Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Vendim i rëndësishëm historik për UÇK-në

620
Sigal

(Në kuadrin e 20-vjetorit të luftës së Kosovës)

Divizioni i Kukësit mbështetje e sigurt

Vendimi i Qeverisë Shqiptare, më datë 12 tetor 1998 për të venë në dispozicion të NATO-s të gjitha bazat ajrore e detare, si dhe gjithë hapësirën ajrore dhe rrjetin rrugor, ishte një vendim tepër i rëndësishëm historik. Ky vendim, i marrë për Kosovën, e shndërronte Shqipërinë në bazë ushtarake të NATO-s, për një sulm të mundshëm nga toka kundër Serbisë. Ky vendim tepër i guximshëm, që mori qeveria e Kryeministrit të ri, Pandeli Majko, ishte një akt që e angazhonte Shqipërinë drejtpërdrejt në luftë me Serbinë, përkrah NATO-s. Lidhur me këtë vendim, Komandanti Suprem i NATO-s gjenerali Uesli Klark ka shkruar:

Kryeministri i ri, Pandeli Majko, me një anglishte perfekt, miratoi çdo kërkesë:

-A mund të përdornim edhe aeroporte shtesë?

-Natyrisht përdor të gjitha aeroportet.

-A mund të riparonim rrugën për në Kukës?

-Të lutem riparojeni.

-Po rrugën për në Shkup?

-I ke të gjitha rrugët dhe mjetet në dispozicion, merrni çfarë të doni”.

Ushtria Shqiptare në kufijtë verilindor praktikisht u angazhua në luftë të pashpallur me Serbinë. Divizioni i Kukësit gjendej në skalion të parë dhe në drejtimin kryesor të mbrojtjes së Shqipërisë. Ndërkohë, ky divizion u bë mbështetje e sigurt e shpinës së luftëtarëve të UÇK-së. Në territorin ku vepronte divizioni, UÇK-ja kishte bazat kryesore të saj. Fshatrat Padesh, Papaj, Gegaj, Kamenicë, Tropojë e Vjetër, Vlahen, Cahan etj., kanë qenë krejtësisht rajone veprimi e përqendrimi të UÇK-së. Ndërsa qendrat stërvitore në thellësi të zonës së mbrojtjes së Divizionit dhe në thellësinë strategjike të vendit, u përdorën gjerësisht për përgatitje nga luftëtarët e UÇK-së. Tashmë përgatitja e luftëtarëve të lirisë kaloi në një stad më të lartë. Nga përgatitje grupesh të shkëputur u kalua në përgatitje luftarake të formacioneve luftarake bazë reparti e njësie (batalione, brigada). Prej territoreve të divizionit drejtoheshin për në Kosovë luftëtarët e UÇK-së, tashmë të stërvitur, të përgatitur dhe të armatosur prej Shqipërisë.

 

Luftëtarë të “Atlantikut” nga SHBA

 

Në pranverën e vitit 1999, mjaft kuadro të ushtrisë shqiptare morën detyrë të përgatisnin luftëtarët e UÇK-së, që vinin nga Perëndimi. Kuadrot dhe ushtarët shqiptarë e ndien përgjegjësinë dhe u mobilizuan për përgatitjen e kushteve për jetesë dhe stërvitjen e tyre, kur erdhën dhe luftëtarë të “Atlantikut” nga SHBA, por dhe prej vendeve perëndimore, si Kanada, Francë, Gjermani, Zvicër e ngado. Mosha e luftëtarëve varionte nga 15-74 vjeç. Luftëtarët e lirisë kishim një respekt shumë të madh për eprorët e tyre. Kur vinin eprorët në qendrën stërvitore, vazhdimisht ishin të shoqëruar me roje, si në luftë. Luftëtarët e batalionit të “Atlantikut” kishin një vullnet të jashtëzakonshëm për të mësuar për luftën dhe dinamikën e saj. Pasioni më i madh i tyre ishte arma. Gjatë mësimit teorik dhe stërvitjes në terren, si dhe në çdo veprim kishin frymën e kritikës. Batalioni “Atlantiku” u stërvit në Mollas të Burrelit. Për stërvitjen e Batalionit “Atlantik”, angazhuan ushtarakët më të përgatitur dhe atdhetarë të përkushtuar. Stërvitja zhvillohej në kazermat dhe poligonet e njësisë së Burrelit, në një terren mjaft i përshtatshëm. Qyteza e Mollasit dhe poligonet përreth saj, në prill-majin e vitit 1999 ishin mbuluar nga gjelbërimi natyror dhe nga uniformat e kamuflazhit të një ushtrie të madhe. Në Mollas, ishin përqendruar forca të shumta luftëtare, çka i habiti gjeneralët dhe atashetë ushtarakë të vendeve të NATO-s, kur bënë një inspektim në terren. Luftëtarët ishin prej të gjitha moshave, por dominonte mosha e re, shumica deri në 25 vjeç djem dhe vajza. Ishin të gjithë të shëndetshëm, me trupa të hedhur, elegantë, me fytyra të bukura, që ishin rritur midis të gjitha të mirave në vendet perëndimore, që armët i kishin parë vetëm nëpër filma, tani kishin ardhur në Mollas, në këtë vend të fshehtë, për t’u përgatitur për luftë.

Përgjegjësi e ushtarakëve shqiptarë

Për përgatitjen e tyre luftarake u caktuan mbi 40 oficerë shqiptarë shumë të aftë, që iu ishte ngarkuar të zhvillonin stërvitje me luftëtarët e rinj të “Atlantikut”, por dhe kosovarë të ardhur nga Evropa e Kosova. Oficerët shqiptarë e kishin kuptuar detyrën e tyre. Ata, hartuan një program stërvitor tepër të ngjeshur. Për një muaj duhej t’u mësonin luftëtarëve që nuk kishin prekur ndonjëherë pushkë me dorë, të gjitha llojet e armëve të këmbësorisë, si dhe të zhvillonin qitje luftarake. Por edhe më tepër shpirtin e këtyre oficerëve të talentuar, që ishin të zgjedhur me “kokrra”, e prekte fakti se djemtë dhe vajzat që po stërvitnin, do t’i nisnin për luftë. Këta nuk duhej të vriteshin kot. Këta duhej ta vrisnin armikun e të mos vriteshin prej tij. Këtu qëndronte thelbi i misionit të tyre të lartë. Prandaj oficerët e Shqipërisë Mëmë, u kërkonin shumë në stërvitje. Nuk lejonin asnjë gabim në përdorimin e armëve. Nuk falnin asnjë gabim gjatë lëvizjeve në fushën e stërvitjes e poligonet taktike, që e konsideronin si fushë luftimi. Në marrëdhëniet me ushtarakët shqiptarë luftëtarët kishin shuar çdo ndjenjë kundërshtimi. Fjala e tyre ishte ligj. Disiplina e lartë, e ndërgjegjshme, bëri që të zhvilloheshin të gjitha stërvitjet, të gjitha qitjet (3-4) me pushkë, me automatikë, me mitraloz të lehtë e të rëndë, me mitraloz kundërajror 12.7 milimetër, me granatahedhës e me mortajë në mënyrë shembullore. Zhvillonin qitje me rreth dy mijë vetë në ditë dhe asnjë incident nuk ndodhi, në sajë të zbatimit të përpiktë të rregullave të sigurimit teknik.

Shumica e luftëtarëve ishin student

Djemtë e vajzat e Kosovës të ardhur nga Perëndimi si luftëtarë të UÇK-së, jo vetëm morën mësimet e nevojshme për luftë, por dhe lanë tek ushtarakët shqiptarë mirësjellje dhe, veçanërisht disiplinë pune, disiplinë mësimi dhe disiplinë lufte. Shumica e luftëtarëve ishin studentë që kishin ndërprerë studimet dhe me vetëdije të lartë atdhetare e kombëtare kishin ardhur të mësonin e të futeshin në luftë për të çliruar Kosovën. Ata nuk mendonin fare se çdo të thotë të vritesh, të vdesësh, pasi atë e kishin për krenari, sikur shkonin në dasmë. Atyre iu mësonim dhe mortajën 82 mm. Ishin tepër kureshtarë dhe kërkonin të mësonin me hollësi çdo detaj. Kishte dhe luftëtarë që kishin kryer shërbimin ushtarak në ushtrinë jugosllave dhe tregonte se serbi nuk ua mësonte armët shqiptarëve, por i ngarkonte me punë të rëndomta.

Në qendrën stërvitore të UÇK-së në Mollas të Burrelit, u trajnuan për një muaj e ca nga 1.800-2.500 luftëtarë. Ushtarakët shqiptarë hartuam një program stërvitor një mujor të ngjeshur me elementët më të domosdoshëm për t’u përgatitur për luftë. Ai përmbante edhe zhvillimin e dy qitjeve duke pasur parasysh që mbi 90% e luftëtarëve nuk kishin parë armë me sy. Ushtarakët shqiptarë çdo mëngjes herët merrnin togat e tyre dhe fillonin stërvitjen, e cila zgjaste gjatë gjithë ditës. Luftëtarët kishin një nderim të veçantë për oficerët shqiptarë.

Qyteza e Mollasit çdo mëngjes zgjohej me Himnin Kombëtar të Flamurit. Të gjitha forcat rreshtoheshin në sheshin e nisjes për stërvitje. Të gjithë luftëtarët dilnin në rreshtimin ceremonial të ngritjes së Flamurit. Flamuri grihej me komandë dhe të gjithë qëndronin gatitu, si të ngrirë. Himnin e Flamurit e këndonte një togë. Populli i Burrelit u mahnit me disiplinën e kësaj ushtrie dhe me shenjtërinë që ajo tregonte për Flamurin, kryesimbolin e kombit. Repartet e UÇK-së, në Mollas të Burrelit, por edhe ai i Fekenit, treguan se ishin pjesë e një ushtrie të rregullt, e një ushtrie me ideale të shenjta çlirimtare dhe kombëtare. Ato ishin pjesë e një ushtrie me simbole, me flamurin e vet kombëtar.