Nertesi Asllani – Një poet i spikatur sa popullor aq edhe modern

1960
Sigal

Mbi 4 dekada punoi Nertesiu në sektorin e kulturës, në fshatin Bolenë e më pas në Vlorë

Mbi 4 dekada punoi Nertesiu në sektorin e kulturës, në fshatin Bolenë e më pas në Vlorë, me grupin e këngës “Jahona Labe”, të krijuar prej tij. Ai qe një punonjës i palodhur e i frymëzuar i kulturës në këtë drejtim. Gjurmonte melodi popullore, i kompozonte ato e i ligjëronte me grupin. Dhe bëri jehonë me repertorin e madh të këngëve.
Por merita kryesore e tij si krijues nuk qe kjo. Ai ishte një poet me të vërtetë i spikatur. Botoi shumë libra me poezi, midis të cilave shquajnë : “Trëndelinë në shkëmb”, “Iso përmbi valë”, “Ç’më këndon një zog mbi supe” e ndonjë tjetër.
Një ligjërim vërtet i thellë e metaforik shpaloset në këto libra me poezi. Këtu nuk është vendi për ilustrime të gjata me vargje, veç të themi disa nga tiparet e poezisë së tij.
Në ‘to ishte i pleksur elementi ligjërues popullor me figuracionin dhe kompozicionin e poezisë moderne. I këndon Labërisë me një melos poetik të habitshëm. Ato pasazhe të japin imazhin e tingëllimin e këngës. I këndon vendlindjes së tij, Bolenës, me një mall të madh.
Vjershat e shkurtra e të gjata të tij janë me të vërtetë të përkryera nga kompozicioni e ritmika, nga rima e timbri, nga nuancat e ligjërimit popullor e dekori metaforik modern.
Shkruan për jetën sociale, me ngjyra ngjethëse, si tek “Macet e Sazanit”, apo shungullimat e tranzicionit të stërzgjatur të demokracisë së vonuar te ne; shkruan për historinë e bukuritë e Kurveleshit me ngjyra dehëse. Poezitë me tematikë erotikën janë me të vërtetë nga krijimet më të përsosura midis poetëve të Vlorës e më gjerë.
Shkruan për figura të shquara të kombit, për Kosovën e Çamërinë; … për mallin e valë të emigrantit shqiptar, për viset romantike të Labërisë,… Ja vetëm një strofë për një nënë të re bolenase që u copëtua nga predhat e armikut në vitet e Luftës:

Gjiri yt i prerë
Rritet edhe zbardhet;
Si një tufe resh
përmbi maja malesh…

Një vizion vërtet i mahnitshëm poetik. Poezitë e tij janë prekëse, frymëzuese.
Sa e sa maksima poetike ka dhënë ai në dhjetëra poezi e qindra vargje! Gjithë kjo vlerë e rreshton Nertesi Asllanin ndër poetët më të shquar jo vetëm të traditës në Labëri, por edhe në poetët e dekadave të fundit në Vlorë.