Oficeri që shpëtoi dy jetë njerëzish

130

Thomai preu me pinca gardhin e  telave me gjemba dhe vrapoi drejt dy grave

-Nga Bashkim Sulce-

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Bubullimë të Lushnjës, në mars të vitit 1975. Në bujqësinë shqiptare sapo ishte përhapur e po zbatohej “përvoja” kineze e mbjelljes së misrit dhe të pambukut me kubik. Dy punëtore të brigadës së foragjereve, Liri Shtëmbari e Vangjeli Muzaka, kishin shkuar për të ndihmuar brigadën e arave dhe po punonin në fushë përkrah njëra-tjetrës. Moti u vrenjt dhe qielli u nxi përtej kodrave të Ardenicës. Filluan pikat e para të shiut. Forcat e punës u larguan  për në shtëpi, kurse Liria dhe Vangja, me mendimin se,  meqë kishin ombrellën, mund t’i mbaronin dhe ata rreshta që kishin përpara dhe pastaj do të largoheshin. Shiu i rrëmbyeshëm erdhi aq shpejt, sa ato s’patën kohë të mendonin për t’u mbrojtur. Nisi një erë  e fortë, thuajse furtunë dhe shiu shoqërohej me breshër. Ato hapën ombrellën dhe të dyja  po nxitonin për t’u larguar në shtëpi. Nuk kishin bërë as pesë hapa dhe tek këmbët  e tyre papritmas shkarkoi një rrufe. Një krismë e thatë u shurdhoi veshët dhe vala goditëse stërmadhe i përplasi përtokë, pa ndjenja, të dyja gratë. Ndoshta hapja e çadrës shërbeu si shkak i shkarkesës elektrike. Ndodhi ajo që nuk pritej. Gjithçka u bë flakë përpara syve të dy nënave me fëmijë. Po përpëliteshin në agoni. Dikush, që e kishte parë shembjen e grave për tokë aty ku ra vetëtima, thirri dy-tri herë: “Ndihmë! Ndihmë! Hej, dy gra po vdesin…!” Vetë ky…,  s’u pa  nga iku.  Thirrjen e tij e dëgjoi Thoma Gjergji, nënoficer, me shërbim në pikën ushtarake të IMK-ave me qendër në Bubullimë. Thomai preu me pinca gardhin e  telave me gjemba dhe vrapoi drejt dy grave që dukeshin se kishin  humbur ndjenjat. Iu afrua njërës, Lirisë dhe i kapi gjuhën. Gjuha e saj kishte përfunduar në qiellzë. Pas këtij fenomeni do të ndërpritej frymëmarrja dhe gjithçka do të merrte fund. E njëjta gjë kishte ndodhur  edhe me gruan tjetër, pak metër më tej. Thomai i kapi gjuhën gruas së parë, ia tërhoqi dhe  u gëzua që pas këtij çasti ajo dha shenja jete dhe po merrte frymë. Qenka gjallë, mendoi Thomai. “Mbaje gjuhën shtrënguar fort mes dhëmbëve dhe mos e lësho!” i tha asaj Thomai. Bëri të ikte te tjetra, por, kur ktheu kokën pas, Liria anoi kokën pa ndjenja. Ia kapi sërish gjuhën dhe sërish i thirri: “Nëse do që të mos vdesësh, shtrëngoje fort gjuhën mes dhëmbëve!”

“…Dhe shkova të ndihmoja gruan tjetër, tregon Thomai. Vangjelia kishte marrë ngjyrë limoni dhe nuk bënte asnjë lëvizje. U frikësova se mendova mos e kishte djegur rrufeja. Dukej sikur kishte marrë fund. Mezi ia hapa gojën dhe bëra të njëjtin veprim si me gruan e parë. Gjuha e saj kishte ikur shumë thellë në qiellzë. Ia tërhoqa gjuhën me pinca dhe pastaj  ia mbajta të tërhequr me një shami që m’u ndodh. E tërhoqa zvarrë për ta afruar te gruaja e parë që t’i kisha të dyja nën kontroll. Ndërkohë shikoj që  gruas së parë po i dilte shkumë nga goja. Ia kapa gjuhën prapë dhe ia tërhoqa. Këtë veprim bëja sa te njëra e sa te tjetra. Koha nuk priste. Isha në mes të fushës e po luftoja me vdekjen e dy nënave të reja. Ato nuk po bëheshin të ndërgjegjshme për çka u kishte ndodhur. Atëherë i thirra me tërë fuqinë që kisha ushtarit që kryente detyrën e rojës së repartit tonë. “Lëre shërbimin dhe hajde këtu me vrap me gjithë armë!” . Kështu bëri ushtari. Shiu me breshër dhe furtunë  vazhdonte të binte dhe na bëri ujë nga rrobat. Bashkë me ushtarin i  ngritën me nxitim gratë në supe dhe me nxitim i çuam në repart. I vendosëm të dyja gratë në një dyshek dhe i ngjitëm në makinë. Për gati një gjysmë ore mbërritëm në spitalin e qytetit të Lushnjës. Të dyja gratë kishin nga tre fëmijë. Mjekët e spitalit  kryen detyrën me  urgjencë, por ndihmën e shpejtë  pas goditjes ia keni dhënë ju, iu drejtuan ata Thomait. “Jetën e grave e ke shpëtuar ti. Të falënderojmë dhe  të jemi mirënjohës për aktin human kaq të shpejtë!”

Gratë qëndruan, njëra 20 dhe tjetra 35 ditë në spital. Kur u erdhi memoria, falënderuan shpëtimtarin e jetës së tyre, Thoma Gjergjin, djalin e fshatit të tyre që u ishte gjendur në këtë çast të vështirë që rrezikohej të vdisnin. “Nuk mund ta harrojnë këtë  rast që natyra rrezikoi jetën tonë, po as  si vëllanë e tonë, Thoma Gjergjin, i cili, pa marrë parasysh vështirësitë, na u gjend në këtë moment  të vështirë për jetën. Nga Thomai e kemi jetën. Faleminderit dhe  nuk kemi për ta harruar sa ta kemi të shkruar…!”.Kjo ngjarje ka 44 vjet që ka ndodhur dhe  sot, së pari po tregohet për lexuesit e gazetës “Telegraf”. Edhe në shenjë respekti për njerëz të tillë si Thoma Gjergji.

Po, kush është Thoma Kristo Gjergji?

Thomai është i datëlindjes 1942. Ka kryer arsimin e mesëm dhe shërbeu  për një kohë të gjatë në ushtri si mekanik  në ofiçinë. Do të punonte edhe në ofiçinën e Brigadës së 32  në Lushnjë. Thomai e priti me shumë kënaqësi lëvizjen dhe filloi punën  në ofiçinën e repartit në fshatin Kolonjë, ku punoi për dhjetë vjet. Punoi edhe në ofiçinën e ushtrisë në qytet dhe së fundi në fshatin e tij të lindjes, në Bubullimë, ku  ishte krijuar një repart   i vogël kundërajror i IMK-ave. Për punë të mirë ai është dekoruar me:  Urdhrin “Ylli i kuq” dhe me urdhrin “Naim Frashëri”. Nga familja “Gjergji”  janë shpallur dëshmorë të atdheut  dy xhaxhallarët e Thomait: Nikoll Gjergji dhe Uan Gjergji. Mirënjohje për ty, z. Thoma Gjergji!