Prof.Alqi Naqellari/ Poezia Ruse-Sovjetike dhe Shqipëria

145

Të ngatërrosh letërsinë, poezinë me politikën është njësoj si të ngatërrosh një bilbil me një buf

Sot jo rrallë nga individë të caktuar përzihet letërsia me politikën. Të ngatërrosh letërsinë, poezinë me politikën është njësoj si të ngatërrosh një bilbil me një buf. Në këtë shkrim do jap disa konsiderata mbi poezinë ruse-sovjetike dhe ndikimin e saj në letërsinë shqiptare, duke vënë në thonjëza edhe thënie të autorëve të ndryshëm, pa i përmendur ata.

“Poezia është gjuhë e përgjithshme botërore, është si një zog, ajo i shpërfill të gjithë kufijtë.”

“Poezinë përjetësia e ka marrë nën sqetull dhe shpirti i njeriut e kthen atë nga materia e prekshme në materie hyjnore. Kjo është poezia, kur kujton se e prek, ajo të rrëshqet nga duart e mendjes e s’e kap dot as atëherë e as sot dhe as në të ardhmen. Materia hyjnore s’ka kohë e s’ka kufij. Poezia është ajo çka mbetet në duart e çdo shpirti, lumturia e atij që e ka krijuar, e pavdekshme si drita”.

“ Poezia nuk kërkon ndjekës, por kërkon të dashur”.

“Derisa të ketë qoftë edhe një grua të bukur, do të ketë poezi”.

“t’i dua sytë,
kanë thonj të mprehtë,
paqen,
gjer në shpirt ma çjerrin

Kjo është poezia, nuk ka thonj si të maces, si të tigrit, si të gruas që kur të çjerrin të mbushin fytyrën me gjak, poezia ka thonj të brendshëm që nuk të mbushin fytyrën me gjak por të gjakosin dhembjen, të çjerrin shpirtin dhe të shpërfytyrojnë gjer në dhimbje, por edhe që të pasuron, të fisnikëron të kënaq të emocionon…. Kjo është poezia, që e vetme dhe e veshur me mantelin e zërit u bë frymëzim për ushtarët rusë, për ta shpërfillur jetën materiale në Luftën e Dytë Botërore, për t’ju bashkangjitur përjetësisë. Me Bashkimin Sovjetik, ku bënte pjesë edhe Republika Ruse, Shqipëria nga vitet 50-60 njohu marrëdhënie intensive bashkëpunimi në letërsi, art dhe kulturë. Pavarësisht traditës, këto dhjetë vjet bën një epokë, sepse edhe sot arti, kultura, veçanërisht, poezia ruse  vazhdon të ketë ende ndikimin e saj në krijuesit e rinj shqiptarë. Letërsia ruse në gjuhën shqipe ka një traditë mbi njëqindvjeçare. Ajo fillon në vitet e para të shekullit të ri, në 1906 me përkthimin e parë të Fan Nolit nga Tolstoj, kur Shqipëria ishte ende një provincë e prapambetur në Perandorinë Osmane. Kjo nisi fillimisht nga kolonitë shqiptare të Rusisë, të përhapura nga Shën Peterburgu në Odesë dhe nga Irkucku në Vladivostok. Rritje të madhe do të merrte në vitet 50-60, me përkthimin e dhjetëra veprave të autorëve të ndryshëm duke filluar nga poezia, te romani e drama. Poezia ruse, në këtë periudhë kohe, përbënte një model edhe për letërsinë shqiptare të pas luftës, ajo do të mbushte mangësitë që kishte letërsia shqipe në ato vite, e cila ishte ende e papjekur dhe me vlera të diskutueshme. Pas viteve 90 filluan të botoheshin kujtime nga Rusia, por numri i përkthyesve në këtë gjuhë ka rënë, por kjo nuk do thotë se interesi ndaj letërsisë ruse ka rënë. Kujtime ka botuar poeti i njohur dhe përkthyesi D. Agolli me “Shekulli i Argjendtë”, ku përmenden poetët më të mëdhenj të asaj kohe si Konstantin Balmont, Aleksandër Bllok, Marina Cvetajeva, Sergei Esenin, Nikollaj Gumilov, Vladisllav Hodasevic, Vjacesllav Ivanon, Dmitri Kedrin, Osip Mandelshtam, Igor Severjanin,Ana Ahmatova, Eduard Bagricki, Aleksandër Bjelli, Valeri Brjusov, Zinaida Gippius, Viktor Khlebnikov, Vladimir Majakovski, Boris Pasternak, Ilija Selvinski, Fiodor Sollogub etj.  Nuk mund të flas për historinë e kulturës dhe poezisë ruse, sepse do duheshin me mijëra faqe, por po bëj një përshkrim të shkurtër. Zë vendin e parë në botë sa i përket përkthimeve dhe botimeve.

Kultura ruse është nga më të pasurat dhe me ndikim të madh në botë

Në Rusi ekzistojnë 160 grupe etnike që flasin rreth 100 gjuhë të ndryshme. Popullsia më e madhe flet rusisht. Gjuha e dytë më e rëndësishme është tetrian, që flitet nga 5 për qind e popullsisë. Kulmin e saj letërsia ruse e arriti në shekullin e 19-të, kur autorë si Tolstoi, Dostojevski, Pushkini dhe Turgenievi shkruan disa nga librat më influencues në botë. Muzika, baleti, piktura dhe kinemaja janë lëvruar gjithashtu nga artistë të mëdhenj rusë. Ajo mbetet një nga shtyllat e letërsisë botërore, thesaret e së cilës e kanë pasuruar botën shpirtërore të publikut tonë dhe vetë qytetërimin shqiptar. Edhe sot ndihet në teatër, në arsim, në balet, në muzikë, përgjithësisht në art dhe kulturë dora  e kulturës ruse.  …

 

Rusët bazohen në identitetin nacional.

Letrat ruse kanë ruajtur origjinalitetin e tyre kombëtar, aq sa kanë populluar edhe vende të tjera të Evropës. “Letërsia ruse shënoi një kulm me A. S. Pushkinin, i cili i dha poezisë së tij shpirtin e begatë rus, duke krijuar një risi gjuhësore dhe letrare, e cila qe një dukuri e papërsëritshme në pjesën tjetër të kontinentit të vjetër. Një nga figurat më të spikatura të letërsisë ruse ka qenë dhe Brodsky. Brodsky, që u përzu nga Bashkimi Sovjetik shkoi ne SHBA ne vitin 1972; Ai u nderua me çmimin “Nobel” në Letërsi ne vitin 1987 dhe u shpall si poeti i vitit në SHBA për vitin 1991. Letërsia ruse pavarësisht nga ekonomia e tregut, me ndikimet e veta në letërsi,  edhe sot ka krijues të spikatur”. Meritë të veçantë në sjelljen e poezisë ruse-sovjetike në Shqipëri kanë përkthyesit e talentuar shqiptarë, poliglotë, krijues, me ndërgjegje të lartë artistike, njohës të mirë të gjuhës shqipe dhe asaj ruse. Këta përkthyes brilant e përkthyen poezinë ruse jo vetëm nga gjuha ruse, por edhe nga gjuhët e tjera që i njihnin po aq mirë sa shqipen, i përkthyen nga gjermanishtja, frëngjishtja, italishtja etj. Përmendim Fan Noli, Nasho Jorgaqi, Milto S. Gura, Lefter Dilo, Gani Zhundi, Dhimitër Fallo,Tajar Zavalani, Lasgush Poradeci, Kostë Ҫekrezi, Ollga Plumbi, Sejfulla Malëshova, Petraq Kolevica, Drago Siliqi, Jorgo Bllaci, Xhafer Belegu,Vangjush Ziko, Mitrush Kuteli, Sotir Caci, Skënder Luarasi, Vedat Kokona, Petro Zheji, Hamit Kokalari, Dalan dhe Myzejen Shapllo, Afrim Koçi etj.  Lirika ruse u përkthye dhe foli shqip nga përkthimet brilante të poetëve shqiptarë, si  Dh. Qiriazi, D. Agolli, A. Plasari, I. Kadare, V. Kokona, L. Rexhepi, D. Lazri, B. Londo, Q. Sheme, Ll. Siliqi etj. Poetët shqiptarë, që kryen studimet në Rusi, apo përgjithësisht  në lindje, dhe jo vetëm, dallojnë në stilin e tyre të krijimit në raport me poetët më të rinj. Poezia e Qirjazit, Poradecit, Zikos, Agollit, Kadaresë, e Shehut, Dedjas, Siliqit, Musarajit, etj, etj ka tharmin e poezisë ruse. Më të rinjtë janë munduar që me vargjet e tyre t’ju ngjajnë por edhe ta shtyjnë më tej mendimin poetik.  Në këtë mënyrë koha shqiptare solli edhe pena të spikatura si Ruka, Zeqo, Zhupa, Sheme, Vasili, Çulli, Zholi, Habazaj, Shehu etj, solli grupin e femrave poete si Jorganxhi, Sulkuqi, Musta, Çuli, Petro etj. Solli divën e mendimit fluturues poetik Moza Ahmetin, me një kulturë poliedrike, poliglote, të plotësuar, poete me varg origjinal, sa shpërthyese dhe e qetë, sa e egër dhe e butë, sa arrogante aq dhe dinake, që me vargun e saj të zhbiron.

… Rrugëhumbur i bukur qe vazhdon te humbësh,
qe di te sillesh por qe etika s’ta përmbush dot shpirtin.
Jam jotja, me ke, gjithmonë me ke pasur,
mbështetje, fryme, shteg në rruge pa krye,
Por ti s’e kupton, ngaqë je gomar,
dhe ky është shkaku
që unë të dua tmerrësisht.
M.Ahmeti

Ndërsa Sulkuqi duke thyer një tabu:

Mbrëmë fjeta me Poetin

Ju betohem: për qiell e për tokë,

Nëse tradhti ky akt e ka emrin,

Shpirti juaj, shpirtin ma dënoftë…

Në fushën e letërsisë ka sjellë pena me krijime që janë vlerësuar edhe ndërkombëtarisht si Zeqo, Kongoli, Kyçyku, Dones, Meksi etj., etj. Po çfarë i bashkonte poetët rusë. Ideali i tyre për një shoqëri të lirë dhe fakti se të gjithë jetuan në kohën e një sistemi totalitar. Fati i një pjese të tyre ishte i dhimbshëm si kudo në regjimet totalitare. Gjithsesi, letërsia ruse diamante, vendosi perla, vendosi gurë me ngjyrë,  në gjerdanin e poezisë botërore.

          Poezia e fundit e Eseninit titullohet “Lamtumirë, shoku im”.

Lamtumirë, shoku im,
Lamtumirë!
O i dashur, të kam m’u në gji.
Ndarja e caktuar,
Prapë premton takim
U premton njerëzve bashkimin e ri.

Lamtumirë, shok, pa fjalë,
T’hidhura, shtrëngim dore,
Mos e mrrol dhimbshëm ballin,
Mos vajto-
Në këtë jetë të vdesësh nuk
Është gjë e re,
Por, as të jetosh s’është me e
Re, beso.

Një nga poezitë më tipizuese të portretit të Stalinit është shkruar nga Mandelshtem, i cili u internua dhe vdiq në internim.

“Malësori i Kremlinit”

Ne jetojmë pa ndier nën vete atdhenë,
Fjalët tona më larg se tri metra nuk venë.

Ku s’i shkohet në fund ligjërimit,
Vjen në mend malësori i Kremlinit.

Me gishtërinjtë e majme si krimba qilari
Të vërtetë e ka fjalën si topa kandari.

Dhe mustaqja i qesh siç i qesh buburrecit,
Qafe e çizmes si cipë e sedefit.

Qafëhollët drejtues rreth e rrotull i rrinë
Të zbavitet me ta si një mace me minë.

Qajnë e mjaullijnë e kuisin të gjithë,
Veç ai u vërtitet me gisht në turinjtë.

Dhe vendimet gatuan me shkrim e me fjalë:
Njërit plumbin mes syve dhe tjetrit në ballë…

Rusët jo vetëm që kontribuan në formësimin e kulturës shqiptare por  disa prej tyre i thurën poezi këtij vendi të ashpër, të vuajtur e me histori të lashtë, me vajza të bukura e njerëz trima. Majakovski i madh e shikonte Shqipërinë me dhembshuri, e merr si shembull, si një vend që fuqitë e mëdha e përdorin për të kënaqur orekset e tyre. Në poezinë :Përgjigjuni” të Vladimir Majakovskit, të shkruar 102 vjet më parë,  ka tre emra, Shqipëria, Bosfori dhe Mesopotamia, ndërsa përmenden fjalët skllav, çizme, bajonetë, turma, luftë, liri, vigan, zot dhe …para.. A thua Majakovski i Madh i ka vendosur rastësisht këto emra dhe ka zgjedhur rastësisht këtë fjalor, në këtë poezi brilante, që mund të shkruhet si një ese me 10 reshta, ndërsa është copëtuar dhe vargëzuar si një rrëke gurësh që zbret nga mali kur shirat e rëndë të verës derdhin me gjyma zhegun e pa mëshirshëm ngjyrë vdekjeje. Poezia e Majakovskit është sa ushtarake sa marshuese aq dhe e ëmbël, aq ulëritëse dhe aq hakmarrëse. Poezia e Majakovskit është thirrje për liri, është thirrje për drejtësi. Në poezinë “Përgjigjuni” ai iu drejtohet njëkohësisht popujve të botës, qeverive të botës, i drejtohet zotit dhe vetes së tij. Tre pika të nxehta që kanë pasur historikisht problem me fqinjët, tre pika ku janë përplasur interesat e Fuqive të Mëdha dhe që jo në pak raste kanë përfunduar me luftë. Një Shqipëri që nuk është lënë kurë të bëjë shtet, që nuk është lënë kurrë të jetojë e qetë, por gjithnjë të ketë eksode biblike, që prej prehistorisë e deri në ditët tona.

Përgjigjuni

Trumbeta e luftës gjëmon dhe gjëmon.

Në mish të gjallë hekur pë ngulë thërret.

Dhe skllavët  me radhë

nga çdo vend i dërgojnë

e i flakin përmbi bajonetë.

Për shka?

Ja, dridhet toka,

lakuriq

e urije pushtue.

Në një banjë gjaku e lanë njerëzinë

vetëm e vetëm

që dikush,

diku

të majmet me Shqipërinë.

Në mni kapërthye janë turmat njerëzore,

dhe grushtat papra tokën tonë qëllojnë

vetëm e vetëm

që krejt falas

Bosforë

anijet e dikujt të kalojnë.

Botës

së shpejti

s’do i mbesë,jo,biri i pathyem

dhe shpirtin do i zhgulin,

do ja shtypin me shqelma aty

vetëm e vetëm

që dikush

në dorë ta fusi

Mesopotaminë.

Për shka, më trego,

Çizmja

tokën randë po e shqelmon, pushtue nga hataja?

Mbi qiell të betejës mos vallë qëndron

lirija?

zoti?

-Paraja!

Po kur do të ngrihesh, vigan i pamasë,

ti,

që jep jetën që tjerët të rrojnë?

Kur pyetjen në’turinj ti ke me u përplasë:

Për shka luftojmë?

Vladimir Sollouhin.Është një shkrimtar dhe poet rus rus, një përfaqësues i shquar i “prozës së fshatit”.Kjo poezi është shkruar nga V. Sollouhin.(Владимир Алексеевич Соллухин).

          Kruja

Mes ullinjsh në mal shtrihet qyteti,

nji mbas një  ndër shekuj sulmet theu,

Cdo armik këtu vec vdekje gjeti,

ktu leu njai trim Skënderbeu.

 

Rrugëza të ngushta gjarpënore,

hije pemësh, e kudo blerim;

ja fëmijët qeshin ndër oborre,

këmbëzbathë vrapojnë plot me gëzim.

 

E nji grue shtat-hedhun ec ngadalë

dhe mbi krye ajo mban nji shport rrush…

Unë te muret e kalasë jam ndalë,-

Jo, ndër shekuj se dhunoj dot kush!

 

Muret përqafohen nalt me retë,

e, ku jataganat vringëlluen,

ku shqiptar’t luftuen për vdekje a jetë,

në nji hije nji vog’lushe luan,

 

Dyert e kalasë sot le të jenë

krejt të hapuna… Vog’lushe, luej!

Ma anmiku s’ta shuhen dot harenë,

lojnat ma s’t’i shkel dot ҫizmja e huej.

 

Luen vog’lushja, se për të pa frikë

jetën në beteja t’ashpra e dhanë

bijtë e shqiponjave,-kreshnikët

e Skënderit, trimat partizanë.

 

Do të rrojë i lumtun, po, qyteti,

që ndër shekuj sulmet mbarë i theu,

ku përherë avdekjen gjeti,

ku leu trim mbi trima Skënderbeu!

 

Ndër poetët rus që kanë shkelur Shqipërinë dhe i kanë kënduar asaj përmendim Evgeni Jevtushenkon(Евгений Александрович Евтушенко) dhe Adolf Shvedçikov(Adolf  Pavlovich Shvedchikov).

          Jevtushenko.

 

Poeti i mirënjohur Yevtushenko rikrijoi themelet e ngrehinës së pasionit moral të traditës së varrosur të poezisë ruse. Ishte i pari shkrimtar rus që vizitoi Shqipërinë pas rënies së komunizmit, në 1991 dhe që do t’i kushtonte asaj një cikël.Poezia është si një zog, ajo i shpërfill të gjithë kufijtë.

Shqipëri, ç’do bëjmë me lirinë e madhe,
me këtë grua trathtare të ndërgjegjes?
Në qorrsokak të dytë,
me këngën fitimtare,
liria në paliri do na çojë drejt tërheqjes?

Në banja gjaku na argëtuan marrëzisht,
me kapitalizëm po na ndjellin të fortët.
Do ta gënjejnë Rusinë
dhe Shqipërinë sërisht
dhe sërish do të rrjedhin të hidhur lotët?

SHQIPTARKA

Shqiptarkë që të magjeps me bukurinë,
katërmbëdhjetë vjeçe, e zbathur.
The se të quajnë Aksinjë,
“Po Melehovi të është shfaqur?”
“Ende s’e kam, – psherëtive lehtë, –
s’e dua shpellar, e dua poet”.

E rrallë për kohën, s’gjen ngaherë
një vajzkë kështu, e tëra perrí,
që burrin të mos e dojë bankier,
plot me para, por me poezi.

Jeta vetë ecën dhe vonë a herët
do vijnë vajza me intelekt të fortë.
Ato s’do martohen kurrë me skllevër,
Ato s’do marrin tiranë bashkëshortë.

Etje parash e egër do jetë tretur
tek ne, në Rusi, tek ju, në Shqipëri
dhe do ngadhnjejë në shekuj e shekuj
i shenjti mall i madh për poezi.

Dhe poetët-gjeni do të shpërthejnë
mes bunkerësh pa shpirt, të ngrirë
si balle divash të rënë,
nën dhé rroposur, në errësirë,
për të mos u ngritur kurrë më.
Ja u ngritën! Skllevër s’na bën asgjë.(Përktheu V.Zhiti)

Adolf Shvjedçikov. Shvjedçikov ka të botuara mbi 150 kumtesa shkencore dhe mbi 500 poezi në në revista poetike të vendeve të ndryshme. Adolf Shvedçikov mban titullin “Poet i Meritur Ndërkombtar.

SHKODRANËVE GAZMORË TË MËNGJESEVE GAZMORE

I dhashë vetes zemër, s’ka gjë, more djalë
Tëra ç’ke për t’thënë, s’thuhen me dy fjalë

Shokëve të poetit, zemër trëndafilit
Prej larg ia shtrëngoj fort dorën secilit
Gjuh’n e diplomatëve unë s’e kam qejf hiç
A më pranoni vëlla, t’u bëhem, o miq?
Të llafos me ju, të qeshe e të luaj
Në krye të trapezës – veç Fetahu juaj
Në “klubin e natës” në darkë tër çeta
Jo raki me u dehë, por veç barsoleta
Që i tregon bukur mu si padishah
Mjeshtri i lezetit, i madhi Fetah…

Të dashur shqiptarë, shkrimtarë e poetë
Kaq mirë pranë jush, kurrë s’jam ndjerë në jetë
Si zog zemra ime po shkon mbi oqean
Te Tirana e bukur, vëllezërit shkodranë
Zemra e Adolfit, më shpejt se rrufeja
Nesër në mëngjes, është te kafeneja
Të pijnë ç’të duan, vëllaznit, sa të çelë sabahu
Për dollarë – kam unë, sa për lekë – Fetahu
Më mirë po pijmë nga një kafe të fortë
Shpejteshpejt e hamë nga një copë tortë
Mandej ndër vetura shoqëria gazmore
Një vizitë së shtrenjtës, “Rozafës” shekullore
Çfar të shohë atje Shvedçikovi juaj
Si vargan florinjësh në zemër do t’ ruaj.

Kush do poezinë ruse nuk është e thënë të dojë edhe udhëheqësit e saj. Udhëheqësit vdesin harohen, poezia nuk vdes kurrë, ajo është e përjetëshme.