Niko Tyta/ Vdekja mjerane e Sejfullait, njohësit të 14 gjuhëve

619
Sigal

 

  JETËSHKRIMI/ Ngjitja në kupolë dhe shkarkimi për “paaftësi” i Sefulla Malëshovës

 Vdekja mjerane e njohësit të 14 gjuhëve

Sefulla Malëshova u lind në Sallahore të Greqisë, më 2 mars 1900. Fëmijërinë e kaloi sa në Limar, aq edhe tek njerëzit e nënës në Mezhgoran. Ndërsa mësimet e para i mori në gjuhën turke në Vlorë, ku i ati, Tasimi, ishte doganier. Shkollën e mesme e kreu në liceun italian “San Demetrio” në Koronë. Vazhdoi për 3 vjet studimet universitare për mjekësi, të cilat i la përgjysmë sepse u përfshi në veprimtaritë revolucionare të kohës. Në ato vite, në Itali zhvillonin aktivitetin e tyre 4 shoqata studentore, të cilat formuan një konfederatë dhe zgjodhën si kryetar Sefulla Malëshovën. Viti 1919 ishte shumë prodhimtar për Sefullanë, i cili filloi nga lëvrimi i poezisë dhe shqipërimet e poetëve të mëdhenj. Në vitet ‘20 shihet si një aktivist i dalluar i shoqërisë “Bashkimi” duke bashkëpunuar me Avni Rustemin, Fan Nolin, Luigj Gurakuqin etj.. Në 1924-ën emërohet kryesekretar në Qeverinë e Nolit. Pas dështimit të Revolucionit Demokratik, së bashku me 800 shqiptarë të tjerë, largohet për në Itali. Me ndërmjetësinë e Nolit fiton një bursë studimi për në Bashkimin Sovjetik, Për shumë vjet punoi në Moskë, ku mbrojti gradën shkencore: “Doktor për Filozofi”. Po në Moskë përfundon studimet e larta në akademinë e shkencave politiko-ushtarake dhe filloi të jepte leksione në universitet. Sipas një dëshmie gojore, në Moskë u martua për tre muaj me një skiatore mongoleze. Ka qenë anëtar i Partisë Komuniste të B.S. dhe është përjashtuar si “suarismist”. Më 1935 vjen si klandestin në Elbasan me detyrë nga Kominterni. Zbulohet shpejt dhe largohet për në Francë, ku në qershor të vitit 1940 burgoset. Në verën e vitit ‘43 kthehet në atdhe dhe merr pjesë gjerësisht në Luftën Antifashiste, duke u zgjedhur dhe anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Në vitin ‘44, në Kongresin e Përmetit, është delegat dhe zgjidhet në forumet udhëheqëse. Gjatë kësaj periudhe u ndje pena e tij e fuqishme në udhëzimet e programet e Shtabit të Përgjithshëm. Më 20 tetor ‘44, nga Qeveria Demokratike Provizore e Beratit, merr detyrën e Ministrit të Kulturës dhe Propagandës. Në gusht ‘45 zgjidhet sekretar i Përgjithshëm i Frontit Demokratik. Në tetor ‘45 drejton punimet e Organizatës së Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë ku zgjidhet dhe kryetar i saj. Më ’46-ën, gjatë Plenumit V, shkarkohet nga funksionet e larta partiake, sepse u ndesh me majën e piramidës. Më ’47-ën shkarkohet dhe nga funksionet shtetërore, si ministër arsimi me motivin “për paaftësi”. Pas Konferencës së Tiranës, më 1956 merr rrugën migrimit, fillimisht dy vjet në Ballsh dhe më pas, për 13 vjet në Fier, me detyrën e magazinierit, deri sa vdiq më 11 shtator 1971, në një gjendje të mjeruar. Më 1994 me rastin e 50-vjetorit të Çlirimit të Atdheut është dekoruar nga Presidenti i Republikës me “Urdhrin e Flamurit të Klasit të Parë”.

INTERVISTA/ Niko Tyto rrëfen jetën e Sefulla Malëshovës

 

Niko Tyto thotë për “Telegraf” se ka qenë një adhurues i flaktë i poezisë së Sefullait, aq sa qe në gjendje të deklamonte vjershat e tij përmendësh. “Si mësues letërsie kam komentuar në maturë, plot 30 vjet, prozën e bukur e poetike “Zgalemi” të Gorkit dhe me zjarr e pasion kam folur në klasë për meritat e përkthyesit, për gjuhën aq të pasur dhe elegante, për thjeshtësinë e zhdërvjelltësinë e stilit si dhe për figuracionin artistik aq të goditur. Veç gjithmonë, kam qenë i tensionuar dhe i shqetësuar, duke iu ruajtur pyetjes nga klasa: “Cili është përkthyesi i kësaj proze poetike?”, shprehet Niko Tyto.

Përse pikërisht Sefulla Malëshovau bë objekt i studimit tuaj? Vetëm nga poezia e tij…?

Zanafilla e një pune kaq të madhe e ka dhe një shkak tjetër. Unë, ashtu si dhe Sefullai, u linda në Malëshovë të Përmetit. Kujtoj vitin 1952, si konviktor në Elbasan, në klasën e 2-të pedagogjike ku kisha studiuar disa numra të revistës “Bota e Re”. Më kishte pëlqyer një recension i Selaudin Totos për vlerat letrare të Lame Kodrës. Atëherë unë, jo vetëm që i bëra jehonë kësaj recense, por, deklaroja dhe vjershat “Si e dua Shqipërinë”, “Pas tërmetit” etj. Një ditë, kur nuk e prisja, në një mbledhje të organizatës së rinisë, ish-sekretari i parë i Komitetit të Rinisë të Elbasanit, mes të tjerash theksoi: “…Në gjirin tuaj ka njerëz që janë adhurues të armiqve të partisë. Niko Tyto është viktimë e Sefulla Malëshovës”. Megjithëse isha i ri, nxora mësimet nga kjo situatë.

Cili ishte në të vërtetë njeriu që kundërshtoi Enver Hoxhën?

Sefulla Malëshova tashmë konsiderohet si një “meteor i beftë” në universin e figurave historike shqiptare, pasi ai hyri madhërishëm në skenën e viteve ‘30-’40 si një intelektual i kompletuar, politikan modern, poet me zë kushtrimtar e figurë me popullaritet e reputacion të gjerë. Mirëpo, karriera e Sefulla Malëshovës nuk arriti të mbijetonte dhe pikëpamjet e tij u goditën ashpërsisht nga diktatura, pasi prej forcës së tyre, ajo ndihej vazhdimisht e rrezikuar. Në vitet e demokracisë figura e Sefulla Malëshovës u rehabilitua. Botimet, shkrimet publicistike, kumtesat, dekorimet e deri tek zhvarrimi e varrimi ceremonial, fokusuan lartësimin e kësaj figure.

Kur do t’i fillonin problemet e këtij njeriu?

Dëshmitë tregojnë se kur u zhvillua Plenumi i Beratit, Sefullai mbajti një peshë të madhe, pasi në diskutimin e tij ai goditi Enver Hoxhën, duke i thënë se “Partia Komuniste ishte kthyer në një parti terroriste”. Madje, Ymer Dishnica është shprehur se në këtë Plenum ai dhe Nako Spiru ishin plotësisht dakord me Sefulla Malëshovën dhe e mbështetën. Por Malëshova ishte me bindje të pastra socialdemokrate. Ishte pikërisht kjo bindje e tij që gjykoi se Enver Hoxha nuk duhej të largohej nga udhëheqja e partisë në një situatë dramatike si, pas asaj të Pleniumit të Beratit të vitit 1944. Sefullai në atë kohë ishte i mendimit që Enver Hoxha të largohej si drejtues, vetëm me zgjedhjet e lira. Sefullai ia la në dorë këtë Kongresit të Parë të Partisë, i cili mendohej se do të mbahej shpejt, fill pas çlirimit të Shqipërisë. Sipas tij, Partia Komuniste duhej të reformohej me elementë demokratë për ta udhëhequr sa më mirë. Por ngjarjet u zhvilluan ndryshe. Kongresi i Parë, jo vetëm që nuk u zhvillua siç ishte menduar, por u bënë të gjitha spostimet që i hapën rrugën për më tej Enver Hoxhës. Ky kongres faktikisht u zhvillua në vitin 1948.

Cilat ishin pikëpamjet politike të Malëshovës?

Dëshmitë e mbledhura nga unë thonë se Sefulla Malëshova kërkonte që në Shqipëri të zhvillohej sistemi socialdemokrat, sa më i butë për masën e popullit. Ai ishte kundër çdo lloj diktature, dhe për më tepër ishte kundër dënimeve kapitale për motive e bindje politike. Sefullai ishte një militant i mendimit të lirë dhe kultivues i socialdemokracisë, por në të njëjtën kohë ai ishte dhe një shqiptar i madh. Po në këtë kuadër, ai ishte poeti më i madh shqiptar i realizmit socialist. Ishte shprehur me forcë dhe për një vlerësim të drejtë të intelektualëve. Njihte një gjuhë të huaj më pak se Fan Noli dhe një më shumë se Faik Konica, pra plot 14 gjuhë. Ndërkohë ishte dhe një njohës i shkëlqyer i shqipes. Fatkeqësisht ky emër i madh i kulturës kombëtare, me një potencial mendor e shpirtëror, u kritikua, u luftua, u poshtërua dhe u internua duke iu vënë shumë nofka të pamerituara. Një pjesë e tyre gjendeshin në kritikat e Enver Hoxhës si, për shembull: “Sefulla Malëshova ishte një dembel shembullor”.. “vlerat e tij në kohën e luftës ishin zero”… “gjoja ishte njeri i penës”… “i pëlqenin mburrjet dhe privilegjet”… “prototip i njeriut mikroborgjez”… Në të njëjtën kohë, në organizatat-bazë të partisë, përmendej shpesh oportunizmi i Malëshovës.

 

Si do të kalonte jeta e Malëshovës në internim?

Pjesën në të madhe të kohës e kaloi në Fier. Në hulumtimet e mia kam gjetur një person, i cili tregon: “Kur po ndërtohej Azotiku i Fierit, përveç inxhinierëve shqiptarë kishte dhe specialistë të huaj. Një ditë viziton Fierin kryeministri Mehmet Shehu, i cili sapo dalloi në turmë Sefullanë, i thotë: – Hë Sefulla, si të duket Azotiku, a po e ndërtojmë Shqipërinë? – Ndërsa Sefullai nga ana e tij iu përgjigj: – Doemos, që po bëhet më mirë, veç mos harro se po bëhet ashtu si po them unë”. Në këtë rast Sefulla Malëshova nënkuptonte ndihmën e perëndimit, dhe një gjë të tillë nuk la pa ia përmendur kryeministrit Mehmet Shehu. Por gjatë periudhës së internimit, Sefulla Malëshova u trajtua në mënyrë poshtëruese. Dëshmitë thonë se edhe fëmijët e shkollave u instruktuan që të hidhnin gurë mbi të. Ai u la në harresë, ndërsa për një periudhë tjetër ishte bërë objekt i sulmeve. Tashmë kanë kaluar 38 vjet që nga koha, kur Sejfulla Malëshova mbylli sytë përmes dhimbjeve të mëdha, në dhomën e tij, në katin e dytë të pallatit tip “hungarez”, siç njihet në qytetin e Fierit. Edhe pse kanë kaluar kaq vite, sërish vdekja e tij mbetet e diskutuar. Ndërsa Agetina Vokshi kujton: “Kur e nisëm për në banesën e fundit e shoqëruan punëtorët e komunales, ndërsa ne të tjerët i qëndronin dhe e shoqëronim 20 metra larg, sepse regjimi diktatorial ishte i zi si nata”.

 

DËSHMI/Si e njihnin bashkëkohësit poetin e madh

Fan Noli: – “Sefulla Malëshova është poet popullor që meriton notën më të lartë”

Pashko Gjeçi: – “Lame Kodra është poet i trungut shqiptar. Ai nuk kërkoi një Shqipëri statike, por dinamike, në lëvizje të vazhdueshme, drejt qytetërimit e përparimit”.

Perikli Jorgoni: “Poezia e Lame Kodrës është poezi me tone dramatike e me shpërthime të brendshme”

Koço Bihiku: “Letërsia përparimtare e viteve ’20-’30 pa Lame Kodrën, do të jetë e mangët”.

Ymer Dishnica: – “Kam pasur miqësi të sinqertë e të ngushtë, se më ishin puqur mendimet e gjeja mirëkuptim. Në bisedat tona ai kujtonte shpesh Belinskin e madh: “Të thuash i pari të vërtetën, duhet fisnikëri dhe guxim”.

Skënder Luarasi: – “Sefulla Malëshova shkruante një shqipe të pastër, të bukur. Unë e mbrojta Sefullanë si poet të Shquar, Demokrat e Patriot”.

Rahman Përllaku: – “Kujtoj bisedat që zhvillonim në prag të zgjedhjeve për deputet, ku Sefullai ngulte këmbë që Parlamenti duhej të bëhej pluralist dhe jo vetëm nga komunistët e kuadrot e dala nga lufta… Malëshova, si korifeu i mendimit socialdemokrat, në këto vite ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve e të shtypit periodik”.