Prof. Dr. Ago Nezha: Akademik Rexhep Qosja, rilindës i kohës sonë

114

Rexhep Qosja: Vlora është qyteti në të cilin është bërë dhe është ribërë Shqipëria

Akademik Rexhep Qosja, rilindës i kohës sonë

Prof. Dr. Ago Nezha

Me punën dhe talentin e tij ai është bërë protagonist i aristokracisë letrare. Të gjithë erërat dhe korrentet e forta që kanë fryrë nga Veriu dhe nga Jugu, Akademikun Rexhep Qosja nuk e kanë gjunjëzuar dot, sepse ai nuk është një kallam moçalesh, por një lis i madh i rritur në malet e Kosovës që nuk përkulet. Dijetar, mendimtar dhe shkrimtar të përmasave të Profesor Qoses, janë ambasador të fuqishëm që i japin emër, krenari dhe popullaritet Shqipërisë dhe Shqiptarëve kudo që janë dhe e bëjnë të njohur vendin në arenën ndërkombëtare. Duke nderuar dhe respektuar figura madhore si Profesor Rexhep Qosja, ne nderojmë dhe respektojmë Kombin. Kushdo që kërkon të hedhë baltë mbi jetën dhe veprën e njerëzve të shquar, i bën një shërbim të vyer antishqiptarizmës. Më shumë se kushdo tjetër një vend i vogël si ky i yni e ka të nevojshme që figurat e shquara t’i ketë të vendosura në piedestalin e vet. Me veprën dhe kontributin e tij të madhërishëm, me qëndrimin e tij të paepur dhe pa kompromis në të gjitha periudhat historike, duke qenë në shënjestër si askush tjetër, të shovinizmit serb, duke e parë si një rrezik potencial të regjimit obskurantist, ai diti të frymëzojë masat me idetë dhe veprën e tij. Akademiku Rexhep Qosja, pa mëdyshje dhe pa kontestim është “Rilindësi I kohës tonë” Nderi i Kombit dhe i mbarë shqiptarizmës kudo në botë. Është kjo arsyeja që Instituti Albanologjik me rastin e 70 vjetorit të ditëlindjes së tij, organizoi një simpozium shkencor duke shpalosur në harkun e 35 kumtesave, kontributin e tij si gjuhëtar, publicist, kritik, eseist, romancier dhe dramaturg. Referuesit e shumtë ishin nga gjithë trevat shqiptare si Kosova,Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi.

Patriot dhe atdhetar

Profesor Rexhep Qosja nuk është vetëm një personalitet I padiskutueshëm i letrave shqipe, por para së gjithash është një patriot dhe atdhetar i shquar që i ka bërë oponencë pa kompromise sistemit komunist dhe regjimit të Milosheviçit. Ai, ka qenë frymëzuesi dhe përkrahësi pasionant i lëvizjes çlirimtare të UÇK-së, kur shumë intelektualë kosovarë e pseudodemokrat të Shqipërisë, e quanin atë një aventurë dhe aksion të dështuar. Me vizionin e tij largpamës ka parashikuar dhe mbështetur luftën për liri e pavarësi, duke marrë pjesë në moment kritike vendimtare siç ishte marrëveshja e Rambujes. Gjithmonë është gjendur në krahun e njerëzve me idealet për liri e përparim shoqëror. Njeriu studios, me një prodhimtari të pashtershme, ka për idhuj Naimin, Samiun, Fishtën dhe Nolin, portretet e të cilëve i ka të varura në mur në studion e tij, të mbushur me një pasuri të madhe veprash të njerëzve të shquar të letërsisë Shqipe dhe asaj botërore. Është pikërisht Profesor Qosja, që te vepra e tij madhore “Porosia e Madhe”, që i kushtohet Naimit të madh, jep mesazhin e qartë se gjuha shqipe është e unifikuar në Kongresin e Drejtshkrimit dhe duhet të përdoret gjuha e Naimit që është gjithëpërfshirëse për të gjitha trevat shqiptare.”Unë jam Verior nënvizon ai,- por ju them edhe kolegëve të mi që të mos abuzojnë me teori diversioniste të krahinizmave, se një ditë do jemi të palexueshëm për shkak të dialektalizmave”. Në tërë veprimtarinë e tij krijuese, politike dhe patriotike, Profesor Qosja është udhëhequr nga shqiptarizmi. Ai, me jetën dhe veprat e tij, ka qenë dhe do mbetet burim frymëzimi dhe busull orientimi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Kur është fjala për figura të shquara, njerëz të mëdhenj, simbole të Kombit duhen lënë mënjanë mëritë, egoizmi provincial, ambiciet që disa cinikë intelektualë, apo pseudointelektualë, kalojnë deri në baltosje. Kosovarët, që e kanë ndjerë thellë shtypjen dhe persekutimin e regjimit gjenocidist serb, kanë ndjenja të theksuara të patriotizmit. Vlerësimi për figurën e Profesor Qoses u shpreh qartë me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve nga gjithë trevat shqipfolëse në ceremonitë e organizuara për nder të 70 vjetorit të lindjes së tij. Aty erdhën studiues, shkrimtarë, shkencëtarë, deputetë, politikanë të djeshëm dhe të sotëm. Në këto tubime nuk mungoi ish-kryeministri Bajram Kosuni, sot deputet i parlamentit të Kosovës dhe shumë personalitete të jetës politike dhe shoqërore të mbarë trevave Shqipfolëse. Edhe kryeministri Agim Çeku, duke qenë jashtë shtetit e përshëndeti simpoziumin me një letër urimi, duke e nxjerrë në pah vlerat dhe kontributin e pamat të Prof. Qoses. Në takimet e lira gjatë pushimeve të seancave, me njerëz të letrave si Idriz Ajeti, Agim Vinca, Kadrush Radogoshi, ky i fundit nënkryetar i lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, profesor Isak Shema dhe Berat Luzha deputet i Kuvendit të Kosovës, e të tjerë, gjatë bisedave nuk e kursejnë dashurinë dhe nostalgjinë për vendin amë siç e quajnë ata. Patriotizmin e bashkëbiseduesve, e gjen në çdo qelizë të jetës. Kur i pyet sa fëmijë keni, ata t’i prezantojnë dhe për çudinë tone të gjithë kanë emra shqip. Ndryshe nga ç’ndodh në vendin tone që ka një tendencë për të vënë emra të huaj, jo vetëm fëmijëve të lindur, por edhe objekteve tregtare e sociale. Akademiku Rexhep Qosja, ka pranuar të jetë Kryetar Nderi I Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria” “Nderi i Kombit”, qysh nga themelimi i saj në vitin 1991, duke e vlerësuar atë trevë, etni heroike siç e ka quajtur ai, që “e ka lindur dhe rilindur Shqipërinë” me luftërat dhe qëndresën e saj, kur Kombi ka qenë i rrezikuar.

Mik i madh i Labërisë

Akademiku kosovar Profesor Rexhep Qosja, Rilindës i kohës tonë, gjatë një vizite në trevat e Labërisë, së bashku me bashkëshorten e tij Shpresën, u mrekullua jo vetëm me bukuritë natyrore të kësaj krahine historike e patriotike, por dhe me bukuritë shpirtërore e pritjen madhështore të këtyre njerëzve, e veçanërisht me magjinë e këngës Labe. Ai, u prit me madhështi, me dashuri, me respekt të veçantë, me këngë e me valle, në tërë krahinat e Labërisë, duke filluar nga Tepelena, Gjirokastra, Saranda dhe Vlora. Në përshëndetjen që i bëri Kuvendit të Dytë të Labërisë në Vlorë, më 21 maj të vitit 2001, ai ndër të tjetra theksoi se: “Në të vërtetë Labëria, ashtu siç e përjetova unë, është shqiptaria. Labëria shpirtërore, është Shqipëria natyrore, e kjo do me thënë Shqipëria etnike”. “Vlora theksoi Akademiku Rexhep Qosja, është qyteti në të cilin është bërë dhe është ribërë Shqipëria. Vlora është qyteti ku është ngritur Flamuri i Pavarësisë së Shqipërisë. …Vlora është qyteti prej të cilit, më parë se prej cilitdo qytet tjetër shqiptar e nga cilado tjetër trevë shqiptare, janë dëbuar ata që kanë dashur të pushtojnë Shqipërinë. Vlora, pra, është qyteti që e ka bashkuar, e bashkon dhe do ta mbajë shpirtërisht e moralisht përgjithmonë të bashkuar popullin shqiptar. Dhe kështu, Vlora është bërë qytet mburrjeje, qytet krenarie, qytet simbol, qytet historik i Shqipërisë. Domethënë qytet për lirinë, për pavarësinë dhe demokracinë e Shqipërisë. Këto fjalë margaritar, dalin nga goja e një personaliteti të pakrahasueshëm në hapësirën shqiptare.

Dhe aty, vazhdon:

“Me këngën labe të djeshme e të sotme, jetojnë shqiptarët e të gjitha trojeve shqiptare. Askund më bukur se me këngën labe, u binda dhe vetë, nuk janë kënduar kosovarët dhe shqiptarët, kudo qofshin ata. Në to, Kosova heroizohet më madhërishëm se në çdo këngë tjetër popullore të krijuar në trevat shqiptare. Kënga e labërishtes është shembulli më i ndritshëm i vetëdijes së pandarë. I vetëdijes gjithëkombëtare shqiptare. Dhe kjo është e kuptueshme. Ajo është këngë e fuqisë morale, shpirtërore të Labërisë, e cila tash njëqind vjet është faktor kryesor kombëtar, që e lëviz historinë shqiptare të Labërisë, që është bërë thelbi shqiptar”. Këto citime, s’kanë nevojë për interpretime e as komente, se do ju prishej bukuria e fjalës së mençur të këtij gjeniu të popullit tonë. Të thëna kaq bukur, s’janë përshkruar e përkufizuar, nga asnjë studiues e specialist i folkut shqiptar. Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”“Nderi i Kombit”,ndihet krenar dhe e privilegjuar që ka për “Kryetar Nderi”, një dijetar të shquar, personalitet të përmasave mbarë kombëtare, si Akademikun kosovar Prof. Dr. Rexhep Qosen. Akademiku, Profesor Rexhep Qosja, nuk ka bërë kurrë kompromis për interesa personale edhe kur është nderuar apo shpërblyer nga pushteti që ka abuzuar dhe spekuluar në kurriz të popullit të vet. Qëndrimi patriotik, me ndjenja të thella kombëtare, ka qenë vija permanente, lineare, gjatë gjithë jetës së tij, që u reflektua edhe një herë dukshëm te refuzimi që i bëri Dekoratës “Medalja Presidenciale”, që ju akordua në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ky qëndrim fl et edhe një herë qartë se një personalitet me integritet të lartë si Profesor Rexhep Qosja, nuk mund të pranojë të nderohet nga një regjim i korruptuar që siç shprehet Ai: “idealin e lirisë e kanë zëvendësuar me idealin e pasurisë”…