Petro Luarasi: Mbrojtja e idealeve të LANÇ-it

837
Sigal

Mbrojtja e idealeve të LANÇ-it (jo vetëm me vargje satirike)

Petro Luarasi

Artikulli “Një përgjigje në vargje … për sulmet ndaj LANÇ” më detyron të analizoj dhe  të përballem  me përgjegjësi politike (si trashëgimtar i dy familjeve antifashiste) historike dhe morale, për të sqaruar çështje dhe ngjarje me interes publik,  pa pasur  qëllim  të përgojoj  aktorët  përkatës,  të cilët preferoj t’i shënoj me (…). Mbi të gjitha uroj që qytetarja shqiptare  (…) e cila mbron lavdinë e LANÇ nëpërmjet poemës satirike të  poetit të saj të zemrës – bashkëluftëtarit antifashist,  të ketë jetë të gjatë, forcë fizike dhe  kurajë  të  zbardhë  disa nga ngjarjet  me personazhe të palavdishëm që kanë nëpërkëmbur të vërtetën e idealin, por rrëmbyer edhe jetën,  edhe nderin e plot njerëzve, tok me farefis dhe miq të tyre.

Lufta Antifashiste  Çlirimtare  është një nga  ngjarjet më të rëndësishme e heroike në historinë e popullit shqiptar, por që për fat të keq nuk arriti të  realizojë   çlirimin nacional,  ideal    të cilin e  hartuan dhe luftuan  për ta realizuar mjaft personalitete të shquara, ndër të cilët  edhe disa nga paraardhësit e mi tok me babanë, Skënder Luarasi.  Ai qe i pari që u nis vullnetarisht nga Shqipëria, në  dhjetor 1936,  jo vetëm për të luftuar  fashizmin me mercenarët e tij  që donin të përmbysnin Republikën  Spanjolle dhe  për të parandaluar pushtimin fashist të Shqipërisë, por  edhe për realizimin  e parimit të vetëvendosjes së kombeve në rang botëror dhe në trojet  e pushtuara shqiptare në Ballkan. Kjo qe  propaganduar  nga  Fronti Antifashist nacionalçlirimtar   dhe iu shtrua për zgjidhje shtetit  spanjoll   ndaj  kombësive baske e katalonjase.

Në revistën  “Vullnetari i Lirisë”, nëntor  1937 dhe emisionet radiofonike shqip   S. Luarasi, përfaqësues i vullnetarëve shqiptarë, deklaroi platformën: “ të ngjallim Frontin Popullor edhe në Shqipëri… Me anën e tij do të përpiqemi të shembim regjimin diktatorial profashist dhe të sigurojmë bashkimin në themel të nevojave demokratike dhe të zhvillimit nacional…Përmes kësaj udhe duhet të kalojnë të gjitha fuqitë progresive të popullit, të gjithë patriotët dhe veteranët e kombit, e gjithë klasa e aristokracisë së rënë poshtë nga dynjallëku, të gjithë tregtarët e dorës së mesme dhe industrialët që janë në rrezik të bënen borçllinj të kapitalizmës italiane, borgjezia progresive antiimperialiste, doemos të gjithë bujqtë e punëtorët, të gjithë, qofshin katolikë ose muhamedanë ose orthodhoksë, dhe, pa as më të voglën mungesë, e gjithë djalëria kombëtare përparimdashëse e Shqipërisë…”(S. Luarasi, 25 vjet indipendence, Vullnetari i Lirisë”, nr. 1, nëntor, 1937, f. 20) Për më gjerë lexoni: Petro Luarasi , Luftëtarët e parë antifashistë nacionalçlirimtarë shqiptarë… https://atunispoetry.com/2014/11/29 Pra, bashkim në luftën  kundër fashizmit pa dallim feje, krahine, ideje dhe përkatësie ekonomike. Kjo  qe  platforma që u shpall vite më vonë edhe nga Konferenca e Pezës.

Pra,  vullnetarët e  kombit shqiptar u nisën në Luftën Antifashiste të Spanjës, jo vetëm për lirinë e drejtësinë e popullit spanjoll, por edhe me shpresë se pas fitores do të zbatohej platforma e vetëvendosjes së kombeve në trojet e tyre të pushtuara. …

  • Me keqardhje kujtojmë se në Shqipëri nuk është vendosur ende ndonjë pllakë përkujtimore në nderim të veprimtarisë së tyre antifashiste e kombëtare, përkundër monumenteve në shumë vende demokratike të botës! Si mund të shpjegohet ky paradoks 75-vjeçar në një vend antifashist që synon bashkimin kombëtar?

Antifashisti  S. Luarasi kthehet i zhuritur nga malli në atdhe, në qershor 1945 pas 9 vitesh  lufte e vuajtjesh në kampet e përqendrimit.  Takon  shumë  miq e shokë ideali,  e fton në takim  edhe  Udhëheqësi- Kryeministër,  i  cili “meqë ra fjala” i përmendi   si  e  kishte “instruktuar” dhe dërguar të luftonte në  Spanjë. Kur S. Luarasit “i shkau  mendja e gjuha” se nuk e kishte dërguar njeri, por kishte shkuar vetë (madje edhe Udhëheqësin  të parën herë ia shihnin sytë)  u nda “miqësisht” duke e kuptuar më mirë  demokracinë popullore shqiptare: “o me ne, o kundër nesh, rrugë të mesme s’ka!”.  U përmendën vetëm pak  ngjarje që  ndihmojnë  të mirëkuptohet  edhe skandali  që ndodhi  në një  diskutim shkrimtarësh të realizmit socialist, në  prani zyrtarësh të lartë, kur  po diskutohej mbi  romanin e Kadaresë “Gjenerali”. S. Luarasi tha:  “Nga gjithë episodet e bukura më mahniti qëndrimi i plakës Nicë dhe humanizmi i saj i lartë kur ua përplasi gjeneralit dhe priftit thesin me kockat e kolonelit: “Merri të mallkuarat, se edhe këto kockat e birit të një nëne janë!”. Përshkrimi im qe i shkurtër dhe e mbarova me fjalët: “Kur mbarova së lexuari këtë roman, më kapi malli e më erdhi keq që nuk u ndodha në atdhenë tonë gjatë Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, se do të kisha njohur Shqipërinë duke ecur në gjurmët e partizanëve…Sa ndenja shesh, u ngrit kryesonjësi i mbledhjes (…), e përballë 200-300 vetëve, më tha: “Ti, po të kishe qenë këtu gjatë lëvizjes sonë, do të kishim dhënë një plumb prapa kurrizit!”… Ndërsa ktheva sytë ndër të mëngjër për të vënë re përshtypjen që bënë ato fjalë të mallkuara në fytyrën e dëgjonjësve (dhe vura re me kënaqësi se ato fjalë i çuditnë si një rrufe në një qiell të kaltër), veshët më zunë në të djathtë fjalët e F. P.,  i cili rrinte në fronin në të djathtën time, që tha: “Ja çasti”. .. K. V. përveshi llërët dhe m’u drejtua me fjalët: “Në ç’brimë miu ishte futur ti kur ne luftonim!…Në ato çaste një personalitet u ngrit në këmbë dhe doli jashtë sallës,  pas tij edhe të tjerë…!”  Shkrimtari që “do t’i jepte plumb prapa kurrizit” kishte qenë nxënës i S.Luarasit në Shkollën Tregtare të Vlorës më 1931, familje  atdhetare, në biseda e korrespondenca, pra privatisht,  kishte  shprehur  konsideratë   për personalitetin dhe veprimtarinë e gjithanshme të mësuesit të tij,  por në rrethana e për interesa të caktuara politike  e bëri “lajthitjen” që për “burrëri” donte ta çonte deri në fund me gjithfarëlloj metodash e klanesh, madje edhe me kërcënime për gjyq.  Në këto kushte, për mbrojtje morale, politike  e fizike, profesori u detyrua të mbrohej duke e akuzuar nxënësin  publikisht,  për një aferë  që kishte kryer me pushtuesit fashistë në prag të 7 prillit  1939.  Pastaj  iu përgjigj edhe me vargje satirike  tek drama   “Stuhi në Prill”  që u ndalua të botohet.  Drama në vargje ”Stuhi në prill” u shkrua më 1969 e bën fjalë për ngjarje e personazhe realë para e pas pushtimit të Shqipërisë nga fashizmi. U shfaq më 26-28 nëntor 1972, në teatrin ”Andon Zako Çajupi”- Korçë, me regji nga Dhimitër Orgocka, në role kryesore luajtën Pandi Raidhi, Minella Borova, Dhorkë Orgocka, Dhimitër Grabocka etj.  Kur e pyetën S. Luarasin, se cili qe shkaku që ia ndaluan shfaqjen, ”me urdhër nga lart”, ai tha: ”Dikush pa fytyrën e tij në pasqyrë dhe u tmerrua!

Fragmente nga drama:

Samuraj – Punonjës i Bankës  Kombëtare të Shqipërisë, i cili me shpërblim  strehoi  familjet italiane në prag të sulmit fashist, por më pas doli në mal ku punoi në shtypin partizan.

I pëlqente të publikonte artikuj  dhe poezi satirike në përkujtim të 7 prillit.

NEQEFI: Mund të të pyes për një gjë –

DREJTORI:  Veç pyet.

NEQEFI: Rrogën peshqesh a bën ta marr?

DREJTORI: Non olet.   (Pas një pause.)

N’odën e mirë më mungon qilimi,

Po ta shtroj bukur shtohet dhe gëzimi

I familis dhe  i krushqisë.

Pasnesër martoj çupën m’italian

Rudin, kasier i Bankës Kombëtare,

I zoti fort për punë tregtare;

Shpejtohem mos më marrë mysliman.

Me këto pare do ta blej qilimin –

NEQEFI

A do ta ftosh në dasmë Samura Trimin?

Ta dish se ai si punonjës i Bankës,

I mbrojti më 6 prill italiant’ e legatës;

Rudi ia dha bakshishin –  nuk qe e udhës; –

I rrëmbeu qeratai  asprat e Judës.

DREJTORI:  Fitoi plot para, ka lindur me baft…

NEQEFI: A ka njeri  të thotë: “Tani kam mjaft”?

(Hyn Samuraj dhe i takon).

NEQEFI (Samurajt)

Ti i sigurove të tridhjetë mijët –

I përcolle në ambasadë ata fëmijët –

SAMURAJ:  E di, kam bërë faj – ndihmova armiqtë.

MEJTEPI:  Hë! hë! Kaq shpejt i hëngre fiqtë!

SAMURAJ: Qe urdhër. E bëra nga pahiri –

MEJTEPI: Tani na thua  se të vret fiqiri?

SAMURAJ:  Po e laj gabimin – do të shkoj në mal –

NEQEFI: Unë do  bëj si Samuraj, pr’atë  zot!

MEJTEPI : Ç’të bëj unë  i ziu që jam i çal’

E malit të përpjetë nuk ngjitem dot.

NEQEFI (Mejtepit)

Ti bëj harakiri; a rri tek asnjëanët.

Meqë t’interesojnë të dy anët –

Mua partizanët do të më falin;

Prandaj po shkoj  bashkë me Samurajin.

(Të tre dalin duke qeshur.)

Mendime për dramën ”Stuhi në Prill” nga  Gaqo Sotir Peci,

Korçë, më 11.V.73
I nderuari mik,
Para së gjithash ju uroj shëndet të plotë e gëzime të mëdha në jetën tuaj private e letrare.
Më erdhi shumë keq që nuk e pashë në skenën e këtushme veprën tuaj (“Stuhi në prill”) e që nuk munda t’ju përshëndes e t’ju shtrëngoj dorën për vlerat e saj të mëdha, pavarësisht se qëllimisht u mbajt një heshtje fajtore, për të mos përdorur fjalën, kriminale. Ishte komploti i heshtjes organizuar nga njerëz keqdashës që në redaksitë – e jo vetëm aty – u pret kordha në të dy anët. Pavarësisht nga kjo heshtje, si trupa teatrale, si ata që gjykojnë drejt e me kokën e tyre, të gjithë ditën t’i japin hakën një vepre të bukur të shkruar me mend e me art. Nuk di me se po merreni, i vyer mik, por ju në jetë sigurisht kini ngrënë grushte të pabesë po kaq të rëndë e, megjithatë, s’kini dashur t’ia dini. Ju jini kockë e fortë. Provojuani Arielëve e Co se me kë kanë të bëjnë. Kjo do të gëzonte të gjithë miqtë e dashamirësit tuaj, që janë aradhë, e do të bindnit të gjithë se intriga, dallaverja, meskiniteti e ligësitë e xhuxhmaxhuxhëve të letërsisë (“tigra prej letre”) s’e zënë dot diellin me shoshë. Këtë e presim, këtë e kini detyrë…
Ju përshëndes përzemërsisht e ju uroj gjithë të mirat
Gaqo Peci, Rruga Sotir Peci, 21, Korçë

Mësuesi  Gaqo Sotir Peci,  mbi 25 vjet punoi me përkushtim si mësues  deri sa doli në pension duke u vlerësuar me Fletë Lavdërimi. Në vitin 1976 u dënua me dhjetë vjet heqje lirie ”Për agjitacion dhe propagandë”. Pas lirimit jetoi pranë të bijës në Berat deri sa u nda nga jeta. Mban titullin ”Mësues i Merituar”. Para se të ndahej nga jeta arriti të shkruante librin ”Në panxhat e sigurimit”- kujtime, i botuar nga Sh.B.. “Luarasi”,  1997
Këto kujtime Gaqo S. Peci ua kushtoi:
”Atyre që kanë dashur lirinë dhe atdheun më shumë se sytë e ballit;
– atyre që vdiqën ose u vranë në birucat e Sigurimit;
-atyre që vdiqën ose u vranë në burgje, në kampe, në miniera, në këneta, në kanale, kudo ku punonin si skllevër dhe më keq se skllevërit;
– atyre që vranë veten nëpër biruca;
– atyre që mbetën gjallë dhe dolën nga burgjet dhe kampet me trauma të thella psikike;
– gruas sime që qëndroi si burrëreshë.”

 

Lavdi dëshmorëve të kombit shqiptar!

Petro Luarasi