Prof. Agron Fico: Poeti i shquar Shqiptaro-Amerikan, Adnan Mehmeti

932
Sigal

Adnan Mehmeti, poet i shquar shqiptaro-amerikan

 

Adnan Mehmeti është ndofta shkrimtari më i shquar në ditët e sotme në Diasporën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Prof. Dr. Agron F. Fico HC

 

Noli e Konica jetuan dhe krijuan në një hark kohor në shekullin XX, në një kohë që ishte tepër kritike për fatet e kombit, ndërsa poeti Adnan Mehmeti dhe brezi i ri i shkrimtarëve të kësaj Diaspore jeton dhe krijon në epokën digjitale dhe në gjirin e shoqërisë amerikane, shoqëri e një demokracie klasike.

Analiza e krijimtarisë poetike të Adnanit, qoftë edhe në një vështrim tërësor, siç e ka bërë edhe studiuesi kritik Dr. Besim Muhadri në librin “Poezia e Adnan Mehmetit (Vështrim)”, botuar këtë vit nga shtëpia botuese “Bogdani” në Prizren, zbulon dhe tregon tiparet krijuese dhe veçoritë e stilit të poetit Adnan Mehmeti.

Iliriada

Poeti Adnan Mehmeti është poet atdhetar dhe kombëtar. Historia e lashtë dhe e re e kombit shqiptar nuk është i vetmi sfondi historik ku ai krijon mjaft poezi, por edhe mesazhi, edhe bashkëkohorja. Poeti është, si gjithë poetët e talentuar, një hap para kohës. Ai sfidon poetikisht kacafytjet e kolltukofagët e politikës shqiptare, me projektet e tyre për “ndryshim kufijsh”, “korrigjim kufijsh” etj dhe lloj lloj sloganesh për fatet e popullit shqiptar. Adnan Mehmeti jep filozofinë e vet artistike për të tashmen dhe të ardhmen e kombit shqiptar. Poeti Adnan Mehmeti na ka krijuar kombin e vet poetik, që unë do ta quaja ILIRIADË.

Madje na tregon se ky bashkim i shqiptarëve të Iliriadës fillon nga qeliza e shoqërisë, familja. Në këto vegime letrare Adnani na jep, me vargje të thjeshta, por me ritëm të brendshëm, elementet e veçanta të kësaj rrjedhe shoqërore-historike. Ajo fillon, na thotë poeti, në radhë të parë nga dashuria. Malli për vendlindjen. Aty është qeliza e parë, atje lind edhe bashkimi kombëtar, tek Letovica, fshati i lindjes së poetit mërgimtar:

 Letovica ka njëqind shtëpi,

Secila ka nga 100 dashuri.

Shtëpitë si nuse përralle,

Kapur dorë për dore hedhin valle.

(Dr. Besim Muhadri, “Poezia e Adnan Mehmetit, Vështrim”, 2019, f. 142.)

 

I gjithë relievi poetik i vendlindjes së poetit është skalitur me hollësi: shtëpia ku lindi, gjyshja që e përkëdheli, nëna që i këndoi ninullat e para, rrugicat ku luante dhe rrinte me shokët e moshës e gjer te klasa në shkollën ku mësoi abc-në e shqipes:

Pas katërmbëdhjetë viteve,

Hyra në klasën time të parë,

U ula në të njëjtën bankë.

Vështrova me mall

Klasën time të parë,

Ku mësova

Alfabetin me radhë.  (“Klasa ime e parë”, f. 164.)

Poezia e Adnan Mehmetit është poezia e mallit për vendlindje dhe për mërgimin, që të kujton poetin Andon Zako Çajupi, rilindësin e shquar. Edhe Çajupi larg në kurbet kujton fshatin  e lindjes, Sheperin e  Zagorisë, kur shkruan tek poezia“Fshati im”: “Maletë me gurë,/ Fushat me bar shumë,/ Aratë me grurë,/ Më tutje një lumë”, ose te poezia tjetër “Kurbeti” na thotë: “Kurbeti, shokë, kurbeti,/ Kush vate e nukë mbeti…” (Çajupi, Veprat, Tiranë, 1957, redaktuar nga Dhimitër S. Shuteriqi, f. 58 dhe f. 86.)

Çajupi kujtonte edhe furriqet e kotecet e pulave” – më thoshte i nipi, Jani Cali, në kuvertën e vaporit “Vlora”, që kishte qëndruar në portin e Aleksandrisë në Egjypt, në udhëtimin tim për në Kinë. Me “Vlorën” shkoja për në Kinë, ku isha caktuar profesor në Katedrën e Gjuhës Shqipe që pritej të hapej në Pekin në vitet ’60 të shekullit të kaluar.

Adnan Mehmeti është  një poet me ndjeshmëri të thellë kombëtare, në poezinë e tij gjen të ngritur e të stiluar në artin poetik, natyrshëm, personazhe të shquara nga historia jonë kombëtare, që nga mbreti Agron e mbretëresha Teutë,  Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, Bogdani, Ali Pashë Tepelena e gjer te Bajram Curri e Ismail Qemali, Avni Rustemi, Atë Gjergj Fishta, Noli, Faik Konica, Ismail Kadare etj. (Po aty, f. 50.)

Duket qartë se rrënjët e lashtësisë së kombit shqiptar zënë një vend të gjerënë arkivin poetik të poetit Adnan Mehmeti. Shqetësimin e poetit si qytetar, si publicist, për të sotmen dhe të ardhmen e popullit shqiptar, ai e sheh në bashkimin e gjithë shqiptarëve, që padrejtësia dhe arbitrariteti i Fuqive të Mëdha të Evropës i kanë lënë të ndarë dhe të përçarë në pesë shtete të tjera: Çamëria dhe Prishtina, Lugina e Preshevës, Tivari dhe Tetova, që në ditarin poetik të Adnanit janë toka të shenjta të etnosit shqiptar; ato janë si yje në konstelacionin e poetit, në gjirin e Iliriadës. Do të mjaftonin vetëm pakëz shembuj:

 

Çamëri, toka ime,

Ndërgjegjja ime e vrarë!

Çamëri, toka ime,

Shpirt pa qiell dhe varr!

Çamëri, toka ime. (“Çamëri, toka ime”, f. 80.)

Ja dhe një tjetër: “Kalaja dhe deti/ Gjuhën e lashtë flasin…/ Valët dhe shkëmbinjtë/ Në prehër më marrin”. (“Kalaja e Ulqinit”, f. 81.)

 

Një e tretë:

“E kërkova me sy deri te retë

Kosovën.

Diellit ia dhashë amanet”. (Në largim nga aeroporti i Prishtinës”, f. 84.)

 

Kopshti i dashurisë

Adnan Mehmeti është poet lirik, më saktë i lirikës erotike. Filozofia e dashurisë së poetit është e shëndoshë: dashuri e pastër, e sigurt, e qëndrueshme dhe optimiste.

 

Dashuria ime

Është bar i gjelbër,

Mbin aty ku nuk shkel. (“Në kuajt e erës përtej detit”, po aty, f. 69.)

 

Dashuria më e madhe, më e fuqishme për poetin është dashuria për atdheun:“Merreni dashurinë,/ Çojeni përtej detit,/ Për ta murosur në vendlindje./ Nuk do të vonohet shumë për trupin tim”.

Vendlindja përbën atdheun dhe atdheu vendlindjen.

Dashuria më e thellë dhe më e dhimbshme, sipas poetit, është dashuria për nënën:“Nënë Zojë, mos i mbyll sytë,/ vendi yt është në qiell,/ Por dashurinë e lë të gjallë në këtë jetë…”  (“Nëna e poetit”, po aty, f. 90.)

Ndofta krijimet më të bukura, më të ndjeshme, më gjurmëlënëse janë poezitë që i kushtohen Vilmës, asaj tiranase lozonjare, bija e profesorit Seit Tafaj, nga familja e lashtë tiranasa, ardhur 600 vjet më parë nga fshati Shesh, i Ndroqit. Poeti në këtë takim të parë pranë Kullës së Sahatit pret me drithërimë ardhjen e “perëndeshës së bukurisë”, që po vonohet. “Çereku në ora gjashtë,/ Qorton për vonesë./ Takimi i parë./ Dukem si statujë e ngrirë. Ora gjashtë në Sahatkullë,/ Po troket…/ Eja e dashur!/ S’kemi kohë për biletë.” (“Takimi i parë”, po aty, f. 100.)

Dashuria është magji. Ndodh ndonjëherë që edhe njeriu-poet të ngazëllehet nga bukuria e një gruaje, që e shikon ngultas, edhe pa e njohur. Poeti shkruan: “Gruaja që pata përballë/ Më solli trishtim./ E humba, e humba përgjithmonë. Në duar mbaj vetëm një copë letër./ Në vend të emrit,/ Buzëkuqi i saj duket si numër telefoni.” (“Gruaja përballë meje”, po aty, f. 96.)

Për poetin dashuria është frikë dhe tundim, burim i vuajtjeve, frymëzim shprese e jete, e cila troket në ëndrrën e tij: “Dashuria është frikë dhe tundim,/ Si dridhja e zogut pupël artë/ Në duart e fëmijës lazdran”. (“Mallëngjimi i zogjve të luleve”, po aty, f. 102.)

Dashuria është zjarr kujtimesh, ankthesh dhe përbetimesh:

Pas shiut të mbrëmjes

Humbe vathin kujtim nga jot gjyshe.

Por, ne lidhëm dashurinë,

Pas puthjes së parë.

Qortime pate në shtëpi.

S’ka rëndësi.

Ç’është vathi i arit,

Para dashurisë së madhe?! (Po aty, “Vathi”, f. 101.)

 

Poezitë e Adnan Mehmetit nuk janë thjesht poezi, por piktura, janë copëza nga pentagrami i jetës dhe i realitetit historik-kulturor të kombit ilir-arbëresh-shqiptar.

 

Epilog

Prurjet publicistike të shkrimtarit Adnan Mehmeti janë të shumta. Ato shquhen për mendimin kritik të dukurive të ndryshme letrare dhe shoqërore, në to shprehen mendime të ndershme dhe të sinqerta. Mjafton të përmendim kumtesën “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerkanë, aktivitetet dhe krijimtaria” ose esnë tronditëse “Lulëmëngjesi në poezinë shqipe: Poetja amerikane Carrie Hooper” etj.

Monografia e Dr. Besim Muhadrit “Poezia e Adnan Mehmetit (Vështrim)” është një prurje serioze dhe akademike në fushën e historisë dhe kritikës letrare në ditët e sotme, ajo e nderon autorin dhe pasuron bibliotekën shkencore të lexuesit.

Askush nuk mund ta karakterizonte më mirë, më bukur njeriun, poetin dhe publicistin Adnan Mehmeti se sa senatori i gjuhës dhe kulturës shqipe Prof. Peter Prifti, i cili shkruan: “Ai më bën përshtypje shumë të mirë si njeri, si burrë fisnik, i buzëqeshur dhe i dashur. Prandaj, ndihem i privilegjuar që e njoh, jo vetëm si shkrimtar, por edhe si njeri, edhe si mik, madje edhe si atdhetar nga më të mirët”.