Prof. Bernard Zotaj: Aleatët dhe veteranët në mbrojtje të LANÇ-it

560
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Veteranët në mbrojtje të vlerave

Në kohën e demokracisë po hidhet baltë mbi epopenë më të lavdishme të historisë së popullit shqiptar, LANÇ-in, mbi heronjtë e Luftës, dëshmorët dhe veteranët që bënë këtë luftë. Veçanërisht po hidhet baltë mbi punën gjysmë shekullore që bëri populli shqiptar pa dallim bindjeje për rindërtimin dhe mbrojtjen e vendit tonë të lirë e ta pavarur. I madhi Dritëro ka thënë se “në Shqipëri për fat të keq janë përmbysur heronjtë”. Në ballë të kësaj mbrojtje qëndrojnë veteranët, ata që dje ishin partizanë dhe luftuan kundër pushtuesit nazi-fashist dhe tradhtarëve të vendit, sot janë veteranët dhe pasardhësit e tyre që qëndrojnë fort në këtë të vërtetë të madhe. Por më mirë po flasim me gojën e aleatëve për këtë luftë të madhe që këtë vit festojmë 75-vjetorin e çlirimit të Atdheut. Në vitet e para të Luftës së Dytë Botërore, nuk ishte aspak e sigurt, nëse do të ekzistonte një Shqipëri e pavarur. Hibbert ka shkruar se pika e kthesës ndodhi më 1943-1944, kur lufta partizane e bëri të sigurt se vendi do të ringjallej brenda kufijve të para 1939-s. Përpjekjet e disa pseudo-historianëve dhe politikanëve të sotëm për të mohuar LANÇ-in e popullit shqiptar, vendin dhe nderin në historinë e kombit, natyrën e saj si vazhduese legjitime e idealeve të Rilindësve tanë të mëdhenj, të lëvizjeve të mëparshme atdhetare dhe demokratike, cilitdo qofshin momentet e këtyre akteve i sjellin dëm të madh interesave të kombit tonë. Ndaj veteranët janë ngritur në këmbë në mbrojtje të vlerave që solli LANÇ-i në mbrojtje të integritetit dhe të pavarësisë së vendit prej atyre që bashkëpunuan ngushtësisht me pushtuesit. Organizata e veteranëve është një armatë e madhe, e cila qëndron roje dhe mbron me konsekuencë principet dhe parimet themelore të kësaj lufte, të cilën e radhiti në anën e duhur, duke qëndruar në krah të Aleancës së Madhe Antifashiste.

Nacionalistët i humbën shanset

Në shumë dokumente të botuara nga ish-misionarë të aleatëve gjatë LANÇ-it në Shqipëri, vërtetohet katërçipërisht se pushtuesit nazi-fashistë kishin bashkëpunëtorët e tyre, të cilët tradhtuan popullin dhe me mbarimin e Luftës u larguan bashkë më pushtuesit. Këta “luftëtarë të demokracisë dhe antikomunistë” kanë luftuar kundër pushtuesve fashistë gjatë LANÇ-it?! Në librat “Bijtë e Shqipes”, “Fitorja e Hidhur”, “Shqipëria gjatë Luftës 1939-1945” dhe kujtime të Herman Frank, ish-komandat i batalionit të Divizionit 287 gjerman, i cili veproi në 1943-1944 në Shqipëri, vërtetohet se historia vuri përballë njëra-tjetrës dy forca shoqërore të kundërta brenda kombit shqiptar, forcat patriotike të qytetit dhe të fshatit të udhëhequra PKSH dhe pushtuesit të huaj. Ndërsa klasat e pasura, forcat reaksionare u grumbulluan në dy organizatat “Ballit Kombëtar” dhe “Legalitetit” nga ana tjetër. Lufta e pushtuesve kundër UNÇSH dhe Frontit Nacionalçlirimtar nuk ishte e shkëputur nga përpjekjet e gjithanshme të reaksionit të brendshëm e ta jashtëm për të ruajtur sundimin politik të klasave të pasura në Shqipëri. Prandaj ata u vërsulën me egërsi kundër Frontit Nacionalçlirimtar. Në një raport të Maklinit thuhet se nacionalistët e të gjitha ngjyrave kishin “armikun kryesor Frontin Nacionalçlirimtar”, ndërsa Hibbert thotë se “Nacionalistët i humbën shanset e tyre plotësisht, sepse nuk e ngritën gishtin kundër gjermanëve, mandej as në çastin e fundit, duke i ruajtur forcat vetëm për veprime kundër partizanëve”. Ndërsa nacionalisti Haki Stërmilli ka theksuar se “më duket sikur kemi gënjyer veten dhe mashtrue popullin në marrëveshjen që bëmë në Mukje, se ballistët jo vetëm që nuk duen me luftue kundër okupatorit, por na luftojnë ne sikur të ishim armiqtë e tyre”. Raportet e shumta të misioneve anglo-amerikane për Londrën e Uashingtonin konfirmojnë plotësisht pikëpamjen e Frontit Nacionalçlirimtar dhe të PKSH, se Balli Kombëtar dhe Legaliteti u zhytën në tradhti.

…rrëshqitën gradualisht në kolaboracionizëm

Në kohën e sotme pluralizmi, liria e shtypit dhe e informacionit, ka filluar një kryqëzatë me shumëllojshmëri shpifjesh të ngritur kundër LANÇ-it, duke arritur deri aty sa ta quajnë tani ‘luftë civile’. LANÇ-i nuk ka asnjë element të luftës civile. Faktet flasin ndryshe. Kur guvernatori i Italisë në Shqipëri Jakomoni emëroi kryeministër Maliq Bushatin, një muaj më vonë Ali Këlcyra nënshkroi traktatin Dalmaco-Këlcyra. Në këtë marrëveshje Balli Kombëtar zotohej se do të ndalonte çdo veprim kundër ushtrisë italiane dhe se do ta ndihmonte atë. “Kupi dhe prijësit e veriut, thotë B. Fischer, si dhe Balli Kombëtar rrëshqitën gradualisht në kolaboracionizëm. Kupi, si dhe Bajraktari me shumë gjasa nënshkroi një besë, pakt mossulmimi me gjermanët”…dhe më poshtë thotë se “Balli Kombëtar dhe forcat e tij, të cilat luftonin aktivisht kundër partizanëve, ishin bërë pjesë normale e çdo force gjermane”. Bashkëpunim u duk qartë në operacionet e Dimrit 1943-1944 dhe të Qershorit 1944, ku forcat ballisto-zogiste morën pjesë aktive në luftën për asgjësimin e UNÇSH. Në Qarkoren e Komitetit Drejtues të Ballit Kombëtar Mithat Frashëri urdhëronte formacionet e ballit që “Të mos merret asnjë operacion luftarak kundër gjermanëve”. Fischer do të shkruante se “Kur ofensiva gjermane e Dimrit nisi të jepte shenja suksesi, njësitë e Ballit Kombëtar nisën të merrnin pjesë aktive në të, më se 10.000 nacionalistë ndihmonin gjermanët, të ndarë përafërsisht në pesëmbëdhjetë grupe, prej të cilëve gati gjysma ishin të Ballit Kombëtar”. Gjenerali Devis i dërgonte Londrës se “Situata e zhvilluar kohët e fundit e bënë të ngutshme denoncimin kolektivisht dhe me emra të Këshillit të Regjencës e të Ballit Kombëtar. Të gjithë bashkëpunojnë me gjermanët, të cilët i pajisin me armë dhe i përdorin si roje në rrugët kryesore”.

Aleatët bënë përpjekje…

Fisher theksonte se “Në fillim të korrikut, para formimit të kabinetit Dine, Kupit iu dha mundësia të zhvendoste treqind burra të armatosur përmes Tiranës, me kamionë të dhënë nga qeveria, për t’u hedhur në luftime kundër forcave partizane të kësaj zone”. Qëllimi i vërtet i Kupit ishte, që të qëndronte ushtarakisht pasiv, në mënyrë që këto forca t’i përdorte për të marrë pushtetin pas largimit të gjermanëve, sipas porosisë së padronëve të tij. Por si Kupi dhe Balli Kombëtar ishin zhytur thellë në batakun e tradhtisë, të gjithë ata që bashkëpunuan me fashizmin. Aleatët bënë të gjitha përpjekjet që këto forca “nacionaliste” të hidheshin në luftë kundër pushtuesit, por ato me gjithë premtimet e dhëna, kurrë nuk i shkrehën armët kundër gjermanëve. Kjo duket qartë në raporton e SOE-së drejtuar Uashingtonit ku thuhej se “Kupi ka adaptuar një qëndrim kontradiktor. Ai ka forca të mjaftueshme dhe mjete në dispozicion për të sulmuar partizanët, por në të njëjtën kohë ai njofton se nuk ka armë e municion të sulmojë gjermanët, po të mos furnizohet menjëherë nga Britania”. Lordi anglez Hibbert thotë se “partizanët ishin të vetmit që e vlente t’i mbështesje. Besoj… se po të kisha qenë shqiptar, unë do të isha bërë partizan”. Atëherë përse Balli dhe Legaliteti nuk pranuan të dalin malit për liri bashkë me partizanët kundër pushtuesve, por bashkëpunuan më ta kundër LANÇ-it? Çfarë i shtynte ata? Apo ashtu i kishin marrë direktivat nga padronët e tyre për të zbatuar skenarët e hartuar nga disa qarqe perëndimore për Shqipërinë e pas lufte. Për këtë flasin faktet, si dërgimi i grupeve diversioniste në Shqipëri 1945-1955, për rrëzimin e pushtetit popullor, por që nuk u realizuan dot në saj të vigjilencës së popullit. Ai skenar që nuk u realizua gjatë Luftës së Dytë Botërore, për arsye që tashmë dihen, po bëhen përpjekje sot, të zbatohet në kuadrin e luftës kundër komunizmit, në momentet kur në Shqipëri erdhën në pushtet okupatorët e “ideve demokratike të dhjetorit 1990”, bijtë e nipërit e ballisto-zogistë si bashkëpunëtorë të fashistëve. Si gjithmonë, populli shqiptar në momente të caktuara e delikate për fatet e kombit është treguar i mençur dhe i matur, ka ditur të shmangë momentet fatale, t’u bëjë ballë sfidave të kohës dhe t’u tregojë vendin këtyre renegatëve, ashtu si në 1912, në 1920, në 1944 dhe në 1997 në referendumin mbarë popullor, me votën e tij i tha jo të kaluarës, duke pasur besim vetëm tek e ardhmja, por pa harruar të kaluarën e largët dhe të afërt.