Sigal

Dikush më kishte thënë, se vetëm atje në malin e Tomorit mund të takohesh me perënditë, mund të flasësh me të vdekurit, të lutesh për të afërmit dhe të ardhmen tënde dhe pas kësaj të ndihesh i qetë… Fjalëve të tij nuk u kushtova ndonjë rëndësi, por në çastin që u gjenda në malin e Tomorrit mbeta i befasuar. Në gjithë atë pellg, mali ngrihej vetmitar, vështronte në të gjitha anët e horizontit, mbikëqyrës i gjithçkaje që gjendej pranë dhe larg tij. Të impononte respekt dhe frikë bashkë. “O Zot!”- thashë me vete. Ende ndodhesha përfund këmbëve të tij, ndërsa lartësitë dukej sikur nuk kishin të mbaruar. Nuk di pse atë çast m’u kujtuan vargjet e Homerit, ku Akili lutet e përgjërohet:

“O Zot, mbret Dodonas Pellazgjik,

 që banon n’ato vise të largëta

e sundon mbi Dodonën dimërkeqe”!

Ndoshta gjithë njerëzit që janë gjendur pranë rrezikut dhe fatkeqësive kanë thirrur të njëjtat fjalë: “O, Zot!” Që nga aty mund të vështroje detin dhe Italinë, fushën e Myzeqesë e rrjedhën e lumenjve, kodrat dhe kanionet, shpellat e mbuluara nga misteri, e deri te rrugët e largëta që përshkonin hapësirën e pafund. Të vështruarit nga aty të linte të mrekulluar, të magjepsur krejtësisht. Mali rrethohej nga 100 burime, ngado gjeje ujë të ftohtë; a thua se barku i Tomorrit ishte i mbushur me ujë. Mijëra njerëz që gjendeshin aty nuk e kishin të vështirë të shuanin etjen e të ndjenin freskinë që sjell ky mal edhe në ditët më të nxehta të vitit. Çifte pëllumbash, si zogj lajmëtarë dilnin nga vendet e tyre e vinin aty për të parë morinë e njerëzve, madje dukej edhe sikur kërkonin t’u thoshin: “U kemi pritur!” Aty gjithçka shprehte mirësi, mikpritje, dashuri, miqësi, gëzim, zemërgjerësi e gjithçka tjetër njerëzore. Pikërisht në këtë çast kur isha duke i menduar të gjitha këto, befas u dëgjua një këngë që vinte së largu:

“Çdo shekull ju gjeti

bashkë në një stan

njëri ortodoks

tjetri mysliman…”

 

Të gjithë shqiptarët
Vargu i njerëzve që shkonte drejt malit Tomor nuk kishte të mbaruar. Ishin bashkë myslimanët, ortodoksët, katolikët, studiuesit dhe filozofët, njerëz të letrave dhe të artit, arkeologë, gjeografë dhe historianë, të varfër dhe të pasur, nga jugu dhe veriu, shqiptarë të diasporës së vendeve të largëta dhe të afërta, të moshuar dhe foshnja të sapolindura që nënat e tyre i mbanin në krahë. Çuditërisht fëmijët e vegjël të kujtonin historinë e etjes së ujit, dhe vrapin si veri të Abaz Aliut për të marrë një pikë ujë e për t’ua sjellë fëmijëve të etur …Por ndërkohë të sillnin ndërmend edhe vargjet e Naim Frashërit, ku thotë:

“Ç’ësht’ ay që shkon kaluar,

Ikën si veriu,

Me dy-tri foshnja nër duar?

 Ësht’ Abas-Aliu!

Shpije foshnjatë në lumë,

Se s’durojnë dot,

I ka marrë etja shumë,

E qajnë me lot!…”.

Po, aty ishin që të gjithë. Përse vallë ndodhte kështu? Kaq besimtarë janë shqiptarët? Çfarë i bënte të gjithë bashkë? Njerëzit që kishin ardhur nga të gjitha anët, këndonin, thernin dashin e kurbanit, ndiznin qirinj e luteshin. Pas tyre ngjitesha dhe unë, mes një turme njerëzish që s’kish as fillim as fund, pas meje vinin të tjerë, para nesh kishte me mijëra që kishin mbërritur. Flisnin të gjithë për malin e shenjtë: Dikush e quante “Mali i Zotit”, një tjetër “Shtëpia e Zotit”, një i tretë “Mali i të Mirit”, ndërsa disa të tjerë, “Mali Plak”, “Baba Tomorr”, “Selia e perëndive shqiptare” etj., etj. Ky mal se ç’kishte diçka të veçantë që ndihej e nuk shpjegohej. Njerëzit shkonin drejt vendit të shenjtë. Bektashinjtë ishin në rolin e mikpritësve. Sot nderohej njeriu i shenjtë i tyre, Abaz Aliu. Kënga e nisur pak më parë sërish përhapej mbi morinë e njerëzve të mbledhur aty:

“Dhe festat fetare

i gëzonit bashkë,

një dele bajramit,

një dele për pashkë…”

Zot i bekimit
Që të gjithë besonin se ky mal vetmitar i kishte parë të gjitha që nga koha e zanafillës së tij. Ai kishte parë luftërat dhe betejat e pellzgo-ilirëve, humbjet dhe fitoret e tyre. Dinte të gjitha legjendat dhe gjithë emrat e heronjve. Ata merrnin bekimin e tij e niseshin për udhë. Ishte Ai që ndizte zjarret pranë Apolonisë. Kishte qenë Ai që ndriçonte me shkëmbinjtë që dukeshin sikur merrnin flakë vetiu; gjëra që nuk ndodhnin në asnjë vend tjetër. Kishte qenë vetë Ai që kishte festuar me pellazgët me verë mjalti e mish kafshësh të egra. Në çdo çast vështronte me kënaqësi vrapimin e drerëve, brirët e tyre nuk i pushtonin dot as katër burra. Vështronte barin e lartë, dhe pyjet që preknin retë me kokën e tyre, të cilët linin të habitur çdo udhëtar. Baba Tomori bekonte gjithçka dhe gjithçka merrte jetë. Bekonte lisat dhe drurët kapnin qiellin, bekonte vreshtat dhe ktheheshin në verë, bekonte bagëtinë dhe kishte mish dhe qumësht pa masë, bekonte tokën dhe shtrohej në ar. Dhe vërtetë gjithë hapësira përpara tij ishte e shtruar me ar. Për këtë arsye popujt e tjerë mbeteshin të habitur, të mrekulluar dhe të magjepsur, të ngrirë si statuja guri, ndërsa vazhdimisht pyesnin: “Ç’ të jetë vallë ky vend ku sundojnë mrekullitë!” Të magjepsur kishin mbetur edhe filozofët, Aristoteli do të ulej një ditë dhe do të shkruante gjithçka që kishte dëgjuar për këtë vend, të pabesueshmet dhe të besueshmet. Edhe këto legjenda i bënin njerëzit e ardhur aty të ndiheshin mirë e të vlerësuar që nga kohërat më të vjetra. Kënga që dëgjohej së largu u sillte edhe një ndjesi tjetër festive:

“Eshka dhe duhani

 s’ju munguan kurrë,

në çdo kishë nishan

do të kish ’ një gunë…” 
Lutje dhe falje
Mali i Tomorrit të linte të mrekulluar të dhuronte paqe dhe mirësi. Ishte kjo arsyeja që shumë njerëz kishin mbërritur aty e shumë të tjerë vinin pas tyre. Gjithkush që mbërrinte fillonte nga rritet e faljes dhe të lutjes. Fëmijë dhe të rritur shfaqeshin me një pikë gjaku në ballë nga gjaku i kurbanit të therur. Aty faleshin të gjithë, luteshin për të afërmit dhe të sëmurët, për të ardhmen e fëmijëve dhe bënin shenja të çuditshme. Ndiznin qirinj e mblidhnin lëngun e qiririt të shkrirë, që gjithkush prej tyre e quan “temjan” dhe e çonin atë në shtëpitë e tyre, ku pas kësaj do të niste një vit i mbarë deri në kthimin sërish te Baba Tomori. Deri atëherë djalli nuk guxonte të hynte në shtëpitë e tyre. Gjatë gjithë kohës që qëndronin aty pëshpëritin formula magjike, të mësuara nga gjyshërit dhe stërgjyshërit, hiqnin “një shenjë” prej rrobave të veta dhe e linin atje. Zoti nuk kishte për t’i harruar, ashtu si vetë ata që nuk kishin harruar asgjë që nga zanafilla e jetës së tyre. Të gjitha ritet i kryenin me seriozitet, me respekt dhe sinqeritet të jashtëzakonshëm. Gjithkush ndihej pranë me Perëndinë. Këtë ndjesi të shqiptarëve e kishin vënë re edhe njerëz të huaj. Scymni shkruante: “Thonë se popullsia e saj ( e Ilirisë) është shumë e madhe… Thonë se këta (ilirët) i nderojnë shumë perënditë, se janë shumë të drejtë dhe mikpritës, se e duan jetën shoqërore dhe janë të dhënë pas një jete shumë të hijshme”. Të njëjtën gjë thoshte edhe kënga që thuhej shtruar nga një grup njerëzisht që piqnin në hell dashin e kurbanit dhe ndanin mish për sevap:

“Kopenë edhe besën,

si dhe Perëndinë,

ju e kishit bashkë,

kishën dhe xhaminë…”.

Magjepsja e Aristotelit
Këto çudira të shqiptarëve e kishin lënë të befasuar edhe filozofin më të madh të botës antike, Aristotelin,. “Thonë, ( thoshte Aristoteli) se tek ilirët e quajtur Taulantë, bëjnë verë nga mjalti… dhe bile një verë të ëmbël dhe të fortë. Kurse tani thonë se kjo bëhet edhe në disa vende të Helladës…”. Pastaj Arsitoteli shtonte: “Thonë se në Atintani, pranë kufijve të tokave të Apolonisë, ndodhet një shkëmb, nga i cili nuk duket se del zjarr i vërtetë, por ndizet duke i hedhur vaj. Në Apoloni, që ndodhet pranë krahinës së taulantëve, thonë se del asfalt dhe pisë si currila që shpërthejnë nga toka; këtu ai del më i zi dhe më i dendur se i Maqedonisë… Këndej del një erë squfuri dhe nishadri; përreth rritet një bar shumë i lartë dhe ç’është më e çuditshme, jo më larg se katër kut prej andej rriten drurë të lartë…”. Për Paioninët, Aristoteli sillte një mrekulli tjetër, “thonë se kur bien shira të vazhdueshme, në tokën e zbutur gjendet i ashtuquajturi ar i padjegshëm. Flitet se toka në Paioni është aq e pasur me ar, sa shumë vetë kanë gjetur copa ari më të rënda se një mna. Thonë se janë gjetur edhe i janë dërguar mbretit të atjeshëm dy copë, njëra e rëndë 3 mna dhe tjetra 5 mna”. “Thuhet, (thotë Aristoteli), se tek ilirët gjëja e gjallë pjell dy herë në vit, dhe më të shumtat bëjnë binjakë, bile shumë, tre ose katër keca, disa pesë e më tepër. Përveç kësaj thonë se japin me lehtësi nga tri hemikoe qumësht. Thonë se edhe pulat nuk bëjnë një ve në ditë si në vende të tjera, po pjellin dy ose tri herë në ditë. Thuhet edhe se në Paioni qetë e egër bëhen shumë më të mëdhenj nga të gjithë ata që ndodhen ndër popullsi të tjera, edhe se brirët e tyre nxënë katër koe, bile brirët e disave edhe më shumë”. Thonë se në Iliri, tek fiset e quajtura ardiane, pranë kufirit me autariatët, ndodhet një mal i lartë dhe afër tij një gurrë, nga e cila shpërthen ujë me sasi të madhe, jo në çdo stinë, po vetëm në pranverë. Këtë ujë e marrin dhe ditën e ruajnë në një vend të mbuluar, ndërsa natën e nxjerrin përjashta. Kjo punë bëhet pesë a gjashtë ditë me radhë dhe pastaj uji ngrin e bëhet një kripë shumë e mirë; këtë kripë e mbajnë sidomos për bagëtitë…”.
Edhe një pikë ujë është mrekulli
Sigurisht të tilla histori mund të gjesh vetëm rreth e rrotull malit Tomorr, te vendi i Zotit, ku çdo vit shqiptarët mblidhen bashkë e festojnë. Dikush më kishte thënë, se vetëm atje në malin e Tomorit mund të takohesh me perënditë, mund të flasësh me të vdekurit, të lutesh për të afërmit dhe të ardhmen tënde dhe pas kësaj të ndihesh i qetë…Ai kishte pasur të drejtë, në këtë vend gjithçka ishte e mrekullueshme. Vetëm aty mund të takoheshe me të vdekurit dhe të gjallët, me të varfrit dhe me të pasurit, me të sëmurët dhe të shëndoshët, ku brenda një grimce kohore mund të mendoje, se pas vdekjes nuk mbetej asgjë përveç së mirës që mund të kishte bërë: edhe një pikë ujë për një shpirt të etur është mrekulli….

Nga Vepror Hasani, Kujtim Boriçi