Prof. Agron Fico: Një bust mirënjohje nga Shqipëria për Albert Lordin

150

BUSTI I LORDIT I SKULPTORIT KRISTAQ RAMA NË HARVARD


Prof. Dr. Agron F. Fico, H.C.

Albert B. Lord është një ndër dijetarët e shquar të Harvardit, Lordi bashkë me Milman Parry-n themeluan atë që u quajt “Parry-Lord Theory”, që u bë baza e shpjegimit të origjinës dhe natyrës së poemave të Homerit “lliada” dhe “Odiseja”. Vepra kryesore e Lordit është “The Singer of Tales” (1960) në të cilën parashtroi dhe argumentoi teorinë e re të kompozimit, teorinë gojore të letërsisë popullore dhe që u bë e njohur në të gjithë botën shkencore të studimeve folklorike. Në vitet ‘30 të shekullit të kaluar Lordi bashkë me Milman Parry-n mori pjesë në kërkimet dhe regjistrimin e këngëve të epikës legjendare, historike dhe lirike, në popujt e Ballkanit Perëndimor. Më 1937 Albert Lordi bëri një vizitë kërkimore në Shqipërinë e Veriut dhe mblodhi një material të pasosur dhe të panjohur të këngëve popullore e sidomos të këngëve të epikës legjendare shqiptare. (Agron F. Fico, Gazeta “Koha Jonë”, 10 maj 1996). Në qershor 1966 profesor Albert Lordi erdhi në Shqipëri dhe mori pjesë në simpoziumin e Shoqatës së Studimeve të Evropës Juglindore që u mbajt në Tiranë. Gjatë qëndrimit te Lordit në Shqipëri unë isha shoqëruesi dhe përkthyesi i tij. Kumtesa që mbajti në simpozium, në sallën e Rektoratit të Universitetit të Tiranës, intervista me seksionin e jashtëm të “Radio Tiranës” dhe bisedat e përditshme me të ishin një informacion i paçmuar dhe më mësuan për fondin shqiptar të këngëve epike legjendare, që ruhet në Arkivat e Harvardit. Më 2016 botova librin “Zbulimi i Eposit Shqiptar në Harvard – Albert B. Lord” prej 297 faqesh. Në të trajtohet me fakte, argumente, letra origjinale dhe me fotografi, puna ime në Arkivat e Harvardit për të zbuluar fondin shqiptar si dhe flitet për njohjen dhe marrëdhëniet e mia me Lordët, Albert B. Lordin dhe me zonjën Mary Louise Lord, gruaja dhe bashkëpunëtorja e Lordit. Në libër dhe në shkrime e kumtesa kam trajtuar gjithashtu edhe rëndësinë e këtij fondi, i cili në Arkivat e Harvardit qëndron me dinjitet krahas fondeve të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Lordi, pas largimit, dërgoi një letër mirënjohjeje dhe falenderimi për rektorin e universitetit të Tiranës Kahreman Ylli. Në letër përcillte edhe emocionet për vizitën në Shqipëri: “Ato ditë në mes të qershorit do të mbeten përgjithmonë të paharruara për mua dhe do t’i kujtoj me mirënjohje për shkak të atij udhëtimi në Shqipëri dhe mikpritjes bujare që gëzova në duart tuaja.” (Letër, 12 qershor 1966.) Në letër Lordi shtonte edhe këto fjalë: “Falenderim i takon edhe studiuesit të ri Agron Fico, dhe jo vetëm si përkthyes”. Letra ishte hapur nga Sigurimi i shtetit dhe u manipulua sipas stilit të kurtheve të asaj kohe dhe më etiketuan si “agjent i imperializmit amerikan”. Rrethanat historike-politike, vetë-izolimi ekonomik-politik, kulturor e shkencor etj., që ndiqte me egërsi shteti totalitar shqiptar, urrejtja ndaj imperializmit, veçanërisht atij amerikan, ishin bërë një perde e hekurt, që ndalonte dhe dënonte ashpër çdo marrëdhënie me të huajt. Shoqërimi me profesor Lordin dhe letërkëmbimi me të, më kushtoi rëndë mua dhe familjes sime. Zonja Lord do të më shkruante më 28 gusht 1994: “I deeply regret the severe consequences to you of your friendship with my husband.”

[Ndiej keqardhje të thellë për pasojat e rënda që keni pësuar për shkak të miqësisë me tim shoq.]

Ndryshimet historike më 1990, vendosja e pluralizmit politik dhe demokratik, më dhanë mundësi të reja. Fillova të jap mësimin e gjuhës shqipe për personelin e parë të diplomatëve amerikanë. Me anë të Jackie Muller-it, diplomate e ambasadës amerikane, hyra në marrëdhënie me Universitetin e Harvardit. Ata më shkruan: “I dashur zoti Fico, Ju falenderoj shumë që m’i dërguat mua dokumentet tuaja që kanë të bëjnë me Profesorin Albert Bates Lord. Këto dokumente i kam arkivuar në arkivat tona dhe, sikurse na e kërkonit, i kam dërguar një kopje edhe vejushës së tij, Mary Louise Lord.
Me përzemërsi, Susan J. Smith.”

Në mars të vitit 1996, pra pas 30 vjetësh, i ftuar nga zonja Lord, shkova në Massachusetts dhe punova 3 javë në fondin shqiptar të Koleksionit Parry-Lord.
“I am looking forward to your visit to Cambridge” – më shkruante zonja Lord në letrën e datës 5 janar 1995. Ishte një befasi e bukur kur u ndodha para fletoreve me lëndë folklorike shqiptare mbledhur nga Lordi me 1937 në Shqipërinë e Veriut, thesare epike-heroike që kishin gati një shekull në pluhurin e arkivave. Ky ishte një zbulim i një rëndësie të veçantë.
Zbulimin e këtij thesari të folklorit shqiptar, punën e vlyer të Lordit, menjëherë sapo u ktheva në Shqipëri, në maj 1996, e bëra të njohur publikisht. Botova një artikull të gjatë te gazeta “Koha Jonë”. (10 maj 1996). Ky kumtim shkencor u përshëndet nga specialistë dhe intelektualë të njohur. Studiues si Prof. Dhimitër Shuteriqi, Dalan Shapllo, Muzafer Xhaxhiu, Fatos Arapi etj. më përgëzuan për artikullin dhe kërkimet e bëra në Harvard për Eposin heroik shqiptar. Artikullin e botuar tek “Koha Jonë” ia dërgova edhe zonjës Lord të përkthyer anglisht. Zonja Lord më shkruante: “I dashur Profesor Fico, Ju falem nderit që më dërguat një kopje të artikullit tuaj të shkëlqyer te “Koha Jonë” dhe që ma kishit përkthyer. Artikullin bashkë me përkthimin do t’i vë në Arkivin e Albertit, në Bibliotekën e Harvardit”. (Letër, 4 gusht 1996.) Ndërsa në një letër tjetër zonja do të përmendte punën dhe kërkimet e mia në Arkivin e Harvardit. Zonja Lord më shkruante: “Qëndrimi juaj këtu në Cambridge ka lënë mbresa të gjalla dhe të ngrohta tek të gjithë që u takuan me ju, duke përfshirë edhe ata të Koleksionit Parry në Bibliotekën Widener”. (Letër, 9 prill 1996.) Me ftesën e zonjës Lord më 5 mars 1996 arrita në aeroportin Logan të Bostonit. Aty më priti zonja Lord, një grua e pakët nga trupi, e përkulur nga artriti, veshur me pallto të kuqe. Me taksi arritëm në vilën e saj, në adresën 23 Francis Avenue, Cambridge. Vila ishte një ndërtesë trekatëshe, ngjyrë kafe dhe gjendej në një rrugë ku banonin njerëz të shquar. Gjatë tre javëve të qëndrimit tim në Cambridge, në vilën e zonjës Lord, pata mundësi të takoja mjaft studiues dhe specialistë të shquar të Harvardit. Një nga virtytet e shquara të kombit tonë është edhe nderimi i njerëzve që tashmë janë në shtëpinë e Zotit. Në mes të atyre ditëve plot punë, kërkime dhe takime, një ditë bashkë me zonjën Lord shkuam në një varrezë të njerëzve të shquar të Bostonit, ku prehej edhe shkencëtari Albert B. Lord. Ishte dimër. Binte dëborë dhe pas një kërkimi në hartë e gjetëm vendin e duhur. Me një buqetë në dorë, u drejtova tek varri i Lordit dhe me zë të lartë thashë këto fjalë: “Dear professor Lord, I kept my promise. I have come from far away, from Albania, to meet You!”
Ndërsa zonja Lord do të shkruante: “Vizita jonë në varrezat Mount Auburn atë ditë bore do të mbetet për jetë në kujtesë. Sikurse ju premtova, aty ku prehet im shoq, për Pashkët në emrin tuaj u vu një zambak i bukur i bardhë.” (Letër, 9 prill 1996.) Kur u kthyem nga varrezat e ftova zonjën për një kafe, sipas traditës shqiptare dhe ajo u ndje mirë. Me zonjën Lord pata një letërkëmbim të gjatë dhe tepër të vlefshëm për Eposin shqiptar në Harvard, për kërkimet e mia në Arkivat e Harvardit dhe publikimet e shumta rreth këtij zbulimi kulturor-shkencor. Kështu ajo do të shkruante: “I dashur Profesor Fico, Të falenderoj që më dërgove artikullin e shkëlqyer me titull ‘Nderim për Albert Lordin’, botuar tek gazeta “Albanian Herald”. (Mars 1995.)

Një bust mirënjohjeje nga Shqipëria për Albert B. Lordin

Pasi e bëra të njohur publikisht zbulimin e Eposit shqiptar në Arkivat e Harvardit, prurjet e Prof. Albert B. Lordit dhe kërkimet e tij në Shqipërinë e Veriut më 1937, si dhe dëshirën e tij për t’i botuar në një vëllim të veçantë, mendova se ishte në kodin gjenetik shqiptar nderimi i punës dhe veprës së një dijetari amerikan kaq të shquar. Dëshiroj të theksoj se viti 1937 ishte edhe viti i botimit të vëllimeve të “Visareve të kombit”, por thesari i Harvardit, i panjohur dhe i pazbuluar, kuptohet, mbeti jashtë kësaj serie. Kështu më lindi dëshira edhe për të krijuar një bust për figurën e Lordit. Kisha dëgjuar për mjaft skulptorë, që kishin krijuar vepra artistike të kohës, por edhe të tilla që e tejkalonin kohën, siç është monumenti i Pavarësisë në qendër të qytetit të Vlorës. Skulptori Kristaq Rama ishte ndër skulptorët që vlerësoheshin si më të talentuarit. Skulptorin e takova në studion e tij dhe pas një bisede të gjatë dhe shpjegimeve të mia për vlerat e mëdha të Lordit për kulturën shqiptare dhe kërkesën time këmbëngulëse, ai më dha fjalën se do të bënte çmos për realizimin e një busti artistik. Zonja Lord, si duket, edhe nën peshën e emocioneve për bustin, më shkruan me hollësi: “Këto ditë gjeta një fotografi të shkëlqyer të Albertit, në profil! Negativin nuk e kam, pasi foton ia ka bërë një mik që jeton në Virgjinia. Arrita t’i bëja një kopje te studioja e një fotografi këtu rrotull.” “Në përgjigje të kërkesës për një fotografi në profil të tim shoqi, po ju dërgoj dy fotokopje nga frontispiece i librit për Abert B. Lordin nga Profesor John M. Foley… Po ju dërgoj dy kopje, njërën për ju dhe tjetrën për mikun tuaj skulptor.” (Letër 4 mars 1997.) Me anë të një letre drejtuar Stepen A. Mitchel, Professor of Scandinavian and Folklore, Master of Eliot House, Parry Collection, i shkruaja: “Të nderuar miq, Me shumë kënaqësi ju them se si shenjë nderimi për studiuesin e shquar, të paharruarin Prof. Albert B. Lord, dëshiroj t’i dhuroj Qendrës së Koleksionit Parry-Lord një bust, që e ka punuar skulptori shqiptar i njohur dhe me përmasa europiane, Krista Rama…” (Letër, 28 gusht 1998.) Ishte një gëzim i veçantë njerëzor dhe njëherazi një kënaqësi intelektuale, kur zonja Lord më njoftonte se busti kishte arritur në Boston. Po le të lexojmë se ç’na thotë vetë Profesoresha Mary Louise Lord: “I dashur Profesor Fico, Busti në bronz i Albertit na mbërriti shëndoshë e mirë dhe dëshiroj t’ju falenderoj juve dhe bijën tuaj Albanën që ma dërguat mua. Ishte paketuar me shumë kujdes dhe falë përpjekjeve tuaja arriti në gjendje të shkëlqyer. Zoti Kristal Rama me të vërtetë qenka një artist i shquar dhe me shumë dhunti, i cili ka krijuar një skulpturë rrëzëllitëse. Shpresoj t’ia përcillni ju vlerësimin dhe falenderimet e mia për artin e tij krijues. Në një farë kuptimi skulptori ka krijuar një pamje platonike dhe idealiste të tim shoqi, për më tepër që tim shoq në të vërtetë ai nuk e ka parë kurrë. Unë dhe familja ime ju jemi mirënjohës për këtë nderim të pashoq për burrin tim…” (Letër, 9 janar 1998.)

Është me interes të theksohet se Mary Louise Lord ishte aq e mrekulluar nga prania e bustit artistik të Kristaq Ramës, sa që një ditë më vonë pas letrës që më kishte dërguar mua do t’i shkruante edhe vajzës sime, njëherazi dhe bashkëpunëtore e përkushtuar, vlerësime dhe entuziazëm për dhuratën tonë. Zonja Lord i shkruante: “E dashur Albana, Ju falem nderit që ndihmuat atin tuaj të më postonte bustin e shkëlqyer prej bronzi të tim shoqi, i cili arriti në gjendje fare të mirë. Të jeni të sigurt se unë dhe familja ime do ta ruajnë si thesar këtë dhuratë të pazakontë dhe të pashoqe. Është një skulpturë e paparë nga një artist me talent shumë të madh… E marr me mend se Profesor Fico do ta ndjejë mungesën e skulpturës dhe se do t’i japë një ndjenjë zbrazëtie”. (Letër, 9 janar 1998.) Është e vështirë të përmblidhen të gjitha mendimet, emocionet e zonjës Lord për bustin e Lordit, por lexuesi i interesuar më gjerë mund të lexojë librin tim “Zbulimi i Eposit shqiptar në Harvard – Albert B. Lord”, 207 faqe, 2016. Më 27 prill 1998 do t’i shkruaja me dhimbje zonjës Lord se “E di që t’ju lëndojë po t’ju them se krijuesi i këtij busti, Kristaq Rama, ndërroi jetë javën e kaluar në studion e tij nga një infarkt në zemër. Kjo më pikëlloi. Shqipëria humbi një skulptor të shquar”. (Letër, 27 prill 1998.)
Ndihem mirë si intelektual shqiptar që atdheu im, Shqipëria jonë, ka në Harvard emrat e personaliteteve të shquar të historisë dhe kulturës kombëtare, Fan S. Noli dhe Faik Konica dhe tani edhe skulptorin Kristaq Rama me bustin e Albert B. Lordit.