Prof. Dr. Anastas Angjeli: Paraja, sistemet monetare, Banka dhe Shoqëria

828
Sigal

“Paraja, bankat dhe shoqëria” – Promovohet libri i autorëve Prof. Anastas Angjeli dhe Prof. Dr. Aristotel Pano

U promovua në ambientet e Bankës së Shqipërisë libri “Paraja, Sistemet Monetare, Banka dhe Shoqëria” me bashkautorë Prof. Dr, Aristotel Pano dhe Akademik, Prof. Dr, Anastas Angjeli. Një libër që nga vetë tematika që rrok, përcjell një mesazh historik dhe shumë aktual: Rolin që sistemet monetare kanë luajtur në zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendeve, në stabilitetin e tyre. “Ndaj zbatimi me konsekuence i sistemit tonë monetar, bankar, qëndrueshmërisë dhe stabilitetit monetar e fiskal, edhe në kushtet e tronditjeve politike, janë të domosdoshme të jetë në vëmendje të të gjithëve”, kështu u shpreh në promovimin e librit, të Prof Dr. Anastas Angjeli. Akademiku Muzafer Korkuti, e cilësoi botimin si një enciklopedi të vërtetë dhe të thelluar dhe një kontribut të ri shkencor. “Ky botim është vlerë edhe për faktin e thjeshtë se pasi e lexon njihesh me historinë 13-vjeçare të parasë e bankave. Lind natyrisht edhe pyetja për këdo që e lexon: Si do të jetë ecuria e parasë dhe e bankave? Kështu, në historinë e lindjes së monedhës, parasë të bankave ky botim, për mendimin tim, i zgjeruar është një kontribut i ri shkencor”, u shpreh Akademiku Korkuti. Ndërsa për Guvernatorin Gent Sejko, ky botim vjen në një moment të rëndësishëm për ekonominë. “Ky libër vjen në një moment të veçantë dhe të rëndësishëm. Ekonomia e financat ndjejnë nevojën për një analizë dhe reflektim të thellë si në aspektin praktik, ashtu edhe në atë filozofik”, u shpreh Guvernatori. Ky libër është një udhëtimi historik në sistemet monetare në 3000 vjet. Libri vjen si një enciklopedi, ku është trajtuar shtrirja në kohë dhe hapësirë e parasë, sistemeve monetare, autoriteteve ndërkombëtare dhe globale. Është përdorur një gjuhë qartë dhe e kuptueshme. Libri ndalet dhe trajton me qartësi momentin e lindjes së parasë. Ai e vendos paranë, sistemin monetar dhe atë financiar në piedestalin e arritjeve, si një nga shpikjet më të mëdha të njerëzimit. Për më tepër libri “Paraja, banka dhe shoqëria”, është i mbushur me fakte dhe histori interesante dhe i ilustruar me imazhe të zgjedhura me kujdes. Libri është i ndarë në 9 kapituj dhe çdo kapitull në përputhje me përmbajtjen është ndarë në çështjet përkatëse, të cilat ndihmojnë në shtjellimin e trajtimin logjik dhe harmonik historiko shkencor të veprës në tërësi. Libri është ndërtuar mbi një strukturë të saktë e të logjikshme. Prandaj “udhëtimi” në faqet dhe rreshtat e tij, është sa i veçantë dhe tërheqës, aq dhe interesant sa kushdo do ta lexonte.

 

Paraja. Sistemet monetare. Banka dhe shoqëria

Prof. Anastas ANGJELI

 

Të nderuar pjesëmarrës, të dashur lexues, padyshim që ky libër, nga vete tematika që rrok, titulli i tij, brendia, përcjell një mesazh historik dhe shumë aktual për sot, rolin që sistemet monetare kanë luajtur në zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendeve, në stabilitetin e tyre,, prandaj zbatimi me konsekuence i sistemit tonë monetar, i qëndrueshmërisë, stabilitetit, monetare e fiskale, edhe në kushtet e tronditjeve politike, është e domosdoshme të jetë në vëmendje të të gjithëve

 

Përshëndetje të gjithëve!

Shumë faleminderit që merrni pjesë në këtë event – përurimi të këtij libri, botim i përbashkët i Universitetit Mesdhetar i Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Padyshim, që nuk është rastësi që përurimi i këtij libri bëhet në ambientet e Bankës së Shqipërisë. Banka ka hapur sot dyert për librin, edhe pse në labirintet e punës se vet, si një nga institucionet me prestigjioze të vendit, që aplikon standardet më të larta dhe harmonizon mendimin teorik të politikave monetare bashkëkohore, me veprimtarinë konkrete të sistemit tonë monetar e bankar, duke shpresuar gjithashtu, se dhe ky botim ofrohet me kontributin e vet modest në fushën e monedhës, bankave dhe sistemeve monetare.

Kështu, një falënderim vjen për Guvernatorin Sejko, dhe institucionin që ai drejton, për këtë mundësi të përbashkët organizimi.

Prandaj, jashtë këtij falënderimi nuk mund të mbeten dhe ata që mundësuan botimin e këtij libri, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë (UMSH-Pres) dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Shtypshkronjën “Kristalin”.

Natyrisht gjithkush mund të pyesë:

Si erdhi ky libër? Pse? Çfarë synon dhe sjell për lexuesin?

Që në fillim dua të them se ideja dhe merita kryesore e realizimit të këtij punimi të përbashkët, i takon Profesorit tonë të dashur dhe të nderuar, korifeut të mendimit ekonomik të vendit tonë, Aristotel Pano. Kësisoj, më takon mua të parit që ta falënderoj profesorin, që ideoi realizimin e këtij punimi dhe na nderon sot që ndodhet këtu.

Zanafilla e këtij libri, siç e theksova pak më sipër, është thuajse 10-të vjet më par, me fillimin e një pune paraprake për grumbullimin e literaturës dhe materialeve, bazuar në studimet dhe enciklopeditë më prestigjioze në fushën e parasë dhe të bankave të botuara nga historianët, arkeologët, numizmatistët dhe ekonomistët perëndimorë, dhe unë jam i nderuar që pranova ftesën e profesorit në këta bashkëpunim, në këtë botim në dy vëllime.

Ky libër është një rrugëtim, në rrugën gati 3000 vjeçare të sistemeve monetare dhe bankare

Do ta perifrazoja pak shkurt një histori botërore, “paraja nga gishtat te gishtat”, e në mes ka një histori mijëvjeçare dhe një libër me dy vëllime nga dy studiues.

Paraja si forme shkëmbimi lindi si domosdoshmëri duke mos gjetur zgjidhje me këmbimet me gishta dhe me klering dhe po sot “paraja” “Përpiqet të arratiset” nga qarkullimi për t’u kthyer në “para touch” pra duke u përpjekur për të humbur konceptin historik të saj, si objekt dhe transformuar në “digital currency”, edhe pse funksionet klasike të saj, e lëna përsëri para.

Një rrugëtim i gjatë, i vështirë, por që ka veçantinë e vet. Një rrugëtim në kohë dhe në territor, në tregje dhe institucione, vazhdimisht në evoluim, paralelisht me zhvillimin e shoqërisë dhe kalimin nga një sistem shoqëror në tjetrin dhe deri hulumtimin e mendimit dhe debatit të mendimit ekonomik, lidhur me paranë dhe bankat, sistemet monetare, evoluimin e tyre.

Ky rrugëtim nuk mund të mos vinte përballë dhe harmonizonte mendimin e shumicës së autorëve, të cilët kanë pranuar idenë, se lindja dhe zhvillimi i sistemeve monetare dhe bankare kanë qenë pasojë e natyrshme e niveleve të zhvillimit të marrëdhënieve mall-para, duke filluar nga shkëmbimet në natyrë, në prodhimin e thjeshtë të mallrave, e pastaj në nivele më të larta, drejt sistemit të sotëm modern kapitalist e deri në globalizëm, shoqëruar me funksionet dhe karakteristikat kryesore të parasë, duke nënvizuar se të dhënat e zbulimeve arkeologjike të rajonit të Mesopotamisë e të Babilonisë, tregojnë se pa ekzistuar akoma emri “Bankë”, tempujt e asaj në periudhe të lashtë zhvillonin veprimtarin bankare të pranimit të tërheqjes depozitave të produkteve të veçanta, të shlyerjes së detyrimeve, e pagimit të tatimeve nëpërmjet regjistrimit të xhirimeve në sasi produktesh natyrale me numra të shkruara mbi pllaka.

Libri shuan kërshërinë e çdo lexuesi, se cilat kanë qenë llojet e para të parave dhe çfarë po ndodh sot. Një rrugëtim që fillon me “paranë primitive”, që i gjejmë në të gjitha rajonet e Botës, në Afrikë, në Azi, në Evropë, Amerikë dhe Oqeani, duke manifestuar një sërë karakteristikash e funksionesh të përbashkëta, duke mbërritur në periudhën e fundit të tyre, përdorimit të metaleve të çmuara, si peshë pa u monetarizuar akoma dhe kalimin në lindjen e monedhës të standardizuar dhe e sistemit të parë monetar në botë.

E pra, kush ka vizituar Efesin në Turqi, nuk mund të mos e lidhi vizitën me faktin se përmes interpretimit shkencor të monedhave “electrum” të gjetura në Tempullin e Artemisit, në këtë qytet madhështor të lashtësisë, ekspertë të Numizmatikës kanë vendosur dhe deklaruar se monedha e parë metalike në Botë u pre në vitet 640-630 para erës, në Lydia të Azisë së Vogël (ishte një monedhë electrum me përzierje ari e argjendi) me peshë 4.71 gram.

Monedha, paraja, patën një rrugëtim të gjatë deri në krijimin e bankës së parë në periudhën e mesjetës, që ishte Banka e Tempullarëve u krijua në kohën e kryqëzatave për të shpëtuar pelegrinët nga grabitësit. Një nga zbulimet më të mëdha të kësaj banke ndërkombëtare (të falimentuar me dhunë në vitin 1307) ishte krijimi i dëftesave monetare bankare të formës IOU (I Owe You=ju detyrohem).

Rrjeti i dytë i bankave mesjetare u krijua nga këmbyesit hebre, që feja katolike nuk mund t’i pengonte të merrnin interes dhe për ketë krijuan bankat e kreditit Lombard. (Më të rëndësishme kanë qenë bankat private të krijuara nga tregtarët Italianë, që nuhatën se fitimet nga tregtia e monedhave ishin shumë më të mëdha se ato të tregtisë së mallrave. Më e famshmja prej tyre, ishte ajo e familjes Medici nga Firencja, që u bë kapitalisti më i madh i Evropës mesjetare, i cila kreditoi edhe luftërat 100-vjeçare të mbretërve të Anglisë e të Francës.)

Pas zbulimit te Amerikës, zhvillimeve në Holandë e Suedi, veprimtarisë së bankës publike të Amsterdamit (1609-1814), krijimit të Bankës Qendrore të Holandës dhe futjen në qarkullim të Goldenit, që u konsiderua si një inovacion, procesi historik i zhvillimit të sistemit bankar e monetar u vazhdua nga Banka e këmbimeve të Suedisë dhe, së fundi, nga Banka e Anglisë. Kjo shënoi kalimin në një hap tjetër të sistemeve bankare, në atë të zhvillimit të Bankave Qendrore dhe Bankënotave të konvertueshme, bazuar në eksperiencën e bankës qendrore të Suedisë dhe të Amsterdamit.

Këtu zë fill rruga e zhvillimit të ekonomisë kapitaliste dhe sistemi monetar e bankar në Britaninë e Madhe deri në krijimin e Bankës së Anglisë, në 1694, si modelin e Bankës Qendrore të asaj periudhe. Modeli i Bankës së Anglisë si Bankë Qendrore, u arrit nëpërmjet përgjithësimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të të gjitha inovacioneve monetare e bankare të bëra më parë në kontinentin Evropian, duke i dhënë një impuls të fuqishëm revolucionit industrial. Nuk është rastësi që sipas modelit të saj u themeluan:

Në vitin 1695 Banka e Skocisë,

Në 1765 “Kongliche Giro und Lehnbanco” i Berlinit,

Në 1782 “Banco San Calros” i Madridit,

Në vitin 1800 Banka e Francës etj.

Dhe Londra me Citin e saj u shndërrua në qendër financiare të Botës.

Një trajtim i veçante, sidomos pas fundit të shekullit XIX i bëhet sistemit monetar e bankar në Gjermani, Japoni, Francë dhe Rusi që trajtohen më vete në ketë punim.

Krijimi i sistemit monetar të standardit të arit dhe bashkimet e para monetare vepruan kështu, nga fundi i shekullit XIX deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore të shekullin XX.

Rrugëtimi nuk ndalet edhe me Zhvillimet e sistemeve monetare dhe bankare në kohën e fillimit të Globalizimit të Ekonomisë Botërore, pas mesit të shekullit XIX e deri ne kohen e sotme.

Siç dihet, masat e vendosura nga konferenca e OKB e vitit 1944 në Breton Woods të SHBA për krijimin e sistemit monetar ndërkombëtar dhe të institucioneve të tij pas Luftës së Dytë Botërore FMN, BB, GATT, COBT e vendosen paranë në një dimension te ri duke kërkuar sisteme të hapura dhe ekonomi ndërvepruese deri ne lindjen e monedhës së re Euro, si monedhë e bashkimit më të fuqishëm ekonomik të botës së sotme në BE, së bashku me Bankën Qendrore Evropiane, si dhe me problemet e tyre të shumta.

Në përfundim siç e ceka dhe ne fillim, paraje sot po njeh një dimension te ri tërësisht të ndryshëm nga ai tradicional, por jo të panjohur dhe të pa menaxhueshëm ‘digital currency’ nga një ‘transaksion i ndrojtur’ po kërkon të fitojë terren përherë dhe me shume duke përfshire jo vetëm individë dhe grupe financiare, por duke qene agresiv në një treg global për të kërkuar të zërë vend dhe pse jo te drejtojë ritmin e parasë ne ‘cripto currency’.

Mbetet për t’u parë nëse ky krijim i vitit 1983 do të jetë e ardhmja e parasë dhe baza e transaksioneve në ta ardhmen.

E rëndësishme është që në një formë apo në një tjetër sistemet do të arrijnë të krijojnë paranë e tyre prej guri apo kriptografike për t’i bërë ato funksionale.

Të nderuar pjesëmarrës, të dashur lexues, padyshim që ky libër, nga vete tematika që rok, titulli i tij, brendia, përcjell një mesazh historik dhe shumë aktual për sot, rolin që sistemet monetare kanë luajtur në zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendeve, në stabilitetin e tyre,, prandaj zbatimi me konsekuence i sistemit tonë monetar, i qëndrueshmërisë, stabilitetit, monetare e fiskale, edhe në kushtet e tronditjeve politike, është e domosdoshme të jetë në vëmendje të të gjithëve

Faleminderit të gjithëve!