Prof. Dr. Alqi Naqellari: Shqipëria të shtetëzojë naftën,serën, minierat e bakrit dhe kromit duke marrë shembull nga Kosova

693
Sigal

Kryeministri i Kosovës Zoti Ramush Haradinaj në facebook shkruan: “Trepça” tash do të jetë shoqëri aksionare, ku 80 për qind e aksioneve do të jenë të Qeverisë së Kosovës dhe 20 për qind do t’u përkasin punonjësve të “Trepçës”. Ministri i MZHE-së, Valdrin Lluka ka thënë, se Trepça është regjistruar si shoqëri aksionare. Këtë e ka bërë përmes një postimi në Facebook: “Moment historik! Trepça regjistrohet si shoqëri aksionare. Të dashur minatorë e qytetarë, sapo u regjistrua Trepça si shoqëri aksionare! Tashmë edhe zyrtarisht punëtorët e kësaj ndërmarrje janë pronarë të këtij gjiganti metalurgjik. Urime! Kalimi në duart e popullit i gjigantit metalurgjik, direkt dhe indirekt nëpërmjet qeverisë u arrit pas shumë vitesh dhe pas shumë përpjekjesh të qeverisë dhe të shtetit të Kosovës. Që në vitin 2016 Parlamenti Kosovës kishte miratuar ligjin. Në ligjin “Për Trepçën”, Nr. 05/L -120 8 tetor 2016, në nenin 5 thuhet: “Resurset Minerale, bartja e pasurisë, të drejtave dhe burimeve njerëzore 1. Resurset Minerale janë pronë e Republikës së Kosovës”. Tashmë kjo u bë realitet. Kalimi në duart e popullit e gjigantit industrial ballkanik Kompleksit të Trepçës, pas krijimit të FSK-së është lajmi i dytë i madh i Qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj. Kalimi në Shoqëri aksionere, në duart e qeverisë së Kosovës dhe të punëtorëve, i Kombinatit të Trepçës është vazhdim i plotësimit të pavarësisë së Kosovës në fushën ekonomike. Pas shpalljes së pavarësisë, pas krijimit të FSK, pas kalimit në duart e popullit të asetit më të vlefshëm të pasurive të parikuperueshme të Kosovës, gjigantit të Trepçës mund të themi se Kosova ka të drejtë të krenohet se po merr fatet e popullit të saj në duart e veta. Kjo është realizuar në saj të mbështetjes së pa kursyer të aleates, strategjike të saj, SHBA-së, përcaktueses së krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës.

Trepça është konsideruar si një ndërmarrje me rëndësi të veçantë, jetike për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik. Për Trepçën Qeveria e Kosovës nuk i është nënshtruar asnjë presioni të jashtëm apo të brendshëm, të ardhur nga Serbia apo nga Bashkimi Evropian, siç qe rasti i Koçijançiç që kërkoi që Trepçja të përfshihej në agjendën e bisedimeve Kosovë-Serbi. Nuk ka pranuar asnjë lloj diskutimi sepse shqiptarët nën drejtimin dhe qeverisjen e Kryeministrit Haradinaj bën një vlerësim dhe mbrojtje të shkëlqyer të interesave të popullit të Kosovës. Ata e vlerësuan pasurinë e parikuperueshme, gjigantin industrial të Trepçës si pasuri të popullit dhe jo si pronë të tyre për t’ua dhënë të huajve në formën e koncesioneve, apo në formën e PPP-ve. Një veprim i tillë i hap rrugën krijimit të një sistemi të ri Ekonomik në Kosovë, i cili do ta bëjë Kosovën, nëse do vazhdohet kështu, një shtet të fuqishëm në Ballkan, prej të cilit duhet të marrë shembull Shqipëria. Shtetëzimi i pasurive të paluajtshme është shprehje e mbrojtjes së plotë të interesave të popullit, e mbrojtjes së interesave të kombit shqiptar. Ramush Haradinaj dhe Kuvendi Kosovës nuk kanë mbrojtur thjesht interesat e popullit që ndodhet në territorin e Kosovës, por kanë mbrojtur krejt interesat e popullit shqiptar kudo që ndodhet, në çdo vend të botës, kanë mbrojtur interesat e popullsisë serbe të Kosovës, të popullsisë turke apo të krejt pakicave që janë shtetas të saj. Tash është detyrë e tyre, detyrë e punonjësve dhe drejtuesve të Minierave dhe Kombinateve që të forcojnë unitetin mes tyre, shqiptarë dhe serbë dhe t’i përvishen punës për t’i kthyer Trepçës lavdinë e dikurshme, për ta bërë atë popull të mos i mbajë sytë jashtë Kosovës, nga ndonjë ndihmë apo lëmoshë, por ta shikojë të ardhmen e saj aty, ku ka burimet që i ka falur zoti. Mitrovicës, dhe vetë Kosovës i ka rënë bingoja, falë largpamësisë së Haradinajt. Për këtë ngjarje të veçantë duhet të festojë gjithë populli i Mitrovicës, si një trup i vetëm, ata do të jenë pronarë të Minierave, Uzinave dhe Fabrikave të tyre, nuk do vijnë nga jashtë, biznesmenët që të shfrytëzojnë këto pasuri, të pamatshme, të pafundme, dhe në fund t’iu lënë varfërinë ashtu siç po ndodh me naftën në Shqipëri.

Do t’i uroja Kosovës të aplikojë një Sistem të Ri Ekonomik, një Sistem Hibrid ku të bashkëjetojnë prona shtetërore mbi sektorët strategjik të ekonomisë, mbi pasuritë e parikuperueshme siç janë pasuritë nëntokësore, me pronën private mbi fabrikat dhe uzinat e përpunimit, deri në krijimin e produktit të gatshëm. Do t’i uroja që pronësinë shtetërore ta shtrijë edhe në sistemin bankar e financiar në mënyrë që ekonomia të ketë një forcë mbështetëse reale monetare, dhe jo dështake ashtu si ka ndodhur dhe po ndodh sot në Shqipëri. Eksperienca e një sistemi të tillë është reale dhe aktuale e mishëruar në socializmin e tregut të Vladimir Putinit dhe në socializmin e tregut në kushtet Kineze të Xi Jinpingut. Po përmend vetëm këto dy vende, si shembuj, sepse sot ka shumë shtete të përparuara që kanë sisteme hibride, por që për fat të keq në Shqipëri nuk njihen. Në Shqipëri po të zësh në gojë fjalën kooperativë apo pronë shtetërore menjëherë të etiketojnë “komunist”, “enverist” etj., etj. Në Shqipëri prona shtetërore identifikohet me sistemin socialist, duke harruar që socializmi është një sistem i gjithë, që përfshin të gjitha fushat, të gjithë sistemin e marrëdhënieve dhe jo vetëm sistemin e marrëdhënieve të pronësisë. Ai përfshin të gjitha marrëdhëniet e tjera politike, sociale, juridike që ngrihen mbi marrëdhëniet e pronësisë.

Po çfarë do thotë sistem hibrid?

Sistem hibrid sot do të thotë sukses ekonomik dhe politik. Sistem hibrid do thotë që edhe 10 herë të bëhen zgjedhje në Kinë 10 herë do fitojë Xi Jinpingu, edhe 10 herë të bëhen zgjedhje në Rusi 10 herë do fitojë Vladimir Putini. Përgjigja, pse ndodh kështu, konsiston pikërisht në Sistemin Ekonomik Miks që aplikohet prej tyre. Sot në Kinë ka një sistem të ekonomisë së tregut ku prona shoqërore bashkëjeton me pronën private. Në Kinë qindra ndërmarrje strategjike, deri te Banka më e madhe Tregtare, janë nga më të mëdhatë dhe më të suksesshmet në botë. Pikërisht këto subjekte të rëndësishme në jetën e ekonomisë kineze janë tërësisht me kapital shtetëror. Kina sot, megjithëse ka kaluar 1.5 miliardë njerëz nuk ka problem papunësinë por ka problem “shpërndarjen e pabarabartë të të ardhurave midis zonave të ndryshme të saj”. Renditet në vendet me ritmin e rritjes ekonomike më të lartë në botë 6.6% (2018), me normë inflacioni të stabilizuar 3%, etj. Rusia po tenton në 7 vendet me GDP-në më të madhe në botë. Putini e ka faktorizuar Rusinë për nga rëndësia ekonomike dhe ushtarake, ajo është një zë i fuqishëm në botën e globalizuar. Putini ka shtetëzuar sektorin e naftës dhe të gazit, duke e bërë këtë degë shumë eficiente dhe ndikuese në ekonominë ruse. Ai goditi korrupsionin duke eliminuar një pjesë të oligarkisë financiare. Arriti rezultate të shkëlqyera në stabilitetin ekonomik, në normën natyrore të papunësisë dhe të inflacionit. Kina dhe Rusia janë vende që duhen marrë si shembull për sistemin pragmatist ekonomik. Ato kanë treguar se çfarë arritje të shkëlqyera mund të realizojë një vend, nëse bashkërendon pronën shoqërore me atë private. Nëse këto vende kanë një të metë të madhe është korrupsioni, por kjo nuk do thotë që korrupsioni nuk ekziston edhe në vende të tjera si Greqia apo Shqipëria që kanë sisteme ekstreme “decentralizimi”. Kina dhe Rusia meritojnë nga një analizë të veçantë për arritjet e tyre ekonomike, që këto rrugë dhe tipare t’i aplikojë edhe shteti shqiptar në të ardhmen e tij. Rusia dhe Kina janë mbështetur në burimet e tyre, në faktorët ekonomikë që u ka falur natyra, nuk e kanë drejtuar ekonominë e tyre drejt turizmit, pavarësisht se janë dy nga perandoritë me resurset më të mëdha turistike në botë. Pikërisht këtë duhet të bëjë edhe Shqipëria. Pse Shqipëria nuk duhet të ndjekë rrugën e turizmit si drejtim kryesor, shembull konkret dështimi është fqinji ynë më i afërt Greqia. Përgjigja e pyetjes, pse Greqia kaloj në 2008 në Depresion, që akoma vazhdon të zgjasë, pavarësisht ndërhyrjeve intensive të BE-së është, pikërisht struktura e degëve të saj, dhe mënyra e qeverisjes. Prodhimi Brendshëm Bruto në Greqi për vitin 2008 ka qenë 241.9 miliardë $ ndërsa në vitin 2017 ka qenë 180.2 miliardë $, të ardhurat nga shërbimet zënë 80% të GDP-së, industria 16% dhe bujqësia 4%. Inflacioni në janarin e 2019-s ka qenë 0.9%, norma e papunësisë 18.5% në 2018-n. Për GDP renditet në vendin e 51-ti në botë. Ka 4.7 milionë të punësuar. Eksportet kanë qenë 33.2 miliardë euro në 2018-n, ndërsa importet 55 miliardë euro. Greqia e ka të mbështetur GDP në regëtinë me shumicë dhe pakicë që zë 25.5%, miniera, energji, avull, ujë, etj., me 15.3%, mbrojtje, siguracione, shëndeti etj., 20%, aktivitete të pasurive të paluajtshme 16%, bujqësi 4.3% etj. Pas depresionit në përqindje ndaj totalit, ranë degët e ndërtimit, turizmit, tregtisë dhe u rritën pasuritë e paluajtshme, bujqësia etj. Rënien më të madhe në përqindje ndaj vitit 2008 në 2018-n e ka pasur ndërtimi me -64%, aktivitete të shërbimeve me -42.3%, aktiviteti tregtisë me -36.6%, komunikacion dhe informacion me -33.4%, financat dhe aktivitetet e sigurimeve me -17.7% etj. Goditjen më të madhe në Greqi e morën sektorët që janë të varur nga bota; si transporti detar dhe turizmi.

-Transporti detar. Greqia (Wikipedia) ka marinën më të madhe tregtare në botë, duke përbërë më shumë se 15% të tonazhit total të ngarkesës së peshës në botë (dwt) sipas Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim. Dwt totale e marinës tregtare greke prej gati 245 milionë eurosh është e krahasueshme vetëm me Japoninë, e cila renditet e dyta me pothuajse 224 milionë euro. Greqia përfaqëson 39.52% të totalit të dwt të Bashkimit Evropian. Greqia renditet e katërta në botë me numrin e anijeve me 3695, prapa Kinës me 5313, Japonisë me 3,991 dhe Gjermanisë me 3,833. Flamuri grek është i përdorur ndërkombëtarisht për transportin, Greqia renditet e dyta në BE. Kompanitë greke kanë 22.6% të cisternave botërore dhe 16.1% të transportuesve kryesorë të botës (në dwt). Transporti tregtar llogaritet rreth 6% e PBB-së greke, punëson rreth 160,000 njerëz ose afërsisht 4% të fuqisë punëtore, dhe përfaqëson 1/3 të deficitit tregtar të vendit.

-Turizmi. Greqia tërheq më shumë se 16 milionë turistë çdo vit, duke kontribuar kështu me 18.2% ndaj PBB-së së vendit (në vitin 2008 sipas një raporti të OECD). Pas viteve 2008 turizmi pësoi një rënie të ndjeshme, deri në vitin 2011. Pas vitit 2011 me politikat e çmimeve të sugjeruara nga qeveria greke, dhe ndryshimeve strukturore filloi rritjen e tij. Kështu në vitin 2018, Greqia tërhoqi rreth 33 milionë vizitorë të huaj dhe të ardhurat nga turizmi u rritën në 16 miliardë euro (18 miliardë dollarë). Ishujt janë karakteristika kryesore e morfologjisë së Greqisë dhe një pjesë integrale e kulturës dhe traditës së vendit. Toka sovrane greke përfshin 6,000 ishuj të shpërndarë në detet e Egjeut dhe Jonit, nga të cilat janë të banuara vetëm 227. Ky është një fenomen i vërtetë unik për kontinentin evropian. Arkipelagu grek ka 7500 km të bregdetit total nga 16000 km të vendit, duke ofruar një peizazh shumë të larmishëm: Plazhe që shtrihen për shumë kilometra, gjiret dhe limanet e strehuara, plazhet me rërë me dunat e rërës, plazhet me guralecë, shpellat bregdetare me shkëmbinj të pjerrët dhe ngjyrë të errët, rëra tipike e tokës vullkanike dhe ligatinave bregdetare. Nuk po përmend këtu resurset arkeologjike. Këto dy degë, transporti detar dhe turizmi, që bazohen pikërisht në stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar ishin degët më të prekura në Greqi që dhanë ndikimin negativ edhe në rënien e degëve të tjera. Nëse Greqia do kishte pasuri nëntokësore nuk do kishte pësuar një rënie të tillë. Ekonomia greke ulet pas çdo lufte, sepse anijet cisterna greke bëhen objekt sulmi, ndërsa turizmi varet nga faktorët e brendshëm dhe të jashtëm, nga qëndrueshmëria politike dhe konkurrenca, bie Evropa bie turizmi grek. Këto faktorë, plus korrupsionin skandaloz grek, kanë bërë që edhe sot Greqia, të vazhdojë të jetë në stanjacion me mbi 18.4% normë papunësie.

Po Shqipëria? A duhet Shqipëria të mbështetet në turizëm?

Me ato që analizova më lart mendimi im është jo. Shqipëria ka vetëm 437 km vijë ujore (316 km vijë bregdetare, 48 km vijë ndarëse përmes lumenjve dhe 73 km përmes liqeneve), ka disa ishuj të vegjël me sipërfaqe më pak se 1 km2, ishullin e Sazanit me 5.7 km2, ishullin e Kunës me 1.4 km2. Sa u përket pikave turistike duke mos përmendur kalatë që vizitohen në një apo dy ditë, nuk shikoj personalisht ndonjë burim tjetër interesant. Në resurset turistike të Shqipërisë ka më shumë Rrepe, burime e shkëmbinj sesa objekte që përbëjnë interes për turistët. Edhe ato stadiume apo rrënoja prehistorike që kemi nuk janë të mirëmbajtura dhe kanë shkuar drejt degradimit. Drejt degradimit, nga mungesa e shpenzimeve për mirëmbajtje po shkojnë edhe objektet e kultit, kishat, xhamitë, teqetë etj., etj. Shqipëria duhet të kthejë kokën nga pasuritë e parikuperueshme, pasuritë mbi e nëntokësore që zoti ia ka falur pa kursim. Duhet të marrë në konsideratë eksperiencën e Kosovës, të Kinës, të Rusisë, të Singaporit etj., në shtetëzimin e pasurive të parikuperueshme. Shqipëria duhet të ketë sektor prioritar industrinë nxjerrëse e përpunuese, bujqësinë si degë mbështetëse pa pretenduar se do rritë punëzënien nëpërmjet bujqësisë siç theksojnë disa që nuk e njohin fare këtë sektor që është më i prapambeturi në Evropë, për sa i përket shkallës së mekanizimit. Kur them bujqësi, nënkuptoj edhe pylltarinë, bimët medicinale, peshkimin etj., që janë sektor që presupozojnë edhe zhvillimin e industrive përkatëse.

Unë jam për zhvillimin, për këtë e kam mbështetur edhe Kryeministrin Rama, edhe PS, për hidrocentralet, termocentralet, për uzinat dhe fabrikat, për landfille dhe inceneratorë, për kulla dhe qiell gërvishtëse dhe nuk jam që shqiptarët të marrin kërrabën dhe të shkojnë çoban për të kullotur dhëntë se mos na ndotet Shqipëria nga tymi dhe pluhuri. Energjia, tymi dhe pluhuri, plehrat dhe mbeturinat janë tregues të zhvillimit ekonomik të një vendi. Kthimi i Shqipërisë në një bujtinë për Evropën, mund të ndodhte vetëm në kohën e Edith Durrhamit, por jo më sot. Lumenjtë e Shqipërisë janë burime energjie dhe jo për të bërë rafting ambasadorët qejflinj të Evropës. Të realizohet një studim kombëtar, duke marrë në konsideratë mendimet e pedagogëve të Universiteteve, të studiuesve të ndryshëm, të Akademisë së Shkencave, ekonomistëve të zakonshëm, të specialistëve të bujqësisë, të inxhinierëve, të kimistëve, fizikanëve etj., etj. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet të bëhet një Program Strategjik në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Asnjë Qeveri, kushdo qoftë në pushtet PS, PD apo LSI nuk mundet të hartojë kurrë asnjë lloj programi kompleks, pa përfshirë të gjithë specialistët pedagogët e universiteteve dhe shkencëtarët pa dallim partiak. Shqipëria është e shqiptarëve, kudo që janë në çdo qoshe të globit dhe jo pronë e Partive Politike.

Të hiqet dorë njëherë e mirë nga lufta e brezave që po vazhdon të thellohet në Shqipëri. Të merret mendimi i personaliteteve të shkencës shqiptare, pavarësisht nga mosha e tyre. Prej tyre, kushdoqoftë në pushtet, ka vetëm përfitim dhe asnjëherë humbje.

Të shtetëzohet sektori naftës, serës, minierat e kromit dhe bakrit, të riçelen industritë e përpunimit të tyre. Të kthehen të gjitha në kompani aksionere shtet-punëtorë. Të bëhen këto bazë e zhvillimit të agroindustrisë dhe të hiqet dorë njëherë e mirë nga ideja se Shqipëria mund të bëhet me Turizëm.

A nuk do ishte largpamësi për qeverinë që paratë e Lungomares, dhe ca të tjera mbi to, t’i hidhte për zgjerimin e Portit të Vlorës, ta kthente Portin në një nga portet më të mëdha të Mesdheut, port peshkimi, jahtesh, cisternash ku të ankoroheshin tragete dhe transoqeanikë? Në një kantier të tillë do punësoheshin me mijëra vetë. A nuk do ishte largpamësi për qeverinë që paratë e rrugës Mamurras-Kashar t’i hidhte në dyfishimin e kapacitetit të Armos në Ballsh ku të punësoheshin edhe mijëra vetë të tjerë. Me Armon do vihet në eficensë edhe Gazsjellësi TAP. Me Armon krijohet mundësia e riçeljes së Uzinës së plehrave azotikë në Fier. Dhe kjo vetë është e lidhur me një sërë fabrikash e Uzinash në Vlorë. Kështu fillimi i një vepre do krijojë mundësitë e ndërtimit zinxhir të veprave të tjera. Vetëm në këtë mënyrë nuk do ketë papunësi në Shqipëri.

Po çfarë pasurie nëntokësore dhe çfarë ka prodhuar dikur Shqipëria. Po jap disa shifra, para viteve 1990.

Në vitin 1988 në Shqipëri prodhohej

– 2.1 milionë ton qymyr guri,

– 1.1 milionë ton naftë bruto,

– 232 milionë m3 gaz natyror në 1989,

– 257 mijë ton gasoil,

– 109 mijë ton benzinë,

– 60 mijë ton vajguri,

– 84 mijë ton zhavorr bituminoz,

– 1.1 milion ton mineral kromi,

– 160 mijë ton koncentrat kromi,

– 121 mijë ton koks nafte,

– 1.1 milionë ton mineral bakri,

– 55 mijë ton koncentrat bakri,

– 15 mijë ton bakër blister,

– 12 mijë ton tela bakri,

– 1 milion ton mineral hekuri,

– 97 mijë ton çeliqe të petëzuara,

– 39 mijë ton ferrokrom,

– 96 mijë ton nitrat amoni,

– 165 mijë ton pleh fosfatik,

– 76 mijë ton ure,

– 7 mijë ton letër shtypi,

– 5.3 milionë copë këpucë, çizme 487 mijë palë,

– 5 milionë llamba elektrike etj., etj.

Shikoni se çfarë është prodhuar në Shqipëri. Mendoni sikur sot të kishim këtë prodhim? Ju siguroj që Prodhimi Brendshëm do ishte tre herë më i madh dhe në Shqipëri nuk do kishte asnjë të pa punë.