon Boçari, Andon Dukati, Pirro Duka dhe Dedë Ndreu (Mazaraku), çanë rrethimin, dolën në Llogora dhe në mbrëmje vonë e shoqëruan Princeshën Rugjinë në portin e Himarës për në Korfuz.

Rrëfimet na thonë se Gjon Boçari, Pirro Duka, Nikë Hila dhe DedëNdreu (Mazaraku) qëndruan me princeshën gati nëntë muaj, pastaj u kthyen në vendet e tyre, ku kishte rënë zia e pushtimit otoman. Ky moment historik i Princeshë Rugjina Balshës ka mbetur si një kujtesë e gjallë edhe në vargjet e një kënge popullore të përcjellëbrez pas brezi në Gumenicë:

U nxinë malet, u nxinë,

S’bëjnë bar as trëndelinë,

Për Rugjinën mbajnë zinë.

Rugjinë, zonja Rugjinë,

Erdhë turqit në Kaninë,

Përpjet’ Shashicës u ngjinë,

Dolën trimat dhe i prinë,

Nëntë ditë u vranë e grinë,

U bë pellg gjaku në brinjë.

 

Andon Duda (Igumeni)

 

Nëpër shekujt otomanë të pushtimit të Shqipërisë, një emër tjetër i ndritur i fisit Dudaj shkëlqen në shek. XVI, Andon Duda (Igumeni). Krahas pjesëmarrjes së tij dhe luftëtarëve gumeniciotë për mbrojtjen e brigjeve shqiptare nga invazioni i ushtrisë otomane të komanduar nga Ahmet Kodik Pasha, që zbarkoi në Himarë nga Korfuzi më 1479, emri i tij shfaqet edhe në përfaqësinë e krahinës së Himarës si dërgatë për të takuar të birin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, Gjonin, ku i kërkuan ndihmë për organizimin e qëndresës kundër pushtuesve në Bregdet.

Pas vitit 1488, Andon Duda (Igumeni) përfshihet në radhët e stratiotëve nën komandën e Mërkur Buas në mbrojtjen e Milanos kundër forcave të Ludovikut XII, duke çliruar edhe Pavian e Navarën nga forcat zaptuese. Më pas, Andon Duda dhe stratiotët e Mërkur Buas u gjendën në mbështetje të Lombardisë dhe Markezit të Mantovës dhe më pas në betejat kundër spanjollëve. Me thyerjen e ushtrisë spanjolle, Mërkur Buan dhe luftëtarët e tjerëstratiotë, si Andon Duda e Petro Kuçi, u ftuan nga Mbreti i Francës dhe u pritën me madhështi e dhurata.

Andrea Vrana

Njëri nga pasardhësit e Andon Dudës është edhe Andrea Vrana, i cili qysh në fëmijëri u largua nga Gumenica me anën e një të afërmi të tij dhe u shkollua në Romë. Emri i Andrea Vranës shënohet në disa botime arbëreshe si mbështetës, redaktor dhe botues i një varg veprash teologjike e filozofike. Prof. Dh. S. Shuteriqi, në veprën e vet MarinBiçikemi dhe shkrime të tjera, thekson: “Mund të mbahet fare mirë hipoteza se një bashkautorësi në shqipërimin e Lekë Matrëngës ngjau me ndërhyrjen e Andrea Vranës ose dhe të ndonjë tjetri. Vrana thuhej se ishte nga Himara, por ai ishte prej viseve pranë Himarës, me sa duket nga Gumenica e Vlorës”.[2]

Kujtimi i Andon Dudës u ringjall përsëri në shek. XVIII. Sinan Andoni, stërnipi i tij, lindi dy djem, Andonin (1747) dhe Meten (1750). Edhe Sinan Andoni me bashkëfshatarët e tij gumeniciotë kishte miqësi të gjera si me kaninjotët, ashtu dhe me himariotët. Ai pati marrë pjesë në betejat kundër pushtuesve turq në vjeshtën dhe dimrin e vitit 1757 duke i detyruar turqit të tërhiqeshin nga brigjet e Himarës.[3]Për një betejë tjetër të Himarës dhe malësive të saj bën fjalë edhe Pukëvili në shënimet e tij të udhëtimit kohë më pas. Në vitet 1760-1776, sipas tij, kjo krahinë e gjerë deri në Lumin e Vlorës, Delvinës dhe Kurveleshit mbajti armët ngrehur në betejat me pushtuesit turq, duke u bërë vatra të zjarrta të luftës çlirimtare.[4]

Me këshillin e miqve të tij himariotë, Rexhajve dhe Kasnecajve, Sinan Andoni e dërgoi djalin e madh, Andonin, të shkollohej për ushtarak në Napoli. Në moshën 13-vjeçare, djali tjetër, Metja, shkoi në Korfuz për të vazhduar një shkollë të mesme , por nuk mundi ta përfundonte. Me vdekjen e papritur të Sinanit në vitin 1768, Metja u kthye në vendlindje, ku zotëronte disa kullota dhe një tufë me 400-500 krerë bagëti.

Mete Sinani ishte një burrë i dashur dhe i qetë.

Shpesh, në biseda me bashkëfshatarët e tij apo krahinarët, në kuvendet që organizoheshin në Kaninë, Dukat, Himarë, Delvinë e Mesaplik, ai kishte shfaqur urtësinë dhe mençurinë e tij me trimëri dhe filozofi popullore. Bashkëfshatarët ende ruajnë në kujtesë disa nga thëniet e tij në kuvendet popullore: “Është mulli që bluan, po bukë nuk gatuan”, “Po të qëlloi me bukë, mos e qëllo me gurë”, “Nuk bëhet ujku vëlla”, “Kur turpi fle, i zoti nuk fle”, “Kafshata e madhe të zë fytin”, “Bilbili nuk këndon pranë sorrës”, “Dimri i ashpër ha dhe stërrallin” etj.

Mete Sinani u martua rreth vitit 1768 me Haxhikë Muçajn nga Mesapliku dhe lindën tre fëmijë: Dudën (1769), Anifenë dhe Bejekon. Mete Sinani, nga gëzimi i lindjes së djalit, bleu në Janinë një djep të punuar me dru lisi nga mjeshtrit përmetarë. Ai djep që përkundi Dudën, përkundi edhe breza të tjerë deri në vitet e Luftës së Dytë Botërore.

Ashtu si bashkëfshatarët e tjerë, edhe Duda u rrit nëpër skërkat dhe pllajat e Lungarës, herë me bashkëmoshatarët e tij e herë në stane pas të atit. Kishte një trup të fortë dhe sa herë rrokej me moshatarët në livadhe, dilte fitimtar. Po djali u rrit dhe, një ditë vjeshte, Metja e mori me vete në vithe të mushkës dhe e zbriti në qytetin e Vlorës. Aty ai kishte një mik, myftiun e qytetit, Haxhi Mehmetin nga fshati Vajzë, i cili e regjistroi djaloshin në mejtep.

Jeta e Dudë Metes në qytetin e Vlorës krijoi hapësira të reja. Mësuesi i tij i mejtepit, Hoxhë Myderrizi, kishte miqësi me mjaft mëmëdhetarë të njohur në Stamboll. Veç letërkëmbimeve, merrte prej tyre edhe libra astronomie e mjekësie. Hoxhë Myderrizi ishte i dashur, ai u mësonte fëmijëve gjuhët persisht, turqisht, por edhe greqishten e vjetër. Dy vitet e parë të shkollës Duda, me një zell të madh, nisi të lexonte në kohën e lirë, të shtunave e të dielave, në kopshtin e mejtepit[5] rrëzë Kuzumbabait.

Në vitin 1781, pasi kreu ruzhdien në Janinë, përfundoi shkollën e mesme ushtarake të Artilerisë Bregdetare në Selanik. Janina dhe Selaniku lanë gjurmë të thella në jetën e Dudë Sinanit. Stërvitjet ushtarake dhe lundrimet me flotën detare në brigjet e Mesdheut, njohja me ushtarakë të tjerë nga viset shqiptare, si Tetova, Manastiri, Prizreni, Kolonja, Përmeti, Janina, Parga, Korça, Ohri, Dibra, Filati etj, ndikuan në përgatitjen e tij si ushtarak i zoti. Dudë Sinani nisi shërbimin ushtarak në flotën detare turke në Trikalla e më pas në Artë dhe ishujt Jonianë.

Dudë Sinani – nëpër dallgët e mëdha të jetës

 

Dudë Sinani kishte gati pesë vjet pa e parë vendlindjen, Gumenicën. Rropatjet e tij për shkollimin ushtarak në Selanik, stërvitjet ushtarake detare në Bosfor e Mesdhe e kishin vënë në mendime të thella për nënën dhe motrat, për bashkëfshatarët dhe hallet e tyre të rënda.

Në vendlindje ndenji vetëm një muaj, tërë prillin e vitit 1787. Babai i tij, Metja ishte plakur e ligështuar nga hallet e jetës. Dy-tre vjet më parë, në vjeshtë, një rrufe kishte goditur stanin e tij në malet e Lungarës dhe ai ishte plagosur rëndë. Kthimin e të birit në vendlindje e priti me gëzim e hare. Ftoi miqtë e të afërmit dhe bëri “davet”, darkë, duke i uruar një jetë të mbarë ushtarake. Ato kohë Dudë Sinani u martua me Ervehenë dhe lindi një djalë, Aliun, si dhe dy vajza, Mexhiten dhe Hënën. Babai i Ervehesë, Musai,ishte i biri i Cane Miftar Smokthinës, edhe ky një luftëtar trim në ushtrinë e Ali PashëTepelenës. Mete Sinani bëri darkë të madhe për martesën e djalit.

Këtë gëzim drite, i zoti i konakut, Mete Sinani, do ta festonte ashtu siç e donte zakoni dhe siç e meritonte dera e madhe e Dudajve. U mbush oda plot me burra, u therën cjep përçorë duke ua hequr zilet e rënda, u derdh rakia lumë, u thye zia e buçiti kënga, si ajo që i kushtohej Princeshës Rugjinë:

Pllakosi turku në Vlorë,

Ç’bën që rri, Rugjinë e gjorë,

Mblidhi djemtë e bëja forë,

Se do të të hedhin në dorë,

Hamzai me tre taborë…

Historia e Rugjinës, princesha e Vlorës dhe e Kaninës në vitet 1398-1417, pra prej 18 vjetësh pati përballuar sulmearmike nga më të tmerrshmet në afro dy dekada. Forca, guximi dhe heroizmi i asaj qëndrese ekzistonte te lidhja e saj me popullin, Labërinë, Kurveleshin e Sipërm e të Poshtëm, Himarën, Lumin e Vlorës, Bregun e Topalltisë, Mallakastrën e gjetkë.

Deri aty kënga pati transmetuar këtë lëvdatë heroizmash të saj dhe të gumeniciotëve bashkëkohorë, të cilët i patën dalë në krahë kësaj luftëtareje të paepur të familjes së madhe të Gjergj Balshës. Dhe nëçdo davet, gëzim a kuvend përsëritnin krenarisht zotësinë e Rugjinës, së bashku me krerët e Labërisë në organizimin e kuvendit të madh të Gumenicës, pranë Rrapit, në verën e vitit 1417, ku, qysh asaj kohe, i blatuan edhe emrin “Rrapi i Rugjinës”.

Del e ik, moj Rugjinë,

Se do të bëhesh robinë:

-Vendi të vithiset,

Bota të përmbyset,

Rugjina nuk zihet,

Nga muret do hidhet,

Poshtë në greminë,

Gjaku ta mbulojë,

Nderin ta shpëtojë,

Arbërinë ta nderojë…

Kënga ndërpritej, ndofta i jepte krah përfytyrimit të aktit madhor të saj në mbrojtjen e kështjellës së pathyeshme të Kaninës,ndaj dhe burrat, pas kaq vitesh, buçitnin si të ishin ata luftëtarët krah Rugjinës, ashtu siç kishin qenë edhe stërgjyshërit e tyre, Pirro Duka dhe Dedë Ndreu.

Në vitin 1787 plasi Lufta Ruso – Turke dhe Ali PashëTepelena u nis për në frontin e luftimeve me 3000 ushtarë, ku tregoi trimëri të rrallë. Në këto beteja Ali Pashë Tepelena u njoh edhe me tre ushtarakët nga Labëria: Dudë Meten, Çobo Demirin dhe Nexhat Nivicën. Me kthimin nga fronti i luftës, Porta e Lartë dhe sulltani e emëruan Ali Pashë Tepelenën në postin e mytesarifit të sanxhakut të Janinës.[6] Në këto kushte të marrëdhënieve të Portës së Lartë me Ali Pashë Tepelenën edhe Dudë Sinani me disa ushtarakë të tjerë iu përgjigjën ftesës së tij për të shërbyer në sanxhakun e Janinës.

Trazirat e mëdha në Europë u nxitën edhe nga projekti ruso-austriak për krijimin e Greqisë së madhe me qendër në Stamboll, çka ishte një kërcënim serioz për sanxhakun e Janinës dhe viset jugore të Shqipërisë.