Organizata e dëshmorëve: Akademia e shkencave nuk e zbeh dot LANÇ

748
Sigal

Reagon Organizata e Dëshmorë të LANÇ-it: Nuk lejojmë Akademinë e Shkencave të  zbeh vlerat e LANÇ-it,

DEKLARATË

Organizata Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut, ka 24 vjet që promovon veprimtari në mbrojtje të idealeve të të rënëve të kombit tonë. Kjo organizatë nuk varet nga asnjë parti politike dhe në vijimësi ka kryer në mënyrë konstante detyrat e saj në mjedisin pluralist shqiptar për mbrojtjen e vlerave të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të idealeve të shenjta të heronjve e dëshmorëve të Kombit shqiptar të të gjitha kohërave të rënë për Shqipëri. Në këto vite ajo ka qenë në roje për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e simboleve të LANÇ-it, të mirëmbajtjes së varrezave të dëshmorëve, të busteve dhe shtatoreve të heronjve, kudo në Shqipëri. Këtë detyrë e ka bërë pa asnjë shpërblim, por thjesht me vullnetarizëm dhe me një angazhim shpirtëror të dinjitoz.Organizata dhe familjet e dëshmorëve kanë përballuar sulmet e qarta të klaneve të caktuara, të institucioneve të veçanta shtetërore dhe të qeverisë shqiptare për vite me radhë që kanë hedhur baltë mbi LANÇ-in dhe të rënët e saj, por këtë nuk e prisnim nga institucioni shkencor më i lartë në vend, nga Akademia e Shkencave, e cila ka marrë përsipër të organizojë një konferencë shkencore në kuadrin e 75-vjetorit të çlirimit të Atdheut. Në qëllimin dhe interesimet shkencore parësore të konferencës theksohet në antifashizmin pa uniformë dhe pa armë. Qartë dhe dukshëm edhe ky institucion akademik kërkon të zbeh vlerat e LANÇ-it, të antifashzmit shqiptar dhe të dëshmorëve. Arrihet deri aty sa të përcaktohet saktësimi i termit dëshmor, kur tashmë ne kemi ligjin 109/2018 të miratuara nga Kuvendi  i Republikës dhe të botuar në Fletoren Zyrtare, ku përcaktohet qartë koncepti dëshmor.

Ne e ngremë me forcë zërin edhe përmes degëve tona në të gjithë vendin, që të kundërshtojnë këtë farsë të re që po ndodh në vendin tonë, nga një institucion shkencor dhe ju bëjmë thirrje të distancoheni sa më parë nga kjo konferencë dhe të jemi në ruajtje të vlerave të LANÇ-it dhe të dëshmorëve dhe heronjve të kësaj epopeje.

(Kryesia e Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ-it dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut)