Novruz Bajramaj, ikona i zbulimeve arkeologjike të qytetit të Vlorës

648
Sigal

NgaAli Barjamaj

Më 13 Mars 2019 u nda nga jeta Novruz Musa Barjamaj. Familja, të afërmit, miqtë e shokët e përjetuan këtë ditë me helm e lot. Ndarja e parakohshme dhe e papritur nga kjo jetë e rënduan edhe më shumë dhimbjen e madhe. Novruzi u lind më 1952, duke i shtuar një djalë vëllazërisë Barjamaj nga Tërbaçi i Vlorës. Shtëpia e Çelo Metes festoi me këngë e pushkë. Për emrin dhe bëmat e Çelos shpesh u thirrën edhe me mbiemrin Çelometaj, të cilët migruan nga Tërbaçi në Drashovicë, ndërsa prindërit e tij, me kohë, u vendosën në qytetin e Vlorës.

Të tre këto vendbanime kanë të drejtën legjitime për të qenë pragu dhe vatra familjare e Novruzit. U rrit dhe u edukua nën kujdesin e një familjeje të shkolluar qytetare. Arsimin e lartë e kreu në Fakultetin e Histori-Filologjisë, dega histori-gjeografi. Bashkë me shkollën, Novruzi trashëgoi traditat, zakonet dhe kodet më të mira që reflektonte familja e madhe, fshati me emër të dëgjuar dhe qyteti i bukur dhe me histori i Vlorës. Novruzi e kuptoi shpejt se përfundimi i shkollës së lartë, nuk ishte fundi, por fillimi i studimeve të pandërprera e të thelluara për kërkimet dhe studimet shkencore. Nisi për Novruzin rruga e jetës, një rrugë e vështirë, një rrugë që e përshkoi me këmbët e veta pa e mbështetur e pa i dhënë njeri dorën. Eci me kurajë dhe besim, pa hedhur një hap të gabuar, me kokën lart e kurrë me hundën përpjetë. I thjeshtë ndër më të thjeshtët, studiues dhe i ditur më shumë se nga plotë të tjerë. Fillimisht punoi si mësues historie, ku u dallua për nivelin e lartë shkencor, për përdorimin e metodave të reja të të nxënit dhe në kërkesat rigoroze për vlerësimin e dijeve. Shpejt u përzgjodh si punonjës për muzeun e Vlorës dhe që nga ajo kohë mbeti aty, deri sa doli në pension. Vite të tëra, si punonjës dhe drejtues i këtij institucioni, Novruzi la pas emrin, punën dhe vlerat e tij në fushën e kërkimeve dhe studimeve. Me qetësi, durim e dije mbrojti qëndrimin dhe punën e vet dhe nuk pranoi, për asnjë arsye, të ulte kokën apo të shkelte normat dhe parimet e tij, të familjes dhe institucionit që drejtoi. U martua me Hënë Merkaj nga Lapardhaja e Vlorës, bijë e një familjeje të dëgjuar e të nderuar për emrin dhe vlerat e saj. Me Hënën, bashkëprojektuan, bashkëndërtuan dhe ngritën familjen e tyre mbi themele të shëndosha e të qëndrueshme që lëshonte dritë e nur duke u dhënë jetë dy fëmijëve që u bënë gëzimi, qëllimi dhe lumturia e tyre. Novruzi, për kërkimet dhe studimet e veta shfrytëzonte ditët e pushimeve javore, të festave dhe lejes vjetore. Në këto ditë, Novruzi, në mëngjes herët, rrëmbente çantën e shpinës, ku mbante një çekiç, një daltë, një lupë dhe një aparat fotografik, përshëndeste Hënën duke i thënë: Ika, se kam një punë me rëndësi, e Hëna, nuk arrinte të shprehte shqetësimet e saj. Kur kthehej në darkë, ashtu i lodhur e i rraskapitur, Hënës i kishte rënë inati, dhe Novruzi i entuziazmuar, i tregonte ku kishte qenë, çfarë kishte parë e çfarë kishte zbuluar.

Novruz Barjamaj në Vlorë është një nga njerëzit që kanë dhënë ndihmesën e tyre të personalizuar në fushat të tilla si; arsimi, pedagogjia, historia, etnografia dhe arkeologjia. Muzeu historik dhe etnografik i Vlorës ka të mishëruar edhe punën shumëvjeçare e plot pasion, me dije e kulturë shkencore të Novruzit. Në shumë muze të zonave e fshatrave të Vlorës, ka lënë gjurmë dora dhe mendja e tij. Kur i hynte një pune, ishin këmbëngulja dhe vullneti dy forcat që e shtynin përpara, deri sa të arrinte, atë që kërkonte dhe qëllimin për të cilin punonte. Nuk kënaqej me punën që bënte. Shumë ide, mendime, teza e përgjithësime i mbante të mbyllura, për tu shprehur në një kohë të mëvonshme dhe vazhdonte të grumbullonte fakte, të dhëna e argumente shkencorë. Këtë e tregojnë edhe fjalët e tij të fundit thënë të vëllait: “Desha të jetoja edhe dy vjet”. Puna nuk e lodhi e as e trembi, e kundërta mund të thuhet, puna lodhej e trembej nga Novruzi. Për shkak të punës dhe profesionit, Novruzi krijoi lidhje të shumta me njerëz të thjeshtë, dijetarë e shkencëtar. Shumë nga këto lidhje ai i ktheu edhe në miqësore duke i ruajtur deri në fund të jetës. Të mirën, si një buqetë lulesh e pati mjetin për të shprehur dashurinë për njerëzit dhe vendin e vet. Një vlerë e bukur dhe plotë dritë është sjellja, kultura, dashuria dhe respekti që përndante pambarim Novruzi ynë si bashkëshort, prind, vëlla, mik e shokë i veçantë. Vdekja e tij është një humbje e madhe për familjen, por edhe një humbje për qytetin e Vlorës dhe institucionet e saj shkencore.

Kam bindjen se për punën konkrete dhe shkencore të Novruzit do të flasin bashkëpunëtorët, kolegët dhe institucionet përkatëse. Të gjithë ata që e kanë njohur nga afër Novruzin do na justifikojnë fjalët e mira dhe krenarinë që ndiejmë, për atë që i thërrisnim shkurt, Nokia ynë.