Prof. As. Dr. Adem Hyseni: Odiseja e “hartës neotektonike të shqipërisë”

435

Nën kujdesin e D. P. të Shërbimit Gjeologjik, u botua këto ditë “Harta Neotektonike e Shqipërisë” në shkallë 1:200.000.  Bëhet fjalë për një  punë shkencore të realizuar më se dy dekada më parë (v. 1993-1995), në kohën kur “vlaga” e të qenit shtet, ishte akoma e ngjizur me vlerësimin ndaj shkencës dhe teknologjisë në vend. U ngrit atë kohë rishtas edhe një institucion i ri, K.Sh.T.-ja (Komiteti i Shkencës dhe Teknologjisë) që për hir të së vërtetës, me të lidhet realizimi i disa projekteve në fusha të ndryshme e midis tyre, edhe projekti që bëjmë fjalë, si pjesë e programit: “GJEOLOGJIA & METALOGJENIA e SHQIPËRISË”. Thënë që në fillim, ky studim disa vjeçar, u vlerësua dhe u mirëprit nga reçenzentët dhe opinioni tekniko-shkencor, si një punë bashkohore dhe që plotësonte një boshllëk të ndjeshëm në fushën e neotektonikës së vendit. Por, Vitet që pasuan, jo vetëm që “shkrinë” edhe vetë këtë institucion koordinues (K.Sh.T.), por ai mori pas vetes edhe institucionet shkencore të mirëfillta që punuan për këtë studim. Fati i keq ndoqi jo vetëm këtë studim, por edhe ndonjë tjetër (Harta Gjeoteknike e Shqipërisë”), të cilat nuk panë dritën e botimit për mjaft vite, edhe se gjatë kësaj kohe janë shfrytëzuar nga kush ka pasur mundësi.Projekti në fjalë nisi si bashkëpunim me universitetin e Selanikut, marrë shkas nga vizita për herë të parë në vendin tonë e një grupi pedagogësh të këtij universiteti Tetorin e v. 1992 dhe lidhjet mes tyre e stafit pedagogjik të Fakultetit të Gjeologjisë, Tiranë. Projekti i bashkëpunimit bilateral mes dy universiteteve i ngjizur nga kjo vizitë, me koordinator A. Hyseni nga pala jonë, u shoqërua me sezone punimesh fushore në të dy vendet, si dhe me artikuj e referime të përbashkëta në aktivitete të ndryshme. Një grup permanent gjeologë gjeofizikë e paleantologë i përbërë nga; Sh. Aliaj, V. Melo, A. Hyseni, J. Skrami, LI. Mehillka, B. Muço, E. Sulstarova, K. Prifti, P. Pashko dhe S. Prillo, nën drejtimin shkencor të Sh. Alija, realizoi punimet në terren, ndoqi fazat përpunuese të materialit dhe përfundoi monografinë voluminoze që shoqëron Hartën Neotektonike të Shqipërisë në shkallë 1:200.000. Në ecuri, në terren apo edhe gjatë përpilimit të hartës, janë aktivizuar edhe mjaft specialist të  tjerë të fushave të ndryshme si; A. Xhomo, Ç. Dyrmishi, D. Shkupi, E. Veizi, K. Jano, A. Mezini etj., ndërsa S. Pavlides dhe D. Sorel, kanë qenë pjesë e grupit në mjaft marshuta në terren.                                  Duhet theksuar fakti që studimi në fjalë, është fryt i një bashkëpunimi mëse tre vjeçar të mirë koordinuar, mes katër institucioneve shkencore të vendit: Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave, Instituti Sizmologjik, Instituti Gjeologjik Tiranë dhe Instituti i Naftës e Gazit, Fier.

Po ç’është kjo hartë neotektonike? Ajo u konceptua si një nevojë imediate në fushën e neotektonikës, në ndihmë të njohjes në gjerësi e thellësi të problemeve të metalogjenisë dhe perspektivës së kërkimeve gjeologjike dhe rrezikut sizmik në vendin tonë. Koha e re Në Periudha gjeologjike e Pliocen-Kuaternarit, është veçuar si periudha neotektonike në Shqipëri që karakterizohet nga ngritje të fuqishme e progresive. Mbi këtë bazë është kryer zonimi neotektonik i vendit (tokë e det), është bërë dallimi i njësive të mëdha neotektonike, duke tipizuar regjimin përkatës tektonik të tyre dhe deformacioneve në kohë. Tipizohen në territorin e vendit tonë me veçoritë përkatëse, katër njësi të mëdha: Njësia e brendshme, e jashtme, Ultësira anësore Pranadriatitke dhe për herë të parë, edhe platforma në hapësirën detare Adriatiko-Jonike. Harta në fjalë, është e para e këtij lloji në vend e kësaj shkalle dhe për vetë karakterin krahinor të saj, bart vlera teorike, praktike dhe metodologjike. Në rrafshin teorik, ajo paraqet larminë e natyrës të strukturës neotektonike të Shqipërisë, regjimin e Përgjegjëse për sforcimet tektonike dhe evolucionin gjeodinamik të ri, nën dritën e  tektonikës së pllakave. Në rrafshin praktik, vlera e saj lidhet me veçimin e territoreve me evolucion të ri Pliocen-Kuaternar, të elementëve strukturorë aktiv gjatë kësaj periudhe dhe me kronologjinë e aktivitetit. Harta është e dobishme për shumë drejtime të kërkimit shkencor në fushën e gjeologjisë, të mjedisit dhe treguese e rrezikut gjeologjik e sizmik të vendit. Në të janë veçuar zonat dhe brezat sizmogjenë të fuqishëm, si elementë praktikë të rëndësishëm, duke pasqyruar edhe epiqendrat e tërmeteve kryesorë historik dhe instrumental me magnitudën përkatëse në disa raste, si dhe mekanizmin e vatrës së tërmeteve. Janë kategorizuar prishjet tektonike të reja dhe të vjetra, elementë morfologjikë kryesorë,  shkëputjet tektonike aktive, tërmetet, rrëshqitjet, etj. vlerësuar si elementë të rrezikut gjeologjik e sizmik. E veçantë në hartë janë dallimi i shumë shkëputje të reja sidomos në gropat e brendshme, tipi i shkëputjeve dhe drejtimi i zhvendosjes së blloqeve.                                                   Me strukturën neotektonike lidhet tërë situacioni aktual i relievit shqiptar, i rrjetit hidrografik, konfiguracioni bregdetar, makro e mikro mjedisi dhe për më tepër, që me shkëmbinjtë molasaike lidhen mjaft vendburime të naftës e gazit në vend, po edhe qymyret, kripërat, shkrifërimet dhe materialet inerte. Sizmiciteti në Shqipëri, është dhënë si dukuri e aktivitetit tektonik të sotëm (pasojë e përplasjes së pllakës “Adria” me strukturën e rrudhosur shqiptare). Trajtohen për herë të parë e në unitet, si rajonet tokësore ashtu edhe ato detare, lidhur me strukturën gjeologjike në hapësirën e shelfit tonë detar. Shënojmë se Harta është lehtësisht e lexueshme përmes ngjyrave dhe shenjave konvencionale që bashkëshoqërojnë atë në shpjeguesin e saj.                                            Materiali i përfunduar përfshin: Harta Neotektonike në 3 plansheta si dhe tekstin prej 497 faqe, ilustruar me mbi 200 grafikë brenda tij. Materiali u depozitua në institucionet shkencore pjesëmarrëse dhe ato financuese, por botimi mbeti në mëshirë të çeljes së fondeve, ndonëse projekti ishte realizuar me një goxha kursim…!! Kolegët nga Selaniku na mundësuan bashkëpunimin me autoritetin hartografik të vendit (IGME Athinë), të cilët na mirëpritën, por si punë e përbashkët, i takonte  edhe palës tonë të kontribuonte diçka, qoftë edhe një shumë simbolike… Koha rrodhi gjatë, po kjo “diçka-ja simbolike” s’u gjet dot…Do ishte “ARMO” në v. 2007 dhe posaçërisht vlerësimi i Hartës nga drejtori i saj, H. Halimi që sponsorizoi digjitalizimin dhe printimin e një kopjeje për këtë institucion sponsorizues. Ishte kjo kopje në CD-në e para dhjet vjetëve e realizuar nga G. Muka, që shërbeu këto ditë si bazë për ripunimin dhe shumëfishimin e Hartës, nën kujdesin dhe përkushtimin e specialistit A. Avxhiu. Me keqardhje, po pjesa më e madhe e grupit kryesor të punës, nuk e priti këtë ditë. Bashkëpunëtorët tanë, akademik, profesorë dhe inxhinierë të nderuar E. Sulstarova, V. Melo, B. Muço, J. Skrami, E. Veizi, B. Sejdini dhe këto ditët e fundit edhe Ll. Mëhillka, jeta i privoi nga kjo kënaqësi, ndonëse ata janë të paharruar për opinionin gjeologjik shqiptar.

Monografija shoqëruese, në kapitujt special të saj (që zënë vendin kryesor në të), analizon radhazi: zonimin neotektonik, strukturën neotektonike, sizmicitetin e vendit dhe evolucionin gjeodinamik me kronologjinë e deformimeve. Ajo mbyllet me rekomandimet përkatëse për të çuar më tej arritjet gjeologjike të kohës dhe shoqërohet me një bibliografi mjaft të pasur. E vonuar, po sidoqoftë ia doli së fundi të dalë në dritë edhe kjo hartë     (e fundit në aktivitetit shkencor-koordinues të KLSH. Teknologjisë), fal edhe vullnetit të mirë dhe vlerësimit nga Sh.Gj.Sh.-ja dhe posaçërisht Falënderojmë drejtorin e saj, Dr. Shkencave gjeologjike Viktor Doda, që ka meritën e “zhvarrosjes” të këtij studimi krahinor. Padyshim, ky institucion posedon edhe të drejtën e pronësisë së Hartës të cilën paraprakisht e ka botuar në rreth 100 kopje.